Ndodh që të ec i përgjumuri në tehe të murit e të mos
bie në tregimet e të mallëngjyerve të pragut të ylbertë. Pas
shumë ditëve, e takova në rrugë dhe më përshëndeti duke
më lënë përshtypje se po ikte larg prej këtej dhe as kërkonte
buzëqeshjen time, meqë po kalonte në të zezën e vuajtjes po
edhe në vuajtje, nuancën e saj më të ultë. Basi i vuajtjes së tij
hetohej edhe në mua si tronditje e papritur e përcjellur me
shumësi laramane të tingullt, si do të thoshte Vainingeri.
Era frynte, gjethet m'i lëkundte. Disa më ranë si lotët e
pakthyeshëm të njeriut të përvuajtur që as këndon e as
hesht, vetëm dënes.
E shikoja si më vinte në gosti dhe lente Ah-un ku secili
dukej se është i fundit.
Ishte zog i bukur që me ëndje e shikonin. Veç të kujtosh
këngën e tij, është kënaqësi e lere më, ta ndiesh. Kurse tani
është shumë vonë për këngën e tij. Herën e fundit e këndoi
para Bajramit të madh. Nuk durova, e ndala dhe e pyeta: Pse
ik miku im e nuk ma le këngën tënde ta mbaj si kujtim.
“Shumë pak kohë” -u përgjigj ai.
“Po ti ke krahët dhe…”
“Ndal të lutem”.
Atë natë qentë ashpër lehnin, u frikësova. Jo nga qentë
por nga njerëzit, që të mos mendonin se po vdisja.
“Kaq le të mjaftojë” - thoshte si i hutuar.
“Ndal. Ndal o miku im, stolia e gjetheve të mi. Ndal të
lutem”. - Po nuk vlente, ai kishte vendosur.
“Shumë pak kohë kam, më duhet ta zë valën e fundit.
Më duhet ta zë vibrimin e fundit, a po më kupton?”