| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Ai që është i qytetëruar E enjte, 11-01-2007, 07:44pm (GMT) E njihni të gjithë atë që “ka parë botë”, që është i qytetëruar. Çdo qytet i Shqipërisë e çdo katund sadomos i madh ka të tijën. “Njeriu që është i qytetëruar” i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta” (ca pak të idikura), mban një stap të lehtë në dorë - e shikon sipër-poshtë gjithë botën. Vajzat çuditen, pleqtë shkëndallëzohen, djelmtë i bien prapa, duke thirrur e duke vërshëllyer a duke i hedhur gurë, - mjeshtri i shkollës i qaset të lidhë fjalë. Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjatrën! – “Si vete sot? – Si vini?, - thonë në Evropë! Vërtet, ju kërkoni ndjesë! – Si vini, si shkoni? Si kurdoherë, më pëlcet zemra. Ku rrohet në këtë vend, me këta njerëz që s’dinë të vishen, të hanë, të flasin! Ah, Evropa e shkretë! Kur isha në Evropë...” Kur ish në Evropë, ish si peshku në ujë. Gjithë shijen, gjithë hollësinë e shoqërisë së qytetëruar i ka thëthitur. I ka parë të gjitha sa janë për të parë e ca të tjera, i njeh të gjithë. Ka folur, ka lidhur miqësi me fytyrat e njohura të Evropës së tërë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||