Kohën e gozhduam mureve
E futëm në dosje
E kyçëm në sirtare,
sonduqe
E flijuam stendave,
muzeumeve
Në parcela,
kënde
e qoshe
Si kohë blu,
laramane,
rozë,
apo të kuqe.
Iu qepëm kohës së prapthi
Kohës që na e kishin grabitur më parë
Si dema të urritur kur dalin nga vathi
Për ta copëtuar u vumë në garë.
I vumë Kohës, emrat e hajdutëve të saj
Dhe e thirëm kohën si pronë të tyre
S’e kuptonim se bënim të njëjtin faj
S’e kuptonim se kishim rivrarë Kohën.
Koha nuk shahet, thotë populli
“Koha është flori”
Ajo është Tempulli
Ku filli i jetës bëhet fli.
Koha s’është kohë zborresh, eksperimentesh
Koha s’do emra njërëzish, ndodhish
Koha ka kohën e saj
Ajo është udhërrëfim i jetës
Koha ka veç një emër
Në gur,
mermer
a letër
Ajo është Kohë!
I jemi ngjizur Kohës!
Instrument i një kompleksi në lëvizje
I jemi mirënjohës Kohës;
se u kujtua të na bëjë për vete,
në rrugën e Kombeve
në rrugën e mundit dhe djersës
aty ku ne ishim vërtet e “Kohës Pjesëz”
viteve,
shekujve,
moteve.
Ne tani i betohemi Kohës!
Si bij të vërtetë të Tokës
Ne tani i jemi vërtet mirrënjohës
se s’ka më “të ngrihen këmbët ti bien kokës”,
se shtegu s’ka më parantesë
se filloi të kuptohet jeta
se s’ka më sllogan ‘mbështetje në forcat e veta”
se është në modë,
kjo kohë,
kjo jetesë.
Ne kemi filluar ecjen për të kapur Kohën.
Ne që kemi marrë rrudhat e saj,
S’ecim më me rrymën që na rrëmben.
Por me aromën që na pështjellë në vetvete
Me atë që na sheh me syrin e mirë.
Iku ajo kohë kur trembeshim nga Koha,
Kur kohën e shihnim në fletërrufe
Kur kohën e krahasonim me Fillin e Kuq
Kur, kurrë s’i pëlqenim Kohës një huq.
Jemi mësuar tani me kohërat.
Se dimë të zgjedhim më në fund Kohën!
Iku koha kur i largoheshim Kohës
U zhduk ajo fëlliqësi nga sytë e Botës
Ç’kusur kishim ne
Të masnim këmbët me shpejtësinë e rrotës
Iku për turp ajo Kohë.
Ecim ndoshta prapë jo me një hap me të
S’dihet sa kohë duhet të kapim Kohën
Ecim në një rrugë me të
Ecim dhe sërrish larg Botës.
Trenat modernë ndalen pranë këmbëve tanë
Fluturimin e ndalim pranë Vatikanit
OKB-së,
Europës e ku di unë
E flakëm tej gjuhën e shejtanit
Jemi bijtë e Kohës
Jemi OK-ej!
Na qëllon të shtrëngojmë duart me nënën Mbretëreshë
Sallave mondane të Londrës
Neve, bijve të një kohe eksperiment
Na qëllon të ulemi në një shesh
Me atë që e shihnim armik të pabesë
Dhe na vjen për të qeshë
Dhe lot na shpëtojnë, për besë.
Takojmë “armiqtë” tanë gjysëmshekullorë në zyra
Vallëzojmë shqiptarçe dhe moderne nëpër dasma
Në shkolla,
universitete,
fabrika,
në rrugë
Flasim,
qeshim,
dashurohemi lirshëm
Ah, sa ndryshim që koha nga koha paska
S’i s’e kuptuam më parë këtë punë.
Vallë pse i largoheshim Kohës?
Pse i frikësoheshim Botës ku jetojmë?
Kohën përbuznim pakuptim
Kur ajo na thërriste në rrugën e saj
Kur ne s’i lamë gjë pa sharrë
Kur ajo prapë durimtare
qante dhe qeshte me ne, pastaj
Ne ishim dhe mbetëm ata që ishim
Kurban i një çmendurie peshqesh
Kohën braktisëm me faj e pa faj
Kurrë s’i vumë kokës gishtin
Që Bota mos të sillej orbitale rreth nesh.
Dikush tani kujton “vaporat”
E atij viti që lëvizi akrepat e ndalë
Dikush fluturimin,
udhëtimin,
rrugëtimin e gjatë
Strofkave moderne,
përpirëse deri në infinit
Pakkush integrimin,
mundimin ditë e natë
“Ishte i tillë ai muaj, i tillë ai vit”
Koha ecën dhe s’ka kohë të dëgjojë
Mëkatin tonë, vetlargimin tonë
Ne tani vetëm duhet të turremi atë për t’a kapë
S’ka kohë për të shkuarën
S’ka kohë për të sharrë!
Është kohë e vështirë vërtet kjo kohë or vëlla
E lodhshme,
E gjatë
Jo si gjithë kohërat
Është e të gjithëve kjo kohë, o njërëz
Dhe jo kohë “për të nënës e për të njerkës”
Është Koha e shekullit të ri
Koha që na dha krahë
Na dha shance
Na dha Liri dhe Pavarësi,
Është Koha jote o Njeri!
Nga libri ''Ecje ne qelq''