Aty ndodhem të rrëkëllej konjakun
me gotën qelibar
ku mpiksen gishtat e tu
veç për të të parë.
Të shoh!
Të shoh në kurrizin e lakuar
të gotës plot
Të shoh në thellësi të saj
s'të shijoj dot.
Mijëra sy përzihen më pas
...dhe unë bëhem tapë.
Aty ndodhem të humbas një çast
me gotën bosh
dhe kur kam pak para
dhe kur s'kam asnjë grosh.
Aty padashje fiksoj në letër
sy, buzë e trup elegant.
Më pas ndoshta harroj, patjetër
se duhet të ngrihem, të eci prapë.
E aty ndodhem prapë,
prapë e prapë.
Shkëputur nga vëllimi poetik “Mos Hesht”