Xha Avrami harroi për ca ditë miqtë e tij të vjetër, zagarin, çiften dhe fyellin. U gjend në mes të një kllapie që e detyronte të merrej më shumë tani me djalin e tij. Ndoshta edhe të ndihmonte të shoqen, që dukej ende e pamundur tërrësisht. Por në shesh dilte gati çdo ditë, ashtu i qeshur dhe tepër i qetë. Atë ditë ishte gati në të ngrysur dhe një puhizë e lehtë frynte aty në shesh. Puhiza merte diku dhe shpërndante një melodi barritore me fyell cep e më cep të qytetit dhe pastaj si një miniciklon hynte edhe në veshët e tij. Ai u përhumb një çast dhe pastaj nisi të më tregojë. Unë për çudi s’kisha laps atë ditë me vete, e kisha harruar. Më fal i thashë, sa të shkoj të marr një laps, se… Ai m’a ndërpreu fjalën dhe m’a la atë pa e vazhduar më tej. “Edhe ti si puna ime”, - më tha, - ke filluar të harrosh lapsin. “Unë kam kohë që kam harruar fyellin.” “E di ç’më ndodhi një ditë?”- më tha pastaj. Dhe unë e dëgjova me vëmendje. Pastaj e riprodhova fjalën e tij në darkë, kur u ktheva në shtëpi. A doni t’ua tregoj edhe juve? Nëse ju pëlqejnë rrëfenjat e xha Avramit, atëherë dëgjojeni, lexojeni dhe përhapeni edhe ju këtë rrëfenjë të tij.
Nga autori.
RRËFENJA E PESTË: MERIMANGA DHE FYELLI
“Unë i mbylla sytë atë natë vetëm kur ime shoqe dhe djali kishin rënë në gjumë. Ishte gati mesi i natës. Qetësia kishte rënë kudo. Vetëm ca bulçitës kishin ngritur korrin e tyre, diku aty afër dritares sime e s’më linin të qetë. Unë u ngrita dhe e mbylla me kujdes atë, edhe se bënte pak vapë dhe ishte zagushi atë natë. U shtriva në krevat, se gruaja me tim bir ishin në dhomën tjetër, pikërisht aty ku i kishte zënë gjumi rrastësisht, pas një dite të lodhshme e të gjatë për ta. Djali gati gjthë ditën kishte qarë, ndoshta nga dhimbje barku… Nejse unë tentova të qetësohem. Sa mbylla sytë një zhurmë çarëse, si një e fryrë elefanti në një grykë, një zhurmë e përzier me një të fryrë, që i ngjante një fryme që duket sikur ka dalë nga një tub, më pushtoi veshët. Hapa sytë menjëherë. Veshët më gulçonin. I fërkova dhe i mbylla me gishta. Nuk dëgjoja më zhurmë. Hoqa gishtat dhe prapë zhurma u dëgjua vetëm për një çast dhe pastaj pushoi. Vështrova përqark në dhomë. Shkova edhe në dhomën ku ishte gruaja dhe djali. Asgjë. Ndoshta ishte ndonjë zhurmë kalimtare, thashë me vete, dhe u shtriva prapë. Sa u shtriva, pa i mbyllur sytë mirë e njëjta zhurmë më erdhi prapë në vesh. Ç’të jetë vallë?, - pyesja veten. Pastaj hodha një vështrim poshtë krevatit. Aty ishte fyelli im. Zgjata duart që t’a ngre. Por ç’të shihja? Ai ishte tepër i rrëndë. U ngrita dhe ashtu në gjunjë provova edhe njëherë. M’u duk më i lehtë. E mora e fshiva dhe i fryva me kujdes, se mos zgjoja gruan dhe djalin. Ai nuk lëshonte zhurmë. E ngrita lart nga drita dhe pashë se ai ishte i mbushur me fije të bardha, që më ngjan në çast si fije pambuku. Futa një shufër dhe nisa t’a pastroj. Unë pastro dhe fijet shtohu. Dreq o punë, - thashë me vete. Ç’po ndodh? C’po ndodh këtu në këtë dhomë me mua dhe me fyellin tim? E lashë pranë dritares dhe u shtriva prapë. Prapë zhurmë. E njëjta zhurmë. U ngrita. Nga fyelli kishte dalë një merimangë e zezë, e madhe dhe po thurte e po thurte rrjetën e saj me një shpejtësi marramendëse. Kësaj rradhe rrjeta e saj lidhej edhe me krevatin, tavanin dhe me dritaren. Vetëm unë isha jashtë kësaj rrjete, i rrethuar si në një gardh pambuku. Mora çiften me vrap. Pastaj e lashë përsëri. Do të bëjë zhurmë, - thashë dhe do të trembet gruaja me djalin. Merimanga vazhdonte punën e saj. Rrjeta e saj rritej e rritej. Unë zgjata duart dhe kapa fyellin prapë. E ngrita dhe tentova të godasë merimangën. Ajo u mblodh kruspull dhe fap m’u hodh në fyt. Nuk e shkulja dot. Pastaj nuk e di se si ajo u gjend në tavan. Mora prapë çiften dhe me grykën e saj tentova t’a largoj. Ajo lëshoi një fije dhe zbriti në një cep të dhomës dhe filloi të dridhej. Ajo dridhej dhe unë dridhesha. Të dy ishim frikësuar nga njëri tjetri? Sidoqoftë mblodha veten. Mora fyellin prapë. Fyelli s’kishte më fije. Merimanga s’ishte më në dhomë. Pashë gjithandej. Ajo s’ishte më aty. Vendosa të flejë. Mbylla sytë. Prapë zhurmë. Tentova të ngrihem, por s’ngrihesha dot. Isha i tëri nën pushtetin e rrjetës së merimangës. Ajo tërhiqte fyellin me fijet e saj drejt krevatit. Pastaj më liroi duart dhe më dha fyellin. Unë fillova t’i bie fyellit. Merimanga filloi të kërcejë. Në dritare kishin dalë dhjetra zogj, në derë gruaja me djalin në krah shikonin herë nga unë, herë nga merimanga e herë nga zogjtë. Pastaj merimanga iku. Iku dhe mori fijet me vete. Unë mora fyellin dhe u shtriva pranë djalit dhe gruas… Nata iku shpejt.