Xha Avrami u kthye herët atë ditë nga gjuetia. Nuk ishte një ditë e mbarë për të, si ditët e tjera, se pas një shiu të rrëmbyeshëm dielli që kishte dalë e që gati të përvëlonte, ia kishte prishur shanset e gjuetisë. E megjithatë, Xha Avrami vendosi të shkonte andej nga buzëlumi, pasi mendoi se mund të kishte më shumë fresk, ndoshta mund të gjente edhe ndonjë lepur ndër shelgjishte. Ashtu bëri. Pas kthimit nga buzëlumi e takova si gjithmonë aty në sheshin e qytetit dhe ai më tregoi rrëfenjën e tij të dytë. Unë po jua tregoj juve.
Nga autori.
RRËFENJA E DYTË: NË MES TË DITËS ME DIELL
“E pashë prapë me sytë e mi. Pranë tij kishte një mace, një fyell dhe në dorë kishte marrë një sharrë hekuri dhe sharronte drynin e dyqanit të madh në mes të Pazarit, në mes të qytetit. Në mes të ditës me diell përvëlues. E pashë dhe nuk i besova syve. Fshiva sytë dhe e pyeta:
-Ej, ç’po bën? – i thashë.
-Asgjë. – më tha ai.
-Si asgjë, - ia ktheva.
-Hiç, - më tha.
-Si hiç, e pyeta prapë.
-Ja kështu hiç, nuk e sheh, po i bie violinës.- më tha prerë.
-Po muzika ku është?
-Ah muzika? Atë do t’a dëgjosh më vonë, - më tha. Do t’a dëgjosh ndoshta, kur të filloj t’i bie fyellit. Ja këtij. E sheh, më tha,- duke e tundur në ajër.
Epo mirë i thashë, punë e mbarë të qoftë. Unë do të pres kur të filloj muzika…
Ai la sharën dhe mori fyellin. Frynte buzët dhe lëvizte duart. Imitonte lojën me fyellin dhe ndërsa sharra bënte zhurmën e saj sharuese në hekur më parë, fyelli nuk lëshonte asnjë zhurmë për çudi. Iu afrova më pranë dhe e pyeta prapë:
-Jam shurdhuar unë, apo ti po tallesh me mua?
-Unë po tallem?! Epo mirë meqenëse ju nuk dëgjoni muzikën e fyellit tim, ja dëgjoni se si kjo macja ime i bie atij. Macja kaq e pati, kërceu menjëherë, u shtriq, rroku fyellin dhe një muzikë e fuqishme u dëgjua në çast. Muzika e fyellit mblodhi aty njërëz e kafshë, mblodhi lopë e kuaj, mace e buaj e ku di unë. Ç’do gjë ishte për pak sekonda nën pushtetin e fyellit të maces. Qeni po qeshte dhe ashtu i ulur në prapanicë duartrokiste, Lopa kërcente e kërcente në hava. Të tjerët kthyen lugë e pjata në vegla muzikore. Një orkestër që edhe dirigjenti më i mirë i botës do t’ia kishte zilinë. Unë shihja dhe habitesha. Pastaj u largova pa folur. Në ikje e sipër, me vete thashë, “Kur u dëgjoka fyelli, s’paska muzikë që tja kalojë, s’paska instrument t’a konkurrojë.”
Xha Avrami donte të tregonte më shumë, por vapa i dha një dremitje të lehtë. Unë vendosa të mos ia prishë dremitjen atij. Dhe derisa ai të zgjohet sërrish ju urojë shikim të këndshëm edhe juve.