Mëngjese t'reja sjellin stinët e motit.
Lindin, rilindin nipa të Kastriotit.
Kur e lëshon zërin kushtrim i lirisë,
Vijnë e bien trimat, shkënditë e stuhisë.
Nga Drenica thërret Adem Jashari,
Me njëqind rrufe vjen Ismet Jashari.
Fushë Kosovën e mban në pëllëmbë,
Zemrën e atdheut, Kumanova e çon' në këmbë!
Kur lypset guximi, tregon urtësinë.
Kur thërret gjaku, tregon trimërinë.
Etjen shokëve nga vapa e Korrikut,
Ua shuan me fitoret ndaj armikut.
Nga Orizarja n'Kosovë, n'pluhur të dheut,
Shpirti i tij, gjallëron frymën e Skënderbeut.
Në beteja, deri në vdekje me ushtarët,
Prapa nuk dijnë hapin, ta bëjnë Çlirimtarët.
Në kështjellë ndizet flaka e legjendarit,
Një Brigadë është gjaku i Ismet Jasharit.
Krenarisë së vjetër ia kthen shkëlqimin,
Kumanova, me shtatë zemrat e Mujdinit*.
Me shprehjen Shtatë zemrat e Mujdinit poeti e krahason trimërinë e Ismet Jasharit-Kumanovës me atë të bashkëluftëtarit të tij, Mujdin Aliu-Poroi nga Tetova, i cili po ashtu ra dëshmorë për lirinë e Kosovës gjatë luftës së vitit 1997-1999 ndërmjet forcave serbo-çetnike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.