I
Jaseminë, ardhang mbi varrë të nënkurmit tim!
Ah motet, sa t'pamshirshëm jan!
Shkelin si diell, po po n'përëndim,
Që s't'ngrohë e tutje van.
Dhe krejt në dhera tjera!
Me natën që po afron!
M'u përmbys në vaj' e mjera
Se këtu dita, s'po mé agon!
Edhe koha edhe fjala edhe vendi,
Gjithçka e vjetër ishte.
Sikurse ne, as gjësendi!
Si pika lot', kujtime n'harresë
Dhe ç'pamje do të kishte;
Atëherit, kur të vdesë?
II
Atëherit, kur të vdes;
Nga qepallat e dendur shkëndi,
Një pikë e njelmët, të rrjedhë e pres?
Ndjesë për mua, paça nga Ti.
Në agimin e bebëzave t' gjelbërta,
Prej kohërave të moçme ruhej
Dhe fara e ardhmërisë, ndaj shtigjeve të blerta,
Bashk me buzëqeshjen e ëmbël shuhej.
Maja e buzës, si flaka n'furtunë dridhej!
Athua vall, aty mbahej shpresa e fikur?
Po po, brihumnere më dukej se do hidhej!
Shikimet e hedhur gjetke, thelloheshin n'kujtim.
Arra e jetës boshe, bërthamé e venitur;
Sikundër siluetat, përtej n'agim.
III
Sikundër siluetat, përtej n'agim;
Ashtu, hedhur mënjanë gërshetin,
M'i ndezë dejet, kur tundësh në prankalim
Dhe në shejë ndjesie, luan kasketin.
E kështu, përse vallë?
M lenë të nemur, pa fjalë?
E Unë, ndjenjë e dhembjeve të pamëshirta,
Ngeci në dikurshmërinë e farkimeve të dëlirta.
Orfeu i këndon detit të shqetësuar,
Tingujt e melodive nga gishtrijtë e latuar,
Në shpirtin tim, bien me akord t'egërsuar!
Një kushtrim i pëgëzuar nën emrin shpresë;
I kalitur maje qielli, stoik prorë i praruar.
Eh, sa me mallë të presë?
IV
Eh, sa me mallë të presë?
Ashtu, si lulja që shembëllehet n'pranverë
Dhe shkëlqen me shënd e me mbresë
Dhe t'mahnit, kur hapet në erë!
Edhe ty o lumë, lakmi ta kam;
Bregun t'a vështroj, që matanë;
Eh nesër, jo jo, s'do jam,
Kurrë më, pranë e pranë.
Në rudinë, ah në sheshin e vjetër,
Sa ke rrojtur edhe sa do jeshë?
Pas meje arrin ndokush tjetër.
Dhe heshtja jote, sa mirë fletë,
Dhe premtimin e fjalës së fundit do e keshë;
Më donte, sikundër dhe Unë vetë.
V
Më donte, sikundër dhe Unë vetë.
Përjetësim i rrallë moj, lashtësi romantike;
I një Odiseu, të hedhur fill' në detë!
E jo këngë e falimentimeve klasike.
Prandaj, mos u lig o zemra ime,
Se ke humbur, edhe pse e dinë!
As mos buzëqesh, si e marrë në dëfrime,
Por fatkobi yt' fatal, pa pra s'do rrinë.
Pasiqë, barazimet i solle gjerë n'kotësi!
Sërish, duaje dritën, siç e urren lakuriqi
Dhe vlera jote, letë pjellë një gjeni.
Frytin e ngadhnjimit, mjelle në vullnet
Dhe beso në çdo gjë, ashtu siç;
Ishim dashuronjës, manarë të vërtetë.
VI
Ishim dashuronjës, manarë të vërtetë,
Nëse jo, për njëri tjetrin, për kë?
Mos vall, për vetëvete!
Kurrë s'do doja të rrojë më.
Ah, moj ëndërr që s'ke të sosur!
E ty shpirt, që t'vie vaj;
Nesër, me natë i varrosur,
Mos t'vij turp, por vetëm qaj.
Syri im, u mek n'lot!
T'a ndalë vajin, s'mundem dot!
Fryj moj erë e dhenave tjera.
S'm' g'zohet fryma, si ngahera.
Shtërgatë e kohës së paqenë moj, pafajsi e nartë.
Narcis i kulluar, si etëri i kjartë.
VII
Narcis i kulluar, si etëri i kjartë.
Ku vdekja për shpirtin, në t'vërtetë
Eshtë më e pranueshme, se jeta vetë.
Po po, si pinc Hamleti në Danimarkë.
Dashuria n'thellësitë e zemrës që ndryhet e ngërthyer,
Krahas asaj në maje gjuhë, është më shumë e vyer.
Dhe një ndjenjë kurrë s'do ta prekë bukurinë,
Gjersa thënia në vete s'do të mbajë drejtësinë.
Shtigjet e përtej pamura, vërtet të panumërta janë!
Por një ësht', që drejt së vërtetës shpie;
Ndonëse i urti, qetas pa ngut i ndanë.
Në mos vallë adresa, gabim në kët' hartë?
Por s'jam lumë, që shtretërve tërthor t'u bie!
E ç'lumturi, ç'kohë e artë!
VIII
E ç'lumturi, ç'kohë e artë!
O pluhur errësirash kozmike të paqarta?
O rrugë kumtrish e yje pafund të largëta!
E Ti botë e galaksive, mjegull e zjarrtë.
Samarin, mbi të cilin qëndrojmë;
Eshtë gënjeshtër e gjithë bota i thonë!
Atëherë, edhe jeta qenkë një e tillë
Sikurse ajo, ku na zënë këmbët fillë.
Njëra: lojë, dëfrim, zbavitje e argti!
Hiç më pak as më tepër nga e kota?
Tjetra: vajë, lëngim, psherëtim. Një tragjikomedi!
Vetëm me fjalë, dot' si shpreha!
Gjithçka kuptova dhe asgjë s'kuptova nga bota!
Huri symëdha, engjëll paradisi t'pandeha.
IX
Hyri symëdha, engjëll paradisi t'pandeha
Dhe s'mbyllë sy, në ëndërrime;
Besom, gjumin dëbova, nga qërpikët e çmbreha!
Ndonëse, varri na i shtronë shekujt pushime.
Ora e murit, pandalë kohën numëron
Dhe sa perciptas, çapat çkallmon!
Rrjedh, po po si lumi, shtratin që gjarrpëron,
Veç se ky,hovin diku buzdeti ndalon.
Po koha vall? ç'emër imagjinar?
Pa pikë, pa presë, pa shejë pikësimi rrjedhë!
Ç'përkufizm, me thelb aq tepër kurrështar?
Pa fill, pa mbarim, ngado sy që hedhë;
Dashurin ke pishtarin e vetëm, po iu fale.
Amazone, legjendë në shpirt' m'u ngjalle.
X
Amazone, legjendë në shpirt' m'u ngjalle.
Olimp, pirg pishash e muzëve të lashtë,
Madheshti gërmadhash ironike, panoramë gërgalle,
Statu skandaloze, t'i ç'palli koha moderne cipë jashtë.
Kredhem në brendin e guaskës sime, si qenie hyjnore;
Ajme, cak shigjetash të favoreve tradhëtore
Dhe zbrapsen kokë ulur, betejë humbur amatore!
Nën re, sa të errta rrufe, si bota djallëzore.
Antika krijoi idealistin Platonian
Dhe ndër shekuj u shkri në Nihilizëm Niçenian,
Që njëshi njëzet t'përlind mbinjeriun Migjenian.
E që e përçau e çthuri dallga n'të cilën pandeha!
S'brengosem ç'kohë do tëpjellë një rilind gjenian!
Xhevahir i shkruar, o n'syrin tënd u preha.
XI
Xhevahir i shkuar, o n'syrin tënd u preha.
O lëre lëre siç e gjete botën në shamatë.
Se s'kupton dot' kjo kokëtrashë!
Ndonëse nga kullë e Babilonit, tampan i jeha.
Harroi brengat, shlyej nga mendja.
Zotëro vetën, se botën e rroki çmendja!
Dhuro zemrën, mos ndal hovin kurrë.
Se nesër s'do mundesh, kur t'shtrohësh në qivurë.
Të tjerët, të marrë letë zanë!
O edhe ata engjuj, pranë derës së ferrit janë;
Shtiren kinse! Por t'njejtin insinkt shtazor e kanë!
Kokëfortësia, s'vlen për n'të gjallë,
Se n'llogari t'shpinës, ia paguan botës jallanë.
Ith, oh nga gjyri yt' shkrumb e valë.
XII
Ith, oh nga gjyri yt'val e shkrumbinë.
N'raharorin e praruar, ashtu t'vdesë Unë dua.
Të amshohem s'mundem dot, eja se të dua,
O njëqind herë, njëqind puthje një herë mi falë.
Oh, sa lehtë rrahë dallgët Oqeani!
Ti je vetë bregu, stihi uragani
Dhe Deti, gjithnjë i lumtur do jetë,
Gjersa dremit, pushon Tufani vetë.
O fosfor flakëshprishur, o bërthamë qiriu;
O Zot, fali bukuri jetës, dritë t'vërtetës.
Ngase më dëftonë ndjesia, kur fryn era a veriu.
Oh sa lumturi o zonjushë në shpirtë më ngjalle
Dhe sa mirënjohëse, qe ndaj jetës.
U treta veç se n'puthje, natën që s'ma fale.
XIII
U treta veç se n'puthje, natën që s'ma fale.
Ty je vetë jeta, vetë shpresa je;
Që shpirtin e vdekur e bën të gjallë.
O Khajam, mos vallë fjala jote soll joshëse qe?
Shpresa ç'thyrrëse, me prapësi po më rrenë!
Si djalli, që shokun orvatet t'a gjenë!
Dhe i vetëm jo, jo s'don të rrinë!
E cilin t'a besoj taninë?
Ah moj ëndërr e pafat
Dhe ty parandjenjë, që po m'a përdëfton fundin;
Po t'i numëroj çerek orët e fatkobit tënd të ngratë!
Endem ndër kujtime, nëpër bregun me shumë valë
Dhe hapësira më çliron, m'shëron mundin.
T'u befsha fli, do të vdesë për ty Jasminë.
XIV
T'u bëfsha fli, do të vdesë për ty Jasminë.
Kur ndjesit, rrëfenin të mbramet fjalë!
Ty u çfaqe befas, o grua gjeraqinë!
Dhe fjalë kétu s'ka e as kurrnjë djallë.
Pafund rrëshqita në një humnerë, o Zot sa trishtim!
Kryengritja kundër vetvetës, më çoi né vetëshkatrrim!
Dhe dalngadalë po tretem, si nga ndonjë sëmundje e pashërim!
M'fal o Zot, ngushllimin e vetëm në botë dhe n'amshim.
Dhe jeta ime pezull, pa shpresë pa zgjidhje,
Si dhash as kuptim e as kurnjë lidhje
Ndonëse mendja ime sterile i dha të tillë prirje!
Mos m'i flak n'fytyr, lutjet e mia o Zotë!
Pranoje perëndimin e ndërgjegjës së plotë,
Ndonëse tëk Ti kthimi, pa pra dhe pa dotë.
MAGJISTRALI
Jasminë, ardhang mbi varrë të nënkurmit tim,
Atëherit, kur të vdesë.
Sikundér iluetat, përtej n'agim,
Eh, sa me mallë të pres.
Më donte, sikundër dhe Unë vetë,
Ishim dashuronjës, manarë të vërtetë.
Narcis i kulluar, si etëri i kjartë,
E ç'lumturi, ç'kohë e artë.
Hyri symëdha, engjëll paradisi t'pandeha,
Amazone, legjendë në shpirt m'u ngjalle,
Xhevahir i shkruar, o n'syrin tënd u preha.
Ith, oh nga gjyri yt' val e shrumbinë,
U treta veç se n'puthje, natën qé s'ma fale,
T'u bëfsha fli, do të vdesë për Ty, Jaseminë.