Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E enjte, 28-08-2008, 09:20am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
 » Gjergj Fishta
 » Gjon Buzuku
 » Gaspër Pali
 » Gjekë Marinaj
 » Gjeto Turmalaj
 » Gazmend Krasniqi
 » Gëzim Mekuli
 » Gëzim Basha
 » Gaspër Thaçi
 » Granit Zela
 » Gëzim Ajgeraj
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët G-GJ » Gazmend Krasniqi
 
BJESHKËT E NEMUNA
E diel, 03-02-2008, 05:38pm (GMT)

1.
Fshati i thellë malor, ku do të veroja për disa ditë, fundosej në një gropë të madhe plot livadhe, përrallore për syrin tim prej qytetasi, dhe rrethohej nga disa maja malesh të veshura dendësisht me pyje, veçse nga lindja, përmbi to, të thata, të frikshme, tragjike, si një dekor gjigant, ku dukej se gjithmonë do të shfaqej diçka e papritur, pothuajse gjithmonë me re, lartoheshin Bjeshkët e Nemuna. Njeriu që m'i tregoi, e pikasi mahnitjen time dhe shtoi për to fjalën labirint, ndërkohë që mua po më sillej në kokë fjala mur i pakalueshëm. I kam soditur në dritë agu, ku nganjëherë qielli gdhinte krejt i kaltër, i kam soditur në orë të tjera të ditës, ku thuajse gjithmonë sulmoheshin nga retë, i kam soditur ndër pasdite, ku rrezet depërtuese mes reve tregonin plastikën e një skulpture madhështore, dhe u binda se fjala labirint qe më e sakta për to. Ndoshta, arsyeja që i sodita kaq gjatë, qe se isha plot kureshtje ta dija kush mund të ngjitej atje (përveç, sigurisht, shqiponjave, arinjve e kaprojve), sepse emri Bjeshkë të Nemuna ma ndizte vrudhshëm fantazinë. (Me nemë dikë do të thotë se e ke mallkuar, çka sipas besimit parakupton ndëshkimin, kurse se sa e vjetër është si fjalë, e tregon perëndesha antike Neme(sis), perëndesha e drejtësisë, pra e ndëshkimit.)
Jam i bindur se në krahinat rrotull duhet të qarkullojnë shumë kallëzime për mënyrën se si u ka mbetur epiteti i kobshëm atyre bjeshkëve, megjithëse unë dëgjova vetëm njërin: një zanë i bëri tre vëllezër të vriten me njëri-tjetrin, mirëpo atij të vetmit që mbeti gjallë, i tha se nuk qe zanë, por vetë qoftëlargu, kështu që edhe ai ia hoqi vetes. Edhe pas kaq kohësh që i shikoj fotot e tyre me diell, me mjegull, me pak re, me shumë re, nuk mund të zbuloj ndonjë gjë të madhe në to, veçse më fanitet gjithmonë fytyra plot shprehje e vajzës me emrin Norë: një njeriu që nuk i ke marrë pjesë në varrim, është e vështirë t'ia pranosh vdekjen. Apo ndoshta është e vështirë të pranosh vdekjen e një vajze si ajo: i kam parasysh, si t'i kisha parë dje, sytë e saj të mëdhenj, të zinj, flokët e pashtruar dhe gojën sensuale, ashtu siç m'u shfaq atë natë befas në dritare. Atë çast nuk ia shihja mirë trupin, por e dija se bëhej fjalë për një trup të lidhur fort, thuajse dërdëng (nëse mund të thuhet kjo për një pesëmbëdhjetëvjeçare), ku shpërthente femëria e pashembullt e një moshe në lulëzim, sepse e kisha parë tek hidhte vështrimin kureshtar te dritarja ime, kurse një ditë më pas tek fluturonte, po te ai vend, mbi një kalë të bardhë. Kur e pashë mbi kalë, e qetësova veten për përdorimin e atij epiteti mashkullor, sepse vetëm atëherë u binda që nuk kisha gabuar: ndjehej menjëherë se brenda saj kishte një forcë që kërkonte t’i kapërcente kufijtë e femrës. Për më tepër, atë çast, nuk pata dyshim që ajo kishte qenë në dritaren time përnatë, megjithatë nuk ia thashë, veçse sa e pyeta se përse po shikonte aty. Kishte të njëjtën masë trimërie dhe druajtjeje në zërin e saj, kur tha se do të donte të dinte pse shikoja unë aq gjatë nga Bjeshkët e Nemuna. U tremba pak, kur e mendova një nga ato femrat fatale, përballë të cilave nuk mund ta mendosh çfarë vjen më pas, prandaj u përpoqa me të gjithë fuqinë që të përmbaja emocionin.
 - Më duken si një metaforë, - ia ktheva, pa e vrarë mendjen nëse duhej të flisja para saj me këtë gjuhë. Pas pak, meqë u krijua pak heshtje disi shpërfillëse për mua, shtova: - A e di se kujt i thonë metaforë?
 Tha se e kishte dëgjuar në shkollë, por nuk i kujtohej mirë: shkolla nuk i interesonte më, nuk kishte shkuar asnjë ditë në të mesmen.
 - Shkolla i squll njerëzit, - shpjegoi, me një gjuhë që nuk pranonte kundërshtime.
Kujtova se mbaroi me kaq, mirëpo fjalët e tjera i tha nga shpina e kalit, më tepër duke parë nga Bjeshkët e Nemuna se nga unë.
- Edhe ti, që rri këtu brenda e vetëm lexon libra, i tillë je, megjithëse më duhet të them se mua se si më shikon. Nëse do të rrish gjatë këtu, do të bëhesh si vendasit: e kam parë se si të hapet goja herë pas here. Ndryshe është puna me Bjeshkët e Nemuna: ato të forcojnë. Njerëzit që rrinë në krahinat matanë tyre, janë të tillë njerëz të fortë. Këndej nga ne thonë se janë të egër, por unë e di: ata janë të fortë. E di, sepse kam qenë atje, pasi nëna ime është gjak i tyre.
 Më pas, shpjegoi se për të dalë matanë Bjeshkëve të Nemuna, njerëzit ndiqnin rrugë anash tyre, por ato qenë tepër të gjata, zgjatnin me ditë e ditë, kështu që asaj s'i pëlqenin, sepse dinte një rrugë që i çante përmes: një rrugë këmbësore, ku ajo (e theksoj, ajo) mund të kalonte edhe me kalë.
 Siç qe shfaqur, ashtu edhe iku: me lirinë e erës e të zogut. Veçse sa tha: ika tashti. I bindur se të nesërmen mbrëma, në mos në orët e vona të asaj nate, do ta kisha brenda në shtëpi dhe unë kurrsesi s'do të mund t'i shpëtoja tundimit, e përfytyrova veten në një kryq të madh (apo s'kishte lëndë druri ai vend), duke larë mëkatet e të gjithëve, përmes shikimesh mëshiruese, që pastroheshin nga përvuajtja. Këtë ndjesi më provokonte natyra e saj e pakapshme, sa tunduese aq edhe e tërhequr në botën e vet të fshehtë.
Pas pak, kur u kujtova se për njerëzit e maleve është kanuni që ndërhyn e vë rregull mbi instinktet e lira, në një raft të thjeshtë librash tërhoqa disa revista periodike, sepse një natë më parë atje pata shfletuar disa komente mbi të. Aty flitej se kush duhet të ngjyejë kafshatën e parë dhe të fundit në sofrën me miqtë, flitej si duhet organizuar prona dhe kufijtë, ekzogamia e rreptë dhe varrezat e veçanta, shpagimi i gjakut dhe marrëdhënia zotni-rrogëtar, por për rastin tim nuk gjendej asnjë fjalë. Kisha dëgjuar për rastin e asaj nuses që erdhi shtatzënë tek burri e u kthye fëmija dhe u mbajt nusja, mirëpo as kjo s'i përqasej rastit tim, kështu që vazhdonte të mbetej në fuqi ajo ideja e kryqit. Dalëngadalë, ideja se do të ndëshkohesha nën hijen e Bjeshkëve të Nemuna, filloi të më joshte si diçka profetike, gjë që ma shtyu së tepërmi gjumin, tek rropatesha të ngrohesha me jorgan e batanije në të ftohtin e natës së maleve: ishte aq ftohtë sa nuk mund t’i mbaja duart jashtë mbulesave as për të lexuar një libër.
Në mëngjes u zgjova me ndjesinë se pata Norën ndër krahë, prandaj hapjen e syve e përjetova në mënyrë zhgënjyese: nuk kishte ndodhur asgjë e tillë gjatë asaj nate. Nuk kishte ndodhur ajo që mendoja unë, por pas pak do ta merrja vesh se kishte ndodhur më fatalja (pra, nuk kisha gabuar kur e quajta femër fatale): Nora qe zhdukur, pa lënë adresë, me gjithë kalin e saj të bardhë dhe u kthye vetëm në të pestën ditë të ikjes. Rrija mbi një gur dhe shikoja si zakonisht nga Bjeshkët e Nemuna, kur m’u shfaq para syve kali i bardhë, derisa e shqova edhe atë vetë: dukej e hequr në fytyrë, por rrinte pip drejt mbi kalin e dërmuar që mezi i hidhte këmbët. U avita i emocionuar dhe plot dashamirësi, por më shkoi kot përpjekja për t’ia nxjerrë një fjalë nga goja: u ndje e justifikuar te një përshëndetje me kokë.
Fjalia e vetme që tha, edhe para njerëzve të familjes së vet, kur shkeli në prag, qe kjo:
 - Më bëni gati rrobat e vdekjes!
 Qe e pamundur që të mos bëhej e saja: doli se kjo qe e vetmja mënyrë për t’ia dëgjuar zërin. Duke mos qenë i pranishëm atje, e kam humbur atmosferën që ka krijuar ai rrëfim, prandaj jam i detyruar të jap vetëm ato pak të dhëna që më ranë në vesh asokohe. Madje, ato që di, i kam mësuar copa-copa, më fort nga imagjinata ime se nga kallëzimet e të tjerëve.
Në vija të trasha e gjitha kjo është kështu: e mahnitur prej bukurisë së një hëne të plotë, Nora nuk pa se ku po shkelte këmba e kalit të saj, kështu që e kuptoi shumë vonë se është çarë mali dhe e ka gëlltitur në barkun e madh, duke e përballur në mënyrë të papritur me ca burra të fuqishëm që pinin duhan me llulla gjigante. Shumë shpejt e kuptoi se s’ishin gjë tjetër veçse Muji e Halili me trimat. Ata e kanë pëlqyer menjëherë dhe i janë lutur gjatë (ajo nuk e maste dot kohën e kaluar aty) që të rrijë me ta, por dikur, pas shumë lutjesh, ia pranuan kërkesën për të ikur, duke kërkuar prej saj premtimin se s’do të flasë për çka parë, pasi kjo ka çmimin e vdekjes vetë.
Dhe ajo e bëri këtë premtim, ngaqë nuk mund ta dinte se çfarë mbante brenda vetes, ngaqë nuk mund ta dinte se Neme(sis) kishte pushtet edhe pas kaq mijëra vjetësh, ngaqë nuk mund ta dinte se mjafton ta dijë edhe i fundit njeri në botë që metafora të mbijetojë.

2.
U ktheva në ato vende vetëm pas tre vjetësh. Mikpritësi im, po ai i radhës së parë, kësaj here më vendosi në një bujtinë ngritur sipër kodrës, pasi shtëpia e vjetër ato ditë kishte brenda disa nga njerëzit e saj emigrantë prej disa vitesh në Amerikë.
Kur i tregova rrëfimin e mësipërm, mikpritësi im, për të mos përdorur fjalët mashtrues e gënjeshtar, më quajti fantazist, ndërsa për ta zbutur edhe pak, më tha se kisha parë ndonjë ëndërr. Ndërkohë, unë lëshova argumentin e fundit: duhej të më çonte për të parë nga varret e fshatit. Mirëpo fitoi ai, sepse, vërtet, atje ndodhej varri i adoleshentes Norë, por datonte i njëqind vjetëve përpara: me gjithë këmbënguljen time të jashtëzakonshme, nuk u gjet ndonjë varr më i afërt në kohë, që t’i takonte asaj adoleshentes së njohur prej meje. Më së fundi, i mundur, m’u desh të dëgjoj historinë e varrit të vjetër, diçka që në atë fshat e dinin pothuajse të gjithë, pasi ishte një vend që izolohej për muaj të tërë nga bora dhe kalohej koha me gjëra si këto. Pak a shumë, me sa mund ta riprodhoj, historia është kjo: Nora e këtij varri i përkiste shtëpisë ku pata veruar, veçse kishte jetuar në një kohë tjetër, që numëronte të paktën njëqind vjet më parë. Saktësisht familja e saj qe shuar, kështu që shtëpia banohej nga disa njerëz të farefisit.
Ja si kishte ndodhur:
Në ato kohëra, një malazias, me gjithë mosbesimin e shokëve të vet, u qe mburrur atyre se do t’u sillte një kokë shqiptari. (Në fotot e asaj kohe shqiptarët paraqiten me kokë të rruar, por më një krifë të gjatë sipër saj, e cila shërbente për mbajtje kur ajo të pritej, sepse malazezët e kishin këtë zakon: pra, prerjen e kokave të kundërshtarëve të vet). Edhe pse u qe mburrur shokëve, rrugës malaziasin e lëshoi pak zemra: megjithëse i kishte më afër, ai iu shmang atyre zonave ku shqiptarët qenë më të ashpër dhe u drejtua në ato zona ku këta mendoheshin më të butë. Sidoqoftë u sorollat shumë ditë e netë përpara se t’i dilte në pritë shqiptari i parë, pasi, siç kuptohet, ai fshihej, sepse duhet të mbetej i gjallë vetë për të përmbushur premtimin. Ia arriti qëllimit pikërisht atëherë kur gati e kishte humbur durimin: bëri atë që i kishte vënë qëllim vetes dhe u fsheh në mjegullën e dendur, nga ku dëgjoi ca krisma armësh, prandaj filloi të lëvizte me frikë, ngaqë nuk e gjente rrugën. Kështu e zuri nata, ku mjegulla ia la vendin territ. Kur i zuri syri një dritë, iu ngroh zemra dhe ia mbushi mendjes vetes se ndodhej jashtë çdo rreziku. Nuk zgjati shumë kjo parandjenjë, sepse nuk mund të sigurohej se ajo shtëpi nuk qe e shqiptarëve: nuk qe as ai që largohej, as ai që hynte brenda. Sidoqoftë duhej ta kishin parë, prandaj zgjodhi të dytën: iu drejtua shtëpisë.
Njeriu që hapi derën, qe shqiptar, kështu malazezi, i cili e dinte shumë mirë shqipen, u paraqit si një rrugëhumbur: do të bujte atë natë ndër ta, derisa të zbardhte. Ndonëse me një pamje të zymtë (aspak normale për mikpritjen e vendasve), njeriu i shtëpisë e ftoi brenda. Vetëm kur dëgjoi piskama në njërën nga dhomat, malaziasi e kuptoi pse kishte pamje të zymtë njeriu që e ftoi brenda: po hynte në një shtëpi me mort. E vuri pas derës thesin me kokën e prerë dhe hyri te dhoma e burrave që ruanin kufomën, të cilët i ngushëlloi me një të folur nëpër dhëmbë. Nuk kishte kthim prapa, prandaj zuri vend sipas zakonit, me përpjekjen e sforcuar për të mbajtur qetësinë.
Nora, fëmija i vetëm i viktimës, tha e para: Po del gjak prej këtij thesi. Meqë ishte heshtje e thellë, zëri saj u dëgjua mirë edhe në dhomën e burrave. Malaziasi, i cili i njihte mirë zakonet e shqiptarëve, u ngrit në këmbë e tha: Besë, burra.
Siç e thoshte zakoni, askush s’e preku me dorë atë natë, megjithëse kishte nga ata të rinj që donin ta hanin të gjallë. Përkundrazi, ai u lejua ta merrte me vete kokën e prerë, për t’ua treguar të vetëve, si çmim i trimërisë, veçse do t’ua kthente menjëherë trimave që do ta shoqëronin. Pas këtij çasti nuk do të kishte më besë për të: asgjë nuk e siguronte më nga hakmarrja.
Megjithëse ky qe rast i rrallë, askush nuk mundi ta pengojë Norën për t’u bashkuar me burrat që e ruanin malaziasin për ta vrarë. Ngaqë i ati nuk kishte pasur djem, e kishte trajtuar atë vetë si të tillë, prandaj ajo përfitonte prej kësaj.
Disa duan të thonë se plumbi i saj e mori hakun, disa të tjerë thonë jo (ka kaluar shumë kohë dhe disa gjëra edhe mund të ngatërrohen), veçse për një nuk ka dyshime: ajo u vra gjatë tërheqjes për në shtëpi.
Edhe pse e ka marrë hakun e të atit, nëpër breza është thënë se ka vdekur e paqetë, çka nënkuptonte se hija e saj do ta vizitonte këtë botë herë pas here, në këtë anë e atë anë të Bjeshkëve të Nemuna.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top




 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Gazmend Krasniqi

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]