|
|
|
KTHJELLTËSIA E PAPËRBALLUESHME E ZHGJËNDRËS
E diel, 03-02-2008, 05:41pm (GMT)
E di mirë se thellimi në problemin e ngacmuesve fizikë dhe ëndrrës është si thellimi në problemet e pafundme të Krijimit, çka nuk përbën synimin tim në këtë rrëfim, veçse do të më pëlqente me nxjerrë në dritë disa detaje të prekshme përmes pyetjes (të ngresh një pyetje të saktë a s’është një nga gjërat më të rralla të kohës sonë?): pra, sa jemi të ndërgjegjshëm për sinjalet që merr trupi ynë, herë pas here, por ne nuk i kapim ato? Mua kjo pyetje më kujton një periudhë dimri të kaluar në një zonë alpine ku, megjithëse i kisha të humbura lidhjet me jashtë, provoja ndjesinë se po binte borë, çka aprovohej sapo dilja në dritare: atëherë nuk arrita ta bind veten se kjo qe e vërtetë, duke arsyetuar se, meqë në atë vend binte shumë borë, kishim të bënim me një koincidencë. Kjo zgjati deri atëherë kur rasti e solli të dëgjoja një njeri që vinte nga ato zona, të thoshte (në një ditë pothuajse të larë në diell) se atje (në zonën e tij) do të binte borë (do të binte borë shumë shpejt). Kur pa kërshërinë time, shtoi: ma ndjen trupi. Kishte gabuar fare pak: në mënyrën më të paparashikueshme, bora ra edhe në qytet. Mundet që ta harroja këtë histori, nëse nuk do të ndodhnin gjëra të cilat do të ma nxirrnin nga kujtesa. Këto gjëra qenë dy ëndrra, ëndrra mëngjesi, kur njeriu që fle është më pranë ndërgjegjes, prandaj ka një përcaktim më të qartë të forcave që veprojnë. Janë nga ëndrrat psikologjike, jo nga ato profetike, megjithatë kjo nuk ka ndikuar që ato të harrohen lehtë, sa që më shtyn të mendoj se po t’ua kuptosh gjuhën e fshehtë, mund t’ua kapësh edhe profecinë (pasi, siç thonë specialistët, nuk janë gjithmonë të ndara). E para ëndërr lidhet me kohën kur bëhej fjalë për rehabilitimin shëndetësor të një profesorit tim të vjetër (një njeri që mund të ndikonte mbi arsimin kombëtar në përgjithësi): shoqja ime e ngushtë, që do të kalonte pushimet në të njëjtin vend me të, mori përsipër të më tregonte për ecurinë e këtij procesi. Shkuan disa ditë pa asnjë lajm, derisa një mëngjes pashë në ëndërr gruan që i shërbente të sëmurit, ose më saktë dëgjova zërin e saj që ankohej se ai nuk i bindej sa duhej. Ma nxori gjumin zilja e celularit: shoqja ime më informonte se profesori nuk i kishte bërë pushimet në vendin e përfolur. Largësia fizike midis zërit në ëndërr e zërit në zhgjëndërr është një kohë që nuk mund të matet saktësisht, por unë, jo për herë të parë, shikoja lidhje midis lëvizjes valore dhe trurit tim, i cili qe ngacmuar prej saj. Më ka ndodhur në një numër të madh rastesh që ta çoj ndërmend njeriun telefonues, pa më ardhur ende thirrja e tij: shuma e madhe e rasteve i ka shërbyer kësaj bindjeje. Në ëndrrën tjetër, e cila ndodhi shumë më vonë se e para, pashë Martin Camajn, i cili ndryshe nga fotot që qarkullojnë për të, qe plak i dobët nga shëndeti dhe mbante veshur një pallto të trashë. Figura e tij nuk përcaktohej qartë, megjithatë ndjesia se qe pikërisht ai, më rrinte në kokë e ndezur si një llambë, prandaj kur më kërkoi ta drejtoja nëpër bibliotekën time, u tregova i gatshëm dhe i lumtur që më jepej një rast i tillë. Befas dhomën e përshkoi errësira dhe nuk i lexoja dot titujt, por as për t’u tërhequr nuk tërhiqesha, sepse ai përsëriste: - E kam të domosdoshme ta gjej atë libër. Dridhej nga të ftohtit: sigurisht, jashtë vullnetit të tij, sepse dukej që i vinte turp nga kjo. Kur u bë më i vendosur, unë qeshë nën peshën e rëndë të librave dhe nuk e ktheja dot kokën as majtas, as djathtas: në çastin që ktheva kokën, njeriu i cili qe dukur si Martin Camaj, qe zhdukur e unë kisha nevojë të ngopesha me frymë, sepse duhma e librave më rëndonte gjoksin, por qeshë pré e ankthit – është ai çasti kur vrapi yt të duket shumë herë më i vogël se i atij që po të ndjek, sikur toka po të ngjitet ndër këmbë e ti je brenda tunelit të errët. Kur u gjenda te dritarja, i gjithë trupi im mori frymë thellë: nuk pashë asgjë përveç një bardhësie të plotë, megjithatë provova një ndjenjë të papërcaktuar gëzimi. Se si ndodhi ajo që erdhi më pas, nuk e përshkruaj dot, pasi kalimi nga ëndrra në zhgjëndërr qe i pakapshëm: te kuadrati i dritares (tashti në zhgjëndërr) shikohej vallëzimi vërshues i borës, duke më ushqyer mendimin se me të njëjtën lehtësi që kisha dalë nga ëndrra në zhgjëndërr, do të bëja të kundërtën, pra, do të kthehesha në ëndërr, pasi nuk ekzistonin kufij midis tyre, sa që edhe kur realiteti i borës u shtri mbi gjithçka, unë thashë: vetëm se qe afruar te dritarja më kishte zbuluar aq shumë gjëra, po nëse do të shkoja të zhytesha në zemrën e saj! Qe një ndjesi shumë e fortë ajo që më mbajti aty, prandaj zgjati derisa preka një libër mbi sipërfaqen e komodinës së abazhurit: ai libër qe vënë aty një natë më parë prej meje, sepse duhej të më kujtonte 80-vjetorin e papërkujtuar të lindjes së shkrimtarit të parë në ëndërr, për çka më shkruante një i huaj, nxënës, përkthyes dhe mik i tij, i cili nënshkruante “gjermani i çmendun”. Gjermani (i çmendun), që është partizan(!) i hartimit të pyetjeve të sakta në modernitetin shqiptar me bazën në periudhën totalitare të socializmit, bëhet një arsye më tepër për t’u kthyer në botën e ëndrrave, të cilat s’di pse i injorojmë kur pranojmë (Voltaire) se kanë zgjidhur problema matematikanësh, kanë trajtuar çështje avokatësh, kanë shkruar vargje poetësh, kur pranojmë (Emerson) se na japin një lehtësi dhe pasuri mendimi, që do të thotë se na pajisin me një liri të tmerrshme. Jashtë, bora (realiteti i shtrirë kudo) e mbulonte botën si te novela “Rrungaja në mars”, por është kthjelltësia e papërballueshme e zhgjëndrrës ajo që e mposht një njeri si unë, që e mposht dhe e bën të mendojë gjëra si këto, që shumëkush i ka menduar para meje: ... zemra rreh më fort prej vetëdijes që kam për të... … ja ku jam duke marrë në pyetje jetën… ... në pamundësi me ditë, shkruaj… E di se të zihesh ngushtë në modernitet, është një ndjesi e pakëndshme, është shenjë inferioriteti intelektual – po ku është ai burrë që për një çast e mohon modernitetin, duke ia vënë në dyshim përgjigjet e sakta, duke e quajtur hartimin e pyetjeve të sakta një gjë jo pa rëndësi. Të gjithë do ta pranonim se bora mund të na jetë dukur gri, madje edhe e zezë, por bëjmë çmos për të fshehur gjithçka si në përrallën e mbretit lakuriq, prandaj e pyes veten se ku shkojnë kaq energji, kaq ëndrra dhe përpjekje, për çfarë vlejnë të gjitha ato. Sidoqoftë, ndoshta duhet ta quaj veten me fat – në shpërthimin e ndonjë pyetjeje, ndonjëherë, e kam parë Veten nën një dritë që djeg gjithçka, megjithëse nuk e dita se çfarë qeshë, sepse vështirësia e hartimit të pyetjes së saktë ishte si vetë vështirësia e ndërrimit të realiteteve, si vetë kthjelltësia e papërballueshme e zhgjëndrës – e cila mbante pezull frymën time, ku po kërkoja një ngushëllim të vetëm, ku, i lehtësuar dhe i poshtëruar, e ndjeja se dikush tjetër po më shikonte mua në ëndërr.
mars 2005
|
|
|
 |
::| Krijimet e Fundit |
 |
|
|
|
|
|
|
 |
 |
::| Speciale |
 |
|
|
|
|
|
 |
|
 |
|