Atë natë dukej i përtërirë në mënyrë të çuditshme, gati të frikshme: me zërin e pastruar papritur prej sëmundjes pesëvjeçare, ishte i gatshëm për të folur gjatë për varrimin e kolegut të vet, që kishte ndodhur vetëm dy-tri orë më parë, megjithëse kërkoja të ndërroja temë herë pas here. Gjatë gjithë kohës nuk m’u hoq nga mendja ajo që tregon Ekermani për Gëten, i cili, kur nusja e djalit i tha se leximi i Shilerit të vë në gjumë, u zemërua dhe u shkreh: të gjithë ju jeni tepër tokësorë para tij.
Edhe në këtë rast, këtu në Vajmarin e vogël, të panjohur prej botës, ai që vdiq, qe temperamenti shilerian. Piktori me temperament getean, që duhej ta përballonte këtë vdekje, nuk qe aq plak sa Gete, megjithatë mund të quhet edhe më i pamundur: nuk ngrihej nga shtrati që prej pesë vjetësh. Shto edhe dy-tre vite ku kishte humbur të shoqen, i bëheshin shumë vjet pa pikturuar, prandaj e priste me emocion të veçantë rehabilitimin: e kujtonte shpesh foton e Renuarit që pikturonte me penelin e lidhur në dorën e paralizuar.
Një muaj më vonë, kur u dha lajmi i vdekjes së tij, mua m’u fanit pikërisht pamja e kësaj nate: ajo përtëritja e tij paskësh qenë ndryshe nga ç’i dhashë kuptim unë, sepse ajo përtëritje e çuditshme kishte më shumë lidhje me mendimin për vdekjen se sa për jetën. Çfarë ka menduar, e ka marrë me vete përgjithmonë, por mund të kujtojmë se ikja e papritur e kolegut, e cila ia bëri vdekjen më fizike se sa mund ta kishte menduar plot pesë vjet me radhë sëmundjeje të rëndë, i erdhi kur, megjithëse kishte mendje të kthjellët, qe shtatëdhjetë vjeç dhe nuk e dinte se edhe sa kohë do t’i zgjaste rehabilitimi. Më duhet të shtoj se ai e dinte me detaje që atë natë historinë e kësaj vdekjeje të papritur, kurse unë e mësova më vonë. Tashti, që të bëhem i besueshëm në hipotezën time, duhet ta rrëfej atë pa humbur kohë.
Në qytetin e vogël provincial nuk mbahej mend ndonjë lajm më i pabesueshëm vdekjeje: habia rritej më tepër kur thuhej se nuk ishte fjala për ndonjë aksident por për vdekje natyrale, sepse këtë piktor e njihnin për shëndetplotë dhe bir të dy prindërve që kishin jetuar mbi nëntëdhjetë vjet. Vitet e fundit e kishte shitur studion për të përmbushur disa nevoja dhe pikturonte në shtëpinë e rrethuar me pak kopsht, midis kafazesh me kanarina e gardalina, prandaj nuk shihej edhe aq shpesh nëpër rrugët e qytetit, mirëpo një ditë para se të vdiste mori pjesë në një veprimtari përkujtimore dhe aty qe takuar e pat biseduar me shumë miq e të njohur: ishte i pastër, i veshur me shije si gjithmonë, një figurë ku vdekja nuk hidhte asnjë hije. Më fort se kujtdo ky lajm iu duk i pabesueshëm të bijës, sepse ai pat biseduar me të në telefon një apo dy minuta para se të vdiste: kishte vdekur nga zemra një njeri që s’qe ankuar kurrë prej saj. E bija, që jetonte prej kohësh larg tij, në kryeqytet, më vonë, kur realiteti i vdekjes nuk mund të kundërshtohej më, do të kujtohej për dy bisedat e mëparshme, të bëra po brenda asaj dite. Në bisedën e parë ajo qe përpjekur t’ia hiqte mendjen nga vendimi kokëkrisur për ta vjelë shegën vetëm, por kur pa se më kot këmbëngulte (të gjitha frutat e kanë një ditë të tyren, tha ai), e la në të tijën, duke shpresuar se ai do të hiqte dorë sapo të shkonte pranë pemës së madhe por të brishtë, e cila atë vit kishte mbajtur mjaft: ajo shpresoi se ai do të vilte aq kokrra sa do t’i duheshin për një nga ato natyrat e qeta që i punonte gjithmonë me dashuri. Në bisedën e dytë (tashti ai e kishte vjelë gjithë shegën), pat pasuar një tjetër kundërshtim: megjithëse e dinte që shtysa e tij për të fituar lidhej vetëm me sigurimin e parave të dasmës së saj, s’e bindi të hiqte dorë nga kopjimi i një pune të porositur nga një grua që edhe ajo e njihte. Për t’ia arritur qëllimit, ajo e mori përsipër të gënjejë: tha se kishte ndërmend të merrej vesh me të fejuarin për ta shtyrë datën e dasmës. Kështu që ai t’i linte kopjimet e porositura dhe të mendonte vetëm për ëndrrën e vjetër të një ekspozite të madhe retrospektive, ku lypeshin punët më të zgjedhura nëpër vite. Ai doli në mënyrë të prerë kundra mendimit të shtyrjes së dasmës: tha se ajo ende nuk e dinte ç’baba me duar të arta kishte. Toni i tij plot sinqeritet fëminor e la vajzën të hutuar, kështu që ai gjeti rast të thoshte se kjo qe dita në të cilën priste galeristin e vet nga kryeqyteti dhe gjërat do të shkonin për së mbari. Ajo ishte bindur se, i detyruar nga nevojat e ditës dhe nga nevoja që ajo kurrë të mos e ndiente ngushticën ekonomike, ai e shiste veten lirë, por edhe e bindur se s’merrte erë nga tregtimi i pikturave, nuk mund të shkonte më tej se sa t’ia përsëriste tasheparë që s’duhej të shiste, pasi do të vinte edhe dita e tij. Njerëz të besueshëm i kishin thënë se i ati po jetonte njëfarë rilindjeje si artist, ndryshe nga kolegët e brezit të vet, nuk po nxirrte asnjë skarcitet, prandaj, megjithëse i dukeshin të çuditshme, nuk mund të mos ia besonte fjalët e asaj dite, kështu që pranoi të mbyllej biseda, ndonëse dilte pak e turbullt prej saj. Mirëpo i ati s’i ndahej: fliste plot pasion për të kuqen e qiellit e kafen e thellë të tokës, për të blertën e pjekur të pemëve e të zezën e trungjeve, shkurt, po nxirrte nga dora një kryevepër. Ajo e dëgjonte pa folur, sepse e dinte që peizazhi i kopjuar prej tij ishte tjetër gjë: atje ishte një vjeshtë me të verdha të ngrohta e të kaltrën e qiellit të qetë. Më vonë, kur i pa bashkë, origjinalin dhe kopjimin, u tmerrua: tek e dyta kishte ushtruar pushtet një vizion i rrallë, me siguri i ardhur nga tejjeta, diçka që të sillte ndërmend punën e fundit të Van Gogut, atë grunoren me korbat e zinj, por prapë më mistike se aq. Kurrë nuk arriti ta shpjegojë se si i qe përgjigjur ai porosisë së një gruaje me atë lloj pikture: siç nuk arriti ta shpjegojë faktin nëse vdekja është më fizike se sa mund ta mendojmë.
Galeristi kryeqytetas, që erdhi së bashku me një biznesmen, e pa punën dhe e pëlqeu menjëherë, por s’deshi ta besojë se kishte vetëm një orë punë në të, pasi artisti vazhdimisht ngulmonte gjatë në telajo. Kundërshtimi këmbëngulës por edhe shpjegimi i artistit krijuan një atmosferë të veçantë: Kjo është arsyeja pse galeristi dhe biznesmeni kanë folur më vonë për një situatë humori të krijuar që nga fillimi i vizitës. Artisti, i njohur për natyrën e përmbajtur, e ka shfrytëzuar këtë situatë humori për ta pyetur galeristin se pse e kish rritur trefish çmimin e njërës prej pikturave të tij. Kjo situatë sa ç’e ndihmoi, aq edhe e dëmtoi, sepse pyetja, me sa duket e menduar gjatë prej tij, pat një përgjigje të shpëlarë, por dinake, prej tregtari: hajt, hajt se ashtu është puna. Pas kësaj, si zakonisht, artisti e ka shfrytëzuar sensin e humorit vetëm për të përballuar nënshtrimin ndaj çmimeve të ulëta, duke llogaritur me vëmendje çka ishte fitimi i tij tek kjo humbje e re, sa pa ardhur koha për të shfryrë si gjithmonë kundër shitjeve që qe i detyruar të bënte, një histori e përsëritur pamëshirshëm prej shumë vitesh, të cilës ia dorëzon vazhdimisht energjitë dhe talentin, një gjendje që ka filluar ta quajë një farë mjerimi. Mirëpo këtë herë skema e njohur është thyer: qenia zot i situatës prej galeristi ka zgjuar një farë zilie të biznesmenit, thuajse një farë ndjenje poshtërimi, që e ka pështjelluar, duke i dhënë të kuptojë se duhej të dëgjohej, më së fundi, zëri i tij prej njeriu të suksesshëm. Dy shifrat e përmendura prej biznesmenit qenë minimale për kolegët kryeqytetas, por artistit i mjaftonin për të mbuluar me to dasmën e së bijës, kështu që as e çoi ndërmend (siç thuhet me gjuhën e rastit) të bënte pazar me të: duke u munduar të fshihte ngazëllimin që provonte, iku në dhomën tjetër dhe i telefonoi shpejt e shpejt njeriut që donte ta lumturonte.
Kur ai kthehet në dhomën që shërben si studio, ne mund të përfytyrojmë një treshe burrash të lumtur: sigurisht, imagjinata na vjen në ndihmë edhe në rastin kur artisti kërkon ta festojë pjesën e tij të lumturisë, pasi ai merr gotën e uiskit dhe e vë në buzë, veprim ky i natyrshëm në një mjedis ku punët po shkojnë siç duhet për secilin. Veçse për sytë e galeristit dhe biznesmenit është e panatyrshme ajo që vjen pas: gota bie në qilim e derdhet, artisti humb drejtpeshimin dhe menjëherë nxihet në fytyrën që është gjithmonë e kuqe. Ata hidhen përpjetë dhe arrijnë t’ia rregullojnë gjuhën, por nuk mund t’ia kthejnë dot të folurit, i japin shtypje në gjoks, por shohin se si i fiket zemra, se si i plas shkuma në cepat e buzëve, se si përpjekjet për ta mbajtur në jetë vinë e firojnë një nga një, para syve të tyre që s’dinë ta shprehin tronditjen, kaq të çuditur janë.
I çliruar prej pushtetit poshtërues të materies, mishërim i idealit burrëror dhe ideal i mishëruar i burrërisë, i guximshëm, i vrullshëm, i butë, me vështrimin e shpëtimtarit, me fytyrë mbretërore të drejtuar nga yjet, i tillë u shfaq ai, në çastin e shfaqjes në arkivol… shkruan një shkrimtar për Shilerin e vdekur, diçka që, për çudi, rri fare natyrshëm në rrëfimin tonë, gati pas dy shekujsh. Nëse do të zëvendësojmë fjalën poezi me fjalën pikturë, do të kemi edhe vazhdimin, Ajo që Shileri quan poezi, nuk është fare poezi për Geten. Shkrimtari në fjalë na vjen përsëri në ndihmë, edhe pas kësaj deklarate në dukje të llahtarshme, kur thotë (kujtoni fjalët e Getes me të renë), Por Shileri, pas vdekjes, u bë për Geten ai që Getja nuk qe kurrë për Shilerin; një si shenjt.
Për hir të së vërtetës, më duhet të pohoj që (me kaq kapërcime) ende nuk e di se kujt i takon ky rrëfim; nuk e di (me kaq citime) as se kush mund të quhet autori i tij.
Madje, rri me frikë se ky rrëfim ekziston vetëm e vetëm që të nxitë një të dytë.
Passhkrim. Pas vdekjes së piktorit shilerian, jeta e së bijës ka marrë një kthesë të plotë: jo vetëm që nuk u martua (ata që e njohin, ngulin këmbë se është e virgjër sot e kësaj dite), por në mënyrën më të papritur, në një vend nordik siç është Suedia, ajo ka vendosur që të bëhet piktore. Nuk e di nëse këtë ide ia kanë rekomanduar psikologët si terapi (kjo më kujton poeten amerikane Anne Sexton), apo thjesht është vendim i saj (rast i pazakonshëm, pasi bëhet fjalë për të vazhduar veprimtarinë e një artisti të dorës së parë, e jo të diçkaje të rëndomtë), por marr përsipër të them se kemi të bëjmë me një piktore të vërtetë, pasi i kam parë punët e saj në internet: është fjala për një dorë të sigurt prej profesionisteje, çka të shtyn të mendosh se nuk e ka kaluar kohën kot në studion e të atit. S’është vetëm dora që ka përparuar, por edhe shija e kultura profesionale (shkruan: kur e pashë në origjinal, ai Shagalli që kam dashur aq shumë, më zhgënjeu). Fillimisht, ndjehej ndikimi i fortë i punëve të të atit (e njëjta ndjeshmëri ndaj të kaltrave të forta, thuajse jeta e tij vazhdonte në jetën e saj), por unë i shkrova se nëse e bënte këtë me vetëdije të qartë, të vazhdonte ashtu, pasi kushedi ku do të dilte, siç bëjnë artistët postmodernë, të cilët nuk i fshehin gjërat që u shërbejnë si pikënisje, sigurisht në bazë të disa kërkesave të veçanta. Është pikërisht përgjigja e kësaj letre që e mbylli letërkëmbimin tonë: hë për hë nuk di asgjë për të (megjithëse unë besoj se libidoja e saj vazhdon të shkarkohet në një vepër arti që nuk pranon të ndërpritet – providencë e pacenueshme), prandaj, për të hedhur ndopak dritë në jetën e saj të re, le të mjaftohemi me disa copëza të letrave të dikurshme të renditura këtu më poshtë.
Në këtë moment që po të shkruaj, shikoj dëborën që bie pa pushim. Është aq e bukur ta shikosh nga brenda: pemët janë rënduar shumë, ka shumë zogj e ketra që të vijnë fare afër në kërkim të ushqimit. Është vërtet bukur, si në mes të një ëndrre. Gjithnjë ky peizazh më kujton tregimet, përshkrimet e shkrimtarëve rusë, me udhëtimet me trojka, ndoshta ngaqë dëgjoj muzikë të ciganëve rusë, të cilët të çojnë në një tjetër atmosferë, dhe pi me kënaqësi pak verë të kuqe. Mungon vetëm zjarri në oxhak.
Këto ditë kam parë një ekspozitë të Modilianit: është me të vërtetë piktor i madh. Mjaft i ngrohtë. Ky dhe Sezani më kanë lënë vërtet mbresa: vërtet më japin një dëshirë për të pikturuar, megjithëse këto kohë jam duke u marrë më tepër me vizatime e grafika. Kjo dëborë duhet pa tjetër të hidhet në telajo: të them të drejtën më frikëson pak, pasi asnjëherë nuk jam shquar për peizazhe, aq më tepër të pikturoj dëborën, por them që do ta provoj. Tashti këtu është koha më e bukur e vitit, pasi christmas dhe viti i ri janë në derë. Është sezoni më i bukur për mua, kudo ndihet atmosfera e festës: gjëja që më pëlqen më shumë janë muzikantët endacakë, që i shikon kudo, duke krijuar me këngët e tyre një atmosferë vërtet magjike.
Për sa i përket pikturave të mia, ku jam e lidhur shumë me subjektet e babait (nuk e di çfarë ke parë), janë vetëm disa vizatime që i jam rikthyer motiveve të tij, thjesht nga mungesa e madhe që ka lënë tek unë. Është ndoshta (as unë nuk arrij ta kuptoj tërësisht) një bisedë e heshtur e imja me të, një nevojë për të mos pranuar ikjen e tij, ashtu siç nuk do ta pranoj kurrë, një nevojë e domosdoshme për ta ndier sa më pranë. Është thjesht një rikthim herë pas here, por them që krijimtaria ime lundron në të tjera ujëra: nuk më lidh asgjë me subjektet e tij, pasi është diçka që nuk e kam jetuar e kështu që nuk mund ta ndjej. Kjo është dhe arsyeja që këto vizatime nuk mbajnë as firmën time: është diçka që, megjithëse e punuar nga unë, nuk mund ta quaj timen.