Letërsia Shqiptare

KODI I VËRTETË I DA VINÇI-IT
E diel, 03-02-2008, 05:43pm (GMT)

Nuk më ka rënë më rasti të kaloj nëpër Paris, saktësisht nëpër urën e vogël (kurrë s’ia kam ditur emrin) që lidh atë anë të qytetit me ishullin ku ngrihet gotika hijerëndë e Notre Dame, ura nën të cilën kalon shëtitorja e piktorëve portretistë (kalonte, të paktën, sepse ndryshe nga piktorët e Sacre Coeur, qenë të palicensuar), por edhe po të më bjerë rruga andej, nuk shpresoj se mund ta takoj prapë Henrin (qoftë edhe për t’ia mësuar emrin e vërtetë, pasi në këtë histori do ta përmend siç më qe paraqitur). Henri, i lindur dhe i rritur diku në malin e Tomorit (fshat autokton, thoshte, se nuk ka asnjë vegël muzikore), ditën që e njoha unë, ndodhej përmbi urën e larpërmendur, duke më pritur, sepse, siç më tha, më kishte parë qysh në çastin e shfaqjes së parë, pa u futur askund në sheshin e katedrales, ku duhej të gjeje vetë të çarën në kordonin e vizitorëve të saj. Fakti që më kishte njohur prej shtampës së bluzës (shqipja e flamurit tonë, rreth pesë cm e madhe) në largësinë prej qindra metrash, më shtyu që t’ia komplimentoja humorin me një buzëqeshje të lehtë: nuk e ndjeva të nevojshme ta shtyja më tej këtë bisedë, sepse truri im qe troshitur pak nga takimi i parë me botën e kryeqytetit të famshëm. Mirëpo kjo nuk më ndihmoi që të shpëtoja prej Henrit: përcaktoi një makinë të kuqe, parkuar në cepin e rrugës ku qeshë shfaqur së pari, dhe tha se lexonte targën e saj, pa pyetur për bezdinë time me zgjatjen e tepërt të këtij humori.
Ishte e vërtetë, qe targa që thoshte, por, i djersitur nga ecja, mizëria e turistëve dhe dielli i qershorit, në vetvete e pata të vështirë t’ia falja talljen, pasi menjëherë mendova se qe fjala për një makinë të njohur prej tij. I mësuar me skepticizmin e njerëzve në të tilla raste, nuk e prishi terezinë: u tregua i gatshëm për të vazhduar lojën. Vetëm kur i gjeti edhe dy targa të tjera, të përcaktuara tashmë prej meje, u binda për atë që i kalonte caqet e përvojës njerëzore.
Kur dolëm në një cep nga shihej Tour Eiffel dhe më tregoi një për një se ç’bëhej në katet, deri në detajet më të imta, nuk kisha më dyshime se truri më qe pajtuar pak nga pak me realitetin. Më pas e mora vesh se s’e kishte për gjë të më sqaronte se çfarë ndodhte në zyrat e Prefecture de Police, Hotel de Ville, apo në dhomat e Shakespeare&Co, biblioteka-librari ku gati një shekull më parë James Joyce-i po humbiste shikimin, pak nga pak, si një mënyrë për të kërkuar në poret e kujtesës skutat e vendlindjes, Dublin-it, që thuhet se mund të rishkruhet nëpër harta vetëm e vetëm prej librit të tij. Henri, që as ia kishte dëgjuar ndonjëherë emrin Joyce-it, sigurisht do t’ia hidhte çdo shkrimtari në shpejtësinë e bërjes së hartës së atij qyteti (i cili e kishte pjesën më të madhe të lavdisë pikërisht prej tyre), mirëpo s’bëhej fjalë për të çuar gjëra të tilla ndërmend, sepse nuk ishte nga ata njerëz që ka lexuar ndonjëherë ndonjë libër: faktin që nëpër vendlindjen e tij ka pas shkelur dikur Eduard Lear-i, ia kanë thënë të tjerët. Nuk është fjala për ndonjë arsye të rëndomtë, dembelizëm apo gjëra të tjera të këtij lloji, të cilat mund t’i hasësh në një numër të madh njerëzish, por për një arsye që pa frikë mund ta quajmë madhore: prej fuqisë depërtuese të shikimit, germat e faqes së parë i bëheshin lëmsh me ato të faqeve pasardhëse, ndonjëherë (varësisht nga trashësia e librit) deri në faqen e fundit. Një herë, në shkollë, tek lexonte diçka për Skënderbeun, kishte interpretuar diçka që më tepër të kujtonte Robinson Cruzoe-n dhe mësuesi i historisë e ndëshkoi me një vizore të trashë, duke ia dhënë kokës tri herë. Qysh atëherë kundërshtonte të ngrihej në mësim, i sigurt se vetëm do të ndëshkohej, dhe, meqë nuk e kuptuan kurrë mbeti mënjanë, i papërfillur dhe i pavënë re, gjë që, në fakt, i interesonte, sepse ia doli më në fund të merrte tetëvjeçaren, duke përsëritur dy vite të vetëm. Sidoqoftë, nuk do të harronte ngatërresën me datën e themelimit të PKSH, kur pat përmendur vitin 118 pas Krishtit, gjë që provokoi një maratonë mbledhjesh (zakon i rëndomtë i kohës), derisa e gjykuan si një fëmijë me të meta mendore dhe u mjaftuan me thyerjen e notës në sjellje për atë vit.
Duhet vënë në dukje se këto biseda nuk ia nxirrje kur doje ti, për më tepër mund të ngatërroheshe nga mënyra se si i rreshtonte, pasi ai thoshte atë që i pëlqente, duke fshehur, ndërkohë, ca gjëra që nuk i interesonte t’i dilnin. Për defektin e parakrahut të majtë tha se e kishte të lindur, mirëpo dikush që e njihte nga koha e kaluar bashkë në Itali, tha diçka më të besueshme: Henri, që s’kishte lidhje me raftet e librave, nuk mund të anashkalonte ato të mbijetesës… ushqimeve (u përmend fjala “çadra kampingjesh”). Që kishte provuar këtu një burg të shkurtër, nuk ma tha asnjëherë me gojën e vet. Për të më bindur se logjika e stomakut mund të jetë më e fortë se ajo e leximit, sqaroi (duke treguar me dorë) se libri me atë çiftin idilik në kopertinë (Poésies, Alfred de Museet, botim i Librairie Gründ, viti 1939), që ndodhej dyqind metra larg nesh, në vitrinën e një bukinisti të Quai de la Tournelle, i kishte gjysmën e faqeve të paprera (këtë libër e ruaj sot e kësaj dite, në të njëjtën gjendje, midis librave të mi): siç mund të merret me mend, nuk mund të ishte i saktë në përcaktimin e faqeve, ose titujve, nuk mund të sqaronte se kishte mbetur pa lexuar poezia Tristesse, Une soirée perdue, La nuit d’Octobre apo Ballade á la Lune.
Fakti që, megjithëse qe plotësisht amator, gjendeshin njerëz të cilët ia blinin vizatimet e çuditshme, besoj se shpjegohet me një përhirim të fshehtë të tyre: vizatimet përshkoheshin nga një dritë mistike që kapej nga pakkush, prandaj Henri merrte një pamje pak tallëse para admiruesve të të vizatuarit akademik. Thoshte se frekuentonte Ecole de Beaux Arts (nuk kam arritur ta konfirmoj), prandaj herë pas here përpiqej të hidhte ndonjë fjalë me të cilën donte të tregonte njohjet mbi pikturën. Kubizmi (me ato pikat simultane të shikimit) i dukej një lojë fëmijësh dhe Picasso një nga spekulatorët më të mëdhenj që ka njohur bota: muzeu Picasso, aty në Paris, mbetej i preferuari i tij, megjithatë nuk kam parë ndonjëherë, deri më sot, gjurmë të asaj teorie që duhej të trondiste botën e pikturës moderne, pse jo të pikturës në përgjithësi. Nëse nuk gabohem, kërkonte ndihmë nga enigmatiku art i Egjiptit të lashtë, të cilin e shikonte në Louvre, duke e programuar këtë vend (Egjiptin) si të parin në agjendën e ardhshme, pasi vetëm tek arti egjiptian përputhej vizioni i tij gjysmë hyjnor për gjërat. Nëse pranonte diçka te Picasso, ky qe interesimi që pat ngjallur për maskat e tribuve të Afrikës dhe Oqeanisë: vendi i dytë në agjendën e ardhshme. Njeriu që u përpoq të më fliste për teorinë henriane për këto maska, me gjithë vëmendjen time të plotë, nuk kishte formimin e duhur dhe u tregua konfuz: duke vënë intuitën në punë mund të them se qe fjala që një njeri me aftësitë e Henrit e shikonte portretin njerëzor përtej muskujve, venave e kockave, përtej çdo ndërtimi të mirëfilltë anatomik, pra, si maskat prej druri të tribuve. Përderisa nuk kam të dhëna më të sakta, nuk ngul këmbë për të bindur njeri me këto që thashë.
Sidoqoftë, për mua pjesa më e vështirë e rrëfimit është kjo: implikimi i Henrit (jam i detyruar të përdor këtë term policesk) në çështjen më të bujshme dhe kurioze të botës moderne. Dikur e mora vesh se në Louvre Henri nuk shkonte vetëm për artin egjiptian, por edhe për pikturat e Leonardo da Vinci-t. Kohë më parë, këtu në sallën e madhe të pikturës italiane, kishte takuar një amerikan, relativisht të ri, por që e kishte intriguar thellë: ky amerikan po shkruante një libër me të cilin donte të thoshte që Leonardo da Vinci me të vërtetë kishte pasur lidhje me të ashtuquajturin sekti i fshehtë i Sionit, pjesëtarët e të cilit mëtonin se qenë pasardhës të linjës Jezu – Maria Madalena dhe zotërues së kupës së shumëpërfolur të Graalit, ku Krishti pat pirë herën e fundit dhe më pas i qe mbledhur gjaku. Jam i bindur se këtë amerikanin Henri e ka gjykuar plotësisht të pazotin për t’i dhënë shpjegimin e duhur fenomenit aq intrigues, prandaj kur u hap lajmi se Henri nuk shihej më, se drejtimi i tij qenë Alpet e Evropës, ndoshta vetëm unë e dija qëllimin e këtij udhëtimi, sepse kisha lexuar se përflitej që në atë vend ndodhej streha e sektit misterioz.
Me sa duket, këtë që thashë, pra të vërtetën mbi të, mund ta marrim vesh vetëm ndonjë ditë të papritur kur përbri emrit të Leonardo da Vinci-t, Victor Hugo-it e Jean Koktoau-së, si anëtar i sektit të fshehtë të figurojë edhe emri i Henrit. Amerikani i lartpërmendur mund të jetë autori i një bestselleri planetar, i përkthyer edhe në shqip, por megjithëse jam treguar i vëmendshëm, askush nuk më ka thënë se në atë libër flitet për një djalosh me origjinë shqiptare.
E vetmja histori me interes që dëgjova ndërkohë për Henrin (në të vërtetë,  për këtë arsye e bëra këtë rrëfim), është kjo: dikush i kishte thënë se ka “syze për afër”, pra ekzistonte zgjidhja për njerëz me cilësinë e tij, mirëpo ky dikush qe refuzuar në mënyrë kategorike, pa më të voglën mëdyshje. Dy ditë më vonë prej këtij refuzimi, Henri s’u pa më në Paris. E mbaj veten për ata që mendojnë se dinë diçka rreth asaj çfarë donte të thoshte ai refuzim, por nuk do ta marr përsipër ta shpreh këtu: më duket se kjo është një e drejtë e secilit, sepse qysh në fillim të këtij tregimi kam pasur parasysh që do të mbaj larg vetes çdo koment dhe më duket se ia kam arritur.
Pra, me sa di unë, Henri e mori këtë të fshehtë me vete. Sigurisht, zhdukja e një emigranti pa letra të rregullta në Paris nuk përbën ndonjë ngjarje, kështu që nuk bëhej fjalë për t’iu drejtuar policisë: Henri u zhduk si ta kishte përpirë ndonjë vrimë e zezë.
Kohë më vonë, në Shqipëri shfletova koleksionin e një gazete me emrin “Dielli i Tomorit”, por nuk gjeta gjë që të më kujtojë një njeri si Henri. Nuk e gjen as te “Fjalor enciklopedik”, Bacchus, as te “Historical dictionary of Albania” i Robert Elsie.
Kurse kohë më parë bëra një udhëtim në jug të vendit dhe pamja madhështore e Tomorit më mpiu një copë herë të mirë: m’u bë se Henri që hidhej nga maja në majë si Baba Aliu, kundronte botën me vështrimin skeptik, pak tallës, i lodhur e i rraskapitur nga universi i pamjeve, kjo shaka perëndish, sepse nuk dinte ta merrte atë si dhuratë apo si ndëshkim (pasi ka parë Colosseo-n, Tour Eiffel-in, Alpet e Evropës dhe Piramidat e Egjiptit), kështu që rri larg të ngjashmëve, si shqipja, dhe bluan gjëra që s’i bluan askush, sepse të tjerët nuk mund as t’i çojnë nëpër mend.
Sipas të gjitha gjasave, sa pa dalë në dritë diçka e re për sektin e fshehtë të Sionit, argumenti i këtij refuzimi do të mbetet enigmë për hulumtuesit e psikologjisë dhe ideve bashkëkohore. Sidoqoftë, tregimi mbaron këtu, ku duhej të fillonin dokumentet (jermi i tmerrshëm i tyre), të cilat një njeri si unë nuk i njeh, pasi dëshmitë e ndryshme gojore nuk mund t’i përdor si të tilla, sado të besueshëm të jenë njerëzit që i thonë. Ndoshta ndonjëherë do të kemi të bëjmë me diçka që do ta quajmë punë më të mençur: do të kemi të bëjmë me ese apo studim.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.