Me 18 nëntor 1891, kur i duhej vetëm një ditë për të mbushur 25 vjeç, në ditarin e kolegjit jezuit të qytetit polak të Krakovit, emri i Ndre Mjedës përmendet si ai që do t’u bënte përsëritjen e mësimeve nxënësve të tjerë. C. (karisimi) Miedia, Andreas, Albanice. Pas kësaj përmendjeje të parë, vijnë edhe disa të tjera, pasi ai do të studiojë këtu dy vjet rresht: ky qytet i Evropës Qendrore, është një farë limani paqeje, pasi në perëndim (në Francë) shkollat jezuite janë përndjekur egërsisht dhe Mjeda i ri nuk ka mundur ta vazhdojë shkollën kaq gjatë në një vend, ashtu siç ka ndodhur me bashkatdhetarin e tij Anton Xanoni këtu në Krakov, i cili studion dy vjet më lart.
Rruga ku ndodhet shkolla jezuite quhet Kopernika – ky emër s’është gjë tjetër veçse i famshmi Nikolla Koperniku, zbuluesi i sistemit heliocentrik, i cili, me këtë rast, rrëzonte besimin absolut se qe toka qendra e gjithçkaje. Ky emër rruge tingëllon i çuditshëm kur mendon se shoqëria jezuite themeloi inkuizicionin, i cili u tregua i tmerrshëm me dishepujt e zbulimit të Kopernikut, sidomos në Itali. Koperniku ka studiuar (1491-1495) jo shumë metra më tej, në universitetin Jagiellonian, i themeluar më 1364, i dyti për këtë zonë, pas atij të Pragës.
Sot e kësaj dite, mbrojtësit e inkuizicionit kërkojnë t’ia zhveshin organizatës namin e tmerrshëm, duke e paraqitur, bie fjala, Xhordano Brunon si vagabond (bredharak e aventurier). Po këta autorë bëjnë çmistifikimin e Galileo Galileit, duke thënë se kishte fëmijë të paligjshëm me pastruesen. Mbrojtja më e madhe që i bëhet inkuizicionit nga këta autorë lidhet me faktin se heretikët e rrjedhur nga zbulimi i sistemit heliocentrik kërkonin blasfeminë e tmerrshme: prekjen a korrigjimin e shkrimeve të shenjta. Megjithatë, papa Gjon Pali II (Karol Vojtila), që ka studiuar po në universitetin Jagiellonian, ka kërkuar ndjesë publike për ato që ka bërë inkuizicioni.
Është për t’u theksuar se universiteti në fjalë krenohet kryesisht me këto dy figura: Nikolla Koperniku dhe Karol Vojtila.
Ndoshta Anton Xanoni e ka ditur se një humanist nga Durrësi i tij ka qenë pedagog i Kopernikut. Ndoshta jo. Se çfarë ka menduar Ndre Mjeda i ri për këto ngjarje e fenomene nuk e dimë dhe, kuptohet, nuk do ta dimë ndonjëherë, pasi arkiva e shkollës ruan shumë pak gjëra për të: këto janë përmendjet në ditar. Arkiva, e cila ndodhet në kishën shën Barbara (shek. XIV), buzë kishës shumë të njohur në historinë artit (shek. XIII) për altarin e rrallë të gdhendur nga nurembergasi Veit Stoss, në të vërtetë ka disa foto te zëri Miedia, veçse në këto foto nuk gjendet Ndre Mjeda, por pamja e plotë dhe disa fragmente të tablosë “Dy rrugët” (Ferri e parajsa) të piktorit shkodran Kol Idromeno. Në ato foto, ky i fundit, plot humor tipik shkodran, shikohet i përqafuar me ata që ndodhen në rrugët e ferrit, pra djajtë. Për fat, jezuiti i ri, drejtori i bibliotekës, dallon një shishe në dorën e piktorit dhe thotë: é critico. Drejtori është i shëndetshëm, qesh me zë të lartë, ka një mjekër në të kuqe dhe nuk mban rroba fetare, pra, krejt ndryshe nga ç’mund të përfytyrohej pamja e një jezuiti, por, mbi të gjitha, bie në sy gatishmëria e tij e lartë për të përcjellë te shqiptarët gjithçka që ndodhet aty për Miedia, Andreas. Gatishmëria e tij nuk ndryshon as kur mësohet se aty ndodhen disa gjëra që i përkasin shqiptarit tjetër, Anton Xanonit: në arkiv, këtij i dalin dy poezi në latinisht dhe tre vizatime hokatare.
- Ekziston, - i them drejtorit, duke treguar me gisht nga tabloja e Idromenos.
- Sigurisht, - ma kthen dhe lexon vendin se ku ndodhet: bazilikata...
Përmbahem dhe nuk i them se unë e njoh atë tablo jo nga ndonjë bazilikatë, por nga qenia e saj për disa dekada në muzeun ateist të Shkodrës (i vetmi muze ateist në botë, siç thuhet), pasi ndoshta do të duhet shumë kohë për të shpjeguar çudinë origjinale shqiptare.
Te kolegji jezuit i Krakovit ndodhet një tabelë me emrat e jezuitëve të vrarë nga hitlerianët dhe kjo më kujton bisedën e bërë në Tiranë me një profesor të njohur: ai më tregoi se disa dekada më parë kishte shoqëruar një shkrimtar komunist polak, i cili interesohej që të vizitonte Shkodrën, për të parë se çfarë kishte bërë komunizmi në këtë bastion të katolicizmit shqiptar, pasi në Poloni e kishin pasur të vështirë, pikërisht pse kleri kishte marrë pjesë në rezistencë. Ndoshta në kohën që ky shkrimtar kthehej në Poloni, në Shkodër kthehej nga Krakovi, ku kishte studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, Danish Jukniu, i cili, në rrethe të caktuara, u mbajt si piktori dhe pedagogu shqiptar më brilant i gjysmës së dytë të shekullit XX. Akademia e Arteve të Bukura ndodhet pranë qendrës, në një vend me vlera të rralla artistike e historike: aty ka fortifikime të vjetra, të ruajtura në mënyrë të shkëlqyer, ku kalon rruga e dikurshme mbretërore, ka teatër mbi njëqind vjeçar, një muze arti dyqind vjeçar, ku, përveç të tjerash, ndodhet tabloja e famshme e Leonardo da Vinçit “Zonja me hermelin”. Vlen të përmendet se aty ndodhet edhe vepra e Rembrandit “Peizazh me samaritanin e mirë”, pa harruar artefakte nga Egjipti i lashtë (fragmente nga Libri i të vdekurve, sargofagë dhe skulptura të ndryshme), nga grekët, etruskët (vazot e quajtura Buchero), romakët, si dhe objekte të ndryshme të lidhura me mbretërit dhe gjeneralët e ndryshëm polakë. Interesante është çadra ceremoniale, plaçkë lufte nga rrethimi turk i Vjenës, që ndoshta i përkiste vezirit të madh me origjinë shqiptare, Qypriliut, por kjo nuk e ndihmon këtë të fundit për t’u bërë hero i këtij tregimi.
Danishi e ka kujtuar kështu kohën kur i thanë se ku do të studionte:
Kur fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Poloni ndesha në një problem: si gjithë të tjerët, kisha dëshirë të shkoja në B. S., sepse dija shumë pak gjëra për Poloninë. Profesori im, O. Paskali, që ishte njeri me kulturë, më shpjegoi se Polonia ishte një vend shumë i përparuar. Kur shkova atje u binda: Akademia e Arteve në Krakov, ku shkova unë, qe themeluar më 1818. M´u desh punë e madhe të korrigjoja shumë gjëra nga ato që kisha mësuar në Liceun e Tiranës: shkolla ku kisha mbërritur ishte shumë liberale. Të gjithë profesorët kishin mbaruar studimet në Francë. Çdo gjë që ndodhte në Francë mbërrinte në Krakov brenda një jave. Pa kaluar as pesë ditë nga ekspozimi në Paris, mbërriti aty, i riprodhuar në revistë, një portret i Picasso-s. Van Gog shihej si histori, si formë artistike e kaluar. Shkolla nuk kishte kufizime: lulëzonin të gjitha rrymat e artit. Tek unë nisi lufta e brendshme: çfarë mësoja dhe çfarë më priste në Shqipëri.
Në thelb, të njëjtën gjë, por në rrethana të tjera, do të thoshte edhe Ndre Mjeda: në mënyrë paradoksale, kultura e përkryer klasike duhej të vihej në shërbim të asaj ngjarjeje të rëndomtë fshati që quhet “Andrra e jetës”. Sot ne flasim për këtë poet e këtë piktor, gjë që do të thotë se ata ia kanë dalë, megjithëse është aq e çuditshme t’i trajtosh punëtorët e H/C me mënyrat më perëndimore të pikturimit.
Faktin që Krakovi ka qenë historikisht i vendosur në kryqëzim të rrugëve të mëdha tregtare, në pikën e takimit të kulturave dhe influencave të ndryshme, ta kujton edhe ngulitja që herët në këtë qytet e një komuniteti hebre. Bëhet fjalë për shekullin XV dhe një sinagogë më të vjetër se këtu mund ta gjesh vetëm në Pragë. Gjatë luftës II botërore, pas çrrënjosjes së hebrenjve, kjo zonë u shkretua dhe u rrënua për disa dekada, deri në vitet ’80, kur filloi të kthehej edhe një herë jeta e saj. Nami i kësaj zone u rrit edhe falë regjisorit Stiven Spielberg, që erdhi këtu e xhiroi filmin e njohur Schindler’s List. Por, kuptohet, para xhirimit të këtij filmi, shtrihej një periudhë shumëshekullore: pranë njërës nga sinagogat më të vjetra gjenden edhe disa varreza historike, ku varri i Rabinit Moses Isserless (Remuh) vizitohet prej pelegrinësh hebrenj nga e gjithë bota. Origjina e sektit të famshëm të hasidimëve është më përtej, në Ukrainë, por letërsia e ashtuquajtur hasidike ka qarkulluar gjithandej, deri te Martin Buberi, filozofi, i cili e ktheu atë nga Evropa në Izrael. Në një nga trajtesat e tij, ai rrëfen diçka që duhej ta mbyllte këtë ekskursion pacak, në një farë mënyre, duke kërkuar ndihmë te forma parabolike e F. Kafkës. Martin Buberi shkruan:
Të rinjve që vinin tek ai për herë të parë, rabini Bunam ish mësuar t’u rrëfente historinë e rabinit Eisik, birit të rabinit Jekel të Krakovit.
Pas shumë e shumë vitesh të një varfërie të thellë, por që nuk ia kish lëkundur besimin te Zoti, rabini mori urdhër në ëndërr të shkonte në Pragë për të kërkuar thesarin e fshehur nën urën e cila të shpinte te pallati mbretëror. Kur ëndrra iu përsërit për të tretën herë, Eisiku u nis më këmbë për në Pragë. Ura ruhej ditë e natë dhe ai nuk kishte guxim për të gërmuar në vendin e caktuar. Kthehej çdo mëngjes, duke iu sjellë urës rrotull deri në mbrëmje. Në fund, kapiteni i rojeve, i cili i kishte vënë re ecejaket e tij, iu afrua dhe e pyeti miqësisht në kishte humbur diçka, apo në priste njeri. Eisiku i tregoi ëndrrën që e kishte detyruar të vinte deri aty. Kapiteni ia plasi të qeshurit: “Dhe ti, o i shkretë, ke ardhur në këmbë deri këtu për një ëndërr! Nuk duhet t’u besosh ëndrrave. Atëherë, edhe mua më takon të nis udhëtimin deri në Krakov, për t’iu bindur një ëndrre, e të shkoja në shtëpinë e një hebreu, njëfarë Eisiku, biri i Jekelit, për të kërkuar thesarin poshtë sobës! Mendoje, Eisik, i biri i Jekelit! Gati e shoh veten duke hyrë e duke kontrolluar në të gjitha shtëpitë e hebrenjve në një qytet ku gjysma e hebrenjve quhen Eisik dhe gjysma tjetër Jekel!” Dhe qeshi sërish. Eisiku e përshëndeti, u kthye në shtëpinë e vet dhe zhgroposi thesarin, me të cilin ndërtoi një sinagogë.
Mesazhi i kësaj historie: ka diçka që nuk mund ta gjeni në asnjë vend të botës, megjithatë ka një vend në të cilin mund ta gjeni.
Një thesar i madh, në këtë rast, është një përmbushje e ekzistencës.
Kjo ka vlerë edhe për poetin e piktorin e sipërpërmendur.