Letërsia Shqiptare

DUKE LEXUAR VOLTAIRE – IN
E diel, 03-02-2008, 05:49pm (GMT)

Kur si një alarm hapet dita
drejt perëndimit (e ëndërr
a hajmali kurrë nuk hyn

në punë), vret valle të vdekurish
nostalgjinë intime dhe çdo
pagjumësi pushkaton një Tanushë.

Kjo letër shpjegon gjithçka dhe kurrë
s’do dërgohet - më torturë
se terri, tymi tinzar vjen

e kallëzon me gisht shkrimin
e vet të vjetër, veçmas i vetësigurtë,
si ta kishin fort për zemër,

posi për të përtallur disa
moskokëçarje, dhe merr në dorëzim
një qiell pabesish: ndër fletë

është fjetja për shpirtëra të shuar?
Viktimë e fillit që duket e zhduket
kam parë makthe toke me idenë

e jetës të veshnin një pandehmë
që ta ndernim ndërgjegje.
Kam parë t’i përlajë shiu

ciklik të gjitha - ku plasi gjak
kurbanesh, ku hemoragji drite
tha: më e vogla gjë nuk i takon

asnjërit. Dhe secili atom
i qetësisë së vonë, dhe zërat
që aviten e pastaj heqin dorë.

Dashur, pa dashur, jemi këta
që jemi. Të gatshme palimpsestet,
ashtu prej pergamene, të mëdha

sa t’i marrin gjithë gjërat e mundshme.
Ku çapiten çuditë, fanitjet e fetishet.
Ku dhe babushi diell nuk kursen

kozmetika, ashtu pa sy e duar
njeh mëngjesin e muzgun. Yjet –
që s’e ushqejnë ndopak me gjakun

e tyre, sepse si arlekinë do shoqërojnë
mitet: dikur ishte e lehtë
për të shënuar e rrëzuar idhuj.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.