Gjithçka zbret nga kujtesa
Veç dhembja rri e varur pranë meje
Nëpër bardhësitë e ardhme
Trazohen kujtimet për karvanin
Me plot dhembje e plagë
S'ndalet rrjedha e Drinit
Gjaku shkon gurrë
Rrugët ndrydhen gjurmëve
Kurora andej e këndej
I bëjnë homazh gjakut
Gurin dua ta thyej
Majë kodre ndahet zemra
e atdheut
Drita e mundi terrin
Mbetën vetëm plagët
Atdheu im i përgjakur
Dhe bashkimi që nuk erdhi
Vërmicë, verë 1999
Nga libri: Degë e thyer, botoi “Metafora”, Prizren, 2007