Femijeria nuk eshte me aty
E marte, 12-06-2007, 09:40pm (GMT)
Një të kthyer kokën dhe fëmijëria ikën prej teje si një puhizë erotike që lëvron buzëqeshje gjoksit të gushtit. Ajo, fëmijëria, var akuarelet e saj mureve ajërore të kujtesës duke na ftuar në hyrje-daljen e definitetit të fantazisë, duke na e larguar veten nga vetja pa as më të voglën britmë, duke na e ngjyrosur realitetin në një ylber të pakapshëm, duke na i rritur këmbët sa këpucëzat kurr më t’mos na bien. Kështu, edhe gjurmët të lëna muzgjeve e humbën fosforin. Ndaj zërat e pasditeve na u ngurtësuan në pluhur të bardhë që busulla të ketë një tjetër shigjetë që shoqëron drejtimet tona, drejtimet tona drejt horizonteve të panjohura as nga zoti as nga djalli. Ndoshta na duhet një frymëmarrje e thellë, miq, një frymëmarrje gjaknxehtë si në çudirat e dinosurëve. Dhe të imagjinojmë veten krahëhapur si një kryq pa lidhje me krishtin. Ku në njërin krahë mbajmë çiltërsinë e fëmijërisë dhe thesin e mëkateve të rritjes përpiqemi të ekuilibrojmë në krahun tjetër. Le të bëhemi vetë peshorja e drejtësisë së vetvetes. Eh, jo! Nuk është vonë të kthejmë kokën prapa nga fëmijëria, ndonëse fëmijëria nuk është më aty. Sepse hijet e trupave tanë u tjetërsuan anekseve të dashurisë, urrejtjes. E sa më tepër që këto hije rritën, aq më pak vertetësi shohim tek vetja!
|