Sepse nje dite te pashe me detin
E marte, 12-06-2007, 09:41pm (GMT)
Aherë, për të mbrritë tek dashuria ishim akoma të pakrahë. Si zogj të porsalindur prisnim dashuria të na hidhej vetiu në gojë. Prekjet janë të dëmshme për fëmijët me thoje, puthjet janë të rrezikshme si loja me zjarrin. Të bësh dashuri, pa u rritur, jo, jo shtoje. Por unë merrja frymë prej mushkërive tuaja. Tek flija, ti ishe ëndrra ku akoma lumturia dhe ndrojtja ime lëkundeshin të ekuilibruara. Tek ecja, ti më mbaje në ajër rrugëve baltore të Bajzës të mos njollosja pantallonat e hekurosur vetëm për ty. Çdo e rrahur zemre më qarkullonte në gjak emrin tënd. Larg teje isha si njeriu larg syzeve të tij optike - ngjyrat e universit më ngjanin po aq të lodhura sa unë. Imazhi yt ishte shkrirë në materiet e botës që thirrja në ndihmë. Pra, unë dhe ti, ishim një trup, një shpirt, një dashuri; po të mblidhnim moshën e ne të dyve do të ishim tamam 32 vjeç. Megjithatë je akoma i vogël, akoma, përsëritje. E prapë më gënjeje se të pëlqente të ishe e pacikëshme. Them më gënjeje sepse një ditë të pashë me detin. Krahët e tij muskulozë të tërhiqnin fort rreth thellësisë. Ai, deti, ti puthte sytë e tu si të ishin të parët sy që shihte. Ti madje, për ca sekonda, harrove frymëmarrjen. Të mbushëm ajër harrova edhe unë duke ju parë. Ti largoheshe në bluhtësinë e gjoksit të tij si një ëngjëll i bardhë. Po, po, e pashë atë detin tek i petëzonte gishtërinjët e ujët dhe si për inatin tim t’i preku lëmueshëm flokët, fytyrën. Madje i shtriu si nëperka tinzare edhe nën kostumin tënd të banjës. Ti e di. Këto gjëra vetëm unë duhet t’i kisha bërë me ty. Po, po! Atë që ti e bëre me detin duhet ta kishe bërë vetëm me mua. E ku ta dija unë se po ta lashë dashurinë për më vonë ajo brymoset.
|