Letërsia Shqiptare

Vajzat e Kalifornise
E marte, 12-06-2007, 09:43pm (GMT)

Ecin majë gishtave mbi krahët muskuloz të tokës
duke endur çudira në lëvizjen e hijeve,
çudira të pasqyrta - kurthe vështrimesh,
prekje që e ndajnë gjithësinë në kube të qelqta.

Vajzat e Kalifornisë
heshtin në gjuhën tamlore.
Me termetet dhe njerëzit u mjafton dialekti i trupit.
Ndërsa me djemtë - syze
përtej të cilëve deti u duket si një trandafil në çelje
ato përdorin gjuhën e mjaltit;
zëri u zgjatet si një ushtimë në të ardhur
diku nga një lëndinë e bardhë dhe e virgjër yjesh.

Kalifornia ka gjelbërim vajzëror të përhershëm.
Ndaj
retë e bardha nderen konfuze midis tyre dhe qiellit.
Ndaj
vullkanet në Majami shpërthejnë gjoksin e zjarrtë
duke i përcëlluar me inat buzët e kripura të ujrave.
Ndaj
pa vajzat e Kalifornisë vet bukuria ndjehet jetime.

Ato, të bukurat, bjondinat, vajzat zëmjaltë
jetën e djemëve e ngrejnë tek orët e zgjatura të ëndrrave,
dhe ëndërrave të tyre u japin sisë të rritem të qashtra.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.