Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik)
E marte, 23-06-2009, 08:43pm (GMT+1)
Marrë nga libri “Lutje në ditën e tetë të javës”
AUTOPORTRET I AVANCUAR
Marlowe më ka bërë shumë nder me Faustus; Tani i njoh mirë vlerat e shpirtit, kostot e dijes. E dalloj më pastër vijën e lakuar të ekuatorit Dhe njësimin humano-kafshëror të centaurëve.
Segmenti optik i kulturës së vuajtjes, Zbërthimi i bërthamave të atomit klandestin, Eksplozivi kimik dhe rezultati i shpërthimit,
Mbeten strategjia ime e mësymjes, Sistemi mbrojtës nga forca shtytëse e gazeve.
I lodhur nën mbikëqyrjen e paqes vetëm në letër, E kam ndërtuar veten përtej ngritjes së trupit, Ujit të bekuar që shtrydhi poetin Philip Sidney Të belbëzojë: "Thy need is greater than mine".
Me më pak shkrola e me më shumë të bardhë Sytë ma shtyjnë botën në të kundërt të logjikës, rreth balancës së rrezikshme: dashuri-dhimbje.
Lind dhe perëndoj me diellin e planetit kiçelev Që të mos trazoj gjurmët e astronomëve në hënë.
Atmosfera ime është një shtresë e hollë jete e vdekje. Hidrosfera më mbetet tërësia e djersëve dhe gjakut. Biosfera më nxit neutronet të veprojnë së bashku, Më ndihmon litosferën: fytyrën që mbroj nga turpi.
I parrëfyer fare para kodeve të errësirës së Kaosit Urrej nga afër efektet e çdo prelude për pushtim; Shkatërrimin e njërit si mundësi e qetësisë së tjetrit:
Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirë Të jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr.
AFËRDITA
Afërdita e la në ajër guaskën e para-dritës; Veshur fare hollë në pëlhurën e hënës, Bëri litar perdet e ylberta të mëngjesit, Si lule agu zbriti në Kankunë të Meksikës.
Me ta parë, qielli u kthye në një pemishte prilli, Brigjet krijuan gjoks Afërditës t’i ngjajnë. Toka nga ndrydhja vesë të kristaltë djersiu; Buqeta yjesh të ndezur çelën në gjoksin e saj.
Rëra e bardhë ia mbështolli gjurmët në gji; Peshkaqenët ia thyen dhëmbët njëri-tjetrit. Delfinët filluan të këndojnë në notën “si”, Dallgët fshehën thinjat në gjëmimet e detit.
Bukuria e Afërditës e gjunjëzoi Kankunën, Sa dallgët kaltëroshe ia skuqi në fytyrë; Horizontit aty pranë prush ju ndezën buzët, Diellit i dridheshin rrezet si të ishte i pirë.
Afërdita e shtrydhi fytyrën valëzuese të detit, Me elegancë e nderi mes dy syve të saj të qeshur, Në ikje, pa të keq, Kankunës ia bëri me dorë, Dhe horizontit në qafë iu hodh shkujdesur.
ME SYZET E TUA
Kur lexoj botën me syzet e tua Aktivitetet vullkanike Ndërrojnë pikën e origjinës.
Shkrumbi i një vdekje të hershme Gllabëron evidencën fizike të ish-gjallesave: Përbërjen e karbonit-14 që skadon në tërbim.
Mbeturinat e zhdukjes përbëjnë Shtresën sipërfaqësore të humbjes. Thelbi i jetës së përjetësisë venitet Në atmosferën e ftoftë të realitetit.
Tek konkurron me të vërtetat e errëta të nëntokës Tunelet me mure të lëmuara ia thyejnë Paraditës tehet e këpucëve të patinazhit:
Në atë moment kontakti i të dukshmes Dhe të padukshmes krijon njohjen e ngjyrave Të syve të tjerë që kanë nevojë për syze.
Nuk është thjeshtë ngatërrim mprehtësish.
Pikërisht në tehun e bisturisë të së përhershmes Vetë-përtërihen horizontet e rezistencës, Si dhe idealet e harruara poetike të Rumit.
Dredhur në fishekë fund-hapur prej letre Shoh vizione të vëna në shënjestër, Pentagrame me më shumë se pesë vija
Që përpiqen të minimizojnë rëndësinë
E renditjes së notave të etikës Dhe qëllimin e drejtimit horizontal të gishtërinjve Kur njerëzit i japin dorën njëri-tjetrit.
KOMËSHINJTË, NË BRRUT TË M. SË MADHE
Si fëmijë, U fluturoja në krahë si zog dëbore; Gjithmonë gjeja cicërima ndjellëse Në bardhësinë e pafundme të zemrave të tyre.
Dhe erë të mirë petullash Në ajrin e pastër të mëngjeseve gjeja.
Si djalë, U largova si një nga dallëndyshet e F. Shirokës Për në një sfond Ku pëllumbat e butë të mbrojnë nga egërsirat, Ku manekinët e zbërthejnë një komçë Si tramt që unë të rezistoj Çdo ndjenjë, çdo dhembje, çdo arsye…
Gjithsesi, Në kotecin e thurur me brinjët e mia Mbështjellë në ca fletë të zverdhura librash Gjej e rigjej dashuritë e tyre të çiltra.
Si burrë, Gati e paskam humbur rrugën për në Brrut. Nuk qaj, Se “lotët më gjenden më thellë se malli”, Por shpesh trokas në dyert e tyre të hapura Edhe pse ferrat e mungesës duart m’i përgjakin.
Si i vdekur, Shpeshherë kur vdes E gjej veten duarkryq të mbyllur në qerpikët e tyre;
Komshinjtë hapin sytë, Dhe unë ngjallem përsëri.
BISEDË ME VDEKJEN Një ditë do më marrësh për dore, Thjeshtë, pa më pyetur. Në vend të syve Do më lëshosh rëndë dy globe të errëta. Dy teleskopë “nightshot” Do më varësh në qafën e lodhur. Trupin, edhe dy jetë më tej, Do ma largosh nga vetja.
Të gjithë këtë do e quash Një eksperience vetjake. Do më bindesh se u largova Sa për të formuar një nocion... Rënkimet do m’i emërtosh Si këndvështrime subjektive, Shpirtin Për llambat e qyteteve të tretura, Do ma bësh neon.
Njerëzit do shtegtojnë Labirinteve të motiveve të dikurshme Duke i kthyer emocionet e mia Në trotuare ku krismat heshtin. Do i laj mëkatet Për të gjitha poezitë që i lashë të pashkruara, Dhe për vajzat Që në emër të nderit Dashurinë për mua e lanë të vdesin.
Më në fund, Realitetit tënd Do ia pranoj tonin e fuqishëm moralist, Gjilpërat me të cilën grith Portretin e figurave dhe ngjarjeve jetësore. I menduar Ose i pamenduar mirë Do e nderoj frikshëm, Personalitetin tënd dyfytyrësh Dhe përsosmërinë e drejtësisë hyjnore.
TË GJITHA JURITË DO MË FALNIN
Në Gjoks Mban dy kambana të arta të kthyera përmbys, Por nuk është një kishë e bekuar.
Çuditërisht, Kur kaloj pranë saj fshehurazi bëj kryq, Por nuk është besimi ai që m`i komandon duart.
Ndonëse Helena dhe Circia janë të Shkrira brenda saj, Ajo nuk është greke.
I vetëdijshëm Se çdo shikim i saj edhe më thellë më zhyt në mëkat, Zotit, këtej e tutje, nuk i kërkoj parajsë tjetër.
UDHËTIM ME LUNDRËN E KARONIT
Lumenjtë e mbretërisë së nëntokës, Pa i ulur zërat për askënd, Vazhdojnë gurgullimet trishtuese të fjalëve, Ndërmarrin një vërshim arterial Në trupin e zverdhur të muzgut.
Mesazhet marrin jetë Brenda membranës së flluskave, Sqarojnë për fajtorët Skicat e skalitura në portaret e ferrit:
Nëse je lindur Je fajtor. Nëse e lexon këtë mesazh Je këtu.
Mësohet se delta e lëvizjeve Mbetet vetëm një lojë mundimesh: Jeta na qenka Më parë një frymënxjerrje, Pastaj një frymëmarrje.
Gjithçka midis tyre Vetëm një mundësi Për të kryer mëkate.
Po qëndrimet neutrale, Bamirësitë në ç’qitap janë regjistruar?
Sipas “skicës” janë shkrirë Nën llambadarët e trazirave mendore, Janë derdhur në kanalet shkumuese Që la pas lundra e Karonit,
Në të njëjtët Kallëpe Ku derdhen monedhat e argjendta Shkulur nga goja e shpirtrave më të vjetër Para se të hidhen në “Had”.
Në këtë nën-ajrosje, S’do mend, Zagushia fryn hirin e ferrit, Deklaron natyrën me re Të të çakërdisurve antikë.
Aty çekani i instinktit obskurantist Mpreh inatin mbi Qëllimin e fitimit Nga udhëtimi me të vdekurit.
Xhudhinjtë projektojnë të ardhmen E qytetërimit mbitokësor:
Duhet te gjendet një libër Më i vjetër se Bibla që e Përshkruan gjeografinë e qytetërimit të ri Si një tabaka mbuluar me pluhura bojë hiri.
Aty ferri është Një pjesë e ekzistencës gjeografike Që mban mure rrethuese Për kufizimin e lumit Të shpirtrave të vdekur.
Ç’mendonte Virgjili Kur e përshkruante ferrin Si qyteti i zotit!
Gdhendja e këtyre portave të detyrueshme E portretizon atë Si një vend i shprehjes së hidhërimit, Pendimit të përjetshëm.
Në këtë vend, Në këtë jetë Ferri është e kundërta groteske e parajsës. Një vend prej të cilit kurrë nuk ka ikje.
SHKODRËS
Jo, mos i mbyll dritaret e kësaj mbrëmje, Ndjenjat e mia në qiellin tënd vetëtijnë; Si zogj të hutuar që shtegtojnë plot dhembje “Shkodër!”, “Shkodër!”, cicërojnë.
Sonte mos i ndiz qirinjtë e darkës, Durimin e Rozafës në sofër mos e sjell, Mallit që kam për ty m`i mjaftojnë flakët Që hënën e qytetëruar ta veshin me diell.
Këtë muzg, shqyej e bëni krahë perdet e teatrit Le të dukesh midis tyre si një shpend. Migjeni që s’po e kapërdin dot kafshatën... Në poezinë time fshin djersët e portretit tënd.
Mungesa mbetet një mesnatë me yje të vrarë, Kur këtu është natë, ditë është tek ti, Ti shtrydh ndjenjat e unë ndjehem i tharë Por madhështia jote më njomëson përsëri.
FUJI
Pjesa skeptike e telepatisë së fujit, Shkruar, fshirë dhe shkruar përsëri Në rrënjët e thinjave të parakohshme.
Hartat e funksioneve të mendjeve Në qendrat e mendimeve njerëzore Përcaktojnë për të sasinë shpirtërore.
Mohon mungesat e provave gjenetike, Por çmon sa veten esencën e vetminë Sepse aty s’ka fjalë, vetëm mendime.
Yamanaka fshin kodet primitive Në shtresën më të fundit të Motosut Për të dhe për banorët e Gotembasë.
Çdo gjë që koncepton imagjinata Poli i tij magnetik e kthen në jetë, Në një mineral shtesë në ujin blu.
Pas rindeshjes së rrasave tektonike Shanset e reja u bënë jeta e së ardhmes: Ai qorroi vetëm sytë e vjetër të Tokjos.
24 ORË DASHURI
Muzgu e ndjeu nevojën tonë të fshihemi diku Gjithësinë rreth nesh e zbuti në bojëçokolatë Fshehurazi qeshi me fytyrat tona të ndezura Dhe u largua tinëzisht për ne duke folur uratë:
Natyrshëm, natyrisht, bëmë dashuri në natyrë.
Me livadhet, para kohe, djersimë vesën e parë Me flokët e natës ia fshimë gjoksin mëngjesit. Lëndinën e shqyem në mes si një copë pëlhurë Dhe zbuluam buzëqeshjen më të re të universit:
Natyrisht, bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm.
Për dreq, të gjithë banoret e erës e morën vesh. Merkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det. Dielli vuri duart në bel e u lartësua plot ëndje Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret:
Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm, natyrisht.
Pa ua qarë hallin kometave që luhateshin përtej Mbrëmja e re erdhi si një luleëndërr plot nektar, Zbërtheu komçat e sipërme të këmishës së zezë Dhe për ne të dy vari në qafë hënën e larë me ar.
I PA IMUNITET NË SHQIPËRI Shqipërinë e gjeta si atë engjëllin e bardhë Që ecën ngadalë një pëllëmbë mbi tokë Me hijet e të vdekurve buqetë në dorë.
E përqafova i vrarë dhe i zbetë në fytyrë Si një portokall aty-këtu i kafshuar.
Pashë thonjtë e saj me njolla gjaku të tharë Që akoma vuanin dhimbjen e shkuljes Kthyer në tjegulla mbi piramidat e akullit.
U shtrydha, u bëra vaji i kandilit të saj, U bëra pjesë e fitilit me kokë pluhurore.
E ndjeva se flaka e djegies time la imazh hiri. Por ndonëse drita që dhashë dukej prej tymi, Sytë u ngrinë xham rreth meje të mos fikesha.
Sikur të kisha imunitet shpirtëror në Shqipëri, Do mbaja për vete pa turp kripën e lotëve.
—Tiranë, Korrik, 2006
|