Letërsia Shqiptare

Zulluland
E hene, 29-10-2007, 09:02pm (GMT)

unë me melhem ju me helm torturo tremb e trand
në udhëkryq  pa atdhe dhe na ftoni në mëkat
hem digjni hem vrisni villni vrer delirant
tartufë gjithkund molierë askund atdhehumbur shkretan
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
 
betoheni e përbetoheni me bujë e brohori
e kujt është kjo kujë kjo kishë këto kuaj
sikur të ishin buaj po m’i vrasin bijtë
ditën e natën të kallni datën gllabëro e përbalt
në vendin tënd s’të zë vendi se ndjehesh azilant
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
 
makutër tuafër matufër e ziliqarë
bliheni e shiteni lakmitarë bukëshkalë
fytyrëmbuluar me turp idhnakë egërshanë
shkatërroni e rroni si djaj e xhelatë
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
 
ju mujsharë të mllefosur plot marrëzi e maraz
mbarë e mbrapsht flisni përçart si dehur
gjëmë pa bërë përmbi  dhé këtij atdheu nuk i latë
shkel e shtyp kurthe thur rrobashqyer leshrashkrehur
këtë llum e zullum nuk ka lum që e lan
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.