16 Nanduer
Gjykata e Tiranës disa ditë ma parë më ftonte që të paraqitesha dje para sajë, si ndërgjyqse, në padin e aratisjes. Un dojsha të vete e të deklaroj se pata ikë me hirin t'em për t'u martue me Shpendin që e dashunoj, por nuk më lanë këta gogolë. Kur pashë se nuk do të mundesha me i a mbrrimë qellimit i shkrova nji letër Z. gjykatsit dhe i thashë se Shpendi nuk ka as ma të voglin faj, mbassi un kam qenë ajo që e kam nxitë e shty n'aratisje. Letra kishte bamë bujë të madhe dhe im atë e im shoq, q'ishin si paditsa kundër Shpendit, ishin bamë për të vramë vetëhen. Dhantë Zoti t'u mbushet mendja që të më fusin nji plumb kokës e të shpëtoj nji herë e për gjithmonë. Sot erdh në shtëpi nji përfaqësues i gjykatës dhe më pyeti mbi rrjedhjen e aratisjes. I vertetova dhe i përsërita ato që pata shkrue në letër. Çuditem në t'em shoq. Habitem se si nuk më vret. Në mos qoftë i zoti me e përdorë pushkën, të paktën, duhej të më shkunorëzonte. Përse nuk më shkunorëzon e nuk e këput atë fille të hollë, me të cilën na kanë lidhë? Ç'farë njeriu qenka ky? Un, po të kisha qenë në vend të tij, kurrë nuk do t'a durojsha bashkëjetesën me nji shoqe që dashunon nji tjetër dhe, menjiherë, do t'i këputsha marrëdhanëjet me të, por ky s'merr vesh se.... Çudi!
„Këtu janë shqye disa fletë".
6 Mars
Prej kohësh nuk kam shkrue në këto fletë. E përse me shkrue: Ç'farë vlere mund të kenë shkrimet e mija, mbassi un u mjerova plotsisht dhe tash, që të plotsohet tragjedia, mungon vetëm vdekja? Të shkruejsh në këto fletë don me thanë të flasish me gojën e të mjeruemes për me e llastue ma fort mjerimin. Sidoqoftë do të shkruej nga ndonji herë që të shfrej, se s'kam kuj me i a hapë zemrën dhe me e shprazë vënerin. E me këtë mënyrë e nxjerr dufin. Pas? Po.
Pardje më suellën këtu, në shtëpi të tim ët, kinse për të ndrrue ajr. Menjiherë e pranova propozimin që më bani em atë për të ardhë këtu, sepse më kandet të dergjem e të vdes në shtëpin e nanës, ku kam nji grumbull kujtime t'ambla e të hidhta. Im atë tash asht paqtue me mue. Më flet, më gjith që me serjozitetin ma të madh, me nji mënyrë të butë dhe sikur nuk ka ngjamë gja në mes t'onë. Por kurrë nuk prek kah aratisja, kah gjyqi ase kah dashunia e eme. Ka kujdes që të mos i shpëtojë as ma e vogla fjalë që mund të ketë lidhje me to. Qëndron shum larg.
Gjyqi i Shpendit u zhvillue në mungesë t'eme. Ai u ndeshkue me nji mot burgim të randë simbas nenit 381 e me ndërhymjen e paragrafit të dytë të kodit penal. I shkreti Shpend pësoi për shkak t'em dhe tash lëngon mbrenda atij Ferri. Shpesh qaj për të. Nuk dij se a do mundem me i a shpërblye vuejtjen me lotët që derdh.
14 Mars
Sot bana nji farë vetëkontrollimi.
E hapa librin e jetës s'eme dhe e shfletzova qysh në fillim e deri në mbarim. Sa shum paskam shkrue për nji mot! Kush e din se sa volume do të lypeshin po të duhej me e përshkrue krejt jetën. Hudha nji veshtrim andej e këndej dhe në fund pata përshtypjen se jeta e eme filloi me vaj e rrënkime, vazhdoi me vuejtje e pësime dhe, tue u trazue me nji dashuni të pashijueshme, mbaroi - asht tue mbarue – me hofshe e ulërime. A kështu duhej t'ishte jeta? Pa dyshim jo. Ajo lypsej të që krejt ndryshe. Duhej t'ishte e gatueme me gaz e hare, e kalueme me dashuni e lumni dhe e mbarueme me mjaftësi e kënaqësi. Por s'qenka ashtu. Ndoshta vetëm për mue s'që ashtu me kuptim të hidhët e të tmershëm. Ndoshta vetëm un po tërhiqem nga kjo botë e pakënaqun dhe e dëshpërueme. Por, jo. Nuk jam un e vetmja fatzezë.
Para meje sigurisht me mija fatzeza kanë ardhë e kanë shkue pa e gëzue dhe pa u qeshë zemra makar nji herë. Kush e din se sa yj xixëllues pat në mes të tyne dhe u shqimën pa ndriçue kënd; kush e din se sa dallëndyshe pat n'at varg që u thyen krahësh mu n'at ças që dojshin me fluturue për me e gëzue lirin dhe me e shijue jetën.
Edhe un u përplsasa për dheu mu n'at ças që dojsha me i dhanë hof shfrimi dëshirit t'argëtimit të ndiesive të zemrës dhe ajo, menjiherë, u dënue me vdekje. Ka plot njerës në këtë botë që qajnë kot, por ka edhe asish që qeshin fare kot. Njena palë qan tue kujtue se e lut dhe e ndjell lumnin, kurse tjetra qesh tue besue se e lufton dhe e dëbon fatkeqësin. Të dy palët vijnë e shkojnë tue e gabue vetëhen. Un, me sa kuptoj, ndodhem në mes të këtyre dy palëve dhe kam kalue në në shkallë të tretë, pse kam qamë e kam qeshë mjaft për vetëhe. Tash qaj e qesh ma shumë për tjerët se sa për vetëhe, pse un i lava duert ma nga vetja. Shkurt jam bamë si ato që kangëtojnë ndër dasma të hueja dhe katrrojnë ndër morde të tjerëve. Por në mundshme lanë vragë e vragë ndër zemrat e atyne që kanë me e ndigjue kangën ase vajin t'em, do të jem e kënaqun, do të jem e lumtun.
19 Mars
Ka mjaft kohë që jam shtrimë në shtrat e po dergjem. Besoj se kësaj rradhe nuk do të çohem ma veçse kur të më ngrenë për të më çue në banesën e përjetëshme, ndër Vorrezet e Bamit. Herë mbas here qis gjak. Çuditem se sa shum gjak paska njeriu. Habitem se si nuk u shterr ky burrim gjaku që qenka në krahënuer t'em. Me gjith që jam e dërmueme fare dhe krahënori po më shkatrrohet nga gjaku që nxjerr, apetin e kam të madhe dhe ha me shije të veçantë. Gjithnji e kanis stomakun me haena të ndryshme dhe gjithmon kërkoj me hangër dishka të
zgjedhun nga inendja që endet gjellë më gjellë e pemë më pemë. Vetëm më vjen turp me kërkue, se do të më quejnë llupëse. Me gjith këtë shpesh heorë i mbyll syt dhe kërkoj. Nji javë ma parë, për shembëll, më shkoi mendja për rrush. E kapërdina turpen dhe u thashë. E ku gjindet rrushi në këtë stinë? Me gjith atë kërkuen dhe, ma në fund, kishin gjetë nji vesh të vyshkur e pjesërisht të kalbun.
Tyberkulozet, përgjithësisht, dergjen e vdesin tue hangër dhe tue folë. Sa mirë se? Ngopen e shfrejnë. Demede edhe un kështu u bana. Natyrisht s'do të baj përjashtim nga tjerat, se s'kam ramë nga Qielli de! Oh sa gëzohem kur më sjell kush ndonji ambëlsinë të mirë ase ndonji pemë që nashti rrall gjindet. Dje më kishte sjellë Dajë Haxhiu nji shegë. Më shkuen jargët nga goja kur e pashë, por nuk mundesha me e hangër, pse atëhere këtu ndodhesh Xha Ceni e Xha Meta. M'erdh turp prej tyne, por qeshë tue plasë nga padurimi. Prandaj s'duhet me ndejtë gjatë pranë të sëmunit.
21 Mars
Dy tri herë në ditë vjen im shoq për me më pamun. Oh sa fort më besdis ky njeri. Prania e tij më mërzit shum dhe më shqetson. Nuk dua t'a shof me me sy këtë njeri që m'a grabiti lumnin, dashunin dhe vajzënin t'eme.
Sa i trashë dhe i pagdhendun asht ky njeri! Nuk merr vesht as nga fjalët e tërthurta e thumbuese as edhe nga verejtjet e hapta që i bahen. Ai asht si ndonji ka i mplakun që s'luen vendit pa u shpue me hosten. Disa herë vjen e më qëndron ke kryet dhe nis të më torturojë tue e përsëritë, njiqind herë, kangën e dashunis së vet. Un e kthej kryet me nji anë dhe i zaj veshët që të mos e ndigjoj, por ai nuk merr vesh fare. Dje i thashë Hallë Hatixhes që t'a dëbonte dhe të mos e futte mbrenda, por ajo më qortoi tue më thanë se asht turp. Heshta dhe u shtërngova të bindem. Sot prap nisi me më mundue me marrëzit e veta. M'u sos durimi. I thirra me duf e mëllef:
- Pusho mor budalla, se m'a plase shpirtin. Mjaft ma! Hiqmu qafet e më len të vdes e qetë!
Nuk bëzani. U largue si nddnji buell. Ky i marrë ndoshta shpreson se do të ngjallem që të.... më shijojë. Uh m'a shpërlaftë murtaja dreqin!
Vjehra nuk bëzan fare. Herë mbas here më sjell ambëlsina e pemë. Nga ndonji herë më pyet se çfarë dëshiroj që të më sjelli. Të them të drejtën kjo sillet mjaft mirë.
27 Mars
Em atë duket pak si i shtypun e i vramë prej sëmundjes s'eme. A thue e ka kuptue se, pjesërisht, ai asht fajtuer për këtë gjendje? Përparimi i shpejtë i sëmundjes dhe me hapa të mbëdha, pa dyshim, i detyrohet dëshpërimit që më shkaktoi martesa me kët tregtarin e jo me Shpendin t'em. Ai ndoshta nashti e ka kuptue gabimin trashanik që bani, por asht tepër vonë dhe s'mund të ndreqet ma. Me gjith këtë më duket sikur më quen fajtore pse dashunova dhe për kët shkak as nuk don me më dorovitë me lëmoshën e ndjesës. Oh sa të pamëshirshëm janë disa burra kundrejt femnave. Ani se vdekja ka me i lamë të tana ato që këta quejnë mëkat.
Sigurisht im atë kurrë nuk do të jetë trazuem prej ndonji kujdesi tjetër veç atij të sigurimit të pasunis, të grumbullimit të arit, të gjetjes s'asajë mënyre që të mëson se si të mundesh me e mbushë barkun ma mirë e ma shum. Zemra e tij kurrë nuk do të jetë msye prej rrebeshit të dashunis. Në syt e tij kurrë nuk do të jetë dukë dëshiri i zjarrtë për t'i argëtue pjerrjet e zemrës, as edhe mallëngjimi i pambaruem e ndonji dashunis së humbun. Prandaj asht kaq i egër dhe i pamëshirshëm kundrejet meje. Për kët shkak nuk don të më fali, me gjith që i vjen keq për vdekjen e trupit t'em. Sa për zemrën dhe vdekjen e sajë s'din dhe s'kupton gja.
Ata që vdesin tue dashunue janë dëshmorë, thotë Muhameti dhe me këtë mënyrë e ka bekue dashunin, por im atë s'merr vesh dhe nuk don me e mëshirue të bijën. Njerka nuk bëzan fare. Duket si e padurueshme dhe e mërzitun nga zgjatja e sëmundjes s'eme. Ndoshta uron që të shporrem sa ma parë prej kësajë jete.
30 Mars
Asht natë. Errësina dhe heshtja mërzitse e kanë kapullue e pushtue botën mbarë. Tirana flen. Nji qetësi e thellë zotnon në të katër anët. Vetëm fërshëllima e fëllimit të natës, herë herë, e trazon qetësin. Un jam ulë buzë dritares, prej ku e sodis mbrendinë e burgut që e shtrëngon Shpendin. Zemra e eme e ftoftë rref e rrënkon për dëshirat që nuk i realizoi, për argëtimet që nuk i shijoi, për lakmit që nuk i argëtoi. Fati mizuer që i pamëshirshëm kundrejt meje. Ai nuk desh të më napi mundësin që t'i korrsha amblas lulet e vajzënis, të rinis dhe të jetës s'eme ashtu si pata andrrue e dëshirue dikur. Edhe në çastin e fundit, ai pa dyshim, do të më përqeshi dhe do të zgërdhihet pa i a vumë veshin ankimeve të mija, pa e peshue sasin e helmit që ka derdhë në zemrën t'eme. Oh sikur t'ishte e mundun me e zveshë fatin nga pushteti dhe nga fuqia shfaruese. Sikur t'ish e mundun me u porositë jeta në nji fabrikë që të gatohesh simbas dëshirit t'onë. Në nji rasë të tillë un do t'isha
bashkue me Shpendin dhe ky tregtari do t'a kishte gjetë shoqen e vet të përshtatëshme.
Përse nuk u lumnova e nuk e shijova edhe un jetën? Ç'faj i bana njerëzis ase Perëndis që më ndeshkuen me mjerim? A nuk asht mëkat që un, në moshën ma të bukur të jetës s'eme, të vdes pa u kënaqë me dhantit e natyrës? Edhe un të kisha ngrehë nji fole lumnije, ku të jetojsha, sadopak, me Shpendin t'em dhe mandej le të vdissha. Po, le të vdissha, por mbasi t'a kisha shijue jetën ndopak dhe... tue lanë dishka mbrapa. Ah po. Sikur të kisha pasë fat me lanë mbas vetëhes nji krijesë që që t'ishte pema e dashunis s'eme dhe e Shpendit. Sa me kujdes do t'a kisha rritë, sa mirë do t'a kisha edukue, sa shumë do t'a kisha mësue dhe sa fort do t'a kisha argëtue. Edhe ai, padyshim, do të më donte fort dhe mbas vdekjes s'eme, sigurisht, do të vinte me qamë mbi vorrin t'em me syt e babës e me zemrën e nanës. Ndoshta ai, i frymëzuem dhe i injeksionuem prej meje, do të bahesh dalëzotsi i të drejtave të femnës Shqiptare. Por ah! Sa e mjerë dhe sa e shkretë jam!
U tërhoqa nga dritarja me lot ndër sy e me helm në zemër.
2 Prill
Oh sa më ka marrë malli për Shpendin. Oh sikur të mundesha me e pamë edhe nji herë përpara se të vdes. Fotografis së tij i asht shdukë shkëlqimi, pse un e kam squllosë me lotët që kam derdhë mbi te herë mbas here. Prandaj nuk m'a ngop mirë syn e zemrës së mallueme.
Dashunia, ndoshta, nuk ka fuqi me e këmbye helmin e vdekjes në nektar, por sigurisht e pakson fuqin dërmuese t'atij farmaku tue e ulë gradën e hidhësinës. Un besoj se po t'a shifsha edhe nji herë Shpendin t'em, pa u drashtë dhe me krahë hapët, do t'a pritsha mordjen. Por ku asht se?!... Ah un e shkreta! Sot në mëngjes i dërgova nji letër. Me sa më qe e mundun e pershkrova gjendjen e zemrës s'eme të mbushun me plot zjarm mallëngjimi e dashunije për te, por pena e shkretë, në rasa të tilla, asht e pafuqishme dhe e vorfën. Nuk mundet me i interpretue ndiesit e zemrës së shitueme për vdekje. I u luta që të më dërgojë edhe nji fotografi tjetër.
4 Prill
Ditën e parë të këtij mueji u vu në zbatim kodi civil i ri. U vu në zbatim, por shum vonë për mue. Femna Shqiptare, simbas këtij kodi, fiton mjaft të drejta. Por, po të merret para sysh mendësia e ndryshkun e njerësve që janë futë në kthetrat e zakonit primitif dhe po të gjykohet se zbatuesit e kësajë ligje do të jenë vetë meshkujt, kuptohet fare lehtë se sa i vështirë ka me qenë zbatimi i tij plotsisht e pikë për pikë. Pa-u bamë fli edhe shumë femna dhe pa u kalbë nën tokën e zezë edhe shumë të reja, nuk kujtoj se do të arrihet me u zbatue pikërisht kjo ligjë. Me fjalë të tjera un kujtoj se duhet të kalojë edhe mjaft kohë që të lejë Dielli i lumnis për femnën Shqiptare, sidomos Muslimane, pse lypset edukue populli simbas shpirtit të kësajë ligje dhe të stërvitet me e respektue si ligjën fetare.
Për ndryshe ndryshimi i gjendjes së femnës Shqiptare do të jetë i bamë vetëm mbi kartë. Bashkë me kodin civil asht vu në zbatim edhe ligja mbi mënyrën e aplikimit të tij. Me qenë se kjo ligjë asht shumë e butë dhe në pjesën ndeshkimore para shikon disa dënime të lehta për kundravajtësit, s'kujtoj se do të mundet me i disiplinue ase edukue shtetasit, nuk besoj se do mundet me i shtrëngue që të veprojnë në përshtatje me dispozitat e kodit civil. Shpirti i kësajë ligje lypsej t'ishte aq i egër sa t'arrinte në barbarizmë. Po, se vetëm atëhere do të sigurohesh mirëzbatimi i kodit civil e jo sot që janë parashikue disa ndeshkime të lehta për fajtorët e këtij lloji. Kodi civil që u vu në zbatim, në mes të tjerave, ka edhe nji pikë me randësi kryesore për femnën: Nuk lejon martesë pa u marrë hiri e pëlqimi i të dy palëve. Bukuri, por deri ku do të jetë e mundun me u zbatue kjo pikë asbt e dyshirntë, pse - si thashë edhe me naltë - nuk ka ndrrue mendësia, pse ligja nuk ka fuqin magjike apo mystike që të bajë vetë nji ndryshim të njiherëshëm e të mbrekullueshëm në shpirtin e popullit.
E martesa që bahet sy mbyllazi asht e errët dhe n'errësin, pa dyshim, kalon jeta e bashkëshortëve: Po të më pyesin, mbassi të vdes, se a dishëroj të ringjallem ndoshta do të them po, por me kusht që të jem e lirë me e zgjedhë vetë bashkëshortin. Për ndryshe nuk do të bindem dhe do të kërkoj me u rrasë edhe ma thellë në gjinin e tokës. Gjysmën e popullit Shqiptar, natyrisht, e përban femna, por ajo nuk gëzon asnji të drejtë. Të gjitha të drejtat i ka mashkulli, ai që në çdo kohë e në çdo vend ka pasë - ka edhe sot - privilegjin me e shtypë
femnën. Por që të sigurohet lumnia e nji kombi lypset të pajoset femna me kulturë, duhët hjekë dorë nga
mendësia e skllavënimit të saj dhe asht nevoja të shkundet pluhni i asajë së shkuemeje plot përbuzje e mjerime
për na të gjorat. Ma sa mundet të bahet e mirë dhe e fortë nji godinë që ndërtohet me landë të kalbët, aq mund të bahet e lumtun nji shoqni që përbahet prej të mjerësh. Na sot jemi plotsisht si kafshët sbtëpijake që vlejnë vetëm për shërbime e nevoja shtëpije, jemi robnesha pa të drejtë mendimi e lirije, jemi kufoma të vdekunash që lëvizin simbas shtytjes së meshkujve. Por duhet mbajtë para sysh se prej këtij farë poshtnimi damtohet krejt shoqnia Shqiptare dhe se ajo asht si nji plagë e rrezikshme në shtatin e shëndoshë të shoqnis së qytetnueme.
Prandaj lypset të veprohet me shpirtin e nji heroit që të shpëtohet ky popull nga kobi që i kërcnohet, duhet të duket dora që t'i ndrydhi duert e murtajës së padukëshme që i kanoset ekzistencës s'onë. Lypset forca e nji mbinjeriu që të ketë nji vullnet të papërkulshëm dhe të jetë i frymëzuem idealisht e fanatikisht nga ndiesia e misionit që do të marri për sipër. Në mos u baftë kjo mbrekulli, jemi të dënuem të vdesim e të shuhemi dalë-nga-dalë si ata që mbarojnë prej vemzës.