17 Tetuer
Dita e sotshme që ma e gjatë se çdo tjetër dhe muzgu i mbramjes dukej sikur nuk donte me plakosë mbi këtë anë të Dheut. Darka u hangër midis gazit që shpërthente shpesh ndër ato që kanë ardhë ke ne qysh prej kohesh me më nusënue e me më çue ke ai tregtari. Un, me gjith që përpiqesha me e mshefë shqetsimin e mbrendshëm, herë herë turbullohesha dhe humbsha ndër vegime tue e soditë aratisjen dhe jetën e ardhëshme. Natyrisht edhe buka nuk më shkonte. Kafshatat më ngecshin në fyt dhe nuk kapërdiheshin.
Ishte darka e fundme që po hajsha në shtëpin t'eme. Ky mendim i hidhët m'a përvëlonte trunin dhe s'më linte me hangër. Mosngranja e eme atyne nuk u a tërhiqte vërejtjen, sepse prej kaq kohesh janë mësue të më shofin të sëmunë. Mbas darke u tërhoqa në kthinën t'eme kinse për t'u prehë dhe qetësue. E mbylla derën dhe nisa meshkrue në librin e jetës s'eme. Këtë libër do t'a marr me vetëhe, pse asht shok i tinëzive, i ndiesive dhe i
shfryemjeve të mija. Po, do t'a marr me vetëhe për t'i vazhdue shënimet, të cilat mbas sodi, pa dyshim, kanë me qenë të kënaqshme.
Deri m'ora nandë, kohë e caktueme prej Shpendit për t'u ndeshë me të në skaj të rrugës, duhet me pritë edhe nji orë e disa minuta. Em atë, njerka, fëmijt, emtet, kushrinat dhe mbesat janë mbledhë në kthinën e bukës poshtë dhe po qeshin e prrallen, të shkujdesun nga çdo e papritme. Tingujt e qeshjeve të tyne arrijnë deri këtu dhe, me forcën ngacmuese, rrasen në zemrën t'eme për t'a çue peshë, në tallaze ndiesish. Qeh më duket sikur i shof të gjithë tufe kuvendue amblas: Em atë thith duhan pa rreshtun dhe herë-herë i aprovon, me nji fjalë të vetme e me nji nënqeshje, mendimet e shfaquna prej Hallë Hatixhes, prej njerkës ase prej Mamë Sybes. Grat flasin pa u lodhë dhe me aq shpejti, sa ndigjuesit shqyrtues do t'i dukesh se ato nxitohen me u shprehë sa ma parë për të nisë mandej nji punë me randësi të madhe! Të rejat, çupat, rrijnë me nji anë kokë-më-kokë dhe bisedojnë me njena tjetrën me za t'ulët e krejt buzëqeshje. Vetëm kur këputet fjala, e ngrejnë kryet me shique
kah të tjerët dhe u venë veshin f jalëve të tyne. Shkurt n'atë kthinë përdheske fryn nji erë kënaqësije dhe zotnon gazi e hareja. Oh sa dëshirojsha që edhe un t'isha aty në mes të tyne me zemër të kënaqun dhe të gëzueme. Oh sa e lumtun do t'isha sikur t'isha fejue me Shpendin e jo me at tregtarin dhe tash, në netët e
përgatitjes së dasmës, t'a ndigjosha zanin kumbues e të kjartë t'urimeve që do të më bajshin ato për nji fatbardhësi të paperëndueshme. Në mes të gjithë atyne njerësve që janë grumbullue në kthinën e bukës ndodhet nji njeri që un kam lidhje të ngushta me të dhe m'asht ma i afër se tjerët. Ky asht im atë. Po, em atë, në mes të gjithë atyne, fizikisht asht ma i afërt ke un, por shpirtnisht asht tepër larg, pse ai m'a dënoi me vdekje zemrën dhe tash po më dëbon edhe nga shtëpia.
Eh fat' i zi! Zemra m'asht çue peshë dhe don të shfrejë tue qamë, pse ajo s'don me u largue nga shtëpia, ku leu, ku u mojt, ku u rrit dhe ku ndiu. Të pakën ky largim duhej bamë edhe me hirin e t'im et dhe t'isha përcjellun prej urimeve e bekimeve të tij. Por mjerisht po ngjan e kundërta. Do të përcillem e do të përmendem me namë e me mallkime, me fyemje e poshtnime. Ç'të baj? Kështu qenka thanë ase kështu u desht bamë.
Grepi i orës, dalë-nga dale, po avitet kah nanda. Tiktaket e zemres s'eme po bahen ma të fortë e ma të shpejtë se ata t'orës. Jam e trazueme dhe e turbullueme fort. Valë mallëngjimi e pezmatimi, të bashkueme,
msyejnë nga megjet e zemrës së gandueme për t'u furrë e për t'u shprazë nga syt. I kafshoj buzët që t'a mbaj furrin e këtyne tallazeve që duen me shpërthye nga mbrenda jashtë. Ligshtohem tue i kujtue, me nji farë mallengjimi të paspjegueshëm, vjetët e jetës s'em të kalueme në këtë kthinë e në këtë shtëpi, në këtë qytet e në Shqipni. Fëtyra të ndryshme njerzish t'afërm e të dashun, sqena të ndryshme ngjarjesh e ndodhimesh dhe pamje të ndryshme banesash e vendesh po më sinematizohen para syvet të mendjes, me bukurit ase shëmtueshëmënit e tyne të veçanta, tue lanë vragë dhe tue më hapë plagë në zemër. Oh sa ngushtë qenka i lidhun njeriu me njerzit e me sendet që e rrethojnë dhe me viset ku ka jetue. Nji dashuni e paçansueshme, e ruejtun në thellësit e zemrës për të gjitha këto krijesa hyjnore e njerzore, tash vjen të zgjohet nga djepi i ndiesive e të ngrejë krye për të dalë jashtë që t'i kundërshtojë të gjitha ato forca që duen me e largue së këndejmi. Kjo dashuni e fortë, e trajtueme dhe e rritun bashkë me mue, nashti po i përshkon megjet e zemrës s'eme si nji stuhi rrenuese dhe si nji stuhi shkallmuese për të më bindë që të mos largohem prej këndej. Shkurt po më shungullon zemra nga nji kryengritje e fortë ndiesish që po përleshen me njena tjetrën.
Dashunia e Shpendit mbi të gjitha, thirra ma në fund dhe i frenova të gjitha tjerat që më sulmojshin. Po, dashunia e Shpendit mbi të gjitha se im atë, për fat të keq, vetë e shkuli nga zemra e eme atë lule dashunije
që kishte mbjellë dorë hyjnore. Tash nga ajo lule e bukur dhe aromatike pak degë dhe disa gjethe kanë ngelë; bërbuqet e saja kanë nisë me u vyshkë përpara se të çelin, pse nuk janë ujitë, nuk janë diellue dhe i ka brejtë krymbi. E tue u këputë me t'em atë verigat e dashunis, vetvetiut, u shkëputën edhe me tjerët. Me gjith këtë dëshirojsha që t'a rrok nji herë për qafe t'em atë dhe t'a shtrëngojsha me të gjitha fuqit e mija, se vetëm atëherë do të ngopesh e do të kënaqesh kjo zemër e plasun. Por mjerisht kjo asht nji lakmi e parealizueshme. Po. Dëshirojsha të ndahem nga kjo shtëpi mbassi t'a përqafojsha t'em atë, mbassi t'i puthsha vëllaznit e motrat, mbassi t'i përshëndetsha hallat e tezet, mbassi t'u shtrëngojsha dorën mbesave e kushrinave dhe mbassi të shmallesha me të gjithë gjindet e shtëpis së Xha Simonit e me Hamitin e dajallarët. Por, për fat të keq t'emin, po largohem si nji kusare, si nji e dëbueme, si nji e neveritun, pa e kënaqë zemrën n'asndonji mënyrë, pa marrë me vetëhe as edhe zemra dashamirësh as edhe tesha e sende që të m'a mbajnë gjallë dashunin dhe kujtimin e këtij vendi nëpër, shtigjet e skutat e mërgimit.
Ora po avitet. Duhet t'iki ma e t'i them lamtumirë kësaj jete për të nisë nji tjetër në dhë të huej. Lamtumirë, pra ti moj kthina e eme që gjatë 17-18 vjetve të vajzënis më përkëdhele; lamtumirë ti moj shtëpia e nanës s'eme zemër plasun e jetë shkurtun; lamtumirë o ju tesha e orendi që xnë keni shërbye gjatë jetës s'eme; lamtumirë o ju lulet e vyshkuna të kopshtit t'em të dashun që ju shërbeva me kujdesin e nanës për fëmin e vet; lamtumirë o ju dritare, mure, pullaze, hatlla, trenë, tjeglla e gurë të kësaj banese që kujtimin e sajë të dashun kurrgja dhe as furia e fateve ma të liga nuk do të mundet me e shly nga mendja e nga zemra e eme. Po falem para teje o tempull i jetës s'eme; po gjunjëzoj para teje o altar i ndiesive të zemrës s'eme dhe, në shenjë miradije e nderimi, po të truej disa pika lot të përcjellun me hofkëllime të thekshme.
Lamtumirë
19 Tetuer
Pardje mbrama m'ora nandë pa disa minuta, kur të gjithë robt e shtëpis e mikneshat po bisedojshin në kthinën e bukës, zbrita poshtë dhe, pa bamë as ma të voglën zhurmë, dola jashtë me shpirtin pezull nga friga se mos diktohem. Në rrugë, mbassi bana disa hapa përpara, hasa në Shpendin q'ishte strukë rranzë murit dhe po përgjonte nën hijen e strehëve të nji shtëpis përdheske. Menjiherë u avit. Më kapi për dore dhe, tue më dhanë zemër me fjalë enkurajuese, më tërhoq deri ke kandi i rrugës, ku pritte nji veturë. Mbassi u futën mbrenda, i thirri shoferit:
- Marsh për Durrës!
Gjatë udhëtimit disa herë u trondita dhe u tremba nga droja se mos na ndiqte kush. Shpendi m'argëtonte dhe përpiqesh të më trimnojë. Kur sosëm në Durrës u futëm në hotel Liria për të pushuem, sepse barka do të nisesh në mesnatë kontrabandisht dhe kështu donte me mos ramë në sy të rojeve kufizore. Koha deri në mesnatë kaloi shqetsuese nga pasiguria që ndijsha. Shpesh herë i u desht Shpendit me dalë jashtë, në koridor, që të më siguronte se nuk ishim të diktuem e të përgjuem prej kuj. Çuditem se pse trembesha aq f ort kurse isha bashKë me Shpendin dhe për të isha gati t'a baj fli edhe jetën. Aty kah mesnata e lamë hotelin dhe u drejtuem kah buza e detit tue kalue përmes do rrugëve të ngushta e të pandriçueme mirë. Nji copë herë ecëm në jugë të molos për t'arrimë kundrejt barkës që dukej si nji laraskë atje poshtë. Kur sosëm në vendin e caktuem f ërshëllini Shpendi tri herë rresht dhe nga barka muer përgjigje po n'atë mënyrë. Mbas pak u duk të
rrëshasi mbi det nji lundër, e cila po vinte drejt nesh. Diku u ndalue lundra. Njeni nga lundërtarët u hudh në det dhe po vinte kah ne.
- Hajde - tha Shpendi - më hyp në qafë.
- Përse?
- Sepse deri ke lundra lypset me shkue në kambë, mbassi ajo nuk mund t'avitet me që s'ka mjaft ujë ma këndej.
- Mirë, por ti do të lagesh.
- Ani, se terrem në barkë - gjegji dhe u krrus.
Ndërkohe nji i za i egër dhe i fortë arrini ke veshët t'onë:
- Ndal!
- Ç'asht? Kush thrret? - pyeta e trembun.
- S'ka njeri, jo por ngjitu në qafë t'eme – bani Shpendi tue qëndrue i krrusun që t'i hypsha në qafë.
Lundërtari që po vinte drejt nesh, menjëherë, u kthye prap. U rras në lundër dhe u zhduk. Zani urdhënues
e kërcnues që na vinte nga mbrapa u përsërit. E ktheva kryet dhe pashë. Në gjysmë errësinën e natës dallova disa hije që lëvizshin atje tej, në bregun e detit.
- Shpend na diktuen dhe po na ndjekin - i thashë.
- Na trathtoi dikush, por ti mos u tremb se do t'a kapërcejmë rrezikun. Ngjitu shpejt - m'a bani.
U krrusa dhe e rroka për qafe.
Kraf! kraf! Dy krisma pushkësh që u zbrazën mbi në. Plumbat e çanë ajrin mbi kokat t'ona me nji fërshëllimë
të thatë.
- Na vranë Shpend! - brita e tmerueme.
- Mos u frikso! - përgjigji dhe u ul pak që të mos më kapshin plumbat. Mbasandaj u ngrit, me mue në shpinë, dhe u fut nd'ujë.
- Ndal! Ndal! Prap! Kthehuni! - na bërtitshin mbas shpine.
E ktheva kryet mbrapa. Ç'të shof? Nji numër njerzish po vrapojshin drejtë nesh.
- E zeza! Na kapën! - klitha.
U ndalue Shpendi dhe shiqoi mbrapa.
- Oh po afrohen. Na zunë - i a bani e gjëmoi.
- Ndaloni! Ktheni prap! - na thirrën disa.
Disa vetë u futën në det. Na rrethuen dhe qarku i rrethimit gjithnji ngushtohesh. Na qëndruem në vend.
- Cilët jeni ju? - pyeti Shpendi me za të plasun.
- Jemi rojtarë kufizorë. Jemi gjindarmë – që pergjigja.
- Oh un korba! - thirra me dëshpërim.
- Kthehuni! - urdhënoi njeni ndër ta.
U kthyem. Na futën në mes dhe na çuen në qark komandë të qytetit. Prej andej na nisën për Tiranë. Na futën në nji veturë dhe na përcollën me nji kapter e dy gjindarmë. Shpendit i a lidhën duert me kllapa hekuri dhe gjindarmët kurrë nuk i a shqitshin syt. Çdo lëvizje e tij ishte e ndjekun prej tyne me sy shqyrtyes. Un isha tmerue fare dhe po dridhesha. Lotët më shkojshin si gjerbat e strehëve. Shpendi i ngratë përpiqesh me më qetsue tue më shartue guxim. Kur mbrrimë në Tiranë u ndaluem para Qark Komandës. Na zbritën dhe na futën në nji zyrë. Mbas pak u duk komandanti i rojes. Kompozoi nji proces-verbal dhe, mbassi na e këndoi, na shtyni me e nënshkrue. Mbasandaj i dha urdhën nji tetarit që të më çonte në shtëpi. Shtanga.
- Un nuk due me shkue në shtëpi t'eme – thashë me za të dridhun.
- Do të shkoj me Shpendin në shtëpi të tij.
- Ai sonte do të mbetet këtu dhe nesër do të çohet në burg - gjegji komandanti zymtas.
- Si? Në burg thë? - brita.
- Natyrisht në burg Zojushë - tha ai pa u matë fare.
- Oh kob! Ç'faj bani ai që t'a futni në burg? - thirra.
- Shko ti, Dije, në shtëpi - më tha Shpendi tue u kthye kah un.
- Pa ty me shkue! Kurrë! - i u bana.
- Shko, Dije, shko! Vetëm mbaje besën që më ke dhanë, se për ndryshe do të m'a mjerojsh t'eme amë - tha me nji za të mbytun.
- Oh jo. Do të rrij me ty - përgjigja dhe e rroka për qafe. Lotët e mij u përzien me ata të Shpendit. Komandanti
e përsëriti urdhënin për me shkue në shtpi. Nji tetar u avit dhe më urdhënoi të ngrihem. Un e shtrëngova
Shpendin për qafe me të tanë fuqin t'eme dhe thirra:
- Jo. Nuk shkoj. Do të rrij me Shpendin t'em.
Më kapën dhe më shqitën me pahir. E humba fuqin e qëndresës e të mendjes. U ligshtova dhe u vilanosa.
Kur rashë për mendsh e pashë vetëhen në shtëpi t'eme, të rrethueme prej të gjithë atyne që pata lanë aty disa orë ma parë.
- Ç'bane moj qyqare? Na e nxine fëtyrën moj të shpërlaftë mordja! - më tha njerka kur pa se u përmenda.
- Shporru mori shtrigë! - bërtita dhe dojsha të çohem e t'a rrok flokësh atë bishë, por s'kisha fuqi.
- Rri, moj bijë, rri! - m'a bani Hallë Hatixheja me nji za qetsues dhe e largoi njerkën.
Disa pika lot shpërthyen nga syt e mij dhe u rrokullisën nëpër mollzat e faqeve. Disa hofkëllima, mandej, u shkëputën nga thellësit e zemrës së helmueme dhe u zhgreha mirë në vaj. E ktheva kryet kah muri dhe qava nji copë herë qetë e qetë. Kisha të drejtë të qaj, se jo vetëm që dështoi plani i lumtënimit t'onë, por edhe Shpendi u rras në burg.
Kësisoj na mbuloi e zeza, na kapërtheu mjerimi dhe u ba kijameti. Mu n'at ças që do të shkelshim në pragun e anis shpëtimtare për të shkue në Parrizin e lumnis s'onë, na sulmoi fatkeqsia tue na gjuejtë mizorisht. Tash të gjitha shpresat u shdukën, të tana andorrat u kotsuen.
Si isha diktue dhe si kishte rrjedhë puna?
Qeh se si: Natën e aratisjes, kur të gjithë kishin shkue me flejtë, Hallë Hatixheja kishte trokitë në derë të kthinës se'eme që të m'epte nji bar për me pimë. Kur nuk mer përgjigje largohet tue kujtue se më ka marrë gjumi. Mbas saj vjen njerka dhe trokullin ma me forcë. Kjo paska lanë aty disa ndrresa të fëmijve dhe dashka me i marrë për me u a mveshë. Fati i em ilig e kishte shty shtrigën që të linte në kthinë t'eme ndrresat e fëmijve, se ajo kurrë nuk shkilte mbrenda. Edhe kjo prapset, por mbassi trokit shumë herë dhe me aq forcë sa zgjon nji farë interesimi ndër tjerët. Fillojnë pyetjet. Hallë Hatixheja bahet merak, pse e dinte se un bijsha fare vonë dhe se gjumin e kam të lehtë. Nga droja se mos jam sëmue randë, se mos jam vilanisë, se mos kam pësue ndonji të ligë, kthehet dhe trokit rishtazi. Zhurma e përsëritun e tërhek verejtjen e të gjithëve. Të gjithë ngrihen dhe grumbullohen para kthinës s'eme. Njerka shkon dhe e ngren t'em atë nga shtrati tue e theksue Tandësin e punës, kinse me dhimbje. Shqetsimi e dyshimi zotnon. Em atë m'a thërret emnin disa herë. Ma në fund u soset durimi dhe thejnë derën.
Hutohen e pikëllohen kur shofin se nuk ish'a mbrenda. Menjiherë vihen me i kërkue të gjitha kthinat e skutat e shtëpis tue kujtue se mos isha vilanisë ndokundi. Kur nuk më gjejnë nisin me u shfaqë mendime e dyshime. Eme njerkë, ma në fund, e ban zbulimin dhe propozon të më kërkojnë ke Shpendi. Shkon im atë në polici dhe lajmon. Më kërkojnë në shtëpi të Shpendit. Me qen se nuk më gjejnë as mue as Shpendin, dyshimet nisin me u trupëzue dhe besohet se jemi aratisë. Menjiherë dhe telegrafisht urdhënohen qarqet për me na ndjekë. Dhe me të vërtetë na ndoqën dhe na zunë, por ata që e kryen detyrën nuk e dijnë se sa mëkat të madh i kanë ngarkue vetëhes në këtë rasë. S'e dijnë ata se kanë mjerue dy vetë dhe kanë mbytë dy zemra. Por edhe sikur t'a dijshin se veprimi i tyne do t'ishte kobar për dy vetë, do t'i shkambëzojshin zemrat që të mos i ndigjojshin thirrjet e ndërgjegjës, pse detyra, eprori dhe ligja urdhënojshin ndryshe. Shpesh qëllon që ligja të jetë në kundërshtim me ndërgjegjen.
Kur më kishin sjellë në shtëpi, im atë kishte dashtë me më vramë, por e kishte pengue Hallë Hatixheja bashkë me grat tjera. Për pak gja kishte qenë tue marrë zjarr koburja. Me të vështirë kishin mundë me i a ndalë furin e zemërimit dhe me e largue prej kthinës s'eme. Oh ma mirë të më kishte vramë, se sa më la gjallë e në këtë gjendje të mjerueshme. Po të më kish shpëtue nga vuejtjet shpirtnore e trupore. Tash të gjithë më shofin me bisht të synit dhe pëshpërisin vesh në vesh. Nuk më ha malli të kuptoj se ç'flasin. E dij se ato më përbuzin si fajtore. Ani; s'kanë faj, pse at shpirt u kanë shartue edukatorët e tyre për t'i mbajtë gjithmonë të robnueme.
Shpendi, sigurisht, tash do të jetë në burg. Edhe un jam mbyllë në kthinë e nuk dal jashtë. Tue e mendue
gjendjen e pikëllueme e të vajtueshme të Shpendit, më vjen të plas prej të keqit, por qeh se nuk plaska njeriu!... Ma mirë të kisha plasë, se sa arrina me e shijue hidhësinën e këtij kobi. Oh sa mirë do të bahesh sikur të më vritte im atë. Porosia që më bani Shpendi, pak para se të ndaheshim, që t'a mbaj besën për me mos e vramë vetëhen, më tingëllon në vesh dhe më ban t'i bindem fatit t'em të lig, se për ndryshe Vdekja do t'ishte kapak florini për mue. Po i bindem fatit dhe nuk po e vras vetëhen për t'a çue në vend besën që i kam dhanë Shpendit, por ç't'i baj kësajë jete që më asht bamë kaq e randë, kaq e padurueshme dhe mërzitëse? Ah Shpend! Me t'em atë ende nuk jam pamë. Duket se më ka marrë mëni aq fort, sa s'don me m'i pamë as syt.
Mjeruesi i em njikohesisht asht edhe gjykatësi em. E ka në dorë të më gjykojë si fajtore ase jo.