7 Shtatuer
Gjumi m'asht prishë. Gati gjith natën rrij me sy hapët. Edhe shija e bukës m'asht prishë dhe gjellët më duken të zbarta. Sot pata ethe dhe volla pak gjak. Kanë nisë me m'u qarkue syt prej nji rrethit të zi dhe fëtyra m'asht
zbemë. Prandaj i thashë t'im ët që të më sillte nji mjek për me më vizitue, por ai bani sikur nuk më digjoi.
10 Shtatuer
U martue Irena. Sot erdh Zefi vetë, bashkë me krushqit, dhe e muer. E çuen Irenën në shtëpin e atij qe dashunon. Un nuk e pashë. Kërkova të shkoj me e takue dhe me e përshëndetë për herën e fundme, pse atë e due si nji motër.
Dalë-nga-dale po këputen vargjet e lidhjes që kam me Shpendin. Mbas sodi nuk ka kush t'interesohet për
me na mbajtë në marrëdhanëje me njeni tjetrin. Tash e ndi vetëhen, me të vërtetë, të shkretë, si nji bonjake
të mjerë që nuk i qesh njeri. Oh fat'i zi.
14 Shtatuer
Tash nuk druej se më hidhnohet baba po të shkoj në shtëpi të Hamitit, mbassi ata janë paqtue. Prandaj, sa herë që të due, mund të shkoj pa u drashtë. Sot shkova kinse për të bamë nji vizitë, me gjith që vojta për t'u pamë me Hamitin, me shpresë së mos m'epte ndonji lajm të mirë mbi fatin t'onë. Mamë Sybja, e ama e Hamitit, ashtu edhe gocat e djelmt më pritën me gëzim. Fëmijt e vegjël të Hamitit, si përherë, më duen fort. S'dij se pse simpatizohem kaq shum prej të vegjëlve. Mamë Sybja u çudit e u pezmatue kur më pa te dobsueme dhe të zbeme në fëtyrë. Nuk u mbajt pa me më pyetë se pse isha ligështue. Hamiti s'ishte aty dhe, me gjith që prita shum, nuk erdh. U ktheva në shtëpi e dërmueme moralisht.
16 Shtatuer
U shemb e u gremis pallati i lumnis s'eme që kisha ndertue në zemër me duert e Shpendit. Tash u shdukën të gjitha shpresat dhe u përmbysën të gjithë kështjejt e andrrave t'ona. Andrrat e lumnis, si të ishin re të lehta, u avulluen dhe u zhdavaritën prej nji murranit të egër. Po, të gjitha mbaruen, vdiqën. Po. Sot më vloi em atë me nji farë Qazim Krandja, tregtar në shkallë të parë. Im atë kishte shkue sot në zyrën e Sheriatit dhe, si përfaqsuesi i em fuqiplotë, kishte dhanë pëlqimin për kunorëzimin t'em me at farë tregtari. Dhe kadiu, pa pamë nevojë që të më pyeste mue se a e pëlqej kët kunorëzim, i ban formalitetet tue e bekue bashkimin t'onë.
Hallë Hatixheja dhe disa plaka tjera të fisit kishin ardhë ke na sot qysh në mëngjes heret. Mue nuk më thanë gja. Edhe mue, natyrisht, s'më shkoj mendja kund. Kur u kthye em atë në shtëpi, aty pak para mesdite, i duelën para plakat dhe e përgëzuen. Fëtyrat e tyne të qeshuna dhe përhirimet e urimet që i bajshin t'im et tue i thanë „ndjefsh edhe në tjerët", më futën në dyshim, por nuk mund të pyetsha. Prandaj u tërhoqa me nji anë dhe nuk bëzana. Mbas pak plakat, bashkë me Hallë Hatixhen, erdhën pranë meje dhe, mbassi më përqafuen, m'uruen dashuni e lumni me burrin, të cilin nisën me m'a lavdërue tue thanë se asht tregtar i madh, shum i pasun, i rodit të mirë dhe nji varg të gjatë....
Un, në fillim, shtanga dhe u mpina fare. E humba fuqin e gjykimit dhe nuk qeshë e zoja me e çmue shkallën e fatkeqësis që më kishte kapërthye. Syt m'u turbulluen dhe m'u mveshën prej nji rës së zezë. Plakat I shifsha të zhytuna në nji dendësi tymi, si t'ishin sokullue prej turma mjegullash ase si t'ishin sorra të strukuna pranë meje. Tamthat më rrifshin me forcë dhe veshët më gugullojshin. E vuna dorën mbi zemër për me e ndalue hovin e rrafjeve të forta e të paregullta. Nji copë herë mbeta e hutueme dhe e harlisun. Mbasandaj shpërtheva në vaj dhe qava me të madhe tue bërtitë se nuk e dojsha at njeri për burrë. Mbas asajë shtërgate lotsh e britmash u plandosa në nji kand si gjysmë e vdekun. Vajin t'em ato e kujtuen të natyrshëm dhe si të gjithë atyne që qajnë në rasa të tilla nga njomësia e ndiesive e nga foshnjëria e gjykimit, por jo si shenjë hidhnimi e dëshpërimi. Sa për gjysmë zalisjen që pata besuen se ajo m'u shkaktue nga dobsia e shëndetit që u trondit nga k y . . . gëzim
i papritun, me gjith që un protestojsha kundër asajë padrejtësije që m'ishte bamun. Edhe tash që po i shkruej këta rreshta jam tue derdhë lot. Syt e mij më duket se mbas sodit nuk do të shterrin ma veçse kur të mbyllen për t'u hapë në jetën tjetër. Em atë duket i kënaqun që arrini me e fejue të bijën. Për at, natyrisht, nuk ka randësi as edhe vlerë zemra. Ai i fut asajë nji thikë dhe s'e çan kryet fare. Zemra, simbas mendjes së tij, pa dyshim asht si nji lodër fëmijsh që mund të përdoret për çdo loje simbas dëshirit të zotnuesit dhe dashunia nji kanisqë që mund të përftohet ase mund të fitohet lehtazi. Për të ka randësi personi i dhandrit si tregtar ase si arkëtar i nji shume të hollash. Vlera morale mandej, në syt e tij, ka tjetër dukje, tjetër trajtë dhe tjetër ngjyrë.
Nji i pasun, simbas tij, asht i ndershëm, i mendshëm, i dashun, i pëlqyeshëm dhe i nderueshëm. Sa për dashunin që asht themeli i lumnis, ai s'don me dijtë gja dhe nuk e ven at ujë në zjarm.
Prindë, si em atë, ka shumë Shqipnia. Këta njerës, me mendësin e tyne prapanike, vetë e ndjellin rrezikun
dhe mjerimin e fëmijve të vet. Këta janë skllavët e primitivitetit e të zakoneve t'egra që janë në kundërshtim
të rreptë me konditat e me rrymën përparuese të kohës së sotshme. Këta kanë qëndrue në vend dhe as që duen me shkue përpara për t'i pamë ndryshimet që impozon shekulli i sotshëm. Me fjalë të tjera këta i përkasin shekullit të kaluem dhe nuk mund të pajtohen me frymën e re të kohes s'onë plot hafsh gjallnije. Em atë e dha pëlqimin që të martohem me at njeriun e panjoftun prej meje dhe kadiu e bekoi n'emën të Sheriatit. Këtë poshtërsi shembëllore e bani baba kundër fëmis së vet dhe kadiu e aprovoi n'emën t'asajë ligje hyjnore që quhet Muslimanizmë. Me këtë mënyrë kadiu veproi kundër dispozitave të Sherijatit dhe e njollosi fën që përfaqëson, pse ajo, sikundër thotë Dajë Haxhiu, nuk lejon martesë pa u marrë, tri herë me radhë, hiri i të dy palëve që do të kunorëzohen. Me gjith këtë ky turp u krye dhe im atë asht i kënaqun për fitimin që pat. Por ai nuk mendon se e ka vramë të bijën me dorë të vet dhe se e ka futë në vorr për së gjalli. Ai nuk e gjykon se përfundimi i këtij mashtrimi apo i kësaj trathtije ka me qenë i kobshëm për të bijën dhe nuk i shkon ndërmend se dikur do të pendohet plotsisht për këtë padrejtsi që i bani pjellës së vet. Dikur dhe ndoshta shum shpejt ka për t'a kuptue gabimin. Atëhere do t'i bijë kokës me grushta, por kot se do të jetë shum vonë. Atij nuk i a merr mendja se nji copë femën, si un, mund të ketë guximin me e rrokë për qafe ma lehtas vdekjen shtrigë se sa at burrë që i nepet përdhunisht si shok jete. Do të vijë dita e kësajë prove të hidhët dhe ai ka për të pamë se
si mbaron dashunia e asajë fatzeze që shtrëngohet t'a ndrydhi zemrën për hur të t'atit.
Na, femnat Shqiptare, jemi krijesa të vorfëna që tue këngëtue, si të trenueme, shkojmë symbyllazi drejt
greminës, drejt vorrit që na përgatisin tjerët dhe na shtyjnë me u përplas mbrenda. Po. Na duhet të jemi të qeshuna e gastore për t'i kënaqë kapricjet e burrave, lypset të jemi pa zemër e pa shpirt për t'i ngopë dëshirat e atyne që na kanë monopolizue. Por edhe në paçim zemër e shpirt, këta lypset të funksionojnë simbas andjes s'atyne që na kanë robnue e jo për ata që na mund të dashunojmë. Oh fatkeqsi. Sa e sa breza femnash, që erdhën para nesh, u banë viktimet e këtij zakoni t'egër dhe flija e asajë mendësije që kish për të vetmin qellim të kënaqi kapriejet e nji turme injorante, sunduese mbi fatin dhe jetën e atyne femnave të mjera. Kurrkush, deri më sot, s'pat guximin me marrë për sipër nji përgjegjësi për me i operue e shërue plagët e kësaj shoqnije që
lëngon prej shekujsh. Toka e jonë, për fat të keq nuk polli nji gjeni që t'u epte hof gjallnije turmave të mbetuna nën thundrën e zakoneve primitive për t'u hudhun tej me forcë; që t'i udhëhiqte për t'u vërvitë jasht kaosit t'errët të fanatizmës; që t'i naltësonte moralisht e intelektualisht tue i shpëtue nga robnia shpirtnore e disa qinda shekujve. Nuk duel nji Titan që t'a ngrente grushtin e tij të fortë kundër atyne që e pengojnë zhvillimin t'onë natyrel e historik, kundër atyne që nuk na lanë t'ecim drejt rrugës së madhështis, të liris e të lumnis. Ah sikur t'isha djalë e t'a merrsha për sipër kët mision kaq delikat dhe t'i sherbejsha shoqnis njerzore. Na do t'i a puthim dorën me respektin ma të madh dhe do t'a deklarojmë shenjt at njeri që të na shpëtojë nga kjo robni shekullore tue e grisë edhe peçen që t'i nepen femnës Shqiptare e Muslimane mundësit për me i pamë rrezet e arta të...
qytetnimit.
Un, sa për vetëhe, kam vendosë me e vulosë jetën t'eme me gjakun t'em. Me këtë mënyrë besoj se do t'u provoj kundërshtarëve të liris s'onë se na kemi vendosë me vdekë, por me mos u përulë.
17 Shtatuer
Em atë pret e përcjell njerës që vijnë me e përgëzue e urue. Eme njerkë fluturon prej gëzimit, natyrisht, jo pse u vlova, por pse u forcova me nji njeri që s'e dashunoj dhe pse do të më shporri sysh. Mora vesh se kushrini i em Hamiti ishte zanë keq me t'em atë për shkak të fejesës s'eme. Për pak kishin qenë tue u rrafë. I shkreti Hamit! U përpoq shum që të më bante të lumtun, por nuk mundi me e mposhtë t'em atë që mundohesh me më mjerue.
Eh fat'i zi, fat kobar!
Ata që nuk e pëlqejnë të bukurën janë të vdekun. Çdo njeri që ka nji farë ndiesije pjerr kah e bukura. Edhe njeriu primitif e pëlqeu dhe e dashunoi të bukurën. Ata që nuk kanë dashunue ase nuk dashunojnë janë kafshë pa shqise, pa zemër, pa ndiesi dhe pa as ma të voglën rreze hyjnore. Këta kanë vorfëni apo vobësi shpirtnore. Janë kërma të lëvizshme që enden në mes t'onë si fantoma ase lugetën që kërkojnë t'a ulin vlerën e jetës, që përpiqen t'a hjekin shijen e rrojtjes. Edhe ata që e pengojnë zhvillimin e dashunis, t'asajë dashunije që shtjellohet mbrenda caqeve të nji moralit relatif e logjik, janë shokët e këtyne të verbëve që s'e njofin dritën, që s'kanë fuqi e pajë natyrale për me u ngjitë në sferat e nalta e të ndritshëshme të bukuris mendore e shpirtnore. Këta mëkatarë meritojnë të mëshirohen, se nuk e kuptojnë se shpirti e mendja ushqehen me të bukurën e jo me të shëmtueshmen, pse kjo i vret e i mbyt. Edhe em atë, për fat të keq, ban pjesë në këtë turmë të vorfnish e të verbësh që formojnë ballin pengues në zhvillimin dhe përparimin e shoqnis s'onë. Këta janë si ferrat ndër lule, si njollat ndër pëlhura të bardha dhe si plagët në zemër. S'dij se a e ka marrë vesh Shpendi kobin që pësuem. N'e ka marrë vesht kush e din se sa fort do të jetë pikëllue dhe sa lot do të ketë derdhë. Sigurisht do
të më paksohesh hidhnimi dhe do të më lehtësohesh shpirti i brengosun, po të mundesha me e pamë nga ndonjiherë. Por s'ka mundësi dhe un do të vdes, ndoshta, pa e pamë edhe njd herë.
20 Shtatuer
Ai, me të cilin më kanë kunorëzue, qenka i vejë. Grueja e parë, me të cilin paska jetue shtat vjet, i paska vdekë gjashtë javë ma parë pa i lanë asnji fëmi. Qenka nji burrë nja dyzet vjetsh. Pse sikur t'ishte i ri a do t'a pëlqejsha? Jo, kurrë! Përveç Shpendit, edhe nji engjëll po të kishte marrë trupin e nji mashkullit, nuk do t'a pranojsha e nuk do t'a dashunojsha. Por ai tregtari le t'a shënojë, qysh tash, në pllakën e trunit të vet se edhe grueja e dytë ka me i vdekë sa të shkeli në prak të derës së tij. Kurrgja s'kam marrë vesht prej Shpendit. Due t'i
shkruej, por me cilin me i a dërgue se?.... Më mungon çdo mjet. Shkurt jam e shkretë dhe e mjerë në çdo pikpamje. Ah un korba!
23 Shtatuer
Dasma e eme do të baheshka shpejt. Prandaj po bahen përgatitje. Ditën e kunorëzimit qenka caktue edhe nji afat i shkurtun. Sot m'i njoftuen këto hollësina. Don me thanë se edhe pak jetë më mbetet. Kur mendoj se jam vlue me nji të panjoftun e të padashunuem prej meje, më rrëqethet shtati dhe më kapin rrebet. Mërzia më dyfishohet dhe dëshprimi më shtohet kur e mendoj pikëllimin që do të ketë Shpendi, sidomos mbas martesës s'eme me....tokën e zezë. Kush e din se sa do të helmohet i ngrati mbas tragjedis s'eme. Kush e din se sa do të më qajë. Shpirti i em do të jetë i ngushulluem vetëm pse ka për të lanë mbrapa nji zemër që ka me e qamun me të tanë fuqin e sajë. Mirë por atëhere kush do t'a ngushullojë Shpendin? Kurrkush. Oh i shkreti djalë!
Tash gjumi m'asht prishë fare. Netët i kaloj tue u mendue dhe tue qamë. Krejt trupi m'asht raskapitë. Mjerimi po më përpin dalë-nga-dale për me më përplas mandej në humnerë.
25 Shtatuer
Kola i vogël, vëllau i Irenës, ishe futë sot në kurt të shtëpis s'onë dhe sillesh rreth e rrotull.
- Ç'kërkon mor Kolë? - e pyeti njerka kur e pa.
- Kërkoj topin mori; më ra këtu - gjegji ai tue ardhë vërdallë dhe tue hudhë shiqime andej e këndej.
Asokohe un isha naltë, në kthinë t'eme dhe po e shifsha nga dritarja.
Kur më pa mue ma shkrepi syn dhe nisi me fërshëllye kangën „Sa bukur neve jetojmë, në male në Shqipëri". Mbasandaj e futi dorën në xhep dhe e tundi. E kuptova se dishka kishte. Zbrita poshtë dhe i u avita dalë-nga-dale.
- Eh mor Kolë! Të ka humbë topi? - i thashë.
- Po moj Dije - gjegji tue m'a shkrepë syn rishtazi.
- Kërkoje se e gjen! - i a bana tue e shique me nji sy shqyrtues.
- Po moj. Tash e ka mshefë dreqi, por do t'a gjej - bani dhe kërceu e u hudh pranë meje.
- Qeh, e gjeta - thirri mandej.
Ndërkohe e kishte nxjerrë nga xhepi dhe vu mbi tokë topin, të cilin e muer tue u krrusë dhe tue brohoritë. Kur u drejtue pashë se edhe dishka tjetër kishte në dorë.
- Merre, se m'a ka dhanë Shpendi. Tash vij ma vonë me marrë të gjegjun - tha tue më futë në gji, nji letër të bamun shuk.
Un u habita. Ai u largue tue e këndue kangën:
Nji motmot e disa muej
Kena pas miqsi nTiranë
Tash do t'i kallzoj gjithkuj
Se vet ke ik e m'ke lanë.
Fjalët e kësaj kange, s'dij se pse, më banë përshtypje të madhe dhe më gjajti sikur Kola i vogël më thoshte në vend të Shpendit, se e kam trathtue. Çdo fjalë më binte në true me forcën e nji çekanit dhe në zemër si nji plumb. Shumë herë e kisha ndigjue këtë kangë, por kurrë nuk më kishte lanë vragë sa sot. Për pak qeshë tue bërtitë e qeshë tue i thanë Kolës, se un nuk e kisha lanë dhe nuk do t'a lijsha kurrë Shpendin t'em. E hutueme shkova dhe u mbylla në kthinë t'eme. E këndova letrën. Ai e përshkruente dëshpërimin që kish pasë qysh at ças që e kishte marrë vesht fejesën t'eme dhe ma në fund më propozonte që të aratisemi n'Itali.
E bana gati përgjigjen dhe i thashë se jam gati me shkue, me te, edhe në fund të Ferrit. Gjithashtu i thashë se edhe un, në mos mundshim me u aratisë, kam vendosë t'a vras vetëhen mu n'at ças që do të shkel në prak të derës s'atij tregtarit dhe nuk do të pranoj me u bamë grueja e tij. Letrën e dërgova aty pak para se të perëndonte Dielli.
Kam vendosë t'aratisem. S'ka tjetër mjet shpëtimi. Fajin e ka im atë e jo un. Më pastë në qafë!
26 Shtatuer
Dje mbrama gati gjith natën u përpusha në shtrat. Fare pak flejta. Shum mendova dhe tepër qava. Mendojsha
se si do t'aratisem, si do të largohem nga gjini i familjes, nga far' e fisi dhe ma në fund nga Atdheu. Ndiesi të paspjegueshme më ngufmojshin nga zemra dhe më mbushshin me mall, më pezmatojshin dhe ne fund më bajshin të derdh lot dëshpërimi. Jo nji herë, por shumë herë u zhgreha në vaj dhe qava me dënes të madh.
Sot gjith ditën mbeta ramë në shtrat se isha e drobitun fare. Mbas dreke më shpërtheu gjaku nga goja si t'ishte nji shë mali. Kësajë rradhe edhe im atë u shqetues se demede Hallë Hatixheja i a ka bamë tragjike sëmundjen t'eme. Erdh e më pa. Më tha se nesër në mëngjes do të më sjelli nji mjek. I thashë se nuk e due mjekun, por besoj se ka me e sjellë. Ndoshta don me më ngjallë, se do të më çojë ke ai.... tregtari.
Nuk e due mjekun, pse po të jem sëmunë nuk munden me më martue. Me këtë mënyrë fitoj kohe për me u përgatitë për aratisje ase, në rasë të kundërt, e zgjas jetën.
Edhe sonte kam ethe dhe dhimbje krahërori.
27 Shtatuer
Në mëngjes më vizitoi nji mjek që kishte sjellë im atë. Mbassi më shiqoi iku pa me më thanë gja. Mbas nji ore u kthye i shoqnuem edhe prej dy mjekve të tjerë. Dukej se sëmundjes i kish dhanë randësi.
- Shifeni - u tha shokëve Frengjisht mjeku që znë kishte vizitue ma parë dhe u tërhoq me nji anë. Të dy mjekët më panë me kujdes të veçantë dhe znë banë nji varg pyetje.
- Merr frymë! Mos merr frymë! Kollu! Mol u koll! - më thanë nja 20-30 herë.
- Sëmundja asht e randë dhe ka përparue shumë - tha njeni kur mbaroi vizita.
- Më duket se asht në shkallë të dytë. Mushkënit i ka në shkatrrim e sipër - i a priti tjetri.
- Un besoj se asht në shkallë të tretë dhe mjekimi asht i padobishëm - vrejti i treti.
Doktorët flitshin Frengjisht. Kuvendojshin në mes të tyne, të shkujdesun se mos i kuptojsha. Nuk u a merrte mendja se un, për bela kam mësue pak Frengjisht dhe se mundesha me i marrë vesht bisedimet e tyne. Kur pashë se ata ishin në kundërshtim pikpamjesh për mjekimet që duhej të më bajnë, sa me m'a zgjatë afatin e rrojtjes në këtë jetë, u fola Frengjisht dhe u thashë:
- E kuptoj se sëmundja e eme asht e pashërueshme, mbasi jam tyberkuloze në shkallë të tretë, por ju mos u lodhni fort me i zgjedhë barnat që do të m'epni as edhe mos u shqetsoni nga gjendja e eme, se un do të jem ma shum e kënaqnn nga vdekja se sa nga rrojtja.
- Oh! - i a bani njeni në shenjë dhimbjeje tue i ramë ballit me shëpullën e dorës.
- Dini Frengjisht Zojushë? - pyeti mandej si i hutuem e i harlisun.
- Fare pak. Sa t'ju kuptoj Zotni Doktor - gjegja,
Dy tjerët kishin shtangë, pse nuk e kishin parashikue se mund të zbulohesh sëmundja prej meje. E humbën fare dhe s'dijshin se si me e ndreqë gabimin.
- Fjalët t'ona mbështeten vetëm në dysbime, Zojushë, dhe nuk mund të kenë bazë derisa të mos jetë bamë diagnoza e sëmundjes me mjetet e shkencës - spjegoi njeni tue dashtë t'a meremetojë atë që kishin prishë të tre së bashku.
- S'asht nevoja me u lodhë për me e bamë diagnozën e sëmundjes me mjetet e shkeneës, pse gjaku që kam nxjerrë, dhimbja e krahnorit, kolla e vazhdueshme, ethet e herë-mbas-hershme si dhe të tjerat, janë, sikundër e pohuet dhe Z. e juej pak ma parë, symptomet e pakundërshtueshëm të tyberkulozat. Mbasandaj duhet të dini se kjo nuk asht e para ditë që jam sëmue. Prej kohësh lëngoj dhe nxjerr gjak - u thashë.
- Jo Zojushë - i a priti njeni - s'duhet t'a smadhoni punën aq shum, sa të kujtoni se lëngoni nga nji sëmundje e pashërueshme.
- Un e dij dhe e kuptoj se jam dënue me vdekë, por nuk e dij se kur. Do t'ju isha mirnjoftës sikur të kishit mirësin me m'a caktue afatin që më ka dhanë mordja për me u zvarnisë në këtë botë hipokrizish, gënjeshtrash, padrejtësish dhe poshtersish - u thashë sikur të dojsha me e shfry në ta të tanë pakënaqësin e femnës së martyrëzueme.
- Përse flitni me kaq dëshpërim Zojushë? Nuk asht e vërtetë se jeni aq e sëmunë. Nuk duhet t'a bumbni kurajën se fundi do të shëroheni e nuk do të vueni gjatë - tha njeni me nji za që tregonte se ishte përshtypë mjaft nga f jalët e mija.
- Po, po. E dij edhe un se nuk do të vuej nji kohë të gjatë. Sidoqoftë nuk do të shkojë shum kjo – thashë si me qesëndi, por edhe e trishtueme. Të tre mjekët kishin qëndrue në kambët si të mpimë dhe po më shiqojshin me dhimje të thellë. Ndoshta për të parën herë në jetën e tyne dhe gjatë karijerës kishin hasë në nji të sëmunë që po u flitte kësodore. Dukeshin të habitun aq ma shum nga mospërfillja, me të cilën u flitsha për vdekjen.
Natyrisht atyne nuk mund t'u shkonte mendja se un kisha nji zemër që dashunonte nji yll dhe që mbas shkëputjes prej tij nuk dëshirojsha me jetue. Ata sigurisht kujtojshin se gjuha e eme e thekshme ishte rrjedha e natyrshme e atij dëshpërimi që shkakton afrimi i vdekjes dhe jo nji shprehje apo shfrymje e asajë zemre që i u mohue gëzimi i të drejtave të saja. Em atë kishte qëndrue në kambë dhe verente i habitun, mbassi nuk kuptonte se çpo flitej në mes t'onë. Kur pa se u këput f jala, u drejtue kah un e tha:
- E?!...
- Kurrëgja.
- A s'të thashë se s'ke gja.
- Pooo - gjegja tue i kafshue buzët - por do të bajshe ma mirë sikur të m'i kishe sjellë këta Zotnij Doktorët qysh nji mot ma parë, kur të kërkova mjek, se do të m'a hiqshin merakun qysh atëhere.
- Ama po të marrim doktor sa herë që t'a zanë ethet njeriun, duhet me ndejtë me qese në dorë moj bijë! - tha im atë dhe i shiqoi mjekët për të marrë edhe aprovimin e tyne. Ata e shiquen me nji farë habije të trazueme me mëshirë e përbuzje.
- Ke të drejtë - përgjigja dhe nuk u zgjata ma shum, se nuk dojsha të baj fjalë me të para mjekëve. Më përshëndetën mjekët tue më porositë që të mos dëshprohem dhe tue më sigurue se do të shërohem.
- Un prap do të vij me ju pamë Zojushë – tha njeni ndër ta.
- Ju falem nderit, Z. Doktor, por s'ka nevojë, Mos u mundoni kot - gjegja.
- Jo, jo; do të vij - përgjegji dhe iku bashkë me tjerët.
Mbassi shkuen doktorët mora dhe i shkrova Shpendit. I thashë se s'ishte nevoja me u aratisë për shkak se un, simbas konstatimit të mjekëve, jam dënue me vdekë si tyberkuloze dhe, edhe në më martofshin me at tregtarin, do t'a vras vetëhen atë ditë që të më shpijnë ke ai, pse nuk do mundem me e durue makar edhe për pak ditë. I spjegova edhe se sikur të shduken gjithë pengimet un nuk mund të martohem me të, sepse mund t'i a rrezikoj jetën me që jam tyberkuloze. E jeta e tij si për mue ashtu për t'amën plakë asht e nevojshme dhe e shtrenjtë. I thashë t'a harronte atë femën që e dashunoi me të tanë forcat e shpirtit të vet, mbassi ajo asht e dënueme me nji vdekje që nuk i nep afat të gjatë në këtë botë. Ma në fund i u luta të më dërgonte nji fotografi që të shmallesha tue e pamë.
Letrën e dërgova me anë të Kolës, i cili ishte futë në shtëpi tue pretendue se prap e kishte humbë topin.