16 Korrik
Të Mërkurën erdh Fahrija e Dajë Dautit dhe më muer për të shkue ke Dajë Haxhiu. Un s'dojsha me shkue se....se më dukesh sikur do të largohem për gjithmonë prej Shpendit, por ajo nguli kambë dhe më muer. Ndejta tri net. Sot u ktheva. Dajë Haxhiu u gëzue shum kur na pa. E porositi të shoqen që të na bante dreka e darka të mira. Mbasandaj u kthye kah Fahrija dhe i dha të kuptoje se asaj i takonte me më zbavitë me lojna e hoka.
- Lueni si në fëmini - tha tue u drejtue kah un.
- Besoj se ju pëlqejnë lodrat e vogjëlis, mbassi ato ju a kujtojnë jetën e ambël e pa brenga që keni kalue dikur.
- Ke të drejtë përgjigja un me buzë në gaz.
- Nashti s'kujtoj të jeni, si atëhere, të patrazueme në shpirt - shtoi mbassi na shiqoi gjatë ndër sy, si të donte me hetue e me zbulue dishka.
- S'dij - gjegja un e prekun në shpirt dhe pak e hutueme.
I mrulli vetullat me nji farë dhimbje, si ajo që tregohet për ato që lypset të mëshirohen, dhe tha:
- Lueni, gëzoni, qeshni, jetoni.
U largue, mandej, si t'ishte i pezmatuem prej gjendjes s'onë të vajtueshme. Un, mahnitshëm, e shiqojsha at plak t'adhuruem që na nxitte t'a gëzojmë e t'a shijojmë jetën. Më dukej sikur e çmonte gjendjen t'onë plot mungesa dhe e zbulonte t'ardhmen e shëmtueshme që na pret.
- Po na s'jemi të vogla që të luejmë si fëmijt - i tha Fahrija kur ai po largohesh.
U kthye. Na kundroi dhe tha:
- Oh sa mirë do t'ishte sikur të ishit të vogla apo të mbeteshit foshnje, të pakën, për nja 10-15 vjet.
- Përse?! - pyeti Fahrija e çuditun.
- Përse?! Sepse....
E këputi dhe e kapërdini fjalën. E tundi kryet si me zemrim dhe shtoi mbas pak me nji za t'egër:
- Na....na jemi fajtorë dhe dënimin, sigurisht, do t'a vuejmë.
Iku mbasandaj si ata që nuk duen me e pamë mjerimin e të dashunve të vet.
- Ç'thotë xhaja kështu Dije? Ai shpesh flet kësodore, por un nuk e kuptoj - tha Fahrija naive që së kishte marrë vesht gja.
- Ku dij un - gjegja si ndër dhambë, pse së kisha nge.
Po. S'kisha nge, se mendja e eme po përpiqesh me i spjegue fjalët e tija enigmatike. Ma në fund solla besim se atij i vinte keq për fatkeqësin t'onë.
- Pse dëshirove të mbetemi të vogla edhe për disa
vjet? - e pyeti Fahrija kur u kthye në mbrame.
- Përse? - Sepse sot shumica e mashkujve nuk i shofin punët t'ueja edhe me syt e femnës. Ata gjykojnë sikundër u pëlqen pa i përfillë të drejtat t'ueja. E mbrenda 10-15 vjetve, sigurisht, do të ndrrojnë mendim dhe do t'arrijnë me i çmue të drejtat t'ueja - spjegoi Dajë Haxhiu tue folë me nji farë nxehtësije që të bante të kujtojsh se asht tue nxjerrë lav nga goja e jo frymë.
- Beson se për 10-15 vjet mund të ndrrojë kjo mendësi? - pyeta.
- Po, besoj. Mbrenda këtyne vjetve, me doemos, do të shembet bota e vjetër e do të krijohet bota e re - gjegji tue e thithë cigaren me aq forcë sa të dukesh sikur don me i përpimë krejt hidhësit e shoqnis së sotme për me mos i a lanë trashëgim asajë së nesërmes.
- Po mbulesa ç'asht Dajë Haxhiu? - pyeta un mbas nji heshtjeje të shkurtun.
- Mbulesa? - bani tue i mrrullë vetulat. - Ajo asht... shpikja e përçudëshme e disa fanatikëve që i a kanë ulë vlerën fës s'onë. Asht nji zakon i mbetun prej mija vjetsh dhe që mprohet prej turmave fanatike si ligjë fetare.
- A nuk urdhënon feja me u mshefë e me u mbulue?
- Jo. Feja nuk robnon, por liron. Vetëm duhet të nderohet porosia fetare e morale që ban Kurani për t'i mbulue pjesët e turpëshme të shtatit.
- Asht e dijtun.
- A t'i hjekim, pra, çarçafët? - pyeeti Fahrija.
- Jooo.
- Përese?
- Sepse ju grijnë fanatikët; sepse duhet të vijë koha që të hudhen tej ata llome që i a kanë ngjitë fës - gjegji.
- Q'u thue gocave ashtu mor burrë? - i tha e shoqja që kishte ardhë pak ma parë dhe i kishte qëndrue mbas shpine.
- Të vërtetën moj grue - përgjigj, mbassi e kthei kryet mbrapa dhe e pa.
- Si? Don me i qitë jashtë pa çarçaf?
- Jo, moj e urueme, jo. Un nuk i qis pa çarçaf, por feja, ajo fë që disa fanatikë thonë se e urdhënon mbulesën - gjegji.
- Hej! - bani e shoqja e harlisun.
- Po të kishje pasë gocë ti Dajë Haxhiu a do t'a mbulojshe? - pyeta.
- Do t'a lijsha të lirë të vendoste vetë e t'a zgjidhte njenën dysh: lirin ase robnin - i a bani dhe u ngrit me dalë.
- E! A e ndigjove se si tha xhaja? - tha mbas pak Fahrija tue e thye heshtjen qi kishte plakosë.
- E ndigjova.
- Ç'mendon nashti?
- Nashti? Nashti mendoj sikur t'isha djalë.
- Sikur t'ishje djalë?! - bani e habitun.
- Po.
- Ç'do të bajshe?
- Do t'i shpallsha luftë botës fanatike dhe do të vazhdojsha derisa të ngadhnojsha ase të mbarojsha.
- Ke të drejtë - tha dhe heshti. Duket se edhe atë e rrëmbyen mendimet.
Tasht që po i shkruej këto rrradhë prap mendoj mbi gjendjen t'onë të mjerueme. Ata që kanë mend, që kanë ndërgjegje të pastër dhe shpirt të dlirët, pa dyshim, e shofin me tmer se sa të vrazhdët, se sa të ndytë e të shëmtueshme e kemi jetën na sot. Jeta e jonë asht e zbrazët, e kotë, mërzitëse dhe pa asnji ngjyrë. Ajo ma fort i gjason vdekjes se sa rrojtjes. Jemi burgosë dhe na asht mohue çdo e drejtë. A ka çarçafi bazë morale dhe a urdhërohet prej fës? Jo. Atëhere ç'asht kjo bolbë për na të mjerat? A asht çarçafi, me të vërtetë, kështjelli i papushtueshëm që ruen nderin e femnës? A asht çarçafi nji shtërrak midis nderit e turpes? Pa dyshim jo. Nderin e femnës e ruen karakteri i sajë i fortë dhe jo ajo pece e bardhë ase e zezë që i a mbulon shtatin. Para mburojes së patro nditshme të karakterit, pa tjetër, qëndron e pacenueshme virgjinia e pastërtia e femnës. Ajo që asht mbrujtë me nji edukatë të shëndoshë dhe asht pajue me vlerat morale të trashëgueme bres mbas brezi prej stërgjysheve, e ruen nderin si nji pasuni të vlershme që e ban krenare, por jo si nji teshë të futun në thes.
Prandaj mbulesa, sikundër tha edhe Dajë Haxhiu, asht nji shpikje që nuk i shërben qëllimit t'atyne që e porosisin. Përkundrazi asht nji pengesë e pakapërcyeshme për zhvillimin dhe naltësimin e femnës Muslimane.
Po të kqyret shoqnia e jonë me synin e pagabueshëm të nji studjozit, lehtazi, do të konstatohet se demoralizimi
e korrupsioni asht ma shum ndër qytete se sa ndër katunde, ku femna nuk asht futë nën zgjedhën e çarçafit. Nuk kujtoj se mund të guxojë kush me pretendue se fusharaket ase malësoret tona janë ma pak fetare dhe ma pak të ndershme se na qytetaret. Brezat e ardhëshëm, pa dyshim, do të çuditen se si e kemi durue këtë robni që na asht impozue me përdhunë. Në nji kohë kur bota mundohet me i kapërcye kufijt e stratosferës për t'i kolonizue planetet dhe përpiqet me zgjidhë probleme me randësi kryesore, na qajmë hallin e çarçafit dhe e vrasim mendjen se a duhet t'a hjekim apo jo? Oh të mjerat na. Un, po t'isha djalë, do t'i tregojsha botës mashkullore se dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerzis, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndrituna ase t'errta. Por mjerisht s'jam djalë dhe si femën nuk mundem me e nxjerrë zanin.
Sot në mëngjes, mbassi ika nga Dajë Haxhiu, bashkë me Fahrijen shkova ke ajo, ku qëndrova nja nji orë. Ndërkohë erdh Bedrija, nji e njoftuna e Fahrijes. Kjo ishte nji vajzë nja 16 veçare, sy e vetull zezë, shtat hollë, buzë trashë, dhambë bardhë, hundë drejtë dhe qafë gjatë. Me nji fjalë ish mjaft e bukur. Kishte ardhë me marrë do figura lulesh për me qëndisë dishka. Mbas përshëndetjes dhe mbassi i a dha figurat e pyeti Fahrija:
- Hej Bedrije! Si i ke punët nashti me at djaloshin që rrin në shtëpi t'ande?
- Mirë - gjegji ajo mbassi shiqoi kah un pak si me droje.
- Kjo asht kushrina e eme - tha Pahrija tue më tregu mue.
- Mos druej! Fol!
- Mirë pra - përgjigji Bedrija me buzë në gaz dhe tue u spërdredhë.
- Nashti ka filue me më folë ambël e...
- Beson se të don? - pyeti Fahrija tue i a premë fjalën.
- Po. Dje i dhashë nji letër dhe kërkova të takohem me te.
- Po pse i shkrove letër, kurse ti e ke në shtëpi dhe e takon për çdo ditë?
- Në letër i kam shkrue edhe dishka tjetër. Mbarsandaj më vinte turp t'i thom me gojë.
- A!. Po a shpreson se ka me t'u përgjigjë?
- Me doemos, se... më don.
- Hej! - bani Fahrija dhe, mbassi u mendue pak, pyeti: A e more vesh se nga asht?
- Po. Asht Kosovar. Ka vetëm nji nanë plakë dhe nji motër.
- Po emnin a i a mësove?
- Po. Shpend e quejnë, por un e thrres veshshpuem, pse e ka të shpuem veshin e majtë.
- A! - bani Fahrija si e topitun dhe e mpime. Sikur të më kishte ramë pika apo të më goditte rrëfeja, nuk do të tronditesha ma fort se sa kur ndigjova prej gojës së Bedrijes se dashnori i saj qenka Shpendi, ai djaloshi që pak ditë ma parë më foli me nji gjuhë që shprehte kënaqësin e zemrës për njoftjen e bame me mue. M'u dridhën leqet e kambëve dhe qeshë tue u rrëzue për dheu pa pikë fryme. Sedreja, ajo krenari që ka femna dhe që nuk e lejon me u përulë edhe para shoqeve të saja, më mbajti në kambë. Po të mos më vinte turp prej asajë Bedrijes që nuk e njifsha, sigurisht, do të kisha thirrë me shkul të zemrës dhe do t'isha përplasë për tokë si e vdekun. Dëshprimi m'i mveshi syt me nji hije të zezë dhe nga thellësia e zemrës ndiva të ngjitet përpjetë nji valë përvëluese për t'u shprazë nga syt e mij si nji lang i nxehtë e helmatues. Prandaj i ula syt. Po, i ula se nuk dojsha të më diktojë ajo që un tash e urrejsha si shemrën t'eme. Me gjithë atë nuk qava, dhe tue i kafshue buzët, e frenova furin. Kur i ngrita syt pashë se edhe Fahrija ishte zbemë fare.
- Ç'ke - e pyeta pa dashas.
- Kurrgja - gjegji me nji za të mpakët.
Kuptova se edhe ajo kishte qenë shitue prej veshshpuemit. Ika pa e zgjatë ma dhe e tronditun, pse edhe me
Fahrijen qenkemi shemra. Kur ktheva në shtëpi, shfreva tue derdhë lot për dashunin e humbun e pa fat që
e ka pushtue zemrën t'eme të shkretë. Thonë se femnën e mundon shum nakari. Po. Kjo qenka e vërtetë, por qenka e vërtetë edhe ajo që kur dashunueka femna arrika me e sakrifikue edhe shpirtin. Ma mirë t'i kisha thye kambët e të mos kisha shkue ke Fahrija, se sa shkova dhe vrave vetëhen.
17 Korrik
Sot në mëngjes erdh Irena ke ne. Mbassi më përshëndeti m'u ankue se pse nuk shkova t'a shof kur u ktheva dje në shtëpi. Ma në fund e shfaqi çudin e vet se si kisha ndejtë tri ditë e tri net larg . . . shtëpis. Më duket se ajo e ka hetue se shka asht grumbullue në zemrën t'eme që flet kësodore, me gjith që pak mbylltas. Ajo, natyrisht, habitesh se qysh kisha ndejte tri ditë larg Shpendit e jo larg shtëpis, por këtë nuk e tha. Të them të drejtën un s'dojsha me ndejtë, por më mbajtën. Dhe u mërzita aq shum sa qeshë tue plasë. Me gjithë këtë, me mend e me zemër, jetova këtu, pranë atij që e dashunoj me të gjitha fuqit e mija të shpirtit e të zemrës. Si thashë edhe ma naltë, kuptohet se Irena e ka pikasë dashunin t'eme, atë dashuni që Shpendi shpirtazi kërkon t'a shfrytëzojë me lajka dhe mandej të m'a kthejë shpinën. Oh mizuer! Kush e din se sa Bedrije, Fahrije e Xhevrije ka si un nëpër skutat e Tiranës që i lajkaton për me i futë në kurthin e poshtnimit. Sido që të ngjajë mue nuk mundet me më përulë, pse un do t'a ndryej në zemër atë dashuni dhe s'do t'a shfaq edhe sikur të pëlsasi prej këtij lëngimi. Irena e pastër, natyrisht, nuk dinte gja për sa kam marrë vesh mbi at djaloshin e rrezikshëm. Prandaj ajo flitte shkoqun dhe ankohesh pse nuk kisha shkue me e pamë. Ku t'a dinte ajo se un nuk shkova nga droja se mos hasem me Shpendin ke ajo. Kam vendosë që të mos e shof ma dhe zemrës me i vu nji gur të randë.
- Ti shkove ke Daja, Dije, por Shpendi m'a lodhi kokën me pyetje të parreshtuna që më drejton për ty - tha ajo mbas pak.
- Ç'pyeste? - thashë me mëllef.
Ajo nuk i dha dum zanit t'em që duel jo nga gërmazi, por nga thellësit e zemrës së plasun.
- Gjithshka: ku asht? Ku ka shkue? Pse ka shkue? Sa do të qindrojë dhe nji varg të gjatë si këto. Ai gjithnji pyet për ty dhe tash besoj se të njef fare mirë - gjegji Irena.
- Nga më njef?
- Të njef prej meje, se un i kam thanë.
- Ti? Çudi! Përse i flet atij për mue?
- Sepse më pyet.
- Në të pyet, ti mos i u përgjiq.
- A mundem se?!
- Pse s'mundesh?
- Pse më vjen keq.
- Të vjen keq?. Pse?!...
Dojsha t'a shpraz vënerin e zemrës tue i kallzue se sa djalë i lig ishte Shpendi, por e mbajta vetëhen, se s'dojsha me e pezmatue.
- Pse at e kam si vëlla dhe ty si motër. Ndoshta ai... - tha dhe u hudh e më rroku për qafe.
Nji copë herë më shtrëngoi e më puthi me nji dashuni shum ma të madhe se atë që ushqen për mue. Mue m'ishin mbushë syt me lot, pse e ndijsha dashunin e pastër të saj dhe se pse zemra e eme, e plagosun randë nga marrdhanjet e Shpendit me Bedrijen, vëlonte prej dëshprimit. Mbas pak çastesh u zhgreha në vaj dhe qava mirë e mirë, plotsisht si ato që duen të shfrejnë e të shpaguhen në vetëvetëhe për gabimin trashanik që kanë bamë tue i dhanë llas zemrës. Irena m'argëtoi dhe u përpoq të më qetsojë. Kërkoi t'a marri vesht shkakun e këtyne lotve të derdhun me aq furri, por nuk i a thashë. Po, nuk i thashë, se due t'a ndryej mbrenda zemës atë tinëzi që deri sot për mue që ma se e shenjtë dhe mbas sodi ka me qenë si nji plagë vdeksuese e trashëngueme nga nji betejë e humbun... Eh jetë. Qofsh shue! Eh dashuni... Qofsh mallkue!
21 Korrik
Qysh atë ditë që ktheva nga Dajë Haxhiu nuk kisha shkelë në shtëpi t'Irenës, me gjith që ajo më ishte ankue dhe më kish ftue. Nuk kisha shkue, por me e thanë të drejtën ky vendim më kushtoi shum shtrehjt, pse e pagova me disa mij hofkëllime dhe me ca litre lot. Me nji anë drojsha se mos e ndeshi a t . . . – ah atë – dhe m'anë tjetër dojsha t'a shof, të paktën, për sc largu. Shpesh më kapshin rrebet dhe e dëshprueme, qajsha tue e mallkue vetëhen. Disa herë bahesha fare foshnje: Kërkojsha t'a mbys por me kusht që t'a ngjall rishtazi!...
Mamë Gjystina dhe njerka qysh dje kishin vendosë me shkue sot diku në vizitë. Njerka përpara se të nisesh
më porositi t'a mbylli portën prej mbrenda. Me qenë se edhe fëmijt nuk ishin në shtëpi, sa duel ajo, e mbylla portën dhe u ula në lulishtë, kur kujtojsha se do t'i qetsoj nervat tue lexue në nji libër. Pa kalue shum kohë erdh Irena dhe më ftoi me shkue në shtëpi të sajë për me më diftue dishka interesant. Refuzova dhe nji copë herë nuk i u binda, por ma në fund u përkula nga lutjet e saja. I shkova mbrapa. Kur hymë në kthinë të saj pashë se aty, ngjat bibliotekës, qëndronte në kambë Shpendi. Sa e pashë bana të zbrapsem, por më pengoi Irena tue më kapë për dore e tue më thanë:
- Ku shkon Dije?
- Liromë, se do të shkoj në shtëpi - gjegja tue i hudhë Shpendit nji veshtrim t'egër dhe plot mëllef e duf.
- A prej meje ikni Zojushë? - pyeti ai me za, që tregonte se ishte shqetsue.
- Po prej teje - thirra me mëllef.
- Përse? - pyeti i premë.
- Sepse ti je katil.... - thirra me të tanë forcën e urrejtjes që më kishte grumbullue zilia në zemër.
- Ç'thue Dije? - m'a bani Irena tue më shkundë për krahu.
- Rri ti Irenë - i thashë asaj dhe i dola para Shpendit me nji hof të guximshëm që epte të kuptohet se dojsha të matem me të për t'u shpague. Fëtyra e tij, menjiherë, u zbe. Mbasndaj u mbulue prej nji hijes melankolike. Edhe syt e mij ishin errësue prej lakmis së shpagimit kundrejt atij që kishte qenë idoli i zemrës s'eme. Prandaj po e shifsha turbull, si t'ishte rrokulluem prej reve të zeza.
- Un qenkam katil!? Cilin vrava? - pyeti i turbulluem.
- Të tanë botën - i thashë tue u dridhë prej nervozitetit.
- Gaboheni Zojushë. Un i due njerzit - gjegji me za të këputun.
- Po. Tregohesh sikur i don që t'i mbytish mbasandaj tue i përqeshë mbas shpine - i a bana me
qesëndi.
- S'asht e vërtetë. Më thoni se cilin vrava?
- Mue, mue, or i pashpirt? - brita si e tërbueme.
- Un ty të kam shpirt - thirri dhe më rroku për duersh.
- Shporru! - klitha dhe u rrëzova ndër krahët e tij.
Të gjitha femnat janë sensibël, por un jam ma fort se çdo tjetër. Menjiherë përshtypem dhe e humb fuqin e qëndresës. Edhe kësajë rradhe më dërmoi dobsia e nervave dhe u vilanisa. Kur i hapa syt pashë se Shpendi dhe Irena qajshin ke kryet t'em.
- Hej! Si je Dije? - më pyeti Irena me za të përvajshëm dhe tue m'a fërkue ballin me dashuni.
- Hof! - i a bana dhe e ktheva kryet kah muri për t'u mshefë prej Shpendit.
- Shif, Dije, se si qan Shpendi për ty - më tha Irena.
- Qan për Bedrijen i . . . poshtmi - gjegja me zemrim, por me za të këputun.
- Për cilën Bedrije? - pyeti ajo e habitun.
- Për atë që ka në shtëpi - thashë dhe bana të ngrihem për me ardhë në shtëpi.
- Për shpirt të babës e të vëllazënve nuk due tjetër veç teje o engjëll - thirri Shpendi me za të përvajshëm
dhe më kapi për duersh.
- Gabohesh, Dije, se Shpendi s'don njeri tjetër veç teje. Të betohem se ai prej kohësh m'a ka hapë zemrën dhe më ka thanë se të don si i marrë – shpjegoi Irena.
- Kam me t'a provue se nuk e due Bedrijen e marrë dhe mërzitse - tha ai me dëshpërim.
Ai dridhesh si thupër dhe qante me dënes. Ai djalosh që kish luftue, me pushkë në dorë, kundër gjindarmëvet, ai që nuk ishte përkulë edhe para vdekjes, tash qante para meje dhe betohesh se nuk dashunonte njeri tjetër veç meje. Nji flad sigurije e argëtoi zemrën t'eme të përvëlueme dhe shpirti nisi me u lehtësue nga ajo peshë e madhe që randonte mbi të. E ktheva kryet dhe e pashë. Syt e tij, të mbushun me lot, shprehshin përvujtnin e atij që kërkonte mëshirë tue thanë:
- Besomë se të due o shpirt! Kij dhimë për mue, Thonë se femna pezmatohet ma shpejt e ma shum se mashkulli. Un, sikundër duket, e kam ma të zhvillueme ndiesin e dhimës se menjiherë ndrydhem para atyne që qajnë.
- Mjaft ma Dije! - më tha Irena dhe u shduk.
- Mjaft ma! - më beson? A më don? - tha Shpendi me za të përvajshëm dhe i krrusun mbi kokë t'eme. Lotët e tij pikojshin mbi mue. M'u sos durimi.
- Poh - thashë dhe i mbylla syt.
- O shpirt! - thirri ai më nji za që gjante sikur dilte nga megjet e nji zemrës së zhuritun prej flakëve shkrumnuese të dashunis. Buzët t'ona ishin bashkue dhe lotët ishin përziem me të njeni tjetrit. Gjithë dyshimet ishin avullue në ças dhe ret e zeza ishin zhdavaritë nga Qielli i mendjes s'eme. Kishte lemë Dielli i lumnis dhe buzët t'ona këndojshin kangën e dashunis për t'a përhirue ngadhnimin e zemravet t'ona. As Leka i Madh që e pushtoi botën, as Napoleoni që i mundi gjeneratat ma të mëdhej të kohës së tij, nuk ngadhnuen sa un, pse ata fituen tokë e kështjej tue derdhë gjak, kurse un tue derdhë lot, pushtova nji zemër që vlen ma shum se mbretnit e tyne.