SHTEGTIM NË BUZËQESHJE
MES JETËVDEKJES
Në prag të muzgut
E dua agun
Në prag të agut
E dua muzgun
Në prag të vdekjes
E dua jetën
Në prag të jetës
E dua vdekjen
Andej nuk dua
Këndej i trembem jetës
Më gjeni një vend
Diku mes jetëvdekjes
NË BUZËT E SAJ
Mbi bukurinë e saj
Thyhen rrezet e diellit
Në sytë e saj
Humb shkëlqimin deti
Me buzëqeshje
E mund diellin
Afshi i saj
Vullkan
Në buzët e saj
Lind dhe perëndon jeta
SI DY SYTË E TU T’PANDARË
Për pak caste
Nuk dua asnjë fjalë
Falma vetëm shikimin
Shëroma plagën e shpirtit
Mos më le në pritje
Koha ka krah
E di zemra c’të thotë
Eja mos vono
Një kurorë dashurie të thurim
Jeta do të ketë kuptim
Një dritë në përjetësi
Si dy sytë e tu t’pandarë
SHTEGTIM NË BUZËQESHJE
Detëra të tërë
Shtegtova
Shtigjet mbetën kujtime
Kërkova buzëqeshje
Nuk gjeta kurrë
Ndoshta gabova se
Buzëqeshjen nuk ma ndanë për hise
Por unë
Shtegtar i përjetshëm do të mbetem
Deri në buzëqeshje
MOTRA PËR VËLLANË
DËSHMOR
Mbi varr
Ja hedh lulet e zemrës
Dhe kur kalon pranë
Përkulet me nderime
Loti shpeshherë e tradhëton
Kur në heshtje i përshpëritë
Zemra e motrës ka mall
Veç dhembje për të është jeta
Nuk i trembet as vdekjes
Edhe pse loti e tradhëton
Ballëhapur në jetë
Shpirti i saj i njomë
Si kristal të pathyer
Heroizmin e tij do ta ruajë
POETI
Mbi fletë të bardha
Stis kurora vargjes
Nga shpirti dhuron buzëqeshje
Nga zemra e tij
Buron lumi i dashurisë
Në shpirt ka qiellin
Në qiell ka shpirtin
Poeti është vetë gjithësia
NJË DITË DO TË KTHEHESH
(N.L.)
Largimi treti shikimin
Mall e borë m’u përzien
Lotë nuk kam më që të qaj
Për ty edhe zogjtë janë përmalluar
Më duket se mendja ka sy
Rrugët s’kanë më baltë
Djajtë e natës
I përpiu nëntoka
Kur të shihja të buzëqeshur
Jetës m’i falje hare
Si zog në fluturim
Një ditë do të kthehesh
FAJI MBETI JETIM
Asnjë shteg nuk gjeta
Për në ëndrrën tënde
Rrugët nuk kishin dritë të gjelbërt
Mallit s’i thashë hesht
Të dua të thashë njëmijëherë
Askush s’më ka faj
Pse s’erdha në një pranverë
Faji mbeti jetim
ASAJ QË MA VRAU VETMINË
Trokitje
Frika s’kishte arsye
Dikush
Don të ma vrasë vetminë
Me gjysmëzëri i thash hyr
Dhe kur dera u hap ngadalë
Se mos është zanë
Mendova me vete
Ngadalë m’u afrua
Lehtë buzët m’i puthi
Ledhatimi kishte ngrohtësi
Ajo ma vrau vetminë
TETË DITË VEÇ MOS
Mos m’u afro
Mos më prek
Mos më përkëdhel
Mos më puth
Mos më shtrëngo
Mos m’i kafsho buzët
Mos s’e jam e ndjeshme
Mos…
Ç’dashuri është kjo?!