1
“ Profesor ”, i tha atë ditë Lina, “ ti nuk e di nga ç’botë vi unë ”.
Ishin në dhomën e saj, atje ku ai shkonte dy herë në javë, me kërkesë të vajzës, por edhe me ngulmimin e Baxhos. Kjo s’kishte lidhje me mësimin, prandaj Admeti nuk ia zgjati. Mirëpo vajza me gjokse të bukura kërcënuese, që ishte nxënësja e tij, nuk dinte të tërhiqej dhe ai deshi s’deshi, u detyrua të mësonte nga ç’botë vinte ajo. Dëgjoi se bota e saj, që nuk ishte dhe aq e vogël, na paskej qenë e mbushur me emra kryeqytetesh, ku uji derdhej për qejf nga shatërvanet e dritat plot ngjyra që shërbekëshin jo vetëm për ndriçim, por edhe për reklama. Dëgjoi se atje paska aq shumë mallra, sa që shitësit çirren e ngjiren për t’i shitur, të rinjtë puthen në rrugë pa ua bërë tërt syri nga të tjerët dhe pallatet janë të gjithë me ashensor. Lina fliste me tërë seriozitetin e një njeriu që vërtet i ka jetuar ato gjëra, po Admetit nuk mund t’ia hidhte dot, prandaj filloi të mërzitej me marrëzitë e saj dhe bëri gati çantën e zezë për t’u ngritur. “ Mua më gjete të më shesësh përralla ”?, i tha. “ Asnjë çast mos harro kush jam për ty ”. Mirëpo Lina s’dinte të ishte vetëm e bukur, dinte edhe të bëhej nevrike e madhe, saqë jo vetë harroi cili ishte ai për të, por nuk përtoi as ta ofendonte mësuesin e vet, të cilit më vonë do t’i kërkonte të falur për shprehjen “ nuk e dija që edhe ti na qënke pykë si të tjerët”. Admeti, që s’e priste këtë myqkë, ia plasi të qeshurit, e kapi vajzën nga të dyja faqet dhe, ashtu siç ishte duke qeshur , i pëshpëriti “ pa ma thuaj dhe një herë, se më pëlqeka të jem pykë ”. Në se Admetit i pëlqeu të ishte pykë, vajzës i stërpëlqeu prekja e duarve të tij në faqe, u ndez e u skuq duke ia plasur pa pikën e turpit “nuk prishet bota sikur nxënësja të dashurojë me profesorin”.
Kuptohet që pas kësaj Admeti do të ngrihej rrëmbyeshëm në këmbë, nuk do të gjente dot derën për të dalë, do të drejtohej gabimisht te dritarja dhe radhën e të qeshurit do ta kishte Lina që do t’i pëshpëriste “ qënke më shumë se pykë ”. Po duke qeshur do ta kërcënonte plot naze se ai paska dashur ta puthë me zorr, bile edhe ta zhveshë lakuriq dhe këtë do ta mësonin menjëherë të gjithë, sapo ajo të ulërinte..
I kishte thënë vërtetë Lina këto fjalë apo ashtu iu duk atij?
Duhej t’i kishte thënë, se Admeti hoqi dorë nga ngatërresa e derës me dritaren, përplasi çantën në tavolinë dhe u ul përsëri atje ku kishte qënë më parë.
-Pa hë, moj çupkë, - u detyrua t’i thoshte jo pa tallje, - si qe ajo puna e ulërimës ”?
-Çdo gjë që dua ashtu e arrij, - tha ajo që tani kishte pushuar së qeshuri.
Kuptohet, këto nuk kishin të bënin fare me mësimin, ishin një përjashtim kategorik i asaj që quhet pedagogji, po vajza e bukur me gjokse kërcënuese, që ishte nxënësja e tij, paskësh patur një nevrik të tmerrshëm dhe paskësh lindur “për të arritur çdo gjë që donte” me ulërima.
-Tani do më dëgjosh për atë botën nga vi unë, - filloi të flasë Lina, që i shtoi edhe më nazet, nxorri gjoksin përpara që ai t’ia shihte më mirë, perëndoi sytë e përplasi qerpikët, sa që Admeti nisi të mërmëriste me vete “qënka më e bukur se ç’duhet, djallushka”.
Dëgjoi se e kishte rritur halla, që na qenka grua ambasadori, se halla i kishte të gjtha të mirat, por edhe një të keqe të madhe që s’bënte fëmijë. Ligjërisht figuronte në të gjitha regjistrat si çupë e saj, por tani fatkeqësisht ndodhej në këtë fshat të humbur. Lina do t’i tregonte pa pikën e turpit përse fatkeqësisht ndodhej tani këtu dhe fajin na e paska ai kokëshqopja, i madhi fare, që gjyshi na e paska mik. Sipas atij dhe ligjeve të tij, na qenka gabim i madh që çupa e ambasadorit të shoqërohet me vendësit, të vishet e të mbahet si ata. Admeti dëgjoi se ajo, përkundra, jo vetëm nuk pyste fare për ato shkresa e ligje të kokëshqopes, por na paskësh edhe një djalë nga ata, që e shoqëronte me një veturë të tipit të fundit, “para së cilës ajo e ambasadorit ngjante si zhgaravinë”.
- Atje ishte botë, - tha Lina me gjithë shpirt dhe filloi të shajë po me gjithë shpirt këtë këtu, që më shumë i ngjante një bince se sa një bote.
Admeti dëgjoi për urat e atij kryeqyteti të madh P., “ku shteti ynë hynte katër herë me gjithë nevojtoret e prapë tepëronte”, për muzetë, teatrot, artistët që i kishte parë nga afër bashkë me atë djalin, që nuk ishte edhe aq i vogël, po plot njëzetepesë vjeç, kurse ajo atëherë sapo i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat. “I provuam të gjitha”, tha Lina, “edhe kokainën edhe heroinën”, duke përveshur mëngët për t’i dëftyer shenjat ende të pashëruara nëpër damarët e llërëve.
Ajo tregoi se ata larot e ambasadës nuk do ta kishin marrë vesh fare, në se gabimisht nuk do të bënte dozë më të madhe e të përfundonte në spital pa ndjenja. “ Pas kësaj do të kthehesha përfundimisht këtu, në këtë bincën që ka ngritur ai i madhi me ndihmën e cave si gjyshi im ”, do të thoshte ajo jo pa përlotje.
Tani do ta kuptonte Admeti që ajo vajzë me gjokse të bukura e kërcënuese qënkësh mësuar që e vogël ta bëjë jetën e vet pa pyetur shumë për të tjerët dhe te ai shikonte diçka të qytetëruar, me të cilin mund të bisedonte e, pse jo, mund edhe ta dashuronte.
-E kuptoj pozitën tënde, - i tha Lina, - po nuk është e shkruar gjëkundi që profesori të mos e shijojë jetën fare.
Ajo i rrëmbeu kokën papritur dhe e puthi me afsh përvëlues në buzë duke i thënë pastaj “atë ulërimën bëra mirë që e shpika kot”?
Më pas do të hynte mamaja, po që Lina i thërriste hallë, domethënë gruaja e kryetarit, t’i sillte Admetit kafenë dhe Linës kakaon. Kishte vithe tepër të gjëra gruaja e kryetarit, aq sa mezi përkulej dhe dërrasat e dyshemesë tundeshin nën hapat e rëndë të saj. “ Pse, femër i thua kësaj”?, përqeshi Lina kur nënëhalla doli pasi i tha Admetit, “si të mbaroni, të pret babai për një gotë raki”.
Ai do ta dëgjonte Linën të shfrente për gjithçka që kishte të bënte me femrën këtu, që me sisët që i futnin nëpër trasta të bëra vet në vend të sutienave e deri te flokët që i prisnin me gërshërët e bagëtive. “Grua është ajo që nuk lyen një herë buzët me të kuq, që ha bukë misri e fryhet si kafshë, që nuk i lan dhëmbët kurrë e s’ka mundësi të bëjë dush ç’do ditë me shampo”?, do t’i bërtiste Admetit, sikur ta kishte për të gjitha fajin ai, me që qe mashkull. Dhe do të shtonte se femra kështu nuk ishte më femër, po një gjë e pështirë, si nënëhalla e saj, që nuk të vinte t’i qaseshe e jo të futeshe në një shtrat me të. Gratë këtu më tepër do të rronin me xhindet, duke u kacavjerur natën nëpër pemë për të bërë dashuri me to. Pa tjetër e kishte fjalën për Ritën, burrin e të cilës, xhaxhababai i saj, domethënë kryetari, e kishte qëlluar me thikë një javë pasi qenë martuar, duke e tharë përditë nga një e fshehtë që nuk ia thoshte kujt. Sipas Linës kjo ishte botëbinca e gjyshit të vet, por më të këqinjtë ishin ata pas gjyshit, ku hynte kryetari, xhaxhababai, që nuk bënin asgjë t’i mbushnin mëndjen atij të madhit, trutharit, t’i hapte pak sytë përreth, në vend që t’i bindeshin nga frika si pulat. “Kurse ti nuk trembesh”, do t’i thoshte ajo Admetit, “nuk ke frikë si të tjerët, prandaj më pëlqen ”.
Pas kësaj do ta puthte prapë, do t’i përsëriste diçka për ulërimën që e shpiku kot e do ta kërcënonte plot naze në kohën kur Admeti ngrihej të shkonte te Baxhua, që e kishte ftuar për një gotë raki, “megjithatë, ruhu nga im atë, se është nga ajo racë që nuk duron tjetër gjel në qymec”.
2
Mund të besonte çdo gjë nga më të pabesueshmet, por jo se do të gjente Shahon në qoshen tjetër të vatrës, përballë Baxhos. Pleqtë nuk e vunë re kur hyri, bisedonin të qetë njeri me tjetrin, diçka kujtonin nga të largëtat e jetës, ciknin gotat, ishin tepër të vëmendshëm në ato që thoshnin. Edhe kur u afrua Admeti, as që e kthyen kokën për ta parë, po vazhduan në të tyren, gjë që e bëri ta ndjejë veten të parëndësishëm e të ulet si i paftuar. Po bisedohej për Beson, sivëllanë e Baxhos, që dikur gjyqi i ngritur shpejt e shpejt e kishte plasur përmbys në mes të fshatit, mbytur në gjak, bashkë me të dymbëdhjetë qylafbardhët. “I hodhën mes pluhurit kufomat e tyre dhe u larguan duke kërcitur batare plumbash në ajër, si pas një dasme”, kujtoi Admeti frazën nga shënimet e Shahos.
Admeti e pa Baxhon tepër të prekur kur zinte në gojë emrin e Besos, sikur ato që kishte lexuar te shënimet e Shahos të mos ishin vërtetë bëmat e tij, kur çetën e kishte bërë batalion dhe emri i ishte veshur me tmerr. Baxhua tha se “Beson do ta doja më tepër nga tim vëlla edhe në se do të kisha tjetër vëlla” dhe shfryu kundër atij zagarit e kërmës së ndyrë që e dënoi dhe e pushkatoi duke përfituar nga mungesa e tij. Pra ngjarja paskësh ndodhur ndryshe e jo siç e tregonte Shahua, se “Besua ishte një njeri tejet i nderuar, për të cilin ia vlente të merrje jetë”. Baxhua tregoi pa gjë të keq se si i kishte qëruar gabimisht nja tre të tijët, që i dyshonte, por që nuk paskëshin patur faj, deri sa zbuloi fajtorin e vërtetë, “një njeri të fshehur thellë si krimbi, plot smirë e zemër të zezë”.
Pastaj në dhomë sikur plasi bomba.
-Të kam thirrur këtu të të them,- iu drejtua Shahos,- se ai krimbi nuk është tjetër, veçse krushku yt.
Pas këtyre fjalëve ishte e pamundur të përshkruhej pamja e fytyrës së Shahos, vetullat e tij që filluan të vallëzonin poshtë-lartë, rënia e gotës së rakisë nga dora dhe pafuqia e burrit për të përgënjeshtrur burrin. Padyshim që Baxhua i vuri re të gjitha këto, ishte i sigurtë për ç’do do të ndodhnin, ndaj u përgatit të pëlciste bombën e dytë.
-Të kam thirrur edhe ty,- iu drejtua Admetit, - të bësh një shkrim për Beson që këto ditë shpallet dëshmor dhe shkolla ku ti jep mësim merr emrin e tij.
Nuk ishte çështja se po shpallej dëshmor një i pushkatur para pothuaj dyzet vjetësh pikërisht nga ai që po e nderonte tani. Shahua duhej të gëzohej për këtë, sepse e kishte shok fëmijërie dhe kushëri të parë, e donte sa s’ka më, po përse të lidhej me vrasjen emri i babait të Ritës, nuk mjaftonte që u rrit bonjake, me jetë të shkatërruar? Përse u dashka që tani emri i të jatit të kujtohej me neveri sa herë të përkujtohej si e shënjtë dita e pushkatimit të Besos? Përse shkrimin u dashka ta bëjë Admeti e goditjen t’ia japë ai Ritës, Pelos dhe fëmijëve të tyre, ndërkohë që strehohet atje si në shtëpi të vet? Do të ishin këto disa nga pyetjet, që siç duket kishin majë tepër të mprehtë dhe ta shponin me forcë të madhe trurin, prandaj Shahua do të vinte duart në tëmtha e do të picëronte sytë nga një dhimbje e padurueshme.
Kuptohet që pas kësaj heshtja do të ishte tepër e gjatë, e rëndë, mbytëse dhe të vetmen gjë që do të urrente aq shumë Admeti në ato çaste, ishte e vërteta. Paska fytyra të ndryshme e vërteta, do të mendonte, s’qenka asnjëherë e vërtetë. Vështroi shkarazi Shahon, që ishte mbledhur e bërë grusht me nofulla të shtrënguara. Kishte ngrirë borë i bardhë, me siguri nuk dinte ku ndodhej, përderisa dikush donte t’i mbushte mëndjen për të kundërtën e asaj që kishte ndodhur dhe që ai e kishte parë. Patjetër kujtonte Beson e mbytur në gjak tek e kthente me fytyrë nga vetja e i shkundëte pluhurin nga flokët, nga sytë. Kujtonte mikun e tij, Nikon e pavarr, që e shpallte të vërtetën vetëm siç e dinte ai, pa i lënë të tjerët ta bënin ndryshe.
Kurse Admeti la vetëm trupin aty e u nis për larg, andej nga vinin do-të e që shumëkushi i thotë e ardhme. Shkolla rreshtohej, rreshtoheshin edhe katër kokëbardhët e Ritës, që ishin nipërit dhe mbesa e Shahos. Sapo përmendej emri i Nikos, të gjitha vështrimet ktheheshin mbi ata të katër, urrejtja vërshonte nëpër sytë dhe ata, domosdo, do ta ndjenin veten , së bashku me gjyshin e tyre Niko, sikur paskan marrë pjesë në atë pushkatim. “ Ata janë ”, do të buçonte zëri i Baxhos, “sëbashku e kryen krimin dhe duhet ta vuajnë brez pas brezi ”. Admeti shkruante e shkruante një artikull të gjatë, tepër të gjatë, që nuk mbaronte kurrë dhe boja e zezë e atij shkrimi të pafund nxinte kokat e bardha të të katër fëmijëve.
Rita ankohej se ajo dreq bojë qe tepër ngjitëse, mundohej e mundohej, por nuk i lante dot kokat e tyre, boja rrëshqiste nëpër fytyra e trupa, nxinte duart dhe rrobat. “Na shpëtoni, ju lutem, nuk mundemi më”, këlthisnin në kor të katër fëmijët, që nuk rrinin gjithnjë fëmijë, por rriteshin e rriteshin, duke u nxirë e duke u nxirë përjetësisht. Kurse Rita i përgjërohej, i binte në gjunjë, i puthte duart ta pushonte më së fundi atë shkrim të pafund, duke dënesur “përse ti, përse u dashka të na nxish pikërisht ti ”!?
Por Admeti do të kthehej përsëri aty ku kishte lënë trupin, pikërisht kur të dëgjohej përsëri zëri i Baxhos, i butë, i shtruar, i ngadaltë.
-Do ta mohosh që të kam dashur gjithë jetën?- do t’i drejtohej ai Shahos.
-Gjithnjë më ke dashur, - do t’i përgjigjej zëri i shuar i tjetrit.
-Do ta mohosh që të kam mbrojtur tërë jetën?- do të ngulmonte zëri i butë, i shtruar, i ngadaltë i Baxhos.
-Gjithnjë më ke mbrojtur,- do t’i përgjigjej tjetri.
-Sa herë të kam shpëtuar nga koqja e plumbit?- do të pyeste prap Baxhua.
-Nuk numërohen,- do të pohonte si automat tjetri.
Këtu Baxhua do të nxehej e do të ngrinte zërin.
-Po ti, more Shaho, ç’ke bërë ti për mua? Gjithnjë kundra. Mund të kishe bërë katandi e prokopi, të ishe ti kryetari, në vend të tim biri, të rreshtoheshe gjithnjë me mua e jo gjithnjë kundra meje. Unë të thosha shëndet, kurse ti plaç. Mos i ndiz më urat me mua, Shaho, se m’u lodh zverku nga pesha jote e më s’të mban dot.
Pasi bëri një hop pushim, pasi zëri iu bë prap i butë, i shtruar e i ngadaltë, drejtoi gishtin nga unë e i tha:
-Lere këtë të riun të ecë e të zhvillohet. Jeta jote është shëmbulli më i keq, kush e ndjek përfundon ja, kështu si ti, një gjë pa vlerë.
-Ashtu është,- rënkoi plaku,- jeta ime më dha vetëm frute të hidhur.
Në këtë çast Admeti nuk do të duronte më, Shahua do t’i ngjante i poshtëruar tej çdo mase, ky dialog i “marrë”, siç iu duk atij, duhej të merrte fund, prandaj trashi zërin kur tha “sonte e vrave më shumë herë se ç’mund ta kesh shpëtuar dhe kjo është tepër çnjerëzore”.
3
Më pas do të kujtonte shumë gjëra, që po t’i tregoje, nuk do të t’i besonte njeri, se ishin aq për të qarë, sa edhe për të qeshur, kështu që nuk ia vlente t’i tregoje fare, bile as t’i futje në atë qoshen e trurit, që gjithëkushi e quan kot së koti kujtesë. Tamam kot së koti, sepse ato që ngeckan aty, qenkan ca ngjarje të pangjara, ca tortura të vërteta, që shfaqen kur u do qejfi, për të na bërë të dridhemi e të përdridhemi e për të na lënë pa gjumë, duke na i fryrë sytë si tollombace. Do të kujtonte përshembull se kur ai tha “sonte e vrave më shumë herë se ç’mund ta kesh shpëtuar dhe kjo është tepër çnjerëzore”, atje te dera qe shfaqur Lina tepër e skuqur e i kishte bërtitur gjyshit të vet “profesori nuk do bëjë asnjë shkrim”. Askush nuk mund t’i bërtiste kështu Baxhos, po ja që Lina nuk hynte te askushët, se askushët nuk kanë fytyrë, rrinë gjithnjë në hije, emri u rëndon tonelata të tëra, prandaj e braktisin si ca shtazë që zvarriten lëkurën e vet. Baxhua mendonte se gjithë jetën do të ishte i rrethuar nga askushët, do t’u bërtiste e ata do të heshtnin, por atë natë do ta kuptonte që paska edhe dikushë me fytyra të vërteta.
“Lina nuk hyn te askushët” , do të kujtonte Admeti.
Ajo vajza e bukur me gjokse kërcënuese nuk dinte të ishte vetëm e bukur, por edhe ta bënte një grusht gjyshin e vet, duke i thënë ca të vërteta të tjera, që ajo i dinte ndryshe, sepse ngatërroi kot së koti kompjuterat me fletoret që mungonin, macet që i ushqenin me gjëra të zgjedhura me fëmijët që nuk kanë as qumësht për të pirë, çanta tualetesh e kremra grash që vlekan në para më shumë se Kajati me të gjitha malet e pyjet e tij. Admeti kujtoi se si po çelej fytyra e Shahos, që nuk ishte më edhe aq e bardhë, tani kur dëgjonte Linën, nga që siç dukej filloi t’i kujtohej qyteti matanë detit, F., të cilin prej kohësh kishte filluar ta harronte.
Lina i tha gjyshit t’i mbante për vete kujtimet e tij, se ca njerëz të tjerët ato i dinin ndryshe, prandaj për ata të tjerët nuk kishin asnjë vlerë dhe se nga gjeti një shprehje tepër të rrezikshe, të cilën nuk pritej ta thoshte Lina. Ajo tha pikërisht “kush ecën gjithë jetën duke mbajtur kokën pas, një ditë pengohet e rrëzohet keq. Kur është në krye të të tjerëve, rrëzon keq dhe të tjerët”, fjalë që do ta goditnin e do ta rëndonin Baxhon, vetullat që ishin një do t’i mblidheshin e do t’i bëheshin gjysëm.
Vërtet kujtime të tilla të bëkan për të qarë e për të qeshur, prandaj u dashkan harruar. U dashkan harruar edhe ato që i tha Baxhua Shahos atë natë dhe që Shahua i miratonte si automat. Të gjitha ato Baxhua i tha kot së koti, sa për të kaluar natën, se Nikua nuk paska qenë krimbi që hëngri Beson dhe se Beson e paska ngrënë dikush tjetër, që tani po i kujtohej, ndoshta nga ata të qëruarit kot së koti. Asnjë shkrim nuk do të bëhej nga Admeti, gjyshi Baxho do të puthej fort nga Lina e cila do t’i pëshpëriste “nuk je aq i keq sa ç’thonë”, do të zhdukej pas derës e do të kthehej së bashku me nënëhallën për të sjellë sipër sofrës një qëngj të tërë të pjekur, shkuar në hell.
4
Por plaku Shaho që nga ajo natë nisi të plakej çdo ditë e më tepër, të zbardhej në fytyrë e të kërrusej në trup, megjithëse Admeti qe i bindur se atë natë nuk u tha gjë që ta rëndonte, sepse ajo natë nuk kishte ndodhur.