Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 08:58am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
 » Haki Stërmilli
 » Hil Mosi
 » Hiqmet Meçaj
 » Hafiz Ali Korça
 » Hida Halimi
 » Halil Matoshi
 » Halil Haxhosaj
 » Hazir Luta
 » Hysen Kobellari
 » Hamza Halabaku
 » Halil Xani
 » Hysen Këqiku
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët H » Hiqmet Meçaj
 
Kukullat e pyllit - Kapitulli i nente
E shtune, 13-01-2007, 08:55pm (GMT)

SHËNIME TË SHAHOS

Ku tregohen ca ndodhira të hidhura të llojit biologjik, përpjekjet për mbijetesë në këtë jetë që na dhurohet vetëm një herë, ca të tjera ndodhira për të zezën që bëhet e bardhë dhe të bardhën që bëhet e zezë, për zemrën që duron si mali me dëborë e plot gjëra të tjera...


Kur më detyruan të ngulesha përfundimisht në Kajat, m’u kujtua sa të drejtë kishte Nilda dikur, me profecitë dhe ankesat e saj, se nuk dija ta përballoja jetën jashtë fushës së shkencës, prandaj duhej të përgatitesha edhe për rrethana të papërfytyrueshme, duke më sjellë si shembull profesor Xhuzepen dhe peripecitë e tij të mbanëdalëse, kur të gjithë e dinin ngritës muresh e gdhendës druri, kurse ai ishte një antropolog i majave botërore. Profesori më kishte dhuruar si kujtim kasën me veglat që përdorte kur qe në Kajat dhe unë e mora me vete pa e ditur se jeta e tij do të përsëritej te unë pikë për pikë, pikërisht pas një lufte ku qenë ngatërruar të gjithë shtetet e botës, por me ndryshimin se Xhuzepja priste që një ditë të kthehej në vendin e tij e ta nderonin, kurse unë ndodhesha në vendin tim, me një ushtar-polic te koka, që m’i numëronte hapat dhe fjalët.
Më mungonte laboratori, kafe Espresso, ku shpesh bëhesha qendra e bisedës, sepse fusha ku kisha filluar të studioja, nën drejtimin e profesorit të famshëm K. K., ishte e re dhe tepër joshëse për ta. Megjithëse tani isha burrë i martuar me një djalë të dobët, që nuk i kishte as kushtet më të domosdoshme, gjithnjë mendoja për Nildën, për fatin e saj, në kohën kur fati im për dreq po shkonte poshtë e më poshtë.
Një ditë ma hoqën ushtar-policin duke më thënë “je i lirë të shkosh ku të duash”. Kishte ndërhyrë Baxhua, i cili paska qënë nervozuar shumë kur ka marrë vesh për ushtar-policin tim. Mirëpo unë tashmë isha mësuar me atë djalosh verdhacuk, që e fliste gjuhën ndryshe nga anët tona, me ca ue- e ye- nëpër folje, kurse nënës i thoshte nona e syrit syni. Më dukej se e ruaja unë atë e jo ai mua, sepse
sëmurej shpesh, sa që detyroheshim ta merrnim në shtëpi nga kolibja ku rrinte e t’i zbritnim ethet.
Kur u ndamë e putha si vëllanë tim të vogël pa i mbajtur asnjë mëri për prapësitë që më bënte dhe i thashë “sillu mirë me njerëzit se mund të të rastisë të ndodhesh ndonjëherë kështu si unë, jetë është, nuk i dihet”. Pyesja për të gjthnjë dhe rrallë merrja lajme, kur një ditë dëgjova atë që i trëmbesha, se qe bërë ushtarak i madh, e kishin hedhur me ushtri të shumtë andej nga malet e anëve të tij, kishte bërë shumë të pabëra me burrat që i varte përkëmbësh dhe me gratë që u shqyente këmbët, deri sa një ditë dikush u bë i çikës dhe e përplasi në hendek me një vrimë plumbi pas koke. Më erdhi shumë keq, por s’kisha ç’të bëja, po ta kishin lënë të më ruante mua, ndoshta do të rronte ende e do të bëhej njeri i mirë.
Këto do të ndodhnin më vonë, në një vend larg nga Kajati, kurse unë tani e tutje do të isha i lirë, po ku të shkoja? Me veglat e profesor Xhuzepes iu futa mundit të ndërtoja një shtëpi të re duke tërhequr gurë nga mali, rrasa të hirta nga troqica e shtylla druri nga pisha e zezë që rritet vetëm buzë honeve e greminave. Më ndihmonte Xeba, kështu i flisja me dhele gruas sime, meqë qe tepër e zeshkët dhe e heshtur si një dhi e butë. E ngrita shtëpinë të madhe, me gjysëmkat, sipas modeleve të të parëve tanë, që tani ishin gërmadha në shpat të malit. “Po të më shikojë Nilda”, mendoja nganjëherë, “s’do të ankohet më duke thënë se nuk di ta përballoj jetën jashtë fushës së shkencës”, kur fushën e shkencës e kisha braktisur prej kohe i detyruar dhe duart e mia skalitnin për mrekulli gurë e drurë. Pelua rritej me mundim të madh, aq shëndetlig, sa nuk mendoja se do bëhej, prandaj menduam me Xebën të rrinim me një fëmijë.
I hyra një shkence varfanjake të tipit të kapërcyer prej kohësh, por që kajatasit e shikonin me habi, aq sa u dukesha magjistar. Në fillim grumbullova të gjitha ujërat e currilave, që ishte një burim i ftohtë dëbore me shumë rrjedhje, ndërtova një depo që të më sillte ujë të mjaftueshëm për pirje e ujitje, zbulova një tubacion prej balte të pjekur në gërmadhat e fshatit të vjetër në shpat të malit, e shkula dhe e solla burimin deri në oborr të shtëpisë, duke bërë atje një çesëm të bukur me dy lëfyte, prej nga rridhte uji pa ndërprerje, në kohën që gratë e tjera të fshatit ngarkoheshin me bucela e shkonin përditë disa herë te lumi. Krijova një kopsht të mrekullueshëm duke shartuar mollë të egra, gorrica, fiq e rrush, ndërkohë që iu futa punës për rritjen e kërpudhave, manatokave e luleshtrydheve, që gjenden me shumicë në anët tona, duke i zbutur e duke shtuar prodhimin përvit. Siguroja grurë dhe misër aq sa u shndërrova krejtësisht në një fshatar shëmbullor, kurse natën vonë, i lodhur e i rrëgjuar, në vetminë time qaja fshehurazi për të kaluarën, kur kujtoja ç’mund të bëja në të njëjtën kohë atje në qyetin e largët F., ndoshta do të kisha marrë titullin profesor e pse jo edhe ndonjë çmim të nderuar ndërkombëtar, apo mund të isha pranuar anëtar akademish të shquara. Po asnjë nga këto s’qe e thënë të ngjante. Unë gjithnjë poshtë e më poshtë, Baxhua gjithnjë lart e më lart, fara e egër nuk zbutej që nuk zbutej, e buta po bëhej përditë e më e egër.



Vitet kalonin shpejt, ndodhnin shumë ngjarje, po nuk merrja vesh asgjë, sepse nuk zbrisja fare në qytet. Tepricat që shisja i grumbullonin në një dyqan të vogël të fshatit dhe në krahasim me të tjerë kisha filluar të heq pak lekë mënjanë. Pikërisht atëherë m’u shkrep të dukesha një herë andej nga kryeqyteti, kisha dëgjuar për një institut bujqësor e për një farë dege biologjike që paskej qenë ngritur. Doja të pyesja për ndonjë libër a revistë, të merrja vesh ç’bëhej nëpër botë. Po s’kisha rroba as për qytet e as për kryeqytet, teshat e vjetra s’më bënin më, por i mbaja kot si kujtime të shkuara. U vesha me shajak e opinga, ashtu siç rrija përditë në fshatin tim të ftohtë malor, vetëm qylaf nuk vura. Kërkova takim me dekanin e institutit, një i ri rreth të tridhjetave, i cili më priti me respekt dhe më pyeti për cilin student interesohesha. Ngurova pak në fillim, më erdhi zor t’i thosha përse e kërkova takimin, mirëpo desha s’desha hyra menjëherë në thelb të bisedës. I thashë se nuk më intersonte e gjithë biologjia, por vetëm një degë e saj, gjenetika, i kërkova mos kishte materiale të reja për këtë fushë ose ndoshta kishte dijeni për studime të profesorit K.K. Djaloshi i ri, që ishte dekan e që nuk e priste nga një fshatar me shajak e opinga t’i fliste për të tilla gjëra të rëndësishme shkencore, më dha lajmin tronditës se profesori K.K. bashkë me asistentin e tij ( që mund të kisha qenë unë, po të mos ndodhnin ato që ndodhën ), qenë nderuar me çmimin Nobel, sepse kishin filluar të depërtonin në të fshehta e kodit gjenetik, duke hapur rrugë të reja, “të cilat janë të rrezikshme”, theksoi ai, “ngaqë njeriu nuk është vetëm qënie biologjike, por edhe shoqërore”. Nuk hyra fare në debate e diskutime, e falënderova dhe i kërkova të më ndihmonte me pak literaturë të re, duke i përmendur nja gjashtë gjuhë në të cilat lexoja. Ai nuk mundi ta fshihte dot habinë kur dëgjonte fjalët e mia, domethënë të një fshatari me shajak e opinga, kërkonte të dinte kush isha, diçka bisedoi me dikë në telefon dhe u përpoq të më mbante sa më gjatë, siç dukej deri sa t’i vinin informatat për mua. Por nuk ndenja, e falënderova edhe një herë duke marrë me vete disa libra të varfër me punime të shkruara para gjysëm shekulli, siç i lexova më vonë dhe më erdhi keq për gjithë atë institut që
ishte i detyruar t’u mbushte mëndjen studentëve me ca dokrra të cilat tashmë bota shkencore i kishte kaluar para shumë dhjetvjeçarësh nëpër arkiva. Mora një gazetë dhe, sa e hapa, pashë në të emrin e Nikos, atij djalit fusharak që ma pat njohur Nilda dikur në qytetin F. dhe firma që më kërkoi të vija në peticion ndërroi krejtësisht rrjedhën e jetës sime. Qe bërë prokuror i kryeqytetit, ndaj pyeta për ndërtesën, i kërkova takim nëpunësit rojë dhe ai më priti menjëherë. Nuk më njohu nga rrobat e opingat, por kur i thashë kush isha, iu hodhëm njeri-tjetrit në qafë, kujtuam vitet e rinisë, Nildën, për të cilën nuk dinim ç’bëhej, folëm për të tashmen. Më ftoi në shtëpi dhe atje pashë për herë të parë gruan e fëmijët e tij, djalin e madh, rreth pesëmbëdhjetë vjeçar, i një vërse me Pelon, Ritën, tre vjeçe më e vogël, flokëverdhë e me sy të mrekullueshëm ngjyrë ulliri dhe djalin më të vogël. Qe një familje vërtet e lumtur, që jetonte mirë në një shtëpi të gjerë, por që më vonë, pas jo më shumë se dy muajsh, do të shkatërrohej përfundimisht.
Kuptohet, atëherë nuk dija çdo të ndodhte, të gjitha këto do t’i takonin të ardhmes, por Nikua diç parandiente. Më tha shkarazi për ca miq të tij që i kishin arrestuar pa shkak, i kishin quajtur “grup armiqësor”. Prokuror të çështjes kishin vendosur të qe ai. Më tha se mendonte t’i nxirrte të pafajshëm, ashtu siç besonte të ishin në të vërtetë dhe do të akuzonte paditësit, pa patur dijeni që paditësit vepronin me urdhër të të madhit. Ajo që do të thoshte pas dy muajsh Nikua në gjyq, si prokuror i çështjes se “duhet të dënohen ata që shpifin”, merrte kuptimin se “duhet të dënohet i madhi që shpif”. Nikua atëherë nuk e dinte që me qëndrimin e tij do të humbiste jetën, familja do t’i shkatërrohej dhe pas disa vitesh, vajza e vetme, Rita, do të vinte në Kajat nuse e djalit tim, por këto do t’i takonin të ardhmes, kurse atë natë hëngrëm e pimë, uruam njeri-tjetrin të piqeshim sa më shpesh, gjë që nuk ndodhi më kurrë. Nuk di, në se dikush do t’i parathoshte me saktësi të ardhmen, a do të kishte kurajon të vepronte ashtu siç veproi?



Një tjetër të papritur do ta gjeja të ngritur në fshat kur të kthehesha. Kishte ardhur Baxhua me shpurë të madhe, kishte mbledhur te Qafa e Ilqeve, që është qëndra e Kajatit, të gjithë banorët, kishin vënë dikë me një bllok të madh përpara i cili shënonte emrat e atyre që pranonin dhe të atyre që nuk pranonin. Bëhej fjalë për bashkim të mallit dhe të punës. Baxhua kërkoi që unë të bëhesha kryetari, duke thënë se “duke punuar bashkarisht zhdukeshin gjithë të këqiat e varfërisë dhe fillonin më në fund edhe për ne ditët e bardha”. Kuptohet, unë nuk pranova, as për anëtar e as për kryetar, më ranë si breshër përsipër kërcënimet, por që Baxhua i zbuti duke thënë se “edhe Shahua do të vijë të bashkohet kur të shohë sa mbarë do shkojë puna juaj e bashkuar”. Për fat të keq punët nuk shkuan asnjë herë mbarë, unë mbeta gjithnjë veç, por kësaj here i mënjanuar krejtësisht. Prodhimet e bollshme që merrja nga bujqësia dhe nga blegtoria e paktë, prej koshereve me bletë e nga frutat, në kohën kur nga puna e bashkuar nuk sigurohej buka as për tre-katër muaj, ma nxinë edhe më jetën. Ata filluan të thonë se “këto gjëra i nxit djalli”, duke nënkuptuar me djallin vëndin ku kisha studjuar dhe vetë mua, që me punën time “bëja luftë të egër kundër bashkimit të fshatarëve të mi”. Më vunë tatime të rënda, nuk më thërritnin në asnjë mbledhje, më hoqën të drejtën të votoj, më mbyllën derën e s’më trokitnin më as për të mirë e as për të keq.
Shkurt, më kishin fshirë për së dyti nga lista e të gjallëve.



Nikon e kishin pushkatuar prej vitesh. E shoqja me të tre fëmijët rronin në mjerim të pashpjegueshëm diku në një fshat fusharak, ku të mbyste mishkonja. E ndihmoja fshehurazi disa herë në vit duke i çuar ndonjë lek, miell e mallra të tjera për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen. Po për atë familje s’kishin mbarim të këqiat. Ende kërthi, tetëmbëdhjetëvjeçar, i rrëmbejnë djalin e madh, e fusin në burg dhe e dënojnë se “paska menduar t’ia mbathë jashtë te armiqtë e vëndit”. Më pas u thanë të mos shkonin më për vizita atje, se “djali deshi të arratisej nga telat, kështu që hëngri atë që meritonte, domethënë plumbin”. Ia thanë tmerrin me lehtësinë më të madhe, si të bëhej fjalë për një gjë të zakonshme. “Ki kujdes tjetrin” e paralajmëruan të jëmën, që s’dinte me kë e ku t’i qante burrin e të birin, të dy të shuar të pavarr.



Nuk di pse i shënova të gjitha këto. Janë tepër të hidhura për një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçe, se aq qe Rita atëherë kur i shkova gruas së mikut tim dhe i thashë: “do të ta marr Ritën për tim bir”. Dhe e morëm menjëherë, bashkë me Pelon, sapo djali mbaroi ushtrinë. Bukuria e saj e tërboi Kajatin, sidomos djalin e Baxhos, i cili vinte për pushime çdo verë në shtëpinë e bukur që kishte ngritur shteti për të jatin. S’kishin as një javë martuar, kur i thotë një ditë Pelos në sy të të gjithëve “ ma jep ndonjë natë kukullën tënde të loz edhe unë me të”. Pelua, duke e njohur sa i prapë ishte ai djalë, i gëlltiti fjalët dhe i ktheu krahët, por ai i preu udhën, e kapi nga fyti e i tha “po s’ma dhe vetë do të ta rrëmbej me të pahir”. Pelua e shtyti me forcë dhe bëri të ikte. Pikërisht atëherë ndodhi e keqja. Djali i Baxhos nxorri një biçak që e mbante gjithnjë me vete dhe e goditi poshtë barkut.
Nuk rrëfehen dot të gjitha ç’hoqëm, deri sa e çuam në qytet në spital, ku e shpëtuan nga vdekja, por...
Mos e provoftë baba atë që provova më pas, si doli nga spitali.. Më vjen Rita e më thotë një natë: “Pelua nuk është mirë, thotë se do vrasë veten”. Shkova menjëherë ta qetësoj djalin, atë të vetëm kisha si dritën e syrit.
Një mbrëmje rrija i mërzitur në korridor. Ata të dy qenë brenda. Rita e nxiste tim bir të shtriheshin “se në fund të fundit jemi burrë e grua”, i tha. I dëgjova shkoqur fjalët e saj, siç dëgjova edhe të qarët e tim biri sikur të ishte fëmijë, kur bërtiti “mund të jesh burrë me këtë”? U trondita, u bëra gati të hyja.. M’u rrëmbyen sytë nga lotët. Dëgjova Ritën që i tha për ta qetësuar “edhe kaq mjafton”, pa ditur përse e kishte fjalën dhe ç’ishte “kjo kaq që mjaftoka”.
Dhe që atëherë, kur djali i Baxhos do të vijë në fshat si kryetar, kur të na sjellin dritat, me urdhër të kryetarit, megjithëse jemi larg nga qëndra e fshatit, Rita herë pas herë, në mbrëmje, do të hedhë në kokë një çarçaf të bardhë, do të shkojë në pyll e do të flejë e varur në majë të pemës. Kurse Pelua do të dobësohet e do të hollohet nga një e fshehtë e madhe që mban përbrënda që e gërryen e që nuk ia thotë askujt.
Këto do të ndodhin më vonë, kur edhe Baxhua të kthehet të banojë për gjithnjë në fshat, duke e detyruar të gjithë krahinën t’i bindet atij në çdo gjë.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Kukullat e pyllit - Kampitulli i dhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i njembedhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i dymbedhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i trembedhjete (13-01-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]