SHËNIME TË SHAHOS
ku tregohet se si kulunbria, që është një kumbull e egër, iu lut kumbullës t’i këmbenin gjethet, mirëpo më vonë si i këmbyen gjethet, pema e egër, domethënë kulumbria, ia punoi kumbullës, sepse meqë nuk u shkonin kokrrat me gjethet e reja, ajo domethënë pema e egër, nuk pranoi t’i këmbenin edhe kokrrat, si dhe ca gjëra të tjera, që është mirë t’i dinë të gjithë...
Isha bërë një goxha djalë, siç më thoshin të gjithë, njëzetekatërvjeçar, veshur me kostum gri dhe gravatë alla garçon kur mbrojta titullin Doktor i Shkencave në fushën e Gjenetikës, duke fituar njëkohësisht të drejtën e punës në laboratorin e famshëm të qytetit F. Por më e rëndësishmja për mua qe se u zgjodha midis shumë pretendentëve të isha asistent i profesorit K. K., dy herë kandidat për çmimin Nobël në kërkimet mbi gjenetikën dhe çuditë e saj transmetuese, një shkencë e re , që hapte perspektiva të pamata shkencore edhe për mua.
Tashmë nuk banoja më te profesor Xhuzepja, të cilin e vizitoja jo aq shpesh për shkak të kohës që më mungonte. Kisha marrë me qera një apartament të këndshëm në periferi të qytetit, në katin përdhes të të cilit ishte vendosur laboratori im i vogël, dhuratë e një instituti ndërkombëtar, ku kaloja pjesë të rëndësishme të kohës së lirë. Mbrëmjeve zhytesha në shoqërinë e kolegëve të mi, në kafenenë Espresso, ku mblidhej ajka e inteligjencies së qytetit dhe ku u miqësova me shkrimtarë, artistë të skenës e të muzikës, piktorë e lloj lloj figura të shquara. Kudo mirëpritesha me entusiazëm, shpesh bëhesha qëndra e bisedës, sepse fusha ku kisha filluar të studioja, ndën drejtimin e profesorit të famshëm K. K. ishte tepër joshëse për ta.
Ndërkohë kishte filluar të më interesonte letërsia, sidomos poezia moderne, pyesja për modernizmin dhe si shfaqej ai, ndikimin në të të kohës dhe hapsirës, si i përballon gjuha me shënjat dhe simbolet e veta ndryshimet e reja konceptuale që shfaqen nga njera rrymë te tjetra dhe a është frymëzimi i poetit një komunikim i fshehtë me perëndinë e zgjedhur prej tij, apo një punë e zakonshme intelektuale si gjithë të tjerat? Jo më kot shqetësohesha të kuptoja sa më tepër nga poezia, mund të them se veç ndonjë ambicjeje për t’u plotësuar si një i ri i kohës me të gjitha idetë që lëvrinin në botën e artit, shtysa më e madhe ishte Nilda, gazetarja dhe poetja që kishte filluar të bënte emër të bujshëm dhe me të cilën kishim tetë vjet që duheshim e tani bashkëjetonim në shtëpinë time të re.
Nilda ishte dy vite më e madhe se unë, me temperament të çuditshëm, e gëzuar në furinë e saj, shkatërruese në zemërimin e saj, e admiroja dhe më adhuronte, grindjet na zgjasnin vetëm disa minuta dhe ankesa kryesore e saj për mua ishte se nuk dija ta përballoja jetën jashtë fushës së shkencës, prandaj duhej të përgatitesha edhe për rrethana të papërfytyrueshme, duke më sjellë si shembull profesor Xhuzepen dhe peripecitë e tij të suksesshme në Kajat, ku të gjithë e dinin ngritës muresh e gdhendës druri, kurse ai ishte një antropolog i niveleve botërore. Unë mërzitesha nga të gjitha këto dhe i thosha se ndoshta nuk përsëriten gjithnjë të njëjtat gjëra, ndoshta s’do të ketë më luftra, kurse ajo vinte buzën në gas pak si hidhur e më përsëriste për të sajtën herë se “fashizmi nuk lindi që t’u bëjë paradë këmishave të zeza për qejf”.
Kishte të drejtë. Unë dija tepër për indet e qelizat, tani po mundohesha të depërtoja nëpër të panjohurat e enzimave, të merrja vesh lidhjet dhe varësitë, komandat që marrin e japin. Këto ndodhnin në mikrobotë, diçka kuptoja prej tyre, kurse ç’ndodhte në makrobotë, ç’urdhëra e komanda jepeshin, ç’përgatitej të ndodhnin e përse përgatiteshin, qenë tepër larg interesit tim, thjesht isha dikush që kisha humbur lidhjet me njerëzit dhe merresha vetëm me bimët e me kafshët. Kisha harruar nga vija e kush kisha qënë, nuk më merrte malli për asnjë nga të mijtë, ajo botë që lashë pas, kur isha fëmijë, para dymbëdhjetë vjetësh, më dukej e huaj dhe e mjegullt.
Nilda sillej ftohtë me familjen e saj, pothuaj nuk i vizitonte, por edhe kur ndodhej ndonjëherë rastësisht në prani të tyre, nuk e fshihte përbuzjen “që rridhte prej gjakut të tyre”, që “paskësh qenë tepër i hidhur për fatkeqësinë e saj e të vendit të saj”. Vëllai i madh qe bërë kryetar i fashios së qytetit F. dhe komandonte bandat që shkatërronin e likujdonin pasurinë dhe vetë kundërshtarët duke i pushkatuar rrugëve e duke mbushur me të tjerë burgjet. Babai e mbështeste dhe qe plotësisht në një mëndje me të birin se kjo i kishte dhënë mundësinë të shtonte fitimet, duke e kthyer të gjithë veprimtarinë e tij tregtare në industri lufte. Nilda, si gazetare me ide liberale që ishte, qe e detyruar të shkruante kundër tyre dhe u kishte shpëtuar ndjekjeve, pikërisht si motër e kryetarit të fashios, i cili ia nënvlerësonte pikpamjet që shprehte nëpër gazetat ku bashkëpunonte, sepse, siç thoshte i jati, “një ditë, kur bota të bëhet e gjitha jona edhe ajo do të kthehet me ne”.
Por Nilda nuk e dinte që pikërisht ai, kapua i fashove që ishte vëllai i saj, do t’u shkatërronte një ditë atë lidhje aq lumturore që ishte ndërtuar për tetë vjet rresht, por kjo do të ndodhte më vonë, kur vendi i saj do të pushtonte vendin tim për herë të dytë brenda më pak se njëzet vjetësh, ngjarje që Nildën e tronditi pa masë dhe erdhi me një frymë tek unë duke qarë e duke sharë “udhëheqësin kokërruar të banditëve me këmisha të zeza”, babanë dhe vëllanë e vet, pastaj kërkoi të bënim seks dhe pikërisht në atë kohë kur mbaruam, thashë si budallai më i madh që mund të ketë patur ndonjëherë mbi dhe: “ndoshta nuk është pushtim”. “Edhe ajo që sapo bëmë ne, ndoshta nuk është q...”, tha me inat Nilda dhe më qëlloi me pëllëmbë, pastaj më kërkoi të falur, shau përsëri vëllanë, udhëheqësin kokërruar, mua, qau me ngashërimë, më puthi me afsh e tha “si do që të ndodhë ne nuk do të ndahemi kurrë ...” , sikur të parandiente diçka tragjike dhe doli.
Nilda filloi të merrej me rezistencën kundër babait dhe vëllait të vet që ishin marrosur pas ideve të atij udhëheqësi kokërruar dhe një tjetri të një shteti tjetër, “njeri epileptik që s’dinte të priste as mustaqet e veta”, të cilët i kishin shpallur luftë qytetërimit dhe ideve të saj liberale.
Një ditë më solli në shtëpi një djalë të të njëjtës vërsë me mua, i cili, siç mora vesh më pas, ishte nga vendi im, nga një fshat fushor dhe studjonte në shkencat juridike, por që shkruante edhe ai nëpër gazetat shkrime që u shkonin për shtat ideve të Nildës.
Ky njeri më vonë do të takohej me mua në vendin tim pas shumë vitesh, në rrethana të tjera, kur do të ishte bërë njeri i rëndësishëm dhe vajzën e tij do ta merrja nuse për tim bir, pasi ta pushkatonin e familjen t’ia mënjanonin. Por këto do të ndodhnin më vonë, në një të ardhme të largët, që po përgatitej këtu nga vëllai i Nildës, i cili kishte filluar ta rruante kokën për t’i ngjarë udhëheqësit të tij, kur ne nuk dinim ç’do të ndodhte, do të rrinim apo do të largoheshim.
Nikua, juristi dhe gazetari nga vendi im më pëlqeu, folëm pak në gjuhën tonë, kujtuam nga kishim ardhur dhe më tha se “kishte vendosur të shkonte atje, por kur, nuk e dinte, ndoshta kur ata do të kishin nevojë për të”. Ai qeshi disa herë me naivitetin politik që shprehja sa herë duhej të thoshja ndonjë mendim, por më në fund më kërkoi leje të vinin edhe emrin tim në një peticion që do t’i dërgonin qeverisë këmishëzezë si protestë për pushtimin, duke më paralajmëruar se “kjo punë mund të jetë edhe me rrezik”.
Unë pashë nga Nilda dhe, meqë ajo më buzëqeshi, i thashë “nuk kam ndonjë kundërshtim dhe nuk shoh ndonjë rrezik, sepse çdo njeri ka të drejtë të protestojë në se dikush i bën keq vendit të tij ku ka lindur”, fjalë këto që u pritën me duartrokitje nga të dy dhe me një puthje të gjatë nga Nilda.
Falë atij peticioni jeta ime u këmbye kryekëput, sepse më sollën të shoqëruar me avion ushtarak në kryeqytetin e pushtuar T., më emëruan këshilltar të kryeministrit për probleme ushqimore dhe shëndetsore, për Nildën nuk mora vesh gjë, por disa miq më thanë se kishte ikur fshehurazi në shtetin fqinj Z. dhe që andej shkruante nëpër gazeta të ndryshme të botës për mortajën e zezë të vendit të vet, kurse Nikun e kishin mënjanuar në një ishull ku çonin njerëz tepër të rrezikshëm. Pyesja veten përse zgjodhën pikërisht mua të më emëronin në një post aq të lartë të një qeverie ndën pushtim? Përse nuk më lanë atje me studimet e mia, të bëja atë që mund të bëja pranë profesorit të famshëm K. K., por me forcën e armëve më detyruan të ulem në një karrike e të mos di ç’këshilla t’i jap kryeministrit, që nga ana e vet edhe ai nuk dinte të qe kryeministër?
Ishte viti i tretë i pushtimit dhe grupe të ndryshme të armatosura vepronin nëpër krahinat periferike. Qenë krijuar dhe dy organizata kundërshtare, siç dëgjoja të flitej nëpër raportet e qeverisë, njëra e bardhë e tjetra e kuqe, kurse unë u shërbeja të zinjve. “Na mbytën ngjyrat”, thosha ndonjëherë me vete dhe qeshja hidhur kur rrija shtrirë në apartamentin që më kishin dhënë në qendër të kryeqytetit, që nuk i ngjante as fshatit më të humbur të vendit prej nga vija.
Një ditë më afrohet në rrugë një djalë i vogël dhe më fut nxitimthi në xhep një pusullë, të cilën e lexova pa vëmendjen e duhur, por në fund u trondita kur pashë se ma dërgonte Baxhua.
Më ftonte të takoheshim. Të them të drejtën më kishte marrë malli dhe, edhe unë doja ta takoja, por atje në pusullë nuk thuhej kur dhe ku. Ai djalë vogël m’u afrua përsëri një ditë tjetër , por kësaj radhe nuk më futi në xhep ndonjë gjë, veç më ftoi ta ndiqja. Rreth dy orë hyra e dola nëpër rrugica, pa marrë vesh ku gjendesha, derisa më në fund u futëm në një si dyqan, kaluam në një portë të dytë dhe përpara më doli një fshatar me mjekër e me trup të bukur, që na qenkej Baxhua, dora vetë. U përqafuam e u puthëm, pastaj më nxorri nëpër një derë të tretë, hymë në një tjetër avlli, ku na prisnin disa shokë të tij në një odë të errët, ndriçuar pak nga drita e diellit që hynte nëpër të çarat e dritares së ngushtë me kanata të mbyllura.
Mora vesh se kisha ardhur te të kuqtë, me të cilët qe bashkuar Baxhua, banditi i dikurshëm dhe ishte bërë një nga kryesorët e atyre që dëgjoja nëpër raportimet e qeverisë se goditnin forcat ushtarake, bënin atentate, rrëmbenin e digjnin. Dikush tjetër që dukej se qe më kryesor nga Baxhua, që fliste me një ton të rëndë dhe fjalët i kishte urdhëra, më tha se duhej të tregoja datën e dërgimit dhe vendmbërritjen e ushqimeve. Në se nuk pranoja, unë isha vetëm një tradhtar dhe dikush do të më trajtonte pikërisht si tradhtar, gjë që nuk e kuptova dot me një herë, por që e plotësoi një tjetër “mjafton një **** plumbi në ballë”, kurse Baxhua ndërhyri duke thënë “ky është vëllai im dhe nuk e prura këtu t’i tregoni koqen e plumbit”. Baxhua qe nxehur dhe preku revolverin. Gjakrat i shoi ai që qe më kryesori.
Unë nuk kisha folur ende. Thashë se tërë kohën jam marrë me libra dhe shkencë, për këto gjëra nuk ia shkrep fare, “ndaj ç’keni për ta bërë, bëjeni që tani”. Baxhua më nxorri që andej pa asnjë koment tjetër, por kur dolëm përsëri në avllinë ku më priti, më tha të mendohesha mirë, “se tani veprojnë ligje të nxehta dhe unë nuk të mbroj dot”.
-Do iki që andej, - i thashë.
-Ku do të shkosh? – më pyeti.
-Në Kajat, - i thashë.
U përqafuam e u puthëm. Nuk tha as “po”, as “jo”.
Pas ca ditësh u vodha nga kryeqyteti e kryeministria dhe mbërrita në vendin tim të lindjes e të fëmijërisë. Të kuqve u dhashë vetëm një dërgatë ushqimesh dhe ata e rrëmbyen.
Kështu fara e butë, domethënë unë, u kthye përsëri në vendin origjinë të egër dhe patjetër që do të egërsohej edhe ajo pak nga pak duke iu afruar gurit dhe pyllit, prej nga ishte nisur para se të largohej për t’u bërë e butë.
Ne rendnim nga fshati në mal dhe nga mali në fshat se vinte ushtria pushtuese, vinin ata që kishin një shënjë të kuqe në ballë, por edhe ata me zog të zi mbi qylafin e bardhë. Të gjithë shkretonin, digjnin, rrëmbenin, vrisnin. Ata me shënjë të kuqe linin pas pushtetin e tyre, por edhe ata me zogun e zi linin pushtetin e tyre, të dyja palët kërcënonin dhe i quanin armiq ata që nuk bashkoheshin me ta, thonin se luftonin për lirinë, por mua më dukej se liria ikte gjithnjë e më larg, nuk afrohej asnjëherë. Të dyja palët më linin mua në krye të pushtetit të tyre dhe më kërcënonin se “do më jepnin koqen e plumbit ballit, në se bashkëpunoja me armikun”. Mirëpo për çudi nuk e meritova asnjë herë “koqen e plumbit”.
Kur udhëheqësin kokërruar me këmishë të zezë e varën kokëposhtë atje në vendin e tij, ku unë kisha filluar të bëhesha shkencëtar, u shfaqën të egrit, ushtarë e atij “udhëheqësi epileptik, që s’dinte të priste as mustaqet tij”, siç thoshte dikur për të Nilda, që shfarosnin ushtarët e kokërruarit, tashmë të lëshuar pa komandë dhe bënin terror mbi popullsinë që filloi të fshihej pyjeve e maleve. Në këtë kohë dëgjova prap të flitej për Baxhon, i cili bandën e kishte shtuar shumë sa qe bërë batalion, digjte, vriste e shkretonte dhe kishte ardhur të bënte luftë ndër anët tona. Por emri i Baxhos u rrit shumë kur i mbërtheu ato ushtritë e egra për tre ditë e tre net, vrau shumë syresh dhe i detyroi të futeshin me panik në qytetin bregdetar V.
Batalioni i Baxhos nuk bënte luftë vetëm kundër të huajve, çfaroste dhe ata me shpend të zi në qylafët e bardhë, u digjte shtëpitë me gjithë njerëz e ç’kishin brenda, kurse mallin e bagëtinë e rrëmbente se “i takonin popullit”.
Isha në mal kur erdhi me gjithë batalionin e tij në Kajat duke sjellë me vete dymbëdhjetë nga ata me qylaf të bardhë e shpend të zi, të dymbëdhjetë të lidhur e të rrahur. Ngriti fët e fët një gjyq që ai e quajti ushtarak dhe i dënoi të dymbëdhjetë me vdekje, mu në qendër të fshatit, pasi kishte grumbulluar banorët që u ndodhën aty. I gjithë Kajati i njihte ata që u dënuan, kishin miqësira e krushqira me ta, se qenë të krahinës së tyre, mirëpo me Baxhon dhe gjyqet e tij nuk bëhej shaka.
U habita kur mora vesh për Beson që na qënkej ndodhur në Kajat, m’u në atë çast, se e dija që ishte për studime teologjike në atë shtetin e Largët E., kurse ai qenkej kthyer për fatin e tij të zi, qenka ngritur , e paska quajtur Baxhon kriminel dhe batalionin “banda e tij”, duke e ftuar “të bëhej një herë në jetën e tij njeri” dhe “ta lante e pastronte zemrën me dritën e mirësisë, që për fat të keq në kohëra të tilla është e paktë”.
“Luftërat venë e vinë”, kishte thënë Besua, që studionte për teologji, “ne duhet të mbetemi siç ishim, ta shpëtojmë veten nga urrejtja duke urryer vetëm egërsinë”. Baxhua nuk e kishte lënë të mbaronte, kishte dhënë urdhër ta lidhnin dhe gjyqi, që ende nuk qe shpërndarë, e dënoi edhe Beson me pushkatim, “si tradhtar dhe armik të popullit”.
I hodhën mes pluhurit kufomat e tyre, mu në mes të fshatit dhe u larguan duke kërcitur batare plumbash në ajër, si pas një dasme.
Nuk mund ta përshkruaj dot sa qava kur e pashë të nesërmen Beson e gjorë përmbys, të mbytur në gjak. E ktheva, i përkëdhela flokët, fola me të për mallin e madh që më kishte marrë, i thashë se e doja shumë. Ai, me sytë e hapur si të habitur dukej se më pyeste, “po Baxhua ç’pati me mua, ne jemi rritur bashkë në shtëpinë time, as në gjumë nuk jemi ndarë”. Këto i dinte i gjithë Kajati, ndaj pëshpëriste se “erdhi koha kur vëllai duhet të ruhet nga vëllai”, që ta bëka gropën pas kurrizit, kur ngjyeka ballin me bojë të kuqe e i quan të tjerët të gjithë armiq.
Që nga ajo ditë emri i Baxhos filloi të ngjallë frikë e tmerr.
Lufta që zunë shtetet e botës kishte mbaruar prej kohësh kur më thirrën në kryeqytet e më shoqëruan me dy ushtarë për një mbledhje me tepër rëndësi. Më futën në një sallë të madhe, ku kishte edhe të tjerë si unë dhe na foli një djalosh ushtarak me zë plot mirësi, të ngrohtë e të butë, thua kot e kishte veshur atë uniformë që dukej se nuk i rrinte mirë në trup. Ai foli e foli për një shtet të ri që do të ndërtonin, të barabartë e të lirë, ku arsimi e sidomos shkenca do të zinin një vend tepër të rëndësishëm. Midis të shquarve që ndodheshin në sallë përmendi edhe emrin tim me nderim të veçantë, duke na ftuar ta ngrinim atë shkencën e re, sepse kështu forcoheshin liria e demokracia, përparimi e mirëqënia.
Mora zemër nga mirësia dhe zëri i butë i atij njeriu, prandaj u ngrita plot siguri në vetvete dhe kërkova të shkoja në shtetin ku kisha mësuar, të vazhdoja studimet nën drejtimin e profesorit K. K. të propozuar dy herë për çmim Nobel..., por ai ushtaraku i ri dinte ta kishte zërin edhe të ashpër dhe sytë t’i egërsonte, duke më thënë se do të më sqaronin më vonë në një zyrë tjetër.
Pasi të tjerët që ndodheshin në sallë u treguan entusiastë dhe pranuan postet drejtuese “për të ngritur shkencën e re”, mua më çuan në një zyrë ku pa një pa dy më cilësuan “këlysh i borgjezisë”, nuk më futën burgjeve se “dikur kisha ndihmuar”, duke më përmendur rastin e dërgatës së furnizimeve dhe paskam marrë pjesë në një peticion kundër pushtuesit, por sidomos se isha i afërt i Baxhos. Më thanë të kthehesha në Kajat, prej nga nuk duhej të lëvizja dhe të paraqitesha përditë te një ushtar-polic që do të vendosej në fshat vetëm për mua.
Përjashta më priste Baxhua, veshur me një uniformë ushtarake me grada të florinjta, me një palë mustaqe të holla, i bukur e shtatlidhur, me vetullat e trasha të bashkuara. Tani nuk drejtonte më një grup banditësh, as një batalion, por disa brigata, me të cilat ndiqte qylafbardhët që kishin patur zhgabë në kokë, të gjallët i dënonte gjyqi me pushkatim, të vdekurit e vrarë i tërhiqte zvarrë nëpër qytete, ku bëheshin tmerri i botës, kurse të afërmit i burgoste ose i mënjanonte. Baxhua më dha dorën ftohtë, nuk tregoi aspak mall, më tha “unë të tregova rrugën e qytetërimit, ti zgjodhe atë të pyllit”, pastaj më ftoi të bëhesha i kuq, “që dikur edhe unë të them: kisha të drejtë që të mbroja dhe të krenohem me ty”.
Mora rrugën e malit dhe të pyllit. Kështu fara e butë, domethënë unë, u kthye përsëri në vendin origjinë të egër dhe patjetër që do të egërsohej edhe ajo pak nga pak duke iu afruar gurit dhe pyllit, prej nga ishte nisur para se të largohej për t’u bërë e butë, por kësaj radhe përfundimisht dhe me një ushtar-polic te koka.
Më quajtën “këlysh”, gjë që nuk më zemëroi, por m’u ngulit në mendje se më shumë i ngjaja fazës së parë të fluturës, me të vetmin ndryshim, sepse ai insekt i bukur që pëlqen dritën, para se të fitojë krahët e mrekullueshëm e të fluturojë, është një krimb i vogël, i shëmtuar, i kufizuar në lëvizje, i varur kokëposhtë brenda një fshikëze. Kurse unë në fillim fitova krahët e fluturës e nisa të fluturoja rreth dritës, deri sa arritën këto ditë të më tkurrin brenda një fshikëze e të më detyrojnë të shndërrohem pak nga pak në krimb, që e sheh botën kokëposhtë.
U detyrova të martohem me një njeri të mirë, që nuk i ngjante fare Nildës, për të cilën nuk dija gjë, por siç do të merrja vesh më vonë, më kërkonte me ngulm dhe merrte të njëjtën përgjigje nga qeveria jonë se “nuk ekziston një person i tillë brenda kufijve shtetërorë ku ne ushtrojmë pushtetin”.
Më kishin fshirë nga lista e të gjallëve.