1
Admeti nuk e dinte se kishte një aleat të fshehtë, që do t’i ndryshonte gjërat në të mirë të tij. Ai po vuante periudhën më të rëndë që kur e kishin emëruar në atë fshat, ku i kishin ndodhur gjëra aq të papritura, sa që po t’ia tregonin se i kishin ndodhur një tjetri, nuk do t’i besonte, kur i thanë se Baxhua e priste te qëndra e fshatit.
Atë mëngjes qenë derdhur qiejt, nxënësit erdhën të lagur qull nga shtëpitë e largëta, (fshati qe tepër i shpërndarë, aq sa nuk binte në sy, fshehur në këmbë kodrash, mes lisave e prralleve, rrëzë përrenjsh, prapa shkëmbinjsh). U tha nxënësve të lëviznin gjithë bankat pranë sobës dhe ndezi me nxitim një zjarr të madh me drutë që qenë grumbulluar stivë në njerin cep të klasës.
Nën avullin e dëndur të rrobave që po thaheshin u thirri emrat dhe u habit edhe vetë që asnjë nuk mungonte në atë ditë që i ngjante më tepër një përmbytjeje. Pastaj nuk bëri më gjë, vuri re që nga ngrohtësia fëmijët kishin dëshirë të dremitnin. Epo, s’ka gjë, mendoi, edhe mund të flenë pak, paçka se kjo nuk ishte parashikuar në asnjë libër pedagogjie.
Iu mbyllën edhe atij sytë, ra në një gjysëmëndërr, e cila e nxorri nga klasa nëpër një derë të fshehtë, e veshi me të bardha dhe e ndjeu veten fantazmë, si ajo që kishte parë kur nuk qe në ëndërr, veçse me një ndryshim, koha ecte së prapthi, të pabërat bëheshin, të zhbërat përbëheshin, fundi i afrohej fillimit dhe fillimi fundit.
Një herë qe Shaho, një tjetër herë Baxho. Kur bëhej Baxho kishte një çetë të madhe, nxënësit e tij, tashmë të rritur e me mjekra që ishin banditët e tij, kurse ai, një fëmijë zëçjerrë që i komandonte të dehnin fshatin, pikërisht në ditën kur nëna e Baxhos kishte lindur Baxhon, domethënë atë vetë në një kohë tjetër. U bë një mishmash i vërtetë, nëna e Baxhos i tha Xhuzepes se nuk do ta linte më të bënin dashuri, nëse nuk i dhuronte Baxhos zëçjerrë e bandit një nga ata skeletet, të paktën njërën nga kafkat, që të pushonte së dehuri fshatin, pikërisht në ditën më të rëndësishme, kur ajo po lindëte Baxhon e vogël në një kohë tjetër.
Atëherë ai u bë Shaho, e shpërndau çetën, i çoi nënës së Baxhos një baule me skelete e me kafka, të cilën ia kishte dhuruar Xhuzepja, vetëm e vetëm që ajo mos ta lindëte Baxhon, sepse kështu ai nuk do ta kishte bandën e nuk do t’u këpuste gjuhën fshatarëve, domethënë joskeleteve të vjetra, por atyre të gjallëve, që atij i dukeshin si kafka e skelete. Se Xhuzepja, kot thoshte që hapte varre të vjetra, kafkat ia dhuronin vetë fshatarët, pa vdekur ende, se nuk i donin, se u rëndonin, meqë mbakan mbi vete dy gjëra tmerrësisht të rrezikshme: trurin dhe gjuhën, të cilat Baxhua i urrente për vdekje.
Në këtë kohë, kur të gjithë po flinin, asnjë nuk e dinte se një copëze druri të bërë prush iu shkrep të rrëshqiste ngadalë ngadalë nga soba, t’u afrohej të tjerëve që ishin rrotull në çimenton e plasaritur, t’u pëshpëriste me gjuhë flake e tymi “ndizuni edhe ju që ta bëjmë atë mrekullinë e kuqe”. Dhe vërtetë e bënë mrekullinë e kuqe, u ndezën të gjitha njëherësh. Flakët u rritën me shpejtësi, kuptohet u shtua edhe tymi dhe atëherë ec e t’i mbaje drurët që kërcisnin kur këndonin e flakët që dridheshin kur vallzonin.
Ata flinin dhe nuk e dinin se flakët do të mbeteshin brenda, kurse tymi do të vraponte të dilte jashtë nëpër të çarat e nënderës dhe të tabelave me shkronja të ngrëna ...DES...LM...HUNI...GA..KJA, do të dilte nga çatia e nga ndonjë vrimë tjetër, i lehtë, i hirtë e më pas edhe pak i zi.
Erën do t’ia nuhaste më parë një fshatar që qe futur në strehët e shkollës për t’u mbrojtur nga shiu, pastaj fëmijët e klasës ngjitur, deri sa ajo aromë e pazakontë të cikte hundët e Billit, që më kot hapte e mbyllte ca shkresa në drejtori, punë që e bënte zakonisht në atë orë, deri sa të thërriste atë mësuesen e imtë me shkrimin e bukur dhe me emrin e shkurtuar Viri, që ia bënte gati të gjitha shkresat në drejtori dhe i zëvendësonte gruan e sëmurë ndonjë natë, kur gjenin vend ku të fshiheshin nëpër xhepat e shkollës. Billin e zuri tështima, por nuk luajti vendit. E dinte që dikush e vëzhgonte në atë orë, megjithëse binte shi, sepse drejtori çdo ditë duhet të bëjë gati shkresat për vartësit, t’i kontrollojë e t’i vërë në punë, paçka që vartësit ishin vetëm katër.
Asnjë nuk e dinte se edhe flakët paskëshin qënë ca rrufjanka të mëdha, me shije zgjedhëse të mahnitshme, se në fillim i vëzhguan të gjithë të fjeturit me radhë, deri sa vendosën kujt t’i afroheshin më tepër.
“Kësaj”, thanë njëzëri dhe shkuan duke kënduar e vallzuar drejt Linës, vajzës me gjokse të bukura kërcënuese, që ishte bija e kryetarit dhe mbesa e plakut njëvetullor Baxho.
Më parë e rrethuan, më pas filluan t’i kundronin fytyrën e bukur ngjyrë rozë, që të thuash të vërtetën, nuk guxuan t’ia prekin, por vendosën ta nisnin me këmbët, t’i lëpinin pak nga pak këpucët me qafa, që kushedi nga cili shtet kishin udhëtuar deri këtu në Kajat, për t’u veshur nga këmbët e Linës, u ngjitën ngadalë te pantallonat bluxhin, ku bënë në fillim disa brimëza të vockëla të kuqe që pak nga pak po shtoheshin e po zmadhoheshin.
Era që lëshonin në këtë udhëtim nëpër bluxhin nga poshtë lart i tradhëtoi flakëzat, që ishin në fillim të vockëla e pastaj më të mëdha, se hyri nëpër flegëzat e hundës së Admetit, i dhanë pak kohë, e zgjuan të lemerisur dhe po ashtu të lemerisur e bënë të vraponte drejt çupës që ende po flinte, të hiqte xhaketën e vet, t’ia mbështillte këmbët duke fikur flakëzat e pastaj ta merrte në krahë e të rendëte drejt derës.
Vajza do të zgjohej, do ta ndjente veten në krahë të mësuesit, do t’i pëlqente ajo gjëndje, do t’i mbështillte krahët rrotull qafës e do t’i pëshpëriste “më mbaj gjithnjë kështu”, pikërisht kur në klasë do të hynte Billi i shoqëruar nga mësuesja me shkrimin e bukur e me emrin e shkurtuar Viri. Do të bërtiste “je një rrugaç i pandreqshëm”, kurse Viri do të hapte dritaret kanat e tymi do të shpërndahej nëpër fshat së bashku me lajmin e tmerrshëm “mësuesi dogji shkollën bashkë me nxënësit për hakmarrje”, veprim ky që duhej ta çonte patjetër te ajo vrima e qenit ku hyje për shtatë vjet e nuk dilje më as për tridhjeteshtatë.
Admeti, që kishte ende Linën në krahë, se nuk dinte ku ta çonte, do t’i ulërinte kot së koti, vetëm për ta tërbuar “thuaj ç’të duash, zjarrin e vure ti kur ne po flinim”, gjë që e tërboi vërtetë Billin, por ajo që e habiti më shumë Admetin ishte zëri i Linës që tha pikërisht të njëjtën gjë, “të pashë unë që zjarrin e vure ti”, që do ta trulloste drejtorin sa të mos dinte ç’të bënte, ç’të thoshte e ku të futej, se vërtetë ajo vajzë ishte edhe mbesa e tij, por në radhë të parë qe e bija e kryetarit dhe e mbesa e dashur e Baxhos.
2
Të gjitha këto qenë bëma tepër të mëdha për një fshat tepër tepër të vogël si Kajati. Nuk kishte nevojë as për radio e TV që t’i përhapte, se ato mbërrinin dhe atje ku nuk ta pret mëndja me një shpejtësi të tillë që edhe drita do ta kishte zili. Por, me që ra fjala, për TV as që bëhej fjalë, veç shtëpisë së Baxhos, që se nga e kishte prurë një të tillë, ca thonë ia kishte dërguar ai i madhi fare, që e donte shumë që nga koha e Luftës së fundit, kur Baxhua qe bërë Hero, nga të rrallët heronj të gjallë që kishte vendi. Kurse radio kishin disa pak shtëpi, si ajo e drejtor Billit, që ishte dhëndërr i Baxhos, një tjetër nga ata të parisë dhe më tutje nuk shtyhej kjo punë. Radioja quhej një luks i madh për një fshat të vogël si Kajati, me drita të dobëta e me ca shtylla rakitike të shtrëmbëra që mezi i mbanin telat, të cilët këputeshin sa herë frynte erë e fortë.
Dhe këto bëma filluan të ndodhin tani që erdhi ai mësuesi i ri, rrugaçi nga qyteti, i cili pa shkelur mirë ia futi me të pira e me të dehura, po prite kur tia ndreqin qefin. Tani iu tek të djegë shkollën e bashkë me të dhe fëmijët, dika të hakmerret surrati i tij! Turpi më i madh është se e panë dhe me kë, me Linën, që i kishte hedhur duart rrotull qafës dhe ai, rrugaçi nga qyteti, e shtrëngonte fort në gjoks, pa turp, foshnjën, nxënësen e tij. Po ndodhnin lemerira dhe sytë e veshët kishin për të dëgjuar e parë gjëra të llahtarshme.
Admeti nuk kishte kohë të merrej me të tilla parashikime, ishte zënë ngushtë se s’dinte ku ta çonte Linën. Doli pa vetëdijë jashtë dhe hyri në drejtori duke e ulur mbi skrivaninë e drejtorit, pikërisht mbi shkresat që Billi bënte sikur i lexonte e sikur i shkruante, po që në të vërtetë i përgatiste ajo mësuesja e imtë me emër të shkurtuar Viri. Nuk vuri re fare që kur doli jashtë, shiu kishte pushuar dhe te strehët e MAPO-s qenë grumbulluar shumë sehirxhinj, domethën dëshmitarë të ardhshëm për ndonjë proces kundër tij.
As vetë s’e kuptoi pse kapi këmbët e Linës te kofshët, i hapi e i ngriti lart për të vërejtur deri ku kishin arritur të lëpinin nga trupi i bukur ato flakëzat që paskëshin qënë zuzare të mëdha e me shije të hollë, pa ditur se në të çarat e atyre që duhej të ishin xhama në dritare, qenë ngjeshur shumë sy, që në të vërtetë panë veprimin më të turpshëm që mund të kishte ndodhur ndonjë herë në një zyrë shteti, panë duart e atij rrugaçi nga qyteti të fërkonin kofshët e vajzës, të futnin gishtat në ca vrima e në ca vënde, që çdo mëndje e merr dot me mënd se ç’mund të bënin.
Billi, domethënë drejtori, ishte aty, aty qe edhe mësuesja e imtë me emrin e shkurtuar Viri, kishin filluar të ishin aty edhe dy mësuesit e tjerë, pra asnjë nuk mungonte nga këshilli pedagogjik, që shiheshin sy ndër sy, ngrinin supat, bënin shënja nga më të pakuptueshmet, sikur u kishin ngrirë gjuhët, kur Admeti ngrinte dhe ulte këmbët e Linës mbi skrivaninë e drejtorit dhe fuste gishtat nëpër vendet më delikate të trupit të vajzës, ndoshta për të gjetur dëmet që kishte pësuar, veprime këto që patjetër të bënin të flisje me shënja e gjuhët të ngrinin deri në rrëzë.
Admeti nuk do të vinte re as Baxhon kur të hynte, se s’kishte si ta vinte re, meqë i kishte kthyer shpinën derës dhe gjithë të pranishmëve, që shtireshin se nuk ishin të pranishëm, derisa nuk bëzanin po shqyenin vetëm sytë, ngrinin supat e bënin ca veprime të tjera, që donin të thonin “ ky njeri nuk ia vlen të jetë njeri”, por që u tronditën kur panë Baxhon të hynte, i hapën udhë dhe pritën të fillonte llahtara. Admeti u kënaq që Lina buzëqeshi, por nuk vuri re që ajo këtë e bëri për gjyshin e vet, kur tregoi me gisht Admetin dhe tha ca gjëra shpejt e shpejt, pastaj tregoi po me gisht Billin dhe tha ca të tjera po shpejt e shpejt, fjalë që e bënë plakun njëvetullor t’i jepte dorën Ametit, ta ftonte nga shtëpia e tij dhe atyre të tjerëve, përfshi edhe Billin, t’u thoshte ca fjalë të ashpra, saqë pronarët e syve që ishin futur rrëzave të tabelave, që duhej të ishin xhama në dritare, do t’u shpërthente pa dashur një “uuuuuu!” habie, e cila do të përhapej në fshat më shpej se vrapi i dritës.
3
Të gjitha këto kishin ndodhur apo do të ndodhnin?
4
Në mëngjes u habit edhe vetë që po flinte pranë vatrës. I kishin hedhur përsipër një velenxë të trashë, më mirë të themi flokatë, nga ato me lesh të gjatë, që nganjëherë natën të hyn nëpër gojë e të duket se dikush, domethënë gruaja që të do, të ka mbështjellur me flokët e saj të gjatë e ti, ngaqë je në gjumë, bën ç’bën e ia përtyp nga një çikë herë pas here. Ai u fryu atyre leshrave që tani me sy hapur nuk iu dukën dhe aq të shijshëm, përkundrazi u mundua të pastrojë gjuhën nga një shije e trazuar me qime që iu dukën të kuqe, domethënë në ngjyrën e velenxës dhe hodhi sytë përreth në shtëpinë krejt bosh.
Plaku kishte dalë. Duhej të qe patjetër më shumë se mëngjes. Ndjeu hapa dhe pa nusen që po vinte drejt tij qetë qetë me dy ullinjtë e syve që qeshnin me kursim. Ajo i tha “mirëmëngjes”, megjithëse nuk duhej të ishte mëngjes dhe ai nuk foli as kur ajo i tha “fjete mirë?”, por mundohej të pastronte gjuhën nga ato që duhej të ishin flokë, por në të vërtetë ishin disa qime të kuqe të besdisshme me një shije të keqe. Me shumë vështirësi mërmëriti diçka të pakuptueshme nëpër dhëmbë dhe ndjeu t’i dhimbte koka, kurse tëmthat i rrihnin me ritëm të nxituar.
-Mbani aspirina?- e pyeti.
-Cuq, - bëri ajo dhe rrudhi supat duke u ulur përballë tij e duke mbledhur gjunjët nën vete, ndërkohë që psherëtinte aq bukur, aq sa atij iu duk sikur ia dha aspirinën e koka filloi t’i lehtësohej. Por koka iu lehtësua edhe më, kur ajo i vuri dorën në ballë, kur pëshpëriti e lehtësuar “nuk paske zjarr”, kur ia fërkoi tëmthat e rastësisht pëllëmba e saj e butë i preku pak nga faqja te hapsira e nënveshit, aq sa Admeti ndjeu rrënqethje e dridhje të fortë në të gjithë trupin, gjë që as asaj nuk i shpëtoi pa e vënë re.
Hera e parë që po e shihte nga kaq afër dhe nuk mundi ta fshihte habinë se si kjo grua fshati, që kishte bërë katër fëmijë, të kishte një bukuri e butësi të tillë, megjithëse të thuash të drejtën duhej të ishte pak më e madhe se Admeti, domethënë në moshën kur vajzat e qytetit nuk janë fejuar ende. Vuri re faqet e rrumbullakta e të bardha që formonin rrotull syve dy rrathë të mëdhenj ngjyrë hiri në blu, cipën tepër të butë të lëkurës, flokët e verdha që tani nuk i kishte lidhur bisht, por qenë lëshuar e derdhur pa kujdes nëpër supa dhe gjokset e saj, jo tepër të mëdhenj, që megjithëse qenë thithur nga katër fëmijë, dukej të ishin ende të fortë.
Edhe ajo e vuri re që ai po e vështronte dhe i erdhi mirë të pozonte para atij djali që fshatarët tani po e quanin “rrugaçi nga qyteti”. Pikërisht në këtë çast iu kujtua që pranë tij ishte ulur gruaja, që natën papritur e pakujtuar bëhej fantazmë, vetëm duhej të qe kohë e keqe, të binin ca vetëtima e të gjëmonin fort ca bubullima, drita të llokoçitej në tavan deri sa të fikej fare dhe, kur ajo të largohej me duart e shtrira para, mbështjellë si me një çarçaf të bardhë, dritat do të vinin prap e ai me xha Shahon do ta shikonin atë, domethënë “pikërisht këtë bukuroshe që tani po pozon kaq qetë këtu para meje”, varur në degën e një rrapi të madh, ose më mirë të themi në një gjethe.
Që kur koha kishte filluar t’i rridhte sëprapthi, ai dyshonte për të gjitha, kishin ndodhur apo duhej të ndodhnin, prandaj porosia e xha Shahos, se “ajo s’duhet ta dijë që ne e pamë”, iu duk e tepërt, sepse në se kthimi i saj në fantazëm nuk kishte ndodhur, atëherë as porosia e plakut nuk qe thënë.
Admetit iu duk se ajo grua me sy ulliri po tallej me të, po tallej me pozicionin si ishte ulur duke mbledhur gjunjët nën vete, me dorën që i vuri në ballë kur i ciku pak faqen duke e rrënqethur, me atë “cuq” që tha kur i kërkoi një aspirinë se i dhimbte koka. Ajo grua po tallej me të gjitha, ndoshta edhe me bukurinë, se një që di të bëhet fantazëm, patjetër duhet të dijë të të bëjë ta shohësh të bukur, ndërkohë që mund të jetë një zhgarravinë fishka fishka që të vjen të pështirë ta shohësh.
Ajo vuri re që fytyra e tij po vrenjtej pak nga pak, nuk i pëlqeu kjo gjë, iu duk krejt pa shkak, sidomos kur ai i ktheu shpinën, kur mori një copë dru me prush e filloi të trazojë prushrat e tjerë, kur i fryjti hirit, që iu hodh nëpër hundë e sy e filloi të kollitej.
-Dua të të them se ti po tallesh me mua. Ju të gjithë po talleni me mua, - tha ai me inat të përmbajtur. - Përveç plakut, - do të shtonte pas pak, si për ta veçuar atë njeri të cilin kishte filluar ta kuptonte, ose të paktën ashtu i dukej atij.
Gruaja që po i dukej gjithnjë e më e bukur dhe po tallej me të, do të mblidhte edhe më tepër gjunjët, do t’i frynte një cullufeje që po i binte nga balli mbi sy, aq sa ajo do të kërcente pak përpjetë si një flutur me bisht të gjatë e do të binte sërish aty ku ishte, do ta detyronte t’i frynte përsëri e ajo përsëri do të fluturonte e do të binte po aty ku kishte qenë. Admeti e kuptoi që ky nuk ishte veçse nervozizëm i asaj që po i dukej se po tallej me të, duke u hequr sikur ishte nervozuar pafundësisht dhe e shprehte dufin duke i fryrë pa kuptim asaj cullufeje, që shndërrohej në një flutur me bisht të gjatë.
-Cuq,- bëri ajo për herë të dytë, por kjo “cuq” do të ishte pak e fortë dhe nuk do të tingëllonte aspak miqësore, gjë që do ta detyronte Admetin t’ia thoshte atë që ndoshta plaku i kishte thënë të mos t’ia thoshte, meqë tani i dukej se gjërat ndodhnin dhe nuk ndodhnin në një lojë të pafund, ku të tjerët talleshin me të, që nga koha që rridhte së prapthi, fërneta që e dehte, gruaja që ikte si fantazëm e deri te plaku që e këshillonte të mbante ca sekrete, “se nuk ishte mirë që ajo ta merrte vesh se vishej me të bardha e ikte të flinte e varur mbi një gjeth”.
-Ti vidhesh natën nga shtëpia si fantazëm, - ia plasi ai. - Ikën e veshur me të bardha kur bie shi e kërcasin bubullima, kur drita llokoçitet e vjen prap. Unë të pashë.
-Gënjen, - tha ajo, - ju të gjithë gënjeni.
-Fle e varur në një pemë, - vazhdoi ai.
-Gënjen, - tha ajo, - unë fle me fëmijët e mi.
-Punë për ty, - ngulmoi ai.
-Ma pe fytyrën? - pyeti befas ajo, duke i fryrë përsëri cullufes e duke u futur më brenda gjunjëve të vet që po i mblidhte e po i mblidhte duke u zvogëluar pambarim.
-Ishte natë, - tha ai.
-Nuk kam qenë unë,- u duk që u lehtësua ajo.
Trupi i mbledhur u çmblodh papritur, duart u vendosën mbi gjunjë, mesi u ngrit përpjetë, cullufja u fry prap, u hodhën ca çapa të lehtë dhe gruaja doli duke përsëritur “ju të gjthë gënjeni, nuk kam qenë unë”, që do t’i kthenin Admetit dhimbjen e kokës dhe atë ndjenjën se të gjithë këta njerëz të këtij fshati të humbur me emrin e papërfillshëm Kajat, që s’figuronte gjëkundi as në hartë, paskan një qejf të madh, të tallin e të leqendisin pikërisht atë, sepse mezi e prisnin që t’u vinte, ndryshe me se do të argëtoheshin, përderisa jeta në këto gryka malesh rridhte aq e njëllojtë.
“Po, ndoshta nuk do të ketë qenë ajo”, mendoi Admeti. “Nëse kjo do të jetë e vërtetë, atëherë kush do të ketë qenë: Baxhua, Billi, kryetari, apo dikush tjetër që do ta kishin vënë ata për të alarmuar plakun, Pelon dhe mua”? Shumë gjëra mund të pranoheshin, siç mund të përjashtoheshin shumë gjera të tjera, veç ënderr nuk mund të qe, se tre vetë, domethënë ai, plaku dhe Pelua nuk mund të shihnin njëherësh që të tre të njëjtën, të alarmoheshin e dy prej tyre, domethënë ai dhe plaku të niseshin natën nëpër shi e ta shihnin atë, që ndoshta nuk ishte nusja, po dikush tjetër, se nusja flinte me fëmijët e vet, atje në shtrat, siç tha ajo.
Pas dhimbjes së kokës që rifilloi, se këto ishin vërtet gjëra që të shtypnin tëmthat, u ngrit dhe i hipi dëshira të lexonte diçka nga shënimet e plakut, në vend të aspirinës që kërkoi për t’u lehtësuar dhe mori atë “cuq” e atë cikje dore te rrëza e nënveshit, që e rrënqethën dhe që ajo patjetër e vuri re.