Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 11:06pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
 » Haki Stërmilli
 » Hil Mosi
 » Hiqmet Meçaj
 » Hafiz Ali Korça
 » Hida Halimi
 » Halil Matoshi
 » Halil Haxhosaj
 » Hazir Luta
 » Hysen Kobellari
 » Hamza Halabaku
 » Halil Xani
 » Hysen Këqiku
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët H » Hiqmet Meçaj
 
Kukullat e pyllit - Kapitulli i peste
E shtune, 13-01-2007, 09:04pm (GMT)

SHËNIME TË SHAHOS

ku tregohen ca gjëra të cilat është mirë t’i dinë të gjithë, se si një femije i thonë të bëhet i mënçur duke u larguar nga jeta e të parëve në kasollet me tym dhe ca gjëra të tjera...

Format e jetës së njeriut janë rastësi. Po bëj një krahasim me farërat, për shëmbull me grurin. E njëjta farë në ambjente të ndryshme merr forma të ndryshme. Diku ku ka ajër, diell, ujë e ushqim të bollshëm, pas shumë seleksionimesh, marrim farëra me prodhim të shkëlqyeshëm. Ku nuk ka asgjë nga këto, farërat vit pas viti zvogëlohen, deri sa një ditë i afrohemi formës së parë të egërsisë.
Unë me Baxhon, tani po marr shembull nga jeta e njerëzve, jemi e njëjta farë, kushërinj të parë, por siç thashë më lart, u rritëm në ambjente të ndryshme dhe rezultatet janë ato që dihen nga të gjithë.
Mirëpo ndodh edhe një tjetër gjë, fara që u kultivua mirë, po të kthehet e të ndrydhet në ambjentin e parë, domethënë të egër, e ka të vështirë të rrojë, të zhvillohet, kurse ajo që u rrit në ambjentin e parë, domethënë në gjendje të egër, megjithëse i afrohet gjithnjë e më shumë egërsisë, jeton përbukuri. Këtu kemi të bëjmë me dy degjenerime, domethënë shtrembërime hibridësh, të dy janë në rënie, po humbjen më të madhe e ndjen hibridi i parë, ai i kultivuari, i cili edhe e vuan më shumë rënien.
Po të marr prap shembull nga jeta e njerëzve, Baxhua dhe unë, që jemi nga e njëjta farë, nuk e ndjejmë njëlloj dhimbjen e devijimit, domethënë të degjenerimit. Për këto do të shkruaj më vonë, kurse tani do të përqëndrohem te unë, domethënë te fara që u kultivua në ajër, bollëk e dritë dhe rrethanat që po e çojnë përsëri në gjendjen e egër.
Në fshatin tonë, pas një lufte të gjatë që qe bërë, ku qe trazuar e gjithë bota, nga ushtria e mundur kishte mbetur një burrë goxha burrë, çalash nga këmba e djathtë, me bastun të vjetër e mjekër me majuckë. Mbante me vete një si kuti të madhe me dorezë, ku kishte nga të gjitha llojet e veglave. Ndërtonte shtëpira, hidhte çatira, bënte voza, lugë druri, fyej e cyla. Fshati e donte sa s’ka më, por diçka nuk i pëlqente dhe pikërisht mania e këtij njeriu të hapte varre të vjetra. Në shtëpinë që kishte ngritur vetë nuk lëvizje dot nga pllakat e gurëve me ca shkronja që vetëm ai dinte t’i lexonte, nga figurinat prej guri e prej balte të pjekur, bile edhe nga ca skelete, që i maste e i stërmaste dhe flinte bashkë me to, nën të njëjtën strehë. Megjithatë, burrat e fshatit e mbyllnin kundërshtimin me një “punë për të” dhe nuk e zgjatnin. Ai herë pas here bënte ca pako të mëdha, shkonte në skelën e qyteti V. e i niste me anije diku, përtej detit, atje në vendin e tij.
Kur u qetësuan gjërat, pasi shtetet e botës e pushuan luftën, ku qe përfshirë edhe fshati im, të gjithë prisnin që burri me mjekër me majuckë e me arkën e madhe me vegla, që çalonte nga njera këmbë, të kthehej në vendin e tij, po ai qëndroi. E fliste gjuhën tonë përbukuri dhe vazhdonte të ndërtonte shtëpi e të hapte varre të vjetra me ndihmën e djemve të fshatit që i paguante. Kështu kaluan vite. Kur unë u bëra shtatë vjeç, ai burri i huaj bisedoi me të fshatit, meqë kishte kohë të lirë, t’i mblidhte fëmijët e t’i mësonte, sepse siç thoshte ai, “dituria nuk humbet, një ditë do t’u duhet edhe këtyre vogëlushëve”.
Për shkollë as që bëhej fjalë. U rrasëm në një nga dhomat e mbushura me gurë të shkruar, skelete e figurina të çuditshme. Ishim katër djem të të njëjtës vërsë. Mësuesi ynë, ai i huaji që çalonte, na solli nga vendi i tij ca pllaka të zeza që fshiheshin e shkruheshin sa herë të donim, nga dy katërshore, kështu i quanim atëherë fletoret, lapsa e gomë. Më vonë na erdhën ca libra me figura të bukura, po që mësuesi na tha se me këta libra do të mësonim gjuhën e vendit të tij, që e flitnin shumë njerëz nëpër botë dhe që do të na duhej në të ardhmen. Nga të katër djemtë që filluam shkollën, tre ishim kushurinj të parë, unë me Baxhon djem xhaxhallarësh, kurse Besua djalë i dajos. Pëllumbin, që më vonë na fluturoi vërtet si pëllumbi, matanë një deti të madh, që atëherë nuk e dinim se quhej oqean, e kishim të mëhallës.
Shkolla na pëlqeu që në fillim se mësuesi ynë dinte shumë gjëra. Na i thoshte aq bukur, sa na linte me gojë hapur, aq sa, kur vinte koha të niseshim për në shtëpirat tona, donim një copë herë të tundeshim nga vendi. Ai na tregoi shumë çudira, sidomos për varret e vjetra. Na tha se me ato kafka e kocka që ishin aty qemë të afërt dhe duhej t’i respektonim, sepse ata e kishin ndërtuar fshatin, po të mos qenë ata, as ne nuk do të ishim, se flisnin dhe ata gjuhën tonë dhe kishin qenë njerëz punëtorë e që e donin artin. Ne atëherë nuk e dinim rëndësinë e atyre që na thoshte ai, nga arti nuk kishim fare haber, dinim vetëm të habiteshim e të mos trembeshim më nga kockat e kafkat, por t’i preknim pa frikë e me çudi. Na foli për gjuhën tonë, që qënkej nga më të vjetrat e më të bukurat në botë, një gjuhë e fortë që nuk ka pyetur nga asgjë. “Po ta dinit sa popuj e sa ushtri kanë kaluar këtej, nëpër këta male, sa gjuhë të huaja janë dëgjuar të fliten, atëherë do të ndjeheshit vërtet të mburrur, që këta këtu” dhe tregoi kafkat, “ fituan mbi të gjitha ato gjuhë”.
Filluam t’i shikonim skeletet edhe në gjumë, jo vetëm unë, po edhe të tjerët. Baxhua më tha se “njeri nga ata i kishte trokitur natën në shtëpi. Qe ngritur e bashkë me të, me thika të mëdha u kishte prerë gjuhët ca të huajve që fshiheshin nëpër malet rrotull”. Kur ia tregoi ëndërrën mësuesit, ai u thartua në fytyrë dhe nuk iu drejtua vetëm atij, por të gjithëve se ëndërra të tilla me thika e tortura nuk janë të bukura dhe nga ato nuk duhet të mësojmë. “Po ty”, më tha mua “të kanë ardhur ndonjëherë?” dhe kur iu përgjigja “po”, më kërkoi të dinte ç’bëmë së bashku. Unë i thashë “gdhëndëm ca shkrime nëpër pllaka guri dhe bëmë ca figurina që i pëlqenin shumë fëmijët e fshatit”, pastaj, vazhdova “ata më treguan se qenë një popull i madh pa komandantë, që i kishin qejf perënditë dhe për to flijonin gjithnjë kafshë në majë të malit”. Mësuesi pyeti edhe të tjerët dhe pas kësaj bisede filloi të më mbajë më afër se vërsnikët e mi, megjithëse, të them të drejtën, Baxhua mësonte më shpejt nga të gjithë, pas tij vinte Besua, kurse unë i treti.
Mësuesin tonë e quanin Xhuzepe. Në vendin e tij kishte tre çupa më të mëdha se ne dhe habiteshim se si nuk kishte gjë që të mos ta dinte. Na vuri të mblidhnim këngë të vjetra, përralla, historira me shtriga e xhinde, me gjarpërinj e nuselala, të cilat i dëgjonte me vëmendje dhe pastaj i shkruante ngadalë-ngadalë, siç i rrëmbente nga goja jonë. Deri sa bëmë pesë vjet shkollë kishte mbushur shumë katërshore të trasha me tregimet tona dhe na thoshte se “ato janë thesari që vlen më tepër nga floriri”, “duhen mbledhur se humbin nga brezi në brez” e kështu vazhdoi të na tregojë se si bëhen hi e shuhen qytetërime të tëra, sidomos popuj si yni, që nuk e ka të shkruar që shpejt gjuhën e tij.
Pasi, siç thashë, bëmë nga pesë vjet shkollë, mësues Xhuzepja qe tepër i kënaqur nga ne, prandaj u kërkoi leje familjeve tona të na lejonin të kërkonte nga shteti i tij të na pranonin atje si nxënës.
Këtu fillon edhe tragjedia e madhe e jetës sime. Babai im dhe nëna e Baxhos pranuan. U nisëm për atje, pamë një botë krejt tjetër që shkëlqente nga dritat e bukuritë dhe donim muaj të tërë të mësoheshim me të. Bashkë me ne erdhi edhe mësues Xhuzepja, i cili i dha fund qëndrimit aqshumëvjeçar në fshatin tonë.
Mezi ngarkuam në anije arkat me skelete, gurë të gdhendur e gjithfarë gjërash të tjera, për të cilat pagoi ryshfete të majme. Mua më mori në shtëpinë e tij, kurse Baxhua shkoi në një tjetër qytet, por siç mora vesh më vonë, u ngatërrua në shoqëri të ligë, dikë qëlloi me thikë dhe e kthyen përsëri andej nga kishte ardhur.
Mësues Xhuzepes, që s’ishte as mësues, as murator e marangos, por një shkencëtar i vërtetë, që e nderonte e gjithë bota, i erdhi vërtetë shumë keq për Baxhon, por vetëm pëshpëriti se “edhe ëndërrat ashtu i shikonte ai, me thika e gjuhë të prera”.
Kaluan pesë vite si në ëndërra. Ndërkohë Xhuzepja kishte marrë titullin Akademik me skeletet dhe gjërat e tjera që solli nga fshati im në qyteti e vet F., që kishte universitetin më të vjetër të botës. Më mbante si gjithnjë në shtëpinë e vet, mburrej me mua për notat e shkëlqyeshme që merrja në të gjitha mësimet dhe duhet ta them se çupat e tij, meqë s’kishin vëlla, më mbanin gjithnjë pranë vetes edhe kur shkonin nëpër opera, fusha golfi e tenisi, kurse profesor Xhuzepja më çoi në të gjitha qytetet e atij shteti, sidomos nëpër muzetë, ku qenë vendosur edhe skeletet, gurët e shkruar dhe figurinat që i kisha parë në shkollështëpinë tonë atje në fshat.
Në pushimet verore nuk kisha dëshirë të shkoja në vendin tim, sepse më çonin plazheve, por prindëve u dërgoja dhurata, të cilat i gëzonin pa masë, sidomos një gramafon me pllaka këngësh edhe nga vëndi im, që e vinin në mes të fshatit dhe njerëzit habiteshin, siç më thanë më vonë, se si qenë shtypur ata që këndonin për të hyrë atje brënda asaj kutie që rrotullohej dhe bënin qejf sikur të ishin në dasëm Pasi mbarova gjashtë vjet shkollë dhe konkurova, fitova bursë në degën që donte profesor Xhuzepja, gjenetikë, sepse siç shprehej ai, “ky qindvjeçar do të ketë zbulime të mëdha në këtë fushë dhe disa prej tyre duhet t’i bësh ti”, pastaj më rrihte shpatullat dhe zhytej në studimet e veta antropologjike atje në bibliotekën e madhe të shtëpisë-pallat, të stërmbushur me libra.
Tashmë isha një tetëmbëdhjetëvjeçar, krejt ndryshe nga ç’isha nisur për në atë vënd, nxënës i shkëlqyer, me një shoqe, për të cilën nuk dua të flas, sepse sa do që vitet ikin, më gërryen gjithnjë kujtimi i saj dhe mënyra si e humba. Ishte dashuria ime më e madhe, pas humbjes së saj jeta ime nuk do të kishte më dhe aq kuptim. Xhuzepja vendosi të më dërgonte për herë të parë te njerëzit e mi, më ngjeshi me dhurata të shumta e më dha të fala për të gjithë, por sidomos për një vejushë, me të cilën, siç duket, paska patur lidhje të fshehta, që fshati nuk i dinte. Më dha dhe një baule të tërë me dhurata për të, duke më porositur “të mos ta marrë vesh fshati, se nuk është mirë, do ta përgojojnë së koti”.
Vejusha ishte nëna e Baxhos. Babai i tij kishte vdekur në mal nga vetëtima dhe Baxhon e rriste dajua, babai i Besos. Tani e kuptova mirë përse nuk e mori edhe atë në shtëpinë e vet, si mua, sepse, siç duket, donte ta harronte atë lidhje të fshehtë biologjike, që në rrethanat e jetës së fshatit i ishte e nevojshme.
Vetëm kur shkela në tokën e vendit tim kuptova se ato vite larg tij më kishin shkatërruar përfundimisht, nuk mund ta doja më si më parë, ishte një skëterrë e vërtetë. Kudo shikoja njerëz të lodhur, veshur krejt ndryshe, me shajaqe e opinga, shtëpitë qenë të ulta e rrugët plot baltë nga shiu që kishte rënë. Shpirti m’u mblodh që isha nga ai vënd aq i varfër, ku edhe kodrat e malet qenë të gërryera e me pak gjelbërim. U bëra pishman që u ktheva, nuk rrija dot mbi samarin e mushkës që solli babai të më merrte nga skela e qytetit V., ku mbërrita me anije si një udhëtar i habitur. Tetë orë udhë mbi samarin që t’i bënte bythët gjak ishin shumë sa për të menduar ku mund të ndodhesha tani, nëse nuk do të merrja atë aventurë në një vënd që më dukej i huaj, po që në fakt ishte vëndi im. Aty kisha babanë dhe nënën, dy vëllezërit më të vegjël dhe motrën që kishte lindur kur unë isha larguar andej e nuk e njhja. Pas nesh vinin tre mushka të tjera, ngarkuar me dhuratat e Xhuzepes, që nuk kishte harruar asnjë nga të fshatit.
Nuk do të merrem të përshkruaj pyetjet e përgjigjet, habinë e kushërinjve, po edhe të nënës e të vëllezërve kur më panë. U dukesha tjetër njeri. Edhe mua ata më dukeshin të tjerë njerëz. Nëna, që s’duhej të qe as tridhjetë e pesë vjeçe, ngjante me një plakë të rrudhur, veshur pa kujdes. Sa tmerr, kur kujtova se atje ku kisha qenë për gjashtë vjet, në moshën e nënës sime gratë lulëzonin, si për shembull vajza e madhe profesor Xhuzepes, që i kishte kaluar të tridhjetat dhe ngjante me një piciruke plot tualet e vishej si çupë e vogël. Qava me pamjen e pikëlluar të nënës sime, qau dhe ajo, që i mori lotët e mi për mall, më puthte e më puthte, kurse unë rrija si i habitur në prehërin e saj, i pikëlluar e i hutuar.
Te xhaxhesha, nëna e Baxhos, shkova pas ca ditësh, pa marrë njeri me vete, i çova baulen, për të cilën të tjerëve u thashë se i kisha blerë të gjitha gjërat vetë, kurse asaj i tregova të vërtetën “t’i dërgon Xhuzepja”. Xhaxhesha shqeu sytë, nuk donte ta besonte, iu drodhën duart dhe pohoi me zë të mekur “njerëz si ai janë të rrallë dhe nuk do ta harroj deri sa të vdes”.
Kurse ai e kishte harruar.
Xhaxhesha më tregoi për Baxhon. Fjalët e saj qenë tmerr. Ia urrente të birit veprimet që shkaktonin gjithë ato “helme”, siç tha, duke vrarë e grabitur. “Nuk e di bir”, më tha “që Baxhua ka ngritur çetë hajdutësh dhe çdo ditë bën mënxyra”? Më tregoi shumë nga marrëzitë e tij, që zinte prita e pusi, vriste për para, rrëmbente bagëti, kërcënonte, me një fjalë qe bërë i hurit e i litarit bashkë me bandën që komandonte, aq sa as qeveria nuk i bënte dot gjë.
Për Beson më thanë se, pasi mësoi katër vjet në një nga shkollat e kryeqytetit dhe u shqua, e kishin dërguar për të studjuar teologji në një vënd të largët të quajtur E., ku edhe buka piqet në rërë. Unë e kuptova për cilin shtet bëhej fjalë dhe më erdhi mirë që edhe Besua do të bëhej dikush.
Fshati më dukej më i vogël nga ç’e kisha lënë, shtëpitë të ngushta e të nxira nga tymi, se zjarri vazhdonte të ndizej si më parë në cep të dhomës së madhe të zjarrit, ku më kot lodhej oxhaku i stërnxirë nga bloza të thithte tymrat. Kusitë vazhdonin të rrinin varur mbi çengelë, kurse në trarët e shtëpisë pa tavan, kishte vergje misri, qepësh, hudhrash e lloj lloj gjërash të tjera, që të pështjella nga pluhuri i zi dhe cergat e trasha të merimangave, të shtinin frikën.
Nuk rrija gjatë në shtëpi, shëtitja në ato që quheshin arat tona, vëzhgoja një përrua të hollë, që dikur më dukej lumë e lahesha te bërryli ku formonte një hurdhë natyrale, por më tepër ma tërhoqën vëmendjen pemët e egra, mollët, gorricat e thanat, të cilat filluan të piqeshin në kohën që do të largohesha përsëri.
S’mund të rri pa përmendur këtu takimin e fshehtë që pata me Baxhon. Ai e kishte marrë vesh kthimin tim, i kishin bërë përshtypje dhuratat e shumta që i kisha shpurë të jëmës, disa edhe për të, por edhe se të thuash të drejtën, siç tha vetë, e kishte marri malli, ndaj më dërgoi lajm të takoheshim një ndajnatë, diku në mal, te një shpellë që e dinim të dy.
U ngjita me mundim deri atje. Pothuajse i kisha harruar shtigjet e dhiaret, disa herë u ngatërrova e hyra thellë në pyll, por më në fund ia dola mbanë. Te Bazhua më çoi një nga cubat e tij që priste të shfaqesha në afërsi të shpellës. E kishte marrë malli vërtet. M’u hodh në qafë, më ngriti në ajër, më puthi e më puthi sa u mallëngjeva si rrallëherë në jetë. Kishte lënë mjekër, qe bërë tepër shpatullgjërë dhe vetullat e trasha e të zeza i qenë bashkuar në një. Ishte vërtetë një djalë i fuqishëm e i bukur. Nuk i kërkova të dija ç’bënte e pse e bënte, kjo qe jeta e tij dhe mund ta përdorte si të donte. Kishte dhe ai shkaqet e veta, por Baxhua, duke qenë vërtetë njeri i zgjuar më tha se “në kushtet e tij, vetëm kështu mund të bënte një farë prokopie”. “Marrim te ata që kanë më tepër dhe vrasim ata që duhen vrarë”, e mbylli ai me një zë të ngjirrur, që nuk mund të them kishte dëshpërim apo qe i ftohur. Si ndenji pak i menduar, shtoi “po të ra ndonjëri në qafë, qoftë dhe atje matanë detit ku je, më dërgo lajm, vëllai për vëllanë prandaj është”. E falënderova dhe pasi ndenjëm edhe pak, më shumë pa folur e duke soditur njëri tjetrin, u ndamë duke u përqafuar e duke u puthur disa herë.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Kukullat e pyllit - Kapitulli i gjashte (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i shtate (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i tete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i nente (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kampitulli i dhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i njembedhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i dymbedhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i trembedhjete (13-01-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]