1
Admetin nuk e habiti aspak pamja e mjeruar dhe komike e shkollës, që i ngjante më tepër një hangari të vjetër e të shqepur, andruar si pantallonat e shumë nxënësve me mballoma nga më të çuditshmet. Në vënd të xhamave, që duhej të ishin në dritare, qenë vënë diku copa kompensatoje, diku teneqera prerë nga fuçitë. Dalloheshin qartë shkronjat, por nuk mund të kuptohej se ç’thuhej në to. Pasi u përqëndrua pak, u mundua të plotësojë një frazë pas gërmave që mungonin stampuar me të kuqe: ...DES ..LM ..HUNI .GA ...KJA, që duhej të ishte në origjinal KUJDES HELM RUHUNI NGA VDEKJA. Dyert nga brenda mbylleshin me gurë të mëdhenj që u viheshin përfundi dhe në vend të dërrasës së zezë qenë ca sipërfaqe çimentoje të katranosura, ku shkumsi nuk linte asnjë gjurmë, veç zhurmën e disa gërvimave.
Kur filloi të shkruajë, fëmijët ia shkrepën të qeshurit duke futur kokën poshtë bankave, të cilat nuk ngjanin fare me banka. S’kishte ç’të bënte, nga halli filloi edhe ai të qeshë. U kthye nga ata dhe tha se për të s’kishin rëndësi as dërrasat e zeza, as dyert e dritaret, do të mësonin edhe pa to. Kur tha ato fjalë, iu duk vetja më tepër kloun cirku, që do të bënte ca numra shpejtësie për të plotësuar ato që mungonin. Kontrolloi për libra dhe, kur nëpër trastat e tyre që duhej të quheshin çanta, gjeti ca grumbuj fletësh, që dikur paskëshin qënë libra, ndenjur vite e vite nëpër depo, u alarmua, por prap nuk e dha veten. E qeshura u shtua në klasë kur u tregoi se si duheshin mbështjellur fletoret me copëra gazetash e u duhej bërë një vijë e kuqe anash. Ishte vërtetë për t’u gajasur. Si mund të visheshin e të bëheshin me të kuq ato që nuk ekzistonin?
Nga banka e fundit u ngrit një vajzë leshraverdhë, që, kur nisi të ecë drejt tij, filluan t’i tundeshin gjokset kërcënuese. Admeti u befasua me këtë vajzë, që ngjante më tepër me një gjimnaziste të viteve të fundit, se sa me një nxënëse fshati të klasës së tetë. Ajo hapi një çantë të bukur meshini, si ato që mbanin studentet e kryeqytetit, nxorri që andej gjithë arsenalin e saj, libra e fletore mbështjellur me veshëse plastike. Hapi njërën, tregoi vijat e kuqe në anë dhe pëshpëriti “kështu?”, sikur donte t’i thoshte Admetit “mos na trego ato që i dimë më mirë se ti”, pastaj duke u tundur lehtë, ktheu shpinën e u ul përsëri në vendin e vet.
Admeti nuk dinte ç’të bënte më. Filloi t’u thotë ca dokrra për rëndësinë e të mësuarit, bëri ca krahasime bajate me të verbërin dhe atë që ka sy, diçka tha për traditat që duhen mbajtur dhe për të renë që duhet të ecë, ishin fjali pa lidhje e pa kuptim, por që ai e ndjente nevojë t’i thoshte. Për djall zilja vononte të binte dhe ai fliste e fliste vazhdimisht, tregonte diçka nga mitologjia, seç ngatërroi Ezopin me ilirët, foli për varret e lashta dhe ca idjotizma të reja, se si pa mësuar gjuhën mirë nuk mund të mësojmë asgjë tjetër mirë. Pastaj i shkrepi të thoshte se ai që do tregojë bukur një përrallë, apo do thotë një këngë të vjetër popullore, nuk do ketë probleme të mëdha për të kaluar klasën. Për çudi ata ia dëgjonin ligjëratën në heshtje, sikur i kuptonin të gjitha ç’thoshte, bankat nuk kërcisnin, asnjë s’lëvizte.
“Meqë kemi dhe këtë sobën këtu”, e mbylli fjalimin e tij pa pikë e pa presje, “ju lutem të sillni çdo mëngjes nga dy tre copa druri që të ngrohemi e të thahemi kur të na lagë shiu”.
Zilja ra sapo mbaroi fjalën e fundit.
Pyetjes së Billit, domethënë Bill drejtorit “si ia kalove?”, u mendua t’i përgjigjej me gjithë ato ankesa, por Billi nuk e la se shtoi “nxënësit të pëlqyen dhe kjo mjafton për drejtorinë”, sikur të thoshte “për qeverinë”, prandaj qeshi dhe këtë Bill drejtori e mori për komplimet. Ktheu kokën si rastësisht dhe pa se pak më larg qëndronte ajo vajza bjonde me gjokset kërcënuese, që nuk ngjante fare me një nxënëse fshati. Sapo filloi të afrohej me ecjen e saj nazike, Billi tha se kishte ca punë dhe i la vetëm. Admeti e kuptoi që fjalët e mira ia kishte thënë drejtorit ajo. Kur qëndroi para tij, vajza u skuq pakëz, i tha se quhej Lina, emër që e shqetësoi, se iu duk si Ladina. Tha se kishte tepër dëshirë të mësonte, sidomos nga ai, sepse të tjerët, e kishte fjalën për mësuesit e tjerë, “qenë ca fshatarë injorantë që dinin më pak nga ajo”, sidomos Billi, domethënë drejtori. Mirëpo, “siç e patë edhe vetë, gjendja këtu është e vështirë”, theksoi nxënësja leshraverdhë, “mësimi nuk mund të bëhet dot normal”, prandaj iu lut ta ndihmonte me program shtesë, ose t’i shkonte në shtëpi. Admeti mërmëriti “edhe mundet”, pa e përcaktuar dhe u përpoq gjatë gjithë bisedës t’i mbante sytë diku gjetkë që të mos e ngacmonte pamja tepër kërcënuese e gjoksit të saj, sepse e kishte nxënëse dhe ishte, sipas llogaritjeve të tij, një katërmbëdhjetëvjeçare. Lina i tha se babai i saj ishte kryetari, fjalë të cilat nuk shprehën ndonjë krenari të veçantë, përkundrazi besdi që ishte vajzë kryetari dhe shtoi se këtë ndihmë do t’ia kërkonte “edhe sikur babai i saj të qe bari në mal”. Duke ikur pëshpëriti se shkruante edhe ajo ca budallallëqe të vogla, të cilat do t’ia tregonte një herë tjetër, kur të kishin mundësi dhe se dinte shumë poezi të tij përmendësh.
Kur mbeti vetëm i erdhi menjëherë shqetësimi i mungesës së librave dhe fletoreve, kërkoi me sy mos shikonte gjëkundi aty pranë Billin, trokiti në drejtori, po ajo qe e mbyllur, kurse kolegët ishin bërë erë prej kohe. Billi e priste jashtë, i futi krahun dhe, pa i thënë gjë, e drejtoi për nga klubi që nuk ishte as pesë minuta larg. “Pas shkolle, këtu e kemi shtëpinë e parë”, tha Billi dhe “para shkolle, prap këtu e kemi shtëpinë e parë”, shtoi duke qeshur papritur e gati sa s’u mbyt në mënçurinë e vet. Qeshi edhe Admeti. “Shkenca e madhe pedagogjike bëhet qyteteve, ku përgatiten shkencëtarët e ardhshëm”, tha ai pas pak, “kurse bujqit dhe barinjtë tanë boll të dinë numërim e këndim”.
Admeti u bë gati t’i thoshte se si do t’i mësonin këto gjëra pa libra e pa fletore, por ndërkohë hynë në klub dhe që nga larg, nga tavolina e zakonshme ku rrinte gjithnjë, panë të ngrihej dora e xha Baxhos, që i ftonte të uleshin atje.
2
E kishin dehur dhe e kishin flakur në depon e klubit, mbi ca arka të vjetra e të kalbura. Nuk kujtonte gjë, por siç i thanë më vonë, kishte mbajtur ca ligjërata, të cilat vendasit nuk i kishin dëgjuar nga goja e askujt më parë. Shkolla qe cilësuar hangar i denjë vetëm për kafshët, Billi, domethënë drejtori, një gdhë i vërtetë, domethënë roje i këtij hangari. Turp i madh për fundin e këtij shekulli, kur fëmijët e botës mësonin me kompjutera, shkenca bënte kërdinë me çuditë e saj, kurse aty në Kajat, ku e kishin plasur atë, asgjë s’kishte ndryshuar që nga koha e pellasgëve, vetëm se trupat e njerëzve qenë zvogëluar, truri qe bërë sa i pulës, kurse këndezët këndonin njëlloj dhe thoshin se vezët i bënin ata. Të gjithë sa ishin rrotull qeshnin, por edhe i mbanin mënd ato fjalë, për t’i thënë pastaj diku gjetkë, ku ua gjenin më mirë kuptimin. Admeti nuk e dinte se më vonë do hante ca mbledhje të mira, do ta paralajmëronin që nxinte gjërat dhe nuk dinte të vlerësonte drejt përparimet e mëdha të vëndit, që edhe në skajet e fundit, siç qe Kajati, mësohej e nuk kishte fare analfabetë. Por, në gjendjen që ishte ai, nuk kujtonte asgjë nga ato që i thoshnin, megjithëse, nga mënyra se si ia thoshnin, çuditej edhe vetë si kishin arritur t’ia shkulnin mendimet nga koka, sepse, sado të rrezikshme që ishin, qenë vërtetë mendimet e tij. Por ai nuk i pohoi, sepse, siç i tha xha Shahua, duhej të ngulte këmbë që s’ishin gjë tjetër, veç ca shpikje e gënjeshtra të ndyra të të tjerëve që e kishin dehur dhe flakur pa njerëzillëk, si të ishte rrangull pa vlerë, në një depo klubi mbi ca arka të kalbura. Këtu ai do të vinte në pikëpyetje zakonet e fshatit, kanibalizmin e më të diturve, ku hynte edhe Billi, edhe xha Baxhua, i cili nga ana e tij do të thoshte që kishte ikur më parë se Admeti të dehej dhe të thoshte ato broçkulla, që pa një, pa dy, të çonin në vrimën e qenit, domethënë në burg shtatë vjet të mira. Këto plaku njëvetullor do t’i thoshte pa pikën e turbullimit, sikur vrima e qenit të qe piknik, apo diçka tjetër më argëtuese dhe njerëzit që shpreheshin ashtu, nuk qenë tjetër, veç ca bajga që binin erë të qelbur e që duheshin pastruar, mirëpo, siç do të theksonte në fund plaku, dhe ata të parisë do të ishin të një mëndjeje, Admeti nuk qe bajgë, veç një djalë i ri njëzetedy vjeçar, me shkollë dhe pa përvojë, që do të mësonte shumë në Kajat, nga njerëzit e mënçur të tij. Këtu Billi do të krekosej pak, se i qe vënë dinjiteti në vënd, Admeti do të heshtëte, kurse të gjithë do të prisnin që ai të falënderonte se shpëtoi nga ajo, vrima e qenit, ku hyje për shtatë vjet e nuk dilje më as për tridhjeteshtatë.
Të gjitha këto do të ndodhnin më vonë, ndërsa tani ndjente një dhimbje të madhe koke, kur Pelua i shpjegonte se si e kishin lajmëruar, si mezi e ngarkoi në një mushkë me ndihmën e dy djemve nga fshati, si e kishin hedhur përmbys mbi samar, nga që nuk mund të rrinte dot drejt dhe pyetjen e Admetit, “më pa ashtu fshati?”, Pelua bëri sikur nuk e dëgjoi.
3
Pastaj do të vazhdonte një bisedë serioze me xha Shahon, i cili qe shqetësuar së tepërmi për djalin e ri që strehohej në shtëpinë e tij dhe që, siç u shpreh ai, “ishte axhami dhe nuk kuptonte se gjërat kishin hyrë në një rrjedhë tepër të rrezikshme për të”. E kishin turpëruar duke e zvarritur rrugëve të fshatit si thes mbi kurrizin e një mushke dhe tani s’kishte shtëpi të mos bisedonte për të si për një rrugaç qyteti të përkëdhelur, i cili paska ardhur vetëm e vetëm t’u shajë fshatin. Këtë Admeti e vuri re shumë shpejt, që ditën e nesërmen, kur i përshëndeste në rrugë dhe ata nuk i përgjigjeshin, përkundër, kthenin kokën mënjanë, kurse të tjerë, ndoshta më zëmërbutë, e shikonin në sy, por përshëndetjes nuk i përgjigjeshin. “Kjo nuk më pëlqen fare”, do të thoshte Shahua, duke u munduar të fshehë ato që mendonte, domethënë se ata, paria, kishin vendosur ta izolonin këtë djalë të mënçur që në hapat e para, duke e shkatërruar përfundimisht. Fëmijët nuk do ta donin për mësues dhe pastaj, me një vendim të ngutur e të pjekur taze, ata të parisë do të thoshnin se kishte nevojë të punonte ca kohë në bujqësi “deri sa të piqej”. Kjo nuk ishte ndonjë gjë e re, kishte ndodhur sa herë donin të hiqnin qafe ndonjë që u dukej se ishte ndryshe ose më i mirë nga ata. Xha Shahua ca i thoshte, ca të tjera i mendonte, përpiqej t’i mbushte mëndjen djaloshit se gjërat do të ndryshonin, duhet pak kohë e durim, kurse fshatarëve të mos u mbante mëri, “se janë të vuajtur, por zemrën nuk ia kanë falur akoma dreqit”.
Po ndodhte pikë për pikë si dikur me Shahon kur erdhi i ri, por vetëm kohët qenë ndryshe, tani s’kishte më luftë dhe ai vendi i madh, ku kishte marrë diplomën e artë dhe titullin “Doktor i shkencave”, nuk e mbante më të pushtuar vendin e tij. Këto Admeti i lexoi më vonë në fletoren e trashë të plakut, ku me një shkrim tepër të kujdesshëm përshkruheshin me stil të bukur copëza nga jeta e atij të riu të dikurshëm, ndryshuar fare rastësisht, kur dikujt iu tek të sulmojë dikë dhe pastaj kufijtë qenë mbyllur. Ai nuk dinte ç’të bënte, sepse nuk kishte haber nga ato që ndodhnin, nga që kishte studjuar për pemët e lulet, për krimbat e ca qënie të tjera të zhdukura, kurse ato që bënin njerëzit i kuptonte fare pak.
Meqë të nesërmen e asaj dite, kur për të po flitej e përflitej, por që ende ai nuk e dinte, i dhimbte koka nga të pirët, nuk u ngrit që herët edhe ngaqë qe e dielë, domethënë pushim, e para gjë që i zunë sytë ishte fletorja e trashë e plakut. E hapi diku nga mesi. Qenë shënime e jo ditar. Ndezi abazhurin e vjetër dhe filloi të lexojë: