Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 01:50am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
 » Haki Stërmilli
 » Hil Mosi
 » Hiqmet Meçaj
 » Hafiz Ali Korça
 » Hida Halimi
 » Halil Matoshi
 » Halil Haxhosaj
 » Hazir Luta
 » Hysen Kobellari
 » Hamza Halabaku
 » Halil Xani
 » Hysen Këqiku
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët H » Hiqmet Meçaj
 
Kukullat e pyllit - Kapitulli i trete
E shtune, 13-01-2007, 09:07pm (GMT)

1

U ngrit. Ndezi një cigare dhe filloi të ecë nëpër dhomë. Shtypi butonin e një abazhuri primitiv, që i kishin vënë te koka e shtratit, mori fletoren e rëndë të xha Shahos, e hapi diku nga mesi dhe e mbylli prap. E ndiente veten tepër të lodhur, por nuk kishte dëshirë për asgjë, as të flinte, as të rrinte zgjuar, as të lexonte, as të shëtiste nëpër dhomë. U afrua te dritarja që vështronte nga oborri. Shiu binte rrëmbyeshëm si ngashërimë. Shkrepi një vetëtimë e fortë. Drita në dhomë u lëkund, u mek, erdhi për disa sekonda dhe u shua fare. Shkrepi një vetëtimë e dytë. Në dritën e saj dalloi një si siluetë të bardhë që ecte me duart e shtrira përpara, një si njeri të verbër. I ngjajti me fantazëm. U puthit edhe më te xhami, deri sa hunda i preku ftohtësinë e tij. Fantazma qe e vërtetë. Largohej me hapa të barabartë e të ngadaltë, për të hyrë në errësirën e lagësht të natës. “Ja, tani po zbret shkallët, preku truallin e oborrit, u afrua te gardhi, humbi”, pëshpëriti ai. U rrënqeth, donte të dilte nga ajo gjëndje, që iu duk vazhdim i trurit të tij të lodhur nga ai njëzetekatërorësh i mundimshëm që s’po merrte fund. Iu duk vetja një gjëndje delirante me tru të sëmurë që prodhonte e prodhonte fantazma: në fillim një laps të përbindshëm, tani një të verbër që largohej me duart e shtrira përpara. U largua me nxitim nga dritarja, diku u përplas, ndjeu t’i dhëmbë këmba nga goditja, pastaj zemrën t’i rrahë si e çakorduar. “Duhet të iki nga kjo shtëpi, nga ky fshat, nga ky ankth”, mendoi. “Po të mos iki, çmendja filloi”.
- E, ç’është?- dëgjoi zërin e trashë të xha Shahos.
-U fikën dritat dhe iku prapë, - tha i biri.
Dëgjoi ca si mërmërima të tjera, dyer që hapeshin e mbylleshin në errësirë, u ndez një fener, pastaj “dal unë ta gjej”. Drita në tavan u përpëlit disa herë si sy i verbër, pastaj qëndroi. Admeti doli në korridor, ku pa shqetësimin e dy burrave që rrinin si të ngrirë.
-E pashë unë, - prishi heshtjen ai.
-Po ajo, të pa ajo? – pyeti plaku.
-Pse, të sheh fantazma? – u përgjigj me pyetje Admeti.
Plaku vuri buzën në një gjysmëgaz të hidhur.
-Po të të ketë parë është keq,- mërmëriti ai. – Është keq për atë.
I biri u kthye nga kishte ardhur, hapi derën e dhomës dhe hyri brenda. Admeti nuk lëvizi nga vendi.

2

U nisën të dy nëpër shi, plaku para, Admeti pas. Plaku mbante në dorë një fener me gjysmëflakë, që e mbronte me dorë nga era. Mbi kokë kishin hedhur nga një gunë të dhirtë me kapuç. Shiu shpeshtonte, bubullimat gjithashtu.
Në fillim plaku nuk deshi ta merrte me vete, i tha të flinte. Admeti nguli këmbë se nuk mund të flinte, se qe i shqetësuar dhe do të çmendej po të rrinte vetëm. Ai në fillim nuk e dinte për se bëhej fjalë, as tani nuk e dinte. Fantazma për të qe më tepër se mister, një e fshehtë plot ankth e lodhje. Plaku nuk nguli këmbë për një kohë të gjatë, vetëm e këshilloi të mos pyeste. “Asnjë fjalë, se ajo dëgjon”, tha ai. Morën fenerin, u bënë kapuçonë dhe u nisën.

3

Sa kapërcyen oborrin e shtëpisë, u gjendën mes shkurreve të larta të shqopeve. Zërat e natës kishin heshtur, dëgjoheshin vetëm zërat e shiut si pëshpërima të shpeshta, të lagura dhe zërat e degëve të asaj bime shkoqëse, që hapeshin e mbylleshin me një besdi mospërfillëse, duke i spërkatur me pika uji. Përpara kishte frymëmarrjen e plakut dhe ankthin për enigmën, kurse pas kishte lënë t’i ngjitej një ditë e lodhshme dhe një natë edhe më e lodhshme, që nuk dihej kur do të mbaronte. U zhytën në një përrua ku trungjet e rrepeve të qëmotshëm ndriçoheshin fare pak nga feneri dhe krijonin figura nga më të pabesueshmet. Admeti nuk shihte mirë se plaku e mbante fenerin para vetes dhe përplasej nëpër zajet e mëdhenj e shkiste duke përthyer këmbët.
Ecja u bë e stërmundimshme. “Tepër e gjatë kjo rrugë”, mendoi, megjithatë vazhdonte pas plakut dhe cërkave të dritës së fenerit, që tepronin nëpër anët e trupit të atij që e mbante, duke kuptuar më së fundi se kishin hyrë në një pyll të dendur, ku pikat e mëdha të shiut kërcisnin me çrregullsi ritmike. Plaku ndaloi pak sa për t’u qetësuar, hodhi sytë përreth dhe zgjodhi një shteg të ngushtë, duke dredhuar diku nga e majta e diku nga e djathta. Arritën në një pikë, ku erdhën rrotull, ose të paktën ashtu iu duk atij, sikur kryen ndonjë rit të domosdoshëm për atë udhëtim në kërkim të fantazmës. Ndaluan. Admeti dëgjoi një “atje”, patjetër një dorë që s’e shihte duhej të qe drejtuar diku, po ai s’po e kuptonte, pëshpëriti “ku”? dhe priti përgjigjen e zërit të plakut. “Duhet të ul dritën e fenerit”, dëgjoi plakun, u rrotullua rreth vetes me vështrim tepër të shpërndarë mos dallonte gjë, por përpara ngrihej gjithnjë honi i zi me pëshpërimat e gjetheve dhe zërat e pyllit.
Dalngadalë iu mësuan sytë dhe dalloi konturet e një peme tepër të lartë, me trung të fryrë. Plaku pëshpëriti “shiko andej kur të plasë vetëtima”, ndërkohë që feneri qe pothuaj i shuar e shiu vazhdonte. Përpara, atje ku tha plaku “shiko andej”, ishte një trung i fryrë i një peme tepër të madhe, që duhej të kishte shumë guva, ku mund të strehohej, jo vetëm një, por edhe më shumë njerëz. Ndenjën gjatë në pritje me vështrimin në boshllëkun e zi, derisa qielli u mbush befas me dritë dhe ai pa me sytë e tij atë që kërkuan me aq ankth. Nuk qe në guvën e trungut të lisit, po atje lart, në një degë të hollë, thua në një gjeth, rrinte varur me një dorë, nuk lëvizte, ndoshta flinte. Shamia i kishte shkarë dhe flokët e verdhë ia merrte era. Në trup e sulmuan mornicat. Ndodhej para një ngjarje, të cilën po t’ia tregonin, nuk do ta besonte kurrsesi, do t’i dukej se donin ta bënin lolo, kurse tani, a mund të thoshte se nuk e besonte atë që pa?
Dëgjoi zërin e plakut që tha “ikim”, pastaj “e dija që do ta gjenim këtu”, sikur të thoshte diçka krejt normale e jo atë “ikim” aq të qetë, që nuk ishte krejt normale. Po ajo që e shqetësoi më tepër plakun, nuk qe gjumi i “asaj” në majë të pemës, por pyetja idiote e Admetit “ajo, kush qe”?

4

U nisën përsëri, por tani për kthim, pas kishin lënë atë, fantazmën, që në të vërtetë nuk ishte fantazmë, por njeriu që plaku deshte më shumë në atë shtëpi. E kishin lënë ashtu siç e panë, në shi e në erë, mesnatës pus të errët, mes një pylli të frikshëm, atje në majë të gjethes, pa bërë gjë për ta zbritur. Kur Admeti bëri pyetjen e dytë idiote “po tani si do zbresë”?, plakut iu fik llampa dhe filloi të kërkojë nëpër xhepa për shkrepse. Edhe Admeti thua u fut krejt nëpër xhepat e tij dhe, kur llampa u ndez përsëri, pyetja qe harruar krejtësisht. Iu duk vetja pa peshë, i rëndonte vetëm koka, që tani gjëmonte nga qindra enigma të frikshme. I vinte keq për atë që lanë pas dhe i bëhej të pyeste e të pyeste, por kishte frikë mos fikej prap llampa. Filloi të ndjente një si ankth diku në zonën e nënkraharorit. Kur u kthyen në shtëpi, ishin qullur krejt. Për herë të dytë, që kur hyri në atë strehë, ndërroi rrobat dhe tani dukej një tjetër njeri. Ndenjën një copë herë pa folur pranë zjarrit që të thaheshin. Ishin vetëm ata të dy, të tjerët flinin a ndoshta bënin sikur flinin, më tepër Pelua, djali i plakut, burri i fantazmës që qëndronte në një gjethe, tej në pyllin e frikshëm.
Vështroi plakun që zuri të dremiste. Flokët iu bënë të florinjtë nga flaka. Ca hije jeshile, rozë, të kafta e të zeza lëviznin në fytyrën fisnike si prej dijetari, e cila transformohej çdo sekondë nga ngjyrat që merrte, duke u bërë gjithnjë më e çuditshme.
Edhe Admeti nisi të dremiste. Përsëri koha filloi t’i ecë sëprapthi. Ai pa gjethen, degën, trupin që u ul e zbriti në tokë, i lehtë pëndë, i bardhë e me peshë, siç qe në fillim Flokët u futën vetë brenda shamisë, dy duar u zgjatën përpara dhe trupi i bardhë u vu sëprapthi në ndjekje të atyre duarve, që dukej se shtynin natën dhe pyllin për t’u kthyer andej nga erdhën. Ai dhe plaku haponin me nxitim në një ecje dhe ata si të trupit të bardhë, me duar përpara e çapitje pas. “Do t’ju arrij, do t’ju arrij”, i ndiqte një zë që përbëhej nga shumë zëra të pleksur fort njeri me tjetrin. “Përse më vini pas?”, thoshte njëri. “Shtrati im i vërtetë është këtu në qiell”, thoshte tjetri. “Unë jam prej ajri, ju të zakonshëm”, qeshën zërat. Ata nxitonin, ajo pas tyre. E bardhë, me duart shtrirë para e me ecjen pas.
Feneri u shua. Admeti dhe plaku humbën udhën, pastaj njeri tjetrin. U ndodh buzë një humnere. “Hidhu”, i thoshte Ladina. Ai u hodh. Ndjeu një fëshfërimë të fortë ajri, ra mbi dy duar të shtrira, të buta, që më pas i përkëdhelën trupin, fytyrën, flokët. Ishte ajo, fantazma , kukulla e pyllit. “Eja me mua”, i tha ajo, “do të të tregoj të fshehtën time”. Ai u bind dhe shkoi pas saj.
-Unë jam grua, - tha ajo.
-E di, - i tha ai, - po je dhe fantazëm. Ku e ke peshën?
-Ç’e dua peshën, - tha ajo. - Unë e zhvesh atë natën. Pesha janë hallet e ditës. Natën dua të jem e lehtë, prandaj e zhvesh. Eja me mua në mbretërinë time, - tha ajo.
-Nuk dua, - ia kundërshtoi ai.
-Mirë, - tha ajo. - Mos më ndiqni më bashkë me plakun. Më lini të vetme në mbretërinë time.
Dhe u zhduk.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Kukullat e pyllit - Kapitulli i katert (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i peste (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i gjashte (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i shtate (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i tete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i nente (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kampitulli i dhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i njembedhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i dymbedhjete (13-01-2007)
Kukullat e pyllit - Kapitulli i trembedhjete (13-01-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]