1
Kur hyri Admeti në zyrën e shefit, ishte mesditë. Shefin nuk e njihte më parë, ndaj u çudit nga trupi i tij i paktë dhe buzët tepër të holla.
-Nuk kam shumë kohë, - shpejtoi të thoshte ai, pa i thënë “ulu” e pa i dhënë dorën.
-Ju kemi emëruar në Kajat, është zonë e mirë, pak si larg...
Admeti për herë të parë e dëgjonte këtë emër fshati. Emërimi iu duk i çuditshëm, ngaqë mendonte se do ta caktonin në qytet, në njërën nga shkollat e mesme, jo vetëm se në diplomë nuk mungonte mesatarja e lartë, por edhe nga libri i tij i botuar e i pritur mirë dhe se në xhep mbante librezën e Lidhjes së Shkrimtarëve, gjë e rrallë për një të ri të moshës së tij.
-Me kaq mbaruam, - tha shefi me indiferentizëm, që atij iu duk tepër i shtirur e aspak miqësor, - nisu sa më shpejt, të mos humbasin fëmijët mësimet.
Pasi e vështroi të porsaemëruarin shkarazi, shtoi si rastësisht “kalo pak nga zyra e kuadrit, më duket ke lënë diçka pa shënuar”.
-Çfarë ? - pyeti Admeti .
-Hollësitë i dinë ata ...
Doli nga zyra ftohtë. Diçka e beftë e kishte goditur, e kishte lodhur. Entusiazmi, gjallëria, gëzimi i emërimit i ëndërruar prej kohësh, u tulatën diku thellë me një peshë të rëndë, që ia kërrusën trupin. Zbriti shkallët e ndërtesës hijerëndë duke zvarritur këmbët.
-E, ku ? – e pyeti një zë i njohur.
Ishte Afrimi me të cilin kishin studiuar bashkë për njëmbëdhjetë vjet.
-Në Kajat, - po nuk e di nga bie.
-Aq larg ? – u habit ai, - po ti je shkrimtar, do të vesh?
-Nuk dua ta filloj punën duke trokitur dyerve, - tha Admeti, që nuk donte të shtonte se nëpër ato dyer ishin po ata që e kishin emëruar. Ata nuk do të bënin asgjë më tepër veç moralit, “se shteti harxhoi aq e kaq që të nxorri ty me shkollë dhe ti e ke për detyrë të shërbesh e t’ia shpërblesh”.
-Do hash dynjanë, - tha Afrimi, - për mua u gjend një vrimë në qytet.
-Urime, - pëshpëriti dhe vazhdoi rrugën nëpër diellin e nxehtë të fundgushtit. Nuk shihte asgjë, veç hapave të tij të lodhur e të rënduar nga fyerja. Ishte një fyerje e rëndë, që ai si shkrimtar po e quante me një term tepër pompoz “fyerje shtetërore”, prandaj qe tepër e rëndë, sidomos për një si ai, të sapoemëruar, diku në humbëtirë. Nuk mendonte gjë tjetër, veç të arrinte sa më shpejt në shtëpi e të bëhej gati për udhë. Prindët e kishin mbajtur katër vjet në shkollë, duke u ngushtuar së tepërmi dhe ai e ndjente për detyrë ta gëlltiste “fyerjen shtetërore”, sado e rëndë të ishte, për hir të pagës që do të merrte. Duhej të takonte edhe Ladinën, të përballonte rënkimet e saj për atë emërim të papritur. Ajo që tani kishte filluar të mburrej se djali i saj, domethënë ai me të cilin do të martohej, do të jepte mësim në gjimnaz, mu në zemër të qytetit, do të zinte miq me peshë e jeta diçka do të sillte.
Ndjeu për herë të parë se jeta ishte çuditshme. Ajo kishte ngritur krejt papritur para tij disa enigma që as i kishte ëndërruar ndonjëherë. “E papritura”, mendoi ai, “mos vallë kjo është jeta dhe jemi të pambrojtur prej saj”?
2
Ladina e priste me ankth. Nuk ishin të fejuar, por qenë më tepër se të dashuruar. I lidhte një rrugë e ngushtë, fëmijëria, shkolla, më pas kishte ardhur ai, prilli, që ringjall stinët e vdekura. Ishte një prill i pazakontë që hodhi borë edhe në qytetin e tyre bregdetar. Bora, gjëja më e rrallë për ato rrugë e ato çati, e bëri gjithë qytetin të shndërrohej në fëmijë. Ai kishte shkruar edhe një poezi për atë foshnjëqytet, që deshi të çmendej për pak çaste, duke ulur moshën artificialisht, siç bëjnë vajzat e plakura në mënyrë tepër të natyrshme. Ishte një poezi që nuk ia botonte kush, sepse si mund të pranoje që edhe komitetet, seksionet, drejtoritë, gjeneralët, deri te shefat e zymtë të kuadrove të bëheshin fëmijë? Domethënë pushteti fyhej, nomenklatura minimizohej dhe përse? Sepse iu tek një prilli të shastisur të rrëmbente pak borë hua nga janari e ta shtronte nëpër rrugët e qytetit? Ai i pa kur të gjithë u bënë fëmijë të vërtetë, pleqtë e plakat qëlloheshin me topthat e bardhë, të rinjtë rrokeshin, të gjithë kryenin veprime si njerëz të shndërruar në diçka tjetër. Kurse ata të dy, ndryshe nga qyteti, atë ditë pushuan së qëni fëmijë, kryen disa veprime si të rritur, u puthën, jo si më parë në faqe, por në buzë, u shtërnguan fort, pastaj diku u fshehën e nuk donin më të ndaheshin. Por ja që bora shkriu shpejt e bashkë me të iku edhe marrëzia. Ata shikonin se si binte flokë-flokë, si flakët e një zjarri të bardhë, ndërsa Admetin e tundonte një varg “na dogje o prill gënjeshtar”!
Kurse tani po e digjte vapa e gushtit, që na qenka më gënjeshtar se prilli. Ladina e priste, s’ishte më fëmijë, as nga trupi, as nga mendimet. Bukuria e saj tundonte shumë djem universitarë me punë të mirë dhe ekonomi të ngritur. Disa e ndalonin në rrugë, të tjerë i fusnin njerëz në shtëpi e ajo duhej të vendoste.
Kur hyri në rrugicën e tij, Ladina i doli përpara e skuqur disi nga pritja e lajmit.
-E, ku ? – e pyeti me një frymë.
-Kajat ia thonë emrin, - tha ai dhe ndjeu se brënda tij kërciti diçka e thatë, si gërvima një dere që po mbyllej.
Ladina e vëzhgoi me dyshim.
-S’ka shkollë të mesme me emrin Kajat,-qeshi pak ajo, sikur donte të thoshte “mos u tall me mua”.
-Është fshat i largët,-tha ai dhe ndjeu të bëhej më e thatë kërcitja e derës që po mbyllej brenda tij.
Ladinës i shpëtoi një lot i vogël, si shkrirja e një pikëze dëbore, fshehur aty në cep të syrit që nga ai prill i largët gënjeshtar. E fshiu atë me rrëmbim, si të donte të dëbonte një kujtim të besdisshëm.
-Po ti je shkrimtar,- tha ajo.- Në qytetin tonë ti je i vetmi shkrimtar me emër. Ty të recitohen vjershat në radio.
Tani i erdhi radha Admetit të vinte buzën në gaz.
-As mua nuk më vjen mirë,- tha ai.
-Do shkosh?
-Pa tjetër.
-Para se të nisesh duhet të më takosh. Do të të them diçka që duhet ta bësh patjetër.
-Ma thuaj tani.
Ladina u largua. Ndjeu rrënqethje nga ajo lloj ikje nervoze, e papërmbajtur, pa kthim koke. “Jeta”, tha ai për herë të dytë atë ditë fundgushti, “sa shumë çudira brenda pak orëve. Mos vallë jemi të pafuqishëm para saj”?
Ishte e para herë që i dukej sikur nuk shkelte mbi asfalt, por mbi një shtresë të zezë e të dendur pikëpyetjesh .
3
Prindët nuk e pritën me shqetësim të madh emërimin. Babai e njihte mirë Kajatin. Nëna, në kohë të Luftës, ishte strehuar atje disa javë te një mik i babait dhe ndjente dashuri për njerëzit e atij fshati të largët malor. Megjithatë, Admeti ndjeu se pas qetësisë me të cilën e pritën lajmin, kishte diçka të fshehtë, një farë fisnikërie prej prindi. “Emërimi është çasti solemn ku kurorëzohen ëndërrat e thurrura me kujdes e ankth një jetë të tërë”, thoshte shpesh babai. “Jeta është ëndërr dhe ëndërra jetë”, shtonte ai. “Jemi para një figure komplekse, ngado që ta kthesh, jep të njëjtin shëmbëllim”.
E pra, kjo ëndërr ishte bërë prag jete. Jeta vazhdonte, vazhdonte edhe ëndërra. Intuita prindërore e ndiente fare mirë këtë.
Admeti i ra rrotull kopshtit, mori një trung dhe u ul në të përballë çesmës. Ishte fëmija i tretë i emëruar larg prindëve, pas vëllait, diku në një rreth në Veri dhe motrës nëpër baltrat e trasha të Fushës. Diçka nuk shkonte.
Porta e madhe e oborrit kërciti. Midis kërcitjes dhe hapësirës u shfaq një vajzë e vogël me dorën të mbledhur grusht, në tiparet zeshkane të së cilës Admeti njohu Garinën, fqinjën e vogël të Ladinës.
-Ina më dha këtë letër për ty,- foli ajo me një frymë dhe u zhduk me vrap midis hapësirës e krisjes së derës.
Admeti lexoi një shkrim të nxituar, ku m-të dhe n-të ishin zëvendësuar me viza, shenjë kjo që të linte të kuptoje se letra ishte shkruar tmerrësisht shpejt dhe me nervozizëm. Lina i kërkonte të shkonte me urgjencë në shtëpi të saj, diçka duhej thënë atje, “unë nuk e di se çfarë”, thoshte ajo, “këtë mendoje ti më mirë”. Në fund fare, lexoi një fjalëzë të vogël, pas shprehjes “duhet të vish pa tjetër, ndryshe ...”, që ai e lexoi jo “ ndryshe ”, po “ prishje ”. Nuk e kishte menduar kurrë se pas kaq e kaq vitesh, në një ditë të bukur fundgushti, kur ai qe diplomuar, ishte bërë shkrimtar i njohur, në të njëjtën kohë do ta shtynin diku, në xhunglën më malore të zonës, do t’i këpusnin dhe një “ ndryshe ” në një letër tepër të nxituar e tmerrësisht të nervozuar. Truri iu irritua, nervozizmi i atyre shkronjave iu ngjit nëpër sy si një mori milingonash. “Po qe se s’vete, ç’do të ndodhë po qe se s’vete”?
Këtë pyetje i bëri edhe babait, kur i tregoi për herë të parë për atë vajzën dhe letrën e saj dhe se ajo vajzë me letrën e nxituar e tepër të shqetësuar e detyronte t’i shkonte pa tjetër në shtëpi dhe e kërcënonte me një “ndryshe”.
“Ajo kërkon ndihmën tënde” do të shtonte babai pas një heshtje të gjatë, duke i lënë të nënkuptonte se duhej të shkonte, “se asgjë e mirë në jetë nuk bëhet me kokfortësi dhe se midis dy njerëzve që duhen, kur njëri e humbet toruan, tjetri duhet të jetë më gjakftohtë” e gjëra të tjera të tilla, që babai i thoshte me ngadalë, i menduar, duke u munduar të ruajë ekuilibrin e të birit, pikërisht sot, kur po mundohej të dilte në jetë dhe ajo, jeta, po i jepte goditjet e para.
4
Admeti u nis. Derën ia hapi Ladina që ishte veshur me rroba të zakonshme dhe nuk mundohej aspak ta fshihte shqetësimin. E prisnin nëna dhe motra e madhe e saj, si edhe gruaja e dajos. Procesin, kështu e quajti bisedën më vonë, e drejtoi dajesha, një fuçi, që sipas tij, pak i ngjante gruas.
-Ky është ai ?- pyeti dajesha Ladinën, si të bëhej fjalë për ballafaqim me një keqbërës, që me forcë e kanë sjellë nga ana e anës vetëm për të thënë ajo grua e stërtrashë atë “ky është ai ?”, që Admeti me mendje do t’i shtonte një “ tipi ”, ose “ rrugaçi ”.
- Po babanë pse nuk e solle ?– pyeti ajo papritur.
“Se nuk më deshi kjo”, u bë gati të thoshte Admeti e të kapte me dorë organin mashkullor, por përfytyroi se si do të reagonte Ladina, si do ta përdorte atë shprehje dajesha e, në fund të fundit, gjithçka do të shkatërrohej në mënyrën më të shëmtuar.
-Kështu e mendova, - tha ai me indiferentizëm, - dhe kështu është më e mira.- Unë erdha të njihemi, me Ladinën...
Por dajesha ia ndërpreu fjalën duke iu drejtuar mamasë dhe motrës së Ladinës se “ky”, domethënë duhet nënkuptuar “ rrugaçi ”, siç paska thënë edhe herë të tjera ajo, “nuk qenka njeri serioz, do të tallet me çupën e botës, se edhe emërimin në filifistun e paska kërkuar vetë, e të tjera e të tjera ”. Pastaj i tha atij se “ne, fisi ynë, nuk e kemi zakon të bëjmë dhëndër fshatar”.
Admeti, që nuk kishte ardhur për t’u bërë dhëndër dhe po i mohonin diçka që s’kishte kërkuar, e ndjeu veten vërtet të fyer, bile më të fyer edhe në se do të kishte ardhur me qëllimin për t’u bërë dhëndër. Ndjeu një si thikë të mprehtë ta godiste drejt e në kockë dhe nuk e përmbajti dot veten.
-Kush je ti,- bërtiti ai,- injorante bajgë, fuçi ndyrësirash!
Kuptohet që pas kësaj dajeshës do t’i binte të fikët, do të kërcisnin tasat me ujë “uf”- et e “puf”– et, “ç’na bëre kështu o Admet”, që do ta thoshte Ladina, “pse e solle kokën”, që do ta thoshte mamaja. Do të luhej teatër, kurse ata, dy heronjtë kryesorë do të mbeteshin jashtë, për fatin e tyre do të vendosnin të tjerët, kurse uji e psherëtimat, të fiktit e të shkumbëzuarit do të ishin mjetet artistike të regjisorit të padukshëm të asaj skene.
Ladina nuk po fliste fare. Kjo e habiti Admetin, i cili e ndjeu veten jo të tepërt, por tepricë në atë proces, siç filloi ta quajë atë skenë pa skenar, me një regjisor të padukshëm, ku u luajt për dreq një vepër me një akt, me pak dialog e më tepër heshtje.
Ladina nuk tentoi ta ndalte, as e ndoqi nga pas, të paktën ta qortonte për fjalët që tha, të kthente pak kokën, ose në fund të fundit të ndjente një rënkim a një psherëtimë të lehtë. Ai ndjeu se në shtëpi të saj ishte marrë një vendim dhe ajo e kishte thirrur vetëm sa për të qetësuar veten.
Në qytet s’kishte pse të rrinte më. Zemra i thërriste të nisej drejt së panjohurës. Dhe të nesërmen, vërtet, u zhyt drejt së panjohurës.