FËMIJË I PORSALINDUR
Qaj,
se s’kam fuqi;
asgjë nuk di.
Baltë e Zotit,
Bukegjellemish i Tij ...
Qaj,
se s’kam liri,
se dola nga një burg-magji
dhe dua gji;
dua të pi !
Qaj,
se s’di të qesh;
jam sylesh.
Qaj,
si lajmëtar i fatit tim –
Rrebesh.
Si peshk mbi rërë
Fërgëlloj.
Vij në këtë botë i frikësuar
dhe i pangopur shkoj ...
EMBRION
Fusha e kohëmatësit
kokërr ulliri e madhe
e blertë dhe e hidhët.
Profeti vuan e zgjidh
Pikëpyetjet e Po-ve
dhe Pse-të e Jo-ve.
E drejta, e vërteta qarkullon,
llokoçitet e s’bie
si një e verdhë veze, si një rruazë tespie...
Zogu, që është brenda plot durim
duke fjetur premton zgjim.
Jetën mbi shtrat e gjeta …
Është si ëndërr,
si një mashtrim,
jeta që fle në zgjim.
MAT-HAUZEN
Pastaj zaptuesit u bënë bishë,
shtazë mizore pa gjak, pa shpirt;
Bota si lodër u dukej dhe donin,
ta varnin, ta shkelnin pastaj ta pushtonin ...
Po si ?!
Dhe një kurth e kurdisën atje,
ta piqnin çdo copë me Luftë-rrufe ...
Mbaruan projekte me dhëmbët e derrit,
sipas abetares barbare të tmerrit
Dhe hapi portat, siç leh një qen
Kampi i llahtarit – Mat-hauzen.
Krematoriume, gjellë të pështira,
cfilitje shpirti, plagë të nxira ...
Një levë lëviz dhe hop ! në bodrum,
sakaq trup e shpirt bëhen tym e sapun.
Po shpresa ku ishte ?! Si dielli pse s’fekste !
Ajo priste kohën të ecte; gjersa koha u bind;
Si merimanga në brinjët e thella të shekullit,
ajo në të errët rilind
Urtësinë dhe të vdekurit.
KURTH
E kuqja u zgjyr
nga bardhësia e mëkatit;
Vajza ngrehu kurthin
në çengel të shtatit.
Njeriu i paralajmëruar është gjysëm i shpëtuar.
Por, ah ! Kur të kapërthen epshi, mbaruar ke ...
Rrëpirë drithëruese-
Vend i butë;
Benzinën kthen në ujë
Dhe t’i lag drutë...
LËKURA
Nën lëkurë
drita ledhatare
drithëron.
Gjurmë të djegies
Kaq afër lindjes
Rrënjët e vdekjes.
Lëkurat janë dëshmitare,
lëkurat flasin, si rrudhat e mendjes.
Lëkura e parë digjet,
nën të skuq lëkura tjetër,
si një fik me shije parajse,
jetë dhe kohë.
Lëkura do të shohë
punët e larme të kësaj bote.
Lëkurë e vjetër, si patkua fatgjorë
Kali
Formulë idiote.
Lëkura e re mbin si mjalti mbi mermer
mbulon të lashtë e të lirë.
Të ikurit
dhe të vdekurit s’kanë nder.
Lëkurë e pashkruar
më përshkëndit
në sy e duar.
KËRKOJ SYTË E SHPIRTRAVE
Po të ketë shpirti vetulla të gjata,
atëhere jemi në rregull,
diku do të jenë edhe sytë.
Pa dyshim, do të jem i lumtur.
Si me duhan të grirë shumë hollë,
me ata flokë të gjatë, si mjegull
mbush çibukun.
Jam si një shpirt vetullgjatë
në një trup të zhdukur ...
I tretur në ujrat e dheut
Ndez çibukun
dhe tymi i tij bojëqielli
përzihet me klithmat e Prometeut.
Ja, ku e kam shtëllungën e patjerrë,
hedhur përmes hithrave !
Kërkoj,
kam tërë jetën që kërkoj
Sytë e shpirtrave.
RRËFYES PËRRALLASH
Shiko qiellin mbi parvazin mjeran !
Pavdekësia ndyhet nga gënjeshtra,
vërshëllen nga kati i njëmijtë,
botën spërkat me temjan.
Dashuria tret dashuri.
Këmbët e prera të kohës,
zemërimi i saj i paepur;
nga noçka e saj e bukur unë lus,
mos i mbyll kanatat e mishit,
atje ku gatuhen puthjet.
Rrëfyes përrallash,
Qershia e mallit tim për ty,
Mjaltë i mjaltit.
MISHI MBIN MBI MISH
Ta dish
nuk mund të mbjell në tokë
një copë mish të ngrohtë,
në vend të farës.
Mishi mbin mbi mish.
Syth kujtese larush
në eshtrën e zgjimit të parë.
Kandil dhe prrush
Djalë dhe kalë.
Brof fitili i mëngjesit,
Ngadalë, lak i muzgut,
ngadalë !
Këtu nuk është mejhane,
gabimisht
Djalli tymos cigare,
pi kafe e fërnet
i bardhë
në Zyrën e Agjitacionit dhe Propagandës
pret
prenë e radhës ...
SHTËPIA IME
Kur isha fëmijë detin se pse e desha shumë
dhe shumë frikë e pata të tmerrshmin det.
Për tjetër det pata nevojë në jetë;
Më lini të zhytem atje ku s’kam frikë,
në detin magjik të diturisë !
Atje është shtëpia ime e vërtetë.
ULKONJA E ËNDRRËS
Etje vere
Bisha ngjitet malit.
E ç’dimë ne për etjen dhe urinë ?!
Ëndrra – motër me shpresën;
Ëndrra, Bota, Profecia ...
Bisha e etur
Ngjitet edhe pse e di
që dielli është lart
dhe ujrat rrjedhin burimeve poshtë.
Bishë e mençur
ngjitet të lëpijë fshehurazi farën e ëndrrës.
Ëndërr e shëndoshë
ajo shëndoshet duke ecur
nëpër shtigje të thepisura,
nëpër tehe kockash pa mish,
nëpër thumba bletësh që lodrojnë
luleve të detit të së keqes.
Ujit gjakun e pafajësisë,
që rrjedh nga zemra e rinisë !
Ëndrrat shëndoshen
mjegull lavdie duke pirë
shtegut të ngushtë me dëborë të ngrirë.
Bisha nuk ka uri për gjak
ka neps për ëndrra ...
Kryevepër në kishë,
Gjarpër tek musëndra.
Ëndrra më e lashtë se bota;
Hëngërsh kokën tënde,
moj bishë !