| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Poezi nga Hysen KOBELLARI E diel, 30-03-2008, 06:25pm (GMT) FËMIJË I PORSALINDUR Qaj, se s’kam fuqi; asgjë nuk di.
Baltë e Zotit, Bukegjellemish i Tij ...
Qaj, se s’kam liri, se dola nga një burg-magji dhe dua gji; dua të pi !
Qaj, se s’di të qesh; jam sylesh.
Qaj, si lajmëtar i fatit tim – Rrebesh.
Si peshk mbi rërë Fërgëlloj. Vij në këtë botë i frikësuar dhe i pangopur shkoj ... EMBRION Fusha e kohëmatësit kokërr ulliri e madhe e blertë dhe e hidhët.
Profeti vuan e zgjidh Pikëpyetjet e Po-ve dhe Pse-të e Jo-ve.
E drejta, e vërteta qarkullon, llokoçitet e s’bie si një e verdhë veze, si një rruazë tespie... Zogu, që është brenda plot durim duke fjetur premton zgjim. Jetën mbi shtrat e gjeta … Është si ëndërr, si një mashtrim, jeta që fle në zgjim. MAT-HAUZEN Pastaj zaptuesit u bënë bishë, shtazë mizore pa gjak, pa shpirt; Bota si lodër u dukej dhe donin, ta varnin, ta shkelnin pastaj ta pushtonin ... Po si ?! Dhe një kurth e kurdisën atje, ta piqnin çdo copë me Luftë-rrufe ...
Mbaruan projekte me dhëmbët e derrit, sipas abetares barbare të tmerrit Dhe hapi portat, siç leh një qen Kampi i llahtarit – Mat-hauzen.
Krematoriume, gjellë të pështira, cfilitje shpirti, plagë të nxira ... Një levë lëviz dhe hop ! në bodrum, sakaq trup e shpirt bëhen tym e sapun.
Po shpresa ku ishte ?! Si dielli pse s’fekste ! Ajo priste kohën të ecte; gjersa koha u bind; Si merimanga në brinjët e thella të shekullit, ajo në të errët rilind Urtësinë dhe të vdekurit. KURTH E kuqja u zgjyr nga bardhësia e mëkatit; Vajza ngrehu kurthin në çengel të shtatit.
Njeriu i paralajmëruar është gjysëm i shpëtuar. Por, ah ! Kur të kapërthen epshi, mbaruar ke ...
Rrëpirë drithëruese- Vend i butë; Benzinën kthen në ujë Dhe t’i lag drutë... LËKURA Nën lëkurë drita ledhatare drithëron. Gjurmë të djegies Kaq afër lindjes Rrënjët e vdekjes. Lëkurat janë dëshmitare, lëkurat flasin, si rrudhat e mendjes.
Lëkura e parë digjet, nën të skuq lëkura tjetër, si një fik me shije parajse, jetë dhe kohë. Lëkura do të shohë punët e larme të kësaj bote.
Lëkurë e vjetër, si patkua fatgjorë Kali Formulë idiote. Lëkura e re mbin si mjalti mbi mermer mbulon të lashtë e të lirë. Të ikurit dhe të vdekurit s’kanë nder.
Lëkurë e pashkruar më përshkëndit në sy e duar. KËRKOJ SYTË E SHPIRTRAVE Po të ketë shpirti vetulla të gjata, atëhere jemi në rregull, diku do të jenë edhe sytë. Pa dyshim, do të jem i lumtur. Si me duhan të grirë shumë hollë, me ata flokë të gjatë, si mjegull mbush çibukun.
Jam si një shpirt vetullgjatë në një trup të zhdukur ... I tretur në ujrat e dheut Ndez çibukun dhe tymi i tij bojëqielli përzihet me klithmat e Prometeut.
Ja, ku e kam shtëllungën e patjerrë, hedhur përmes hithrave ! Kërkoj, kam tërë jetën që kërkoj Sytë e shpirtrave.
RRËFYES PËRRALLASH
Shiko qiellin mbi parvazin mjeran ! Pavdekësia ndyhet nga gënjeshtra, vërshëllen nga kati i njëmijtë, botën spërkat me temjan.
Dashuria tret dashuri.
Këmbët e prera të kohës, zemërimi i saj i paepur; nga noçka e saj e bukur unë lus, mos i mbyll kanatat e mishit, atje ku gatuhen puthjet.
Rrëfyes përrallash, Qershia e mallit tim për ty, Mjaltë i mjaltit.
MISHI MBIN MBI MISH
Ta dish nuk mund të mbjell në tokë një copë mish të ngrohtë, në vend të farës. Mishi mbin mbi mish.
Syth kujtese larush në eshtrën e zgjimit të parë. Kandil dhe prrush Djalë dhe kalë. Brof fitili i mëngjesit, Ngadalë, lak i muzgut, ngadalë ! Këtu nuk është mejhane, gabimisht Djalli tymos cigare, pi kafe e fërnet i bardhë në Zyrën e Agjitacionit dhe Propagandës pret prenë e radhës ...
SHTËPIA IME
Kur isha fëmijë detin se pse e desha shumë dhe shumë frikë e pata të tmerrshmin det.
Për tjetër det pata nevojë në jetë; Më lini të zhytem atje ku s’kam frikë, në detin magjik të diturisë !
Atje është shtëpia ime e vërtetë.
ULKONJA E ËNDRRËS
Etje vere Bisha ngjitet malit. E ç’dimë ne për etjen dhe urinë ?! Ëndrra – motër me shpresën; Ëndrra, Bota, Profecia ...
Bisha e etur Ngjitet edhe pse e di që dielli është lart dhe ujrat rrjedhin burimeve poshtë.
Bishë e mençur ngjitet të lëpijë fshehurazi farën e ëndrrës.
Ëndërr e shëndoshë ajo shëndoshet duke ecur nëpër shtigje të thepisura, nëpër tehe kockash pa mish, nëpër thumba bletësh që lodrojnë luleve të detit të së keqes.
Ujit gjakun e pafajësisë, që rrjedh nga zemra e rinisë !
Ëndrrat shëndoshen mjegull lavdie duke pirë shtegut të ngushtë me dëborë të ngrirë.
Bisha nuk ka uri për gjak ka neps për ëndrra ...
Kryevepër në kishë, Gjarpër tek musëndra. Ëndrra më e lashtë se bota; Hëngërsh kokën tënde, moj bishë ! |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||