Istref Haxhillari
E enjte, 12-11-2009, 07:10pm (GMT+1)
 | | Istref Haxhillari | PASAPORTEISTREF HAXHILLARIJeta ime është fare e thjeshtë për cilindo dhe tmerrësisht e komplikuar për mua. Krijimtaria ime është një krisje e shpirtit të hepuar nëpër mote. Në kuptim metaforik njeriu i përngjet lisit, rrënjët e të cilit janë e shkuara, trungu e sotmja dhe lastarët e ardhmja. Ndër tre komponentët, rrënjët e padukshme, kohësia e kurrënjohur plotësisht, përjetohet tej përmasave reale zmadhuar e shformuar, pasqyrim konveks i tyre. Rrënjët e padukshme jetësojnë të sotmen dhe përimtojnë të ardhmen, mbushin me lëngun limfatik duknajën dhe fantazinë, vërtetësoren dhe imazhet prej të cilave më ka buisur shpirti që në rininë e hershme. Kujtesa e mbingarkuar prej gjithfarë fiksionesh nduk dhe kurdis mekanizmin e pakuptuar të nënvetëdijes, prej nga ndihem përherë i ngacmuar e i shqetësuar. Jam lindur në Pogradec ku mbarova arsimin e mesëm. Në vitin 1977 u diplomova për Fizikë në Universitetin e Tiranës. Më 1985 kam kryer kursin pasuniversitar për këtë specialitet. Mësues dhe drejtor shkolle, pastaj inspektor, shef i arsimit të rrethit Pogradec, përgjegjës i burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore etj. Aktualisht mësues në shkollën e mesme të qytetit. I martuar me tre fëmijë. Jam dashuruar me letërsinë që në fillesë të karierës sime. Prej disa vitesh kam botuar tregime, ese dhe publiçistikë në shtypin periodik, një pjesë e të cilave u botuan nëLibrin “Përthyerje“, viti 2007 Romani “ Pesha e kohës „ botuar në vitin 2008 Proza “ Bari i ujkut „ botuar në vitin 2009 Novela “ Ëndrrat kryqëzojnë kohën „ në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, botuar në vitin 2009. Botime në shtypin letrar të Tiranës, revistën HAEMUS, Bukuresht, revistën The Eastern European Messenger Londër, në faqet e internetit etj.    
|