| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Jakov Xoxa E merkure, 14-02-2007, 08:39pm (GMT)
Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në një fshat myzeqar afër Fierit, ku, në vetmi të plotë krijoi romanet: "Lumi i vdekur" (1965), "Juga e bardhë" (1971) dhe "Lulja e kripës" (1978), që hynë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë, të letërsisë shqiptare. Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si "Lumi i vdekur" apo dhe periudhën gjatë luftës, si romani "Lulja e kripës", ku gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar. Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit XX. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist: fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Shëmbëllyeshëm me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike. Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare: nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi. Autori rrëfimin e vet e ndien si një bashkëbisedim në mes tregimtarit dhe lexuesit: Desha të shkruaj një roman jo sikur lexuesin iks ose ipsilon ta kem larg, jo, desha ta shkruaj sikur lexuesin ta kem para meje, gjatë çdo radhe, sikur të hyj në bisedë me të, sikur t'ia tregoj jo letrës, por lexuesit me mend në kokë, që, duke lexuar, do të kundërshtojë, të flasë, të thotë ki mendjen, mos gënje! E desha romanin tim që të jetë sa më realist, se realizmi në art është gjithçka për mua. ANG
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||