Jam Konstandini - ju flas nga varri
erë baltë e pluhur kockash
mban klithja ime.
Dua njeriun
ka humbur njeriu
a ka rob në këtë botë të vdekur
a të vdekur në botën e të gjallëve
të më sjellë njeriun?
Ngrihuni
tu zëmë vendin të gjallëve
se të gjallët tashmë janë kthyer në kufoma
tek i shqyejnë pjesët e mishta njëri-tjetrit.
Dhe ime motër, iku
e më la në prëhër kopilin e besës së çartun,
i hipi të bëjë dashuri me një të vdekur
se qënkan dashnor më të zjarrtë se të gjallët.
Ç'bëjnë të gjallët ? Ku janë të gjallët?!
thërrët era e baltës e pluhuri i kockave
të Konstadinit që kërkon motrën.
Po kush t'ja sjellë, tani që karvanet kanë ikur
e Doruntina ndodhet prostitutë ne Romë.
Të vdekurit mbi kalë kurrë s'e kalojne detin
e legjendat më kot kërkojnë për njeriun...
Boston 2004