Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E hene, 13-10-2008, 10:17pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
 » Kim Mehmeti
 » Klajd Kapinova
 » Keze (Kozeta) Zylo
 » Kujtim Dashi
 » Klito Fundo
 » Koçi Petriti
 » Koço Kosta
 » Kolec Traboini
 » Karl Gurakuqi
 » Kujtim Mateli
 » Kadri Osmani
 » Kalosh Çeliku
 » Kostaq Duka
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët K » Kolec Traboini
 
ANTIKOHA
E premte, 15-06-2007, 09:29pm (GMT)

Koha e prostitutave

I gjëndur larg Atdheut, i përhumbur nëpër dallgët njerëzore
në hallin e një njeriu që dot s'e gjen - as vehten e as rrojtjen
në këtë babilon shurdhërie - ku kurrkush nuk më njeh
e sado të përpiqem të njoh të tjerët, mbetëm prap Alien;
në marramendje metrosh, trenash, avenjush, avionësh
e njerëzish të ngutur, që ikin sikush tek enigma e tij
duke e mbështjellë keq e më keq lëmshin tim
të mendimeve…

...i mbetur në stacionin e ikjeve krejt i vetëm,
në mes hedhurina gazetash të datës 15 dhjetor 2003
me fytyrën e Sadam Hyseinit CAPTURED
në një vrimë betoni - ku gjashtë muaj kish fjetur
me mijtë dhe dy ordinanca që e tradhëtuan,
më duket se jam unë ai që u "captured"
në këtë stacion ku qëndroj duke pritur më kot
Godonë tim, mikun më të vjetër të shekullit të ri,
ushtarët të më arrestojnë e me pompë të shfaqen
kamerat e CNN-ve e Fox Njuzëve,
të fiksojnë fytyrën time të hutuar prej emigranti,
të braktisur nga atdheu i vjetër dhe i ri
njëkohësisht - më kot pres,

...ndaj i zhgënjyer rrekëm të kërkoj,
në xhepat zbrazur të blu xhinsëve
ku shtriqen këmbët e mija ta mardhura si dy shkopinj,
monedhat metalike për në stacionin tjetër
(edhe në lashtësi, kur shkonte në botën tjetër,
kufomës i vinin tek goja një monedhë metalike),
e kur nuk gjej dot asgjë më shumë se 27 cents,
si Allen Ginsbergu në Berkly më 17 janar 1956,
i mbetur në peshën e asgjëje që rëndon
në xhepat e mi e në ndergjegjen time,
e që më humb shpresën si tis mjegulle,
i mbetur tej mase i kapluar nga mendimet e zymta
që ma çpojnë me yzgji kalin e zemërimit,

...diku në Forest Hill, stacionin e fundit të trenave të Bostonit,
diku pranë varrit të Fan Nolit të mbuluar me brenga dëbore
që këtë vit dyndi si tromaksje mbi Nju Ingland,
diku pranë një bredhi Krishtlindjesh e Plakut të Vitit të Ri,
ku një zezak trupmadh puth e nduk një pelë bjonde,
që fut në ngasje një pijanik të strukur tek lëpin buzët me neps
e pi për tu ngrohur një kafe kalimtare Dunkin - Donuts.
I gjëndur krejt larg vehtes - në fatin e poetit të braktisur
nëpër ëndrra të dallgëdisura - vehtes i them;
a ka kuptim ende të burgos brengat në gjoksin tim,
a duhet ende ti mbaj në kokë këto mendime të egra
që po ma çkallojnë trurin e duan të derdhen si lumë,
a nuk duhet vallë, që dikushi - qoftë dhe në trajtën e askushit
brënda a jashtë shurdhërisë time babilonase të më dëgjojë:

...Shqipëri, vëndi im, deri kur do të vazhdojnë
këto mundime njerëzore?
Deri kur do ti lësh pjellat e tua të bredhin nëpër botë
për ca euro-dollarë që me zi ua shtyjnë rrojtjen,
të lajë pjata për bukë një poet a doktor?
Deri kur vëndi im, do të rrekësh në fatin e hidhur
të kufomave shetitëse në të katër horizontet?
Deri kur dielli do të vazhdojë të përëndojë
në imazhin e një anije të mbytur
në detin e klithmave të vdekjes
nën pulëzeza ndjellakeqe dëshpërimi?
...deri kur do të vazhdojë kjo luftë njerëzore
si nëpër filma të çuditshëm hollivudian
"A nuk i vrasin dhe kuajt kështu?"
A bën të ma thuash, a bën ta ta di, e për më tej
a duhet të kem guxim të mendoj,
se mbi shpatull na ra fati i rëndë i popullit të izraelit,
të vdesim të braktisur nëpër dhera të huaj?
Deri kur do të gjëndemi si kufoma për së gjalli
duke ndjerë zëmren të na bëhet eshkë?
Deri kur do të shohim pjellat e tua të vënë në gjoks
simbolet e fqinjëve në stadiume olimpikë
nën thirrje të ethëshme e delir mastrubimi
e të huajt, mosmirënjohës, të brohorasin
deri në ekstazë marramëndese triumfin mbi ty.

* * *

Enigma shetitëse pas shpinës së njeriut
ambicje vetshgrryese
nxirësit e jetës së shokut e mikut
kapuçionë të katranit
zvarranikë kuintash
gjarpërinj nën tela me gjëmba
kukuvajka pëndëkuqe
trungje të kalbura shetitëse
nën lumë e mbi lumë
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Kazan shtrigash makbetiane
nën dritën verdhane të hënës së mekur
cfurkëzinj në degë lisash magjikë
luciferrë me bisht të përdredhur
patkua që tundet në erë pikëllueshëm
këmbane requiem për kafkën e çarë
të kalit të bardhe
që nusen nuk e çoi kurrë në nusëri
e vetë në shtëpinë e dhëndrrit s'u kthye
kurr më
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Natë e eger me palcë të akullt
ravijëzuar prej vetetimave
prerë prej shpatës
çpuar prej plumbave
flamur i reckosur në gjysëm shtizë.
Thonj skifterësh që shqyejnë ëndërrimet
e engjëjve të njomë, të pa frymë, të mermertë
si pëllumba të vdekur,
hiena gjaku me ulërima kobndjellëse
në mjegull
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Salla koncertesh me kufoma shetitëse
dy zogj të varur - pendul të një ore
nga çerdhja fatale kumtojnë kumtin e zi
ding-dong, ding-dong
një i vrarë, dy të mbetur,
tre e një çerek të tretur.
Shkel i vdekuri mbi të gjallë
dhe i gjalli përmbi varr
o kohë e vdekur...
Stomak pianecësh të përvjellur
në sheshin e Demokracisë
shtatore heronjsh të raskapitur
deri në përgjumjev prej fjalime
oratorësh neveritës:
Fitore, fitore edhe një herë fitore
për popullin.
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Fytyra të paskuqura deputetësh
qeveritarë me çiban në by...
gra ministrash me mbathje lëna moteleve
çfrime seksesh që kërkojnë të thyejnë stresin
tregtarë zëmërakull që gomarin për qëngj
e shesin.
Qytete të kalbëzuara - koloruar ndezëshëm
sekse-fëmërore pikturuar në fasada bashkish
simbol tubimi:
Proletarë (a demokratë)
të të gjithë vendeve bashkohuni
kafshoni mollën e Adamit dhe Even
përfund shalësh shkalafiteni.
Derdhni ç' keni për të derdhur dhe ikni
nga sytë këmbët - vetëm ikni, ikni
sperma juaj ka veç fuqinë e çmbirjës
këtë dhè ikanakësh e ndjek nga pas
profecia biblike e shkatrrimit
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Gomone e çpuar, e çvirgjëruar nën mëshirën
e pamëshirë të dallgëve
frymët njerëzore tallazitur e përhumbur
në katakombet ogurzeza të Otrantos.
Narkotikë në borsete grash
e bagazhe artistësh
me "Monologët e Vaginës" nën sqetull.
Modernizmi nuk është i plotë, mesaduket
pa krijimin e Mitit të Seksit
pa çka se kutërbimi i gjirizeve sfidon mesjetën
me ngerç dhune në mbishkrime nevojtoresh
e mastrubime përverse të vetvetes.

Nëpër skuta të mykura epshesh shterpë
gëlojnë eunukë modernë të tredhun plot urrejtje
mes seksesh të harbuar (Viagra s'u bën punë)
të dënuar përjetë pa orgazëm
ipotent të errësirës
hije të mjeruara të vetqënies.
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Si kufoma e njeriu të vetvarur
hëna luhatet mes resh të zeza
rrëshqet mbi pellgje ujrash
e trazon shpirtëra vampirësh
ringjallur në varreza.
Kafshimi në shpatull - modë sundimtarësh
sipas kodit amoral të kanibalizmit modern
ujku për njeriun është njeri
a diç tjeter më i zi
varur prej shkallës së shtazërise
- vizatuar në shpatull të Mëmëdheut.

Çfarë të vizatojnë ende në këtë shpatull
Zotërit e Dhunë-Përdhunës nuk dinë.

* * *

Rrojmë në një kohë të përçudnueme
kur mafiozët janë gjykatës e kapucionët ruajnë rendin,
kur dijetari shikon tokën prej turpit dhe qiellin prej zemërimit
se pesë bananet- si pesë libra të botuar e harruar- nuk shiten,
kur nënat shamizeza e nisin diten varreve dhe plaget e hapura
qëndrojne në gjokset e tyre si murana të shpirtit,
ndersa pleqtë heqin këmbët zvarrë, duke ju lutur zotit ti marrin
se nuk kanë bukë, dritë e ngrohje për të mbledhur kockat,
kur skutave të fshehta jeniçerët e errësirës mprehin shpatat
nën klithje korbash,
e handikapët ngrijne si shtatore të lakuriqta spitaleve
duke sfiduar herojt kombetar në bronze sheshesh mburravece,
kur femijet grabiten per t'ju hequr organet, e me pas,
i varrosin si qen të braktisur trupat e njome prej engjejsh...

Rrojmë në një kohë kur askush nuk të zgjat një kothere
të mbash frymën
e njeriu i varfër tjetërsohet në nebulozen e predikimeve
se si duhet të jetë e si duhet të mos jetë njeriu,
shkëmb përpara tundimeve tokësore si frymorë te vdekshëm
e kurrsesi dëshira të mos e kaloje arsyen e babëzia urinë,
ndërkohë që i varfëri njeri e ndjen vehten kurrgjë më shumë
se një molusk
i kapur pas guralecave të detit a pas shkëmbejve të bregut
derisa të bjere zbatica e ujrat të firaksen
duke sjelle squlljen brenda guaskave të moluskut-njeri
a të njeriut-molusk

Rrojmë në një kohë antikohë e antivlerë
kur gomonet nisin pertej detit virgjirëshat
e rrëmbyera si robe piratësh mesjetarë

per t'i kthyer në prosituta
rrugëve
      të Brindizit,
      Romës,
      Milanos,
      që bashkë me fatzezat e Athinës
      bëhen mijëra shpirtëra;
      vajza
      të Vlores,
      Fierit,
      Beratit,
      Lushnjës,
      Tepelenes,
      Shkodrës,
      vajza të rritura
      pellgjeve të mjerimit
      por me ëndrra të bukura
      për një ditë te trendafiltë
      kur kalorësi i përrallës
      do t'u sillte
      këpucën e artë
      në kerkim
      të këmbës me fat
      të mbretëreshës së ardhëshme.

* * *

Zbriteni Mona Lizën nga korniza
hiqeni zvarrë nga Luvri në Tiranë
çvisheni lakuriq të llahtarisen ëngjëjt
përdhunojeni pa mëshirë me afsh terbimi
ju Xhon Ridët e Rinj të revolucionit pornografik
derisa orgazma t'ua errësojë pamjen
dhe mos harroni oral seksin
para se ta nisni prostitutë në Romë...

Prostituta, nderi juaj i humbur
është fytyra e këtij qytetrimit amorf
që ju theu ëndrrat e mizorisht ju braktisi.
Koha bëri pelena gjaku me nderin tuaj
per t'i treguar njerëzimit,
e vet Zotit ndoshta,
se deri ku shkon poshtërsia e njeriut,
e pjellave makabre të rritura
në shtratin e Prokustit

Ju fytyra te vrara prej dhunës
e egërsisë mashkullore
jeni lule te shtypura prej këmbesh barbare
të lidhura pas kangjellash
e shumfish të perdhunuara
prej djemsh mizor
me fytyrë njeriu
e shpirt kafshe
ndonëse është krim ndaj kafshëve
ti krahasosh me mizorët,
      mizorët
      që rrahin,
      thyejne krahë,
      presin duar
      e vrasin,
      duke lënë të braktisura
      kufoma pa gjymtyre
      e trupa pa kokë,
      të mbetura perjetësisht
      pa indentitet
ne ca varre te trishtueshme pa emër.

Ju fatthyera vajza me virgjëri të masakruar,
me jeten e shitur fare lirë trotuareve
jeni pasqyre e kohës - pasqyrë e njerëzve,
sado që ata largohen prej jush si djalli nga temiani
pasi të kenë shfryrë epshet.
Jeni viktima të atyre që udhëheqin politikën
e drejtojnë shtetin
si të ishte një Bordello a Superstore-seksi
prane Koloseut të Romës a Akropolit te Athines
ku epshet bashkë me artin e bashkëjetojnë
ndër shekuj,

Ju Hirushe Shqipërie, ju vajza-prostituta
kam më shumë nderim për ju se sa për politikën
a burrat e shtetit - pjellë e kohës prokustiane
e kohës çnjerzore me njerëz shpellorë
që egërsisht ju përdhunoi dhe mizorisht ju vrau,
ju vajza pa mbrojte,
pasaportë e identitetit të Atdheut tim fatkeq.

Ju Hirushe Shqipëria që enderruat këpucen e artë
dhe kalin e princit - në fillim të mijëvjeçarit të tretë
jeni akuzë e gjallë e stërmundimeve njerëzore,
në një shoqëri civile, ku civilizimi azmatik gulçon
në gjokse politikanësh e shtetarësh pervers
në hotel "Rogner"
që nën avuj skoç uiski a vodkë ruse prostituojnë
me ligjet e shtetin, me pasuritë, me pronën,
me kombin e kthyer në një ankand mizor
dëshirash të zvetnueme,
me pleq të marrë mbetur ende gjallë nga lufta civile
që mbi Nëntorin e Ismail Qemalit akoma vënë
Nëntorin e Titos e thërrasin "Rrofte Mukja!"
Me parlamentarë mediokër të zbritur prej guvash
si njerëz të lashtë a majmunë afrikanë para megafonësh
moderne,
me një Parlament
ku çligjërohen ligjet e ligjërohen antiligjet
e në Foltoren e Popullit
ujqërit u bëjnë moral qytetarëve të ndershëm.

* * *

Je ende brënda shpirtit të thyer e të brishtë
të vajzës tepelenase, ti Shqipëria ime,
me të cilën piva një kafe-intervistë të trishtë
në Athinën e zhurmëshme antiemigrante
të Miciotaq-Micodreqit- në qershor të vitit 1993,
nën tam-tamët e Pasokut për tu rizgjedhur
e portretet e presidentit shqiptar nëpër rrugë
nën mbishkrimin "Poshtë Berisha!", se mesa dukej
halle të tjera nuk kishin grekët për të zgjidhur
veç pritjen e barbarëve që në lashtësi
te nisur por kurr pa arritur të vinin...
Ndersa vajza tepelenase-adoloshente
që kërkonte të shpëtonte prej skllavërisë së seksit
u gjet me pas e vrarë diku pranë hoteleve-trotuarë,
ndanë Omonias, në sy të policisë,
ku bëhej pazari i mishit të gjallë
e me dhrahmi greke paguhej epshi i Bashkimit.

...Shqipëri, je brënda trupit të ngrohtë
të pjellave të tua që ende çapëlehen
prej pijanëcësh e drogaxhijsh
në rrugët
      e Athinës
      Romës
      Londrës,
      Parisit,
      Brukselit,
      Madridit
      e të djallit e të birit,
e që thonë: "Shqipëri të kemi...!"

* * *

Më sillni një njeri që s'ka bërë mëkat,
tha Krishti kur mbrojti Madalenen,
në kam qënë i mirë, pra, e për këtë dyshoj,
më sillni një cjap me rraso, se jam gati
t'i pëgërr në prëhër - e të rrëfehem përvujtësisht
për të tërë jashtqitjet e mija dhe të Botës
dhe të priftërinjëve të New Englandit,
sigurisht.
Alias, pra, në kam qënë i keq,
e kjo teori qëndron e admirueshme
prej nacionalitetit tim shqiptar - njeri me bisht,
(pàra - që të mos kemi keqkuptime),
çfarë shumë europianë e kanë vertetuar,
nëpër hanxharë të përgjakur në trup të Shqipërisë
zyrtarisht,
Gjykatën e Hagës s'ka nevoje ta mblidhni,
hidheni kufomen time ta hanë qëntë,
dënjësisht.

Por, gjithësesi e në çdo rrethanë
fjala e fundit si këngë mjellme
u duhet dëgjuar mëkatarëve
edhe shqiptar kur janë,
ndaj, para se të lë frymen time të qelbur
në dorën tuaj shpëtimtare,
sillmani "Virgjirëshen e Universit",
ta puth në buzë e pastaj të vdes i pënduar,
mjerisht.

- Ç' kërkon ky i marrë – me thanë dinjitarët në Bruksel,
"Glob Willagë" ka humbur virgjërinë që njëqint vjet.
Pastaj më përplasën në një furgon prostitutash,
të vrara, të vetvrara, të shqyera, pa kokë
e pa gjymtyrë
me vulën përcjellëse "Made in Albania".

Nuk isha i aftë të mendoja
e apelin e vërdiktit s'arrita, as ta marr e as ta nis,
se tej e përtej u hapën portat e Ferrit
e flakët kërcëllenin me zhurmë.
"Lè Mond," gjeti rast të shkruante:
"U riatdhesuan dyqint e pesëdhjetë shqiptar
baronë droge e prostitutash
e në mes tyre një Bard epileptik,
që shkruante vjersha kundër Bashkimit..."

Edhe pse në mes të flakëve torturuese të Ferrit
trupi im ngjizej shkrumb pas prostitutave,
lëshova një thirrje deri në kup të qiellit
që të dëgjonin Zotat shurdh në Olimp:
- Ah Europë, ti “Thinjoshja e Motit”,
kurrë nuk t'u atrofizua orgazma e seksit!

Si hakmarrje, kanë vendosur që hirin tim
ta shpërndajnë nëpër shoqata bamirëse,
si supë proteinash për të varfërit.
Amen!

* * *

... Zotërinj ambasadorë mbani shënin
për mundësinë e deportimit të poetit fjalëpistë
- të prostitutave kurrsësi-,
se në tregun europian të gjësë së gjallë
prishet ekuilibri i mishit të bardhë
e bjerrja e spermës sjell rënien e Euros
dhe Shik-Shish-i (shërbimi i fshehtë)
patjetër duhet ta hapë dosjen time
nëse deri tani nuk e ka bërë, çuditërisht,
për mundësinë e pamundësisë së rikthimit,
a monedhen në gojën poetike të mjerimit.

...Shqipëri hiq rrobat - zhvishu seks nudo
e harbohu me maskarejt e politikës
që ti i ushqen me gjakun tënd,
se për një poet të lodhur që ëndrroi
me fytyrën tënde prej virgjëreshe
që në fëmijërinë e largët, nuk ke vend,
nuk ke as punë, as bukë e as strehë
e as tokën e prindërve nuk ja kthen
por ndoshta, paradoksalisht,
do tja mbledhësh grushtin e kockave një ditë
për tu prehur diku në vëndlindjen e mjerë
të kurrmosprehjeve (ironikisht)...

* * *

…Deri kur në këtë dilemë, o Zot? Deri kur
kënga monotone njëmijë vjeçe e mjerimit,
do të më cojë në katakombet e shurdhërisë?
A ndoshta derisa të më shuhet fryma,
deri sa të më lëshohen gjymtyrët
e ta kthej fytyrën nga Atllantiku,
ku dallgët tërbohen mbi brengat e mija
prej emigranti të shuar e harruar.
Deri atëherë, pra, sa në frymën time të fundit
si tis avulli mbi oqean të detyrohem
të mërmëris me dhëmbë, sikur kafshoj gurë,
atë që poeti i madh i thoshte qeverise se vet,
ne poezine tronditese “Amerika”,...
se tjetër gjë nuk më ka mbetur të them
për këtë elite horrash parazitë që ushqen
me mishin e gjakun tënd, e mbi krye
si padronët e një shtëpie publike i mban,
ndërkohë që trupi yt shitet çdo ditë në ankand.

Dhe ti e di sa rëndë më vjen kur këto fjalë citoj
në zhargonin anglo-amerikan, brutalisht,
e di gjithashtu çfarë dhëmbje derrmuese kam
e çfarë dëshëron zemra ime për ty,
por nuk duroj dot më - se më erdhi fundi,
fundi i fundit të durimit e shpresës pa kuptim
që në gjoks po më grryen e ngadalë po më vdes,
ndaj si poeti pacifist në Berkly me 17 janar 1956
do ta fus dhe unë krahun tim nën rrotë,
le të thyhen e të dërmohen kockat e mija me rropamë,
është e vetmja alternativë që të mos shkruaj më
vargje për mjerimin e mjerimit që po na mbyt
e të mos të shfrej më në ty, Atdheu im i mirë,
me stilin e vargëzimit Ginsbergian...

Shqipëria ime,
plaga ime e pambyllur dhe në varr!

Boston, 15 Dhjetor 2003


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
HIRUSHJA (15-06-2007)
BALLADE E PISTE (15-06-2007)
SHËN VALENTINI POET (15-06-2007)
INTERLUD (15-06-2007)
BUDA I TRËNDAFILAVE (15-06-2007)
U BËRA TRUNG... (15-06-2007)
REQUIEM PËR NJË GJETHE (15-06-2007)
LETARGJI DIMËRORE (15-06-2007)
LEGJENDA KËRKON NJERIUN (15-06-2007)
VAJZA ME BISHTALEC (15-06-2007)
DASHURI DYGJUHËSHE (15-06-2007)
AKUAREL (15-06-2007)
17 TRËNDAFILAT E RRUGËS ALEKSANDËR MOISIU (15-06-2007)
PLAZMIMI I ERËS (15-06-2007)
VENUS PA KOKË (15-06-2007)
NUK TË KAM HARRUAR (15-06-2007)
SHTËPIA NË SOUTH STREET (15-06-2007)
QIELL I VDEKUR (15-06-2007)
A BËN TË SHKOHET NË PARAJSË, ME SHKARPË? (15-06-2007)
Sonata e yjeve (15-06-2007)
Kur të vdesësh ti (15-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]