Rrojmë në një kohë të përçudnueme
kur mafiozët janë gjykatës e kapucionët ruajnë rendin,
kur dijetari shikon tokën prej turpit dhe qiellin prej zemërimit
se pesë bananet- si pesë libra të botuar e harruar- nuk shiten,
kur nënat shamizeza e nisin diten varreve dhe plaget e hapura
qëndrojne në gjokset e tyre si murana të shpirtit,
ndersa pleqtë heqin këmbët zvarrë, duke ju lutur zotit ti marrin
se nuk kanë bukë, dritë e ngrohje për të mbledhur kockat,
kur skutave të fshehta jeniçerët e errësirës mprehin shpatat
nën klithje korbash,
e handikapët ngrijne si shtatore të lakuriqta spitaleve
duke sfiduar herojt kombetar në bronze sheshesh mburravece,
kur femijet grabiten per t'ju hequr organet, e me pas,
i varrosin si qen të braktisur trupat e njome prej engjejsh...
Rrojmë në një kohë kur askush nuk të zgjat një kothere
të mbash frymën
e njeriu i varfër tjetërsohet në nebulozen e predikimeve
se si duhet të jetë e si duhet të mos jetë njeriu,
shkëmb përpara tundimeve tokësore si frymorë te vdekshëm
e kurrsesi dëshira të mos e kaloje arsyen e babëzia urinë,
ndërkohë që i varfëri njeri e ndjen vehten kurrgjë më shumë
se një molusk
i kapur pas guralecave të detit a pas shkëmbejve të bregut
derisa të bjere zbatica e ujrat të firaksen
duke sjelle squlljen brenda guaskave të moluskut-njeri
a të njeriut-molusk
Rrojmë në një kohë antikohë e antivlerë
kur gomonet nisin virgjirëshat e rrëmbyera pertej detit
si robe piratësh mesjetarë
per ti kthyer në prosituta rrugëve të Brindizit, Romës, Milanos,
që bashkë me fatzezat e Athinës bëhen njëzet mijë shpirtëra;
vajza të Vlores, Fierit, Beratit, Lushnjës,Tepelenes Shkodrës,
vajza të rritura pellgjeve të mjerimit por me ëndrra të bukura
për një ditë te trendafiltë kur kalorësi i përrallës do t'u sillte
këpucën e artë
në kerkim të këmbës me fat të mbretëreshës së ardhëshme.
Prostituta, nderi juaj i humbur është fytyra e këtij qytetrimit amorf
që ju theu ëndrrat e mizorisht ju braktisi.
Koha bëri pelena gjaku me nderin tuaj per t'i treguar njerëzimit,
e vet Zotit ndoshta,
se deri ku shkon poshtersia e njeriut,
e pjellave makabre të rritura në shtratin e Prokustit .
Ju fytyra te vrara prej dhunës e egërsisë mashkullore
jeni lule te shtypura prej këmbesh barbare
të lidhura pas kangjellash e shumfish të perdhunuara
prej djemsh mizor me fytyrë njeriu e shpirt kafshe
ndonese është krim ndaj kafshëve ti krahasosh me mizorët,
mizorët që rrahin, thyejne krahë, presin duar e vrasin,
duke lënë të braktisura kufoma pa gjymtyre e trupa pa kokë,
të mbetura perjetësisht pa indentitet
ne ca varre te trishtueshme pa emer.
Ju fatthyera vajza me virgjëri të masakruar,
me jeten e shitur fare lirë trotuareve
jeni pasqyre e kohës - pasqyrë e njerëzve, sado që ata
largohen prej jush si djalli nga temiani pasi të kenë shfryrë epshet.
Jeni viktima të atyre që udhëheqin politikën e drejtojnë shtetin
si të ishte një Bordello a Superstore- seksi
prane Koloseut të Romës a Akropolit te Athines
ku epshet bashkë me artin e bashkëjetojnë ndër shekuj,
Ju Hirushe Shqipëria që enderruat këpucen e artë
dhe kalin e princit - në fillim të mijëvjeçarit të tretë
jeni akuzë e gjallë e stërmundimeve njerëzore,
në një shoqëri civile, ku civilizimi azmatik gulçon
në gjokse politikanësh e shtetarësh pervers në hotel "Rogner"
që nën avuj skoç uiski a vodkë ruse prostituojnë
me ligjet e shtetin, me pasuritë, me pronën,
me kombin e kthyer në një ankand mizor dëshirash të zvetnueme,
me pleq të marrë mbetur ende gjallë nga lufta civile
që mbi Nëntorin e Ismail Qemalit akoma vënë Nëntorin e Titos
e thërrasin "Rrofte Mukja!"
Me parlamentarë mediokër të zbritur prej guvash si njerëz të lashtë
a majmunë afrikanë para megafonësh moderne,
me një Parlament ku çligjërohen ligjet e ligjërohen antiligjet
e në Foltoren e Popullit ujqërit u bëjnë moral qytetarëve të ndershëm.
Ju Hirushe Shqipërie, ju vajza-prostituta
kam më shumë nderim për ju se sa për politikën
a burrat e shtetit - pjellë e kohës prokustiane
e kohës çnjerzore me njerëz shpellorë
që egërsisht ju përdhunoi dhe mizorisht ju vrau,
ju vajza pa mbrojte,
pasaportë e identitetit të Atdheut tim fatkeq.
Boston, Janar 2002