Anton Berisha nga Gjermania më shkruan:
Ka një fshat nga ana ime, afër Tuzit, që quhet Traboin.
Desha të ju pyes, nëse edhe ju keni ndonjë lidhje origjine
me këtë vend. Pergjigja ime është me këtë poezi:
Traboin është fshati i tim eti në mjergull
Pertej kufirit të një shteti mizor
Pertej legjendës me fise të ndara,
Që nga kohët pellazgjike e që shkojnë
Pafundësisht në ndarje, si një mallkim
Prej Zotit a Djallit kush e di.
Traboini është dhëmbja e tim eti në zëmer,
Për fëmijërine e tij të grabitur,
Bashkë me truallin e shtëpise e fojleten tek praku
Bashkë me kujtimet e pleqëve
E ujrat e Kroit të Traboinit të moçëm që ende
rrjedh
Me lotë të kalter për kohët e dikurshme
Që kurr nuk kthehet më për tmerrin tonë.
Traboini është gjeneza ime
Eshtë udha që më lidh me botën
Siç unë u lidha - verigë pas tim eti
Duke terhequr pas vehtes barrën e rënde
Prej amaneteve të atyre që s'rrojnë më
Dhe të atyre që më pas do të rrojnë.
Traboini është buzeqeshja ime e humbur
Shume vite para se të lindja, larg tij
Nëpër pelenat e kuqërremta të kohës
Më makthe brezash nëpër ëndrra të trishta
Prej të cilave kurr nuk do të zgjohemi
Prej të cilave kurr nuk do të shpëtojmë
Si një mallkim prej Zotit a prej Djallit.
Traboini është një mal e një burim
Me një grusht njerëz qe mezi mbajnë frymën
Me pak shtëpi që tymosin frikshëm
Me frangji të ulta gjer pranë dheut
Rreth një Kishe të vjetër me varre të lashtë
Ku dëgjohen piskama të rrëzuara prej qielli
të vajtojcave që kanë vdekur prej një shekull.
Traboini qëndron në rrah të Veriut
Si një anije nëpër dallgë mizore
për të na kujtuar në të merguarve nëper botë
Se pa kthim në atë mal,pa pirë ujë në atë krua
Kurrkund në botë nuk të tret dheu
E shpirti do t'na terratiset lugat nëpër hënë
Si Millosh Kopili me kryet e vet nën sqetull
Boston 21 shtator 1997