Një ditë për ty ndërsa mendoja
Nga sytë më rrodhi një pikë lot
kur zgjata doren që ta fshija
ai fluturoi porsi një zog.
E mori udhët për çudi
e rrahu krahët gjer në re
me cicerima mbyti botën
"Po ti ku fshihesh? Ti ku je?"
Ky zëtrishtuar zog i mjerë
aty nën degën e një pjeshke
i vetem fare në shi e ere
nën vetëtimat e një vjeshte.
Tek ti, kur degëza troket
me pika shiu në dritare
a nuk e ndjen se të thërret
me drithërime i vetem fare?
Mos lërë thërrime mbi parvaz
nuk do lëmoshë, nuk do mëshirë
veç kërkon zjarr nga zëmra jote
si përmes resh një copëz diell.
Dhe me sa fjalë e përgjërime
i thërrasin njerëzit, kot më kot
" O mërgimtar zëmërplagosur
kthehu në sy, bëhu prap lotë!"
As për rrufe e për gjëmime
ky pëndëkaltër s'do t'ia dijë
drejt zëmrës tënde shkon të digjet
siç digjet flutura në qiri.
Edhe tani që rri e shkruaj
në sy më ndizet një pikë lot
unë zëmërvrarë dua t'a shuaj
ai fluturon tek ti si zog!