Ja ku erdha, nëna ime. Erdha
Por dora më dridhet e zilia nuk bie
tek porta
ndaj rri në prag si kërcu i harruar
i sjellë nga larg, nga lumi i mallit
që uturon nëpër dhera të huaj
e tundon zemren e mërgimtarit.
Erdha për të ndarë dhëmbjen me ty
për të bashkuar lotët
që rrodhën larg njëri-tjetrit
kaq vjet.
Tani s'na ndajnë kufijt e shteteve
veç kjo portë druri, e vjetër...
S'kam fuqi ta shtyj
s'kam fuqi ta hap
prandaj te lutem, hapma nëna ime
merrmë në krahë se ngriva
nga era, shiu e acari i huaj
që edhe këtu me ndjek pas si hije!
Qaj unë
qan ti nëna ime
e lotët mblidhen kruspull në futen e zezë
nga tmerri se unë, mëkatari i shpirtit
neser do të marr udhët prap nga kjo portë.
Shkodër 22 Mars 1992