Po ha gjysmën e bukës së mergimtarit sonte
gjysmën tjeter do ta lë këtu për ju
mbi tryezen e refugjatit
që jeton prej një viti në një përdhese të Kesarianisë
në Athinë.
Do ta lë me shpresë se kur të dremis
fluturim si në endrra do vini ju fëmijët e Shqipërisë sime
të vini si ëngjëj të bardhë e ta shuani urinë
me gjysmën e kafshatës së shkretë
që nuk më shkon dot nga dhëmbja e dëshperimi
nga mjerimi juaj që është dhe mjerimi im...
Ejani. Unë po flë në qoshkun tim
nën një batanije të vjeter nga kohë e pasluftës
që UNRRA e kish sjellë për fëmijët e Greqisë
e tani ngroh kockat e mija të drobitura...
Ejani. Portën e kini hapur mos kini frike
e vetmja gjë që troket në këtë shtëpizë përdhese
është zemra ime.
Ra mesnata e gjumi më përhumbi në botën e ëndrrave.
...Erdhet, ju pashë
të bardhë e të bukur tek hynit tek porta
nata nxinte e as yje nuk kish
e ndërsa ju cicërinit si zogj pranvere me një këngë mrekullie
unë i magjepsur nga ninulla juaj e humba krejtësisht...
Zbardhi mëngjezi i zhurmshem i Athinës
nën mjergullën e dëndur dhe zhurmen e troleve
që ikin vajtueshëm, pa mbarim.
...O Zot pse u zgjova i tromaksur
prej gjysmës se bukës që zbardh mbi tryezë
asnjë therrime s'kishit prekur
asnjë gjurmë nuk kishit lënë
ju ëngjëj të bardhë të Shqipërise sime me uri të pashuar.
Tani nëpër humbellat e natës së zezë mërgimtare
më kot e kërkoj endrrën time me ëngjëj të bardhë.
Athinë 18 Maj 1992