U njohën gjysëm ore pasi kishin ikur autobuzat. Vajza mblodhi supet.
- Edhe ju mbetët?
Dani pohoi. Hodhi shikimin mbi vajzën dhe për një çast e krahasoi me një personazh. E quajti Irenë. Vajza seç foli dhe u nis tek shkallët e Universitetit ku bisedonin dy pedagogë. Ata diçka i thanë duke treguar me dorë bulevardin dhe Danit ju duk sikur thoshnin se rruga qe mjaft e gjërë dhe mund të kalonin lirisht shumë vajza.
- T’i hipim trenit – tha ajo kur u kthye. Dani ngriti supet lehtë dhe buzëqeshi.
- Epo mirë, nisemi Irenë. Ai ndihmoi vajzën ta mbante valixhen. I ranë përmes bulevardit. Kur hynë në peron, lokomotiva kish lëshuar tri vërshëllima rënqethëse dhe dispeçeri lajmëronte nisjen e trenit për në Fier.
Danit i pëlqente Vlora. Shikonte djemt, vajzat, statujat dhe kudo shihte po ato vetulla, sy, hundë të drejtë dhe flokë të verdha, të lëshuara gjer poshtë mbi supet e vogla. Kish kaluar vetëm një javë nga njohja. Mundohej ta ç’përfytyronte figurën e saj, por ajo sërisht formohej pjesë-pjesë dhe i zinte vend para sysh. Dani bleu novelën e Balzakut dhe nisi ta çfletonte, por nuk lexoi dot as gjysëm faqeje. Gërmat i dukeshin të verdha. Nuk ish ari i Gobsekut, por flokët e saj.
E kërkoi me sy në tërë qytetin dhe e pa tek autobuzi me dy njerëz të panjohur.
Ishte një burrë: rreth të dyzetave dhe një çun jo më shumë se dhjetë vjeç. Ajo i buzëqeshi lehtë. Pastaj iku. Dani priste në stacion dhe as vetë nuk e dinte se kë. Ju duk se i gjuithë Sheshi i Flamurit u boshatis. Dhe ai mbeti i vetmuar në mes, si një piketë. Autobuzi gri shkonte nëpër rrugën e Skelës. Edhe Dani u nis. Ishte buzëmbrëmje. Në lokalin e Ujit të Ftohtë ca studentë prisnin maqinën e sektorit. Qenë pak. Por ish ajo dhe Danit ju duk se lokali zjente. Ju duk se gjithë njerëzit e shikonin dhe bisedonin për vajzën bjonde.
Ajo pinte birrë. Flokët ja valviste era. Edhe Dani porositi birrë. Pastaj hodhi sytë nga deti i kaltër. Dielli qe i verdhë dhe luhatej. Era. Dani akoma nuk kish filluar të pinte. Një re e vogël kaloi në qiell. Ai rrinte i menduar dhe nuk vuri re se një pikë shiu e shkëputur nga reja ra në gotën e birrës. U hutua. Hodhi shikimin nga vajza që qeshte. Edhe Dani u mundua të qeshë. Pastaj piu. Në det dolën dy rimorkjatorë dhe aniet e peshkimit. Një, dy tre… Ai numuroi gjer në nëntë. Mendoi. Pastaj pa detin, diellin që zhytej në kaltërsi dhe e krahasoi me një gondol të zjarrte vendikase.
U ndezën dritat e portit. Bulëzuan yjet. O sa i pëlqeu ky pejsazh. Shushurima e valëve, pasqyrimi i dritave të qytetit në det, vezullimet e yjeve dhe era e freskët që frynte e frynte papushim. Dani shikoi qiellin e kaltër. Secili yll ka emrin e tij dhe gjithë yjet bashkë kanë emrin e tyre.
Rripi i ngushtë i tokës që futej gjer në largësi, përfundonte me një shkëmb që zbriste shkallë shkallë në det. Kur binte mugëtira, drejt shkëmbit që nuk ishte as njëqind çape larg kapanoneve, niseshin ata të dy. Një shok i kursit tha se dashuroheshin. Ndërkaq mugëtira mbulonte Sazanin, Karaburunin dhe siluetat e tyre që herë-herë bëheshin të kaltërta si vetë deti pastaj blu, gjersa humbisnin fare në errësirën e natës.
- Më quajnë Ilda, por ju më thërritët Irenë?!
- I ngjisni një personazhi.
- Ashtu?!
- Po, Ilda.
- Është e bukur Irena?
- Si ju.
- Po unë?
- Si Irenë.
- Atëherë më quaj gjithnjë Irenë – tha ajo.
Mbrëmjeve ata rrinin në breg të detit.
- Të pëlqen deti?
- Vetëm ditën – tha ajo. – Natën më duket i frikshëm, i errët dhe pa fund.
Ajo loste me ujin.
- Do vijnë gaforret – tha ai.
Ilda nxorri këmbët nga uji tërë frikë. Dani qeshi.
- Ç’janë ato drita?
- Anije peshkimi. Kërkojnë një peshkaqen.
- Peshkaqen!
- Po, duan ta vrasin. Para një muaji u vra njëri. Qe shumë i madh. Peshkaqeni tjetër kërkon shokun besnik, por nuk do ta gjejë kurrë. Nuk e ke parë ditën nga taraca? Ai del shpesh mbi sipërfaqen e ujit.
Ilda hidhte guriçka në det.
- Më trego diçka për Irenën.
Dani i tregoi gjëra të bukura. Ilda dëgjonte. Kish kaluar më se një orë kur ajo pyeti:
- Po ai?
- Cili, Bosini.
- Hë. Si i kishte sytë?
- Gështenjë.
- Jo, të kaltër – kundërshtoi ajo.
- Përse të kaltër?
- Mua kështu më duket.
Ai i tregonte Ildës për të gjitha ato që lexonte, për Kolomben, dhe vajzën kryeneçe, megjithatë Ilda çdo herë kthehej tek Saga.
- Po mirë, i dehur qe Bosini kur u vra?
Dani njëherë u tha shokëve se i vinte keq që nuk e kish ngjyrën e syve të kaltër.
- Kaq shumë të pëlqen deti? – i thanë ata.
Ne shihnim si bulëzonin yjet. Shihnim Kashtën e Kumturit që fillonte nga malet dhe zhytej diku në det dhe na pëlqente të rrinim mbrëmjeve duke soditur bukuritë e natyrës sonë. Tutje dëgjohej një kitarë. Ca këndonin Vajzën e valëve. Dikush hidhte guriçka në det dhe vinte veshin për të dëgjuar llokoçitjet zevzeke të gurit që hynte e dilte mbi sipërfaqen e ujit si të ish një delfin i vogël i gëzuar, por i padukshëm nga errësira.
Deti ish i qetë. Ilda rrinte në shkëmb dhe vështronte tutje në errësirë. Ai çukiste shkëmbin me një gur të vogël.
- Mos bëj zhurmë Dani.
Ai pushoi. Pastaj vështroi siluetën e saj të bukur. Kish vënë duart prapa dhe flokët i vareshin. Këmbët i mbante në ujin e ngrohtë.
Ilda qeshi. Pastaj vështroi tutje dhe pa ca drita që lëviznin në errësirë. Qenë anijet e peshkimit që dilnin çdo mbrëmje dhe piketonin detin.
- Sa të bukura duken.
- Të bukura – përsëriti ai.
- Dani, ti je djalë i mirë.
- Ashtu!
- Dhe lexon shumë libra.
- Çka.
- Më trego ndonjë histori tjetër.
- Dani i tregoi “Amokun”. Kur mbaroi e pyeti:
- Ajo vdiq the?
- Vdiq.
- Ishte një grua e mirë.
- Shumë.
- Doktori mos ish budalla?
- Jo, i sëmurë.
Ilda nisi të të llokoçitë më këmbë ujin e detit. Pastaj këndoi me zë të ulët. Dani dëgjonte. Papritmas ajo e la këngën në mes dhe u largua e tmerruar nga uji.
- Ç’ke – pyeti ai.
- Ç’është ajo atje?
Dani pa disa metra larg një dritë të verdhë në të gjelbër që lëkundej sa andej këndej. Vala sa vinte dhe e sillte më pranë bregut ku rrinin ata.
- Ç’është?
- Mbase kandil deti.
- Mund të jetë edhe yll.
- Kushedi.
Ajo e zuri Danin nga dora dhe i tha: - A mund ta zeshë?
Ai mendoi. Pastaj duke vështruar vajzën pohoi dhe u fut në ujë.
- Më gjej një shkop.
- Ku?
- Merr një listelë tek barakat.
Ilda solli një shkop dhe rrinte mbi shkëmb duke vështruar. Ai e solli qënjen pranë bregut dhe si e zuri me dy shkopinj e vendosi në faqen e shkëmbit.
- Sa i bukur – tha ajo. Pastaj e ngacmoi me shkop qënjen që ndriçonte në errësirë. Ai e preku lehtë me dorë.
- Nuk të djeg?
- Mbase ka ngordhur.
Ahere hidhe në det.
Dani e flaku qenjen dhe vështroi. Nga vendi ku u dëgjua zhurmimi i ujit vazhdonte të luhatej një dritë e verdhë në të gjelbër të cilën vala sa vinte e sillte më pranë bregut.
- Ti për vehte s’më ke folur fare – tha ajo.
- Çfarë?
- Ke lexuar gjithë ato libra dashurije, por fundja janë fantazira.
- S’të kuptoj, Ilda.
- Po çfarë kupton ti?
- Unë?
- Hë.
- Si ta them. Ta zemë kuptoj se përse ndodh ai ndriçimi i verdhë në të gjelbër që afrohet drejt nesh. Është një peshk i dekompozuar.
- Dhe është kthyer në një fosforoshencë që lundron drejt bregut.
Kështu do thuash?
- Ashtu.
- Këtë e di edhe unë – tha vajza. Pastaj vazhdoi. – Do më lejosh të të bëj një krahasim?
- Po.
- Nuk do të fyhesh, ama. Më premto!
- Të premtoj – tha Dani i çuditur.
- Ke shumë ngjashmëri me fosforeshencën që lundon drejt bregut.
Ajo është një qënie ekzistenca e së cilës është kthyer në një përzierje të verdhë, të gjelbër dhe një ftohtësirë si akull. Ndriçimi i saj është tepër i zbehtë. Nuk e sheh si lozin valët me të?! Ti Dani ke lexuar shumë historira dashurije të cilat jetojnë aq kohë sa mund te tregohen. A ke dashur ndonjëherë?
- Përse pyet?
- Ashtu kot. Desha vetëm ta di.
- E lemë këtë bisedë – tha ai. – Ikim në sektor se u bë vonë. Të dy heshtën. Ecnin bregut të detit ndërsa valët shushurisnin e përplaseshin tek këmbët e tyre.
Të nesërmen e përshëndetën ftohtë njëri-tjetrin. Ai e shikonte vjedhurazi Ildën, sikur ta ndjente vehten fajtor. Kur ajo e vështronte, ai i hidhte sytë në taracat dhe tutje kodrave me gjineshtra që zverdhnin. Dani s’po e kuptonte vehten dhe aq më tepër Ildën, që e vështronte thellë në sy me qortim. Është vështirë të deshifrosh shikimin e një vajze kur me të ke krijuar shoqëri, kur ajo të do si shok dhenti pandeh për më tepër. Ti i thua se e do, ndërsa ajo qetë të flet për një tjetër. Pastaj keqardhja të cilën ti nuk e pranon. Mëshira e thyer dashurinë copë e thërrime si një gotë kristali, kur bie përmbys. Po Dani e do. E megjithatë hesht duke e vështruar siluetën e saj shkarazi, kur zbret nga taracat dhe niset drejt detit ku bëjnë plazh çdo ditë.
Një ditë ajo ecte bregut dhe hidhte guriçka në ujë. Dani ju afrua. Tashmë sytë e tyre shikojnë me ndrojtje. Qëkurse kanë filluar të mendojnë për njëri tjetrin mbrëmjeve, qëkurse shohin ëndrra të bukura dhe kur zgjohen ndjejnë boshllëk në shpirt.
- Je e mërzitur – i tha Dani.
- S’është e vërtetë.
- Përse mendon pra? Kot?
- Për Vajzën e valëve – tha ajo. – Dëgjoi ata të Himarës sa bukur e këndojnë.
- Edhe ajo ishte e bukur.
- Kush?
- Vajza e valëve, pra.
- Ajo që dilte pranë bregut dhe priste që deti t’ja sillte të dashurin?
- Po. Ai ishte larg, shumë larg dhe s’u kthye kurrë.
- Megjithatë ajo e priti. “Gjithë bota venë e vinë po ai nuk vjën”.
- Kjo këngë është e lashtë sa vetë ullijt e bregdetit, dhe njerëzit nuk e harrojnë kurrë.
- Di ta këndosh?
- Pak, - foli ai.
- Ja marrim bashkë…
Filluan të rriten valët. Pastaj fryjti erë. Dallgët përplaseshin në breg dhe lart në hapësirë formohej ylberi i stërkalave. Pastaj dallga tulitej, uji ridhte mbi faqen e lëmuar të shkëmbit, ndërsa stërkalat fshiheshin me shpejtësi si të ishin milingonat e kaltra të detit. Ecnin pranë e pranë dhe larg dukeshin si të përqafuar.
- Ne kot u zumë.
- Nuk u zumë – tha ai.
- Po çfarë?
- Do të tregoj diçka nga jeta ime. Mbase të pëlqen.
- Tregoje – tha ajo duke u afruar.
- Diku u njoha me një vajzë – filloi ai. – S’ka rëndësi vëndi. E desha që ditën e parë. U shoqëruam aq shumë saqë shokët thonin se dashuroheshim, ndërsa në të vërtetë nuk kishim gjë. Apo kishim dhe na mungonte guximi. E quanin… as emri nuk ka rëndësi. Ajo qe e bukur si deti. Si valët e kaltra që vinë nga larg duke ledhatuar bregun me dashuri. Do ta quaj Deti. Apo valë deti? Ose Vali më shkurt. Vali rrinte pranë meje dhe unë pranë Valit. Të dy jetonim për njëri-tjetrin megjithatë në mes nesh qe tendos një hapësirë e ftohtë, por transparente si qelq. Kur ajo fliste me ndonjë unë bëhesha xheloz, dhe mvrehesha si mot i keq. ca kohë s’i flisja fare. E përgjoja nga larg. I premtova shumë herë vehtes t’i thoshja hapur, por nuk e bëra dot këtë hap. Ajo një ditë… Mbase nuk ëhtë nevoja ta tregoj më tutje.
- Mos desh ndonjë tjetër?
- Jo.
- E çfarë pra?
- U zumë.
- Përse? –
- Ashtu kot. Megjithatë e dua shumë. ndërsa ajo…
Dani u kthye nga Ilda dhe e pa në sy.
- Ç’faj ka ajo?
- Asnjë faj.
- Po kush është fajtor, pra? – pyeti Ilda e skuqur,
- Deti – tha ai. – Vetëm deti.
E zuri vajzën nga dora. Ajo ju afrua pranë. Pastaj u vështruam në sy. Ai ndjeu frymën e saj të ngrohtë dhe dy buzë si vishnjëza binjake që luhaste era. Hapsira prej qelqi që i ndante u shkri. Ngrohtë. Pranë këmbëve të tyre shushurinin valët. Kish rënë mugëtira dhe qiellin e mbulonin yjet. Tutje në hapësirën e errët dukeshin fosforeshencat që luhateshin dhe dritat e anijeve të peshkimit që çdo natë piketonin detin.
-- gazeta “Studenti”, 14 dhjetor 1972