 |
| Lamë Kodra |
Sejfulla Malëshova u lind (siç thonë) më 2 Mars 1900 në fshatin Limar në një familje nënpunësi. I ati i tij Tasim Hoxha, ish nëpunës dogane, në disa pika doganore të Perandorisë Turke, si në Vlorë, Dibër, Sallahorë (Greqi) etj. Ish njeri me kulturë dhe i arsimuar me shkollë turke. Në fshat dhe më gjerë njihej me emrin Tasim Efendiu. I biri jetoi fëmininë pas të atit duke marrë mësimet e para në shkollë turke. Pasi mbaroi mësimet në shkollë unike, i ati e dërgoi në Itali në Gjimnazin e "Shën Mitër Koronës". Mësoi me një zell të rrallë e të pashoq. Po në Itali filloi studimet për mjekësi. Si student u dallua jo vetëm për suksese në mësimet, por edhe për aktivitet kulturor, shoqëror, politik, letrar e atdhetar. Ai së bashku me studentë të tjerë në Itali, si Anton Ashta, Odhise Paskali etj… themeloi revistën "Shpresa e Atdheut", revistë cilësore, me tematikë të gjerë dhe tribunë e atdhetarizmës. Aty botoi poezitë e para, midis të cilave spikat ajo me titull "fshati im", si dhe shkrime të tjera problemore, duke filluar nga ato të studentëve deri te çështje të Atdheut dhe shoqërisë së atëhershme shqiptare.
Me fillimin e Revolucionit të Qershorit 1924 të udhëhequr nga Fan Noli, Sejfullai ndërpreu studimet dhe erdhi në atdhe, ku megjithë kufizimet e moshës (ish 24 vjeç), u emërua sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.
Me rënien e qeverisë "Noli" dhe ardhjen e Zogut në fuqi, në dhjetor 1924, si shumë antizogistë të tjerë, shkoi në Bashkimin Sovjetik, me bindjen dhe shpresën për të marrë kontakt shqisor dhe shpirtëror me masat e së drejtës së institucionalizuar. Atje u bë anëtar i P.K.B.S. duke milituar në "Grupin Komunist të Moskës", ku kaloi peripeci e zhgënjime deri në përjashtimin nga Partia si buharinist! Qëndrimi i tij në ish Bashkimin Sovjetik do ta kthente në një Nazim Hikmet shqiptar. Sidoqoftë qëndrimi në shtetin e parë komunist do të shërbente për kompletimin e tij si intelektual, pse atje ai përfundoi studimet për filozofi, duke mbrojtur disertacionin me temë "Tezë mbi Demokritin".
Kapaciteti i tij dhe rezultatet e arritura i dhanë mundësinë të jepte në një nga universitetet e vendit Filozofinë Markiste. Qëndrimi në ish B.S. nuk mund ta mbante një intelektual të kalibrit të tij në kornizat e ngushta politico-ideologjike të një shteti totalitar komunist. Në atë egzil ai i krijoi vehtes mundësitë të njihte edhe shpirtin e madh të popujve, autoritetet e arteve dhe në mënyrë të veçantë të letërsisë ruso-sovjetike, si Tolstoin, Turgenievin, Pushkinin, Gogolin, Gorkin, Çehovin etj… vepra të të cilëve, jo vetëm do t'i njihte thellë në mesazhin që transmetonin, por një pjesë të tyre do t'i shqipëronte në mënyrë autentike për lexuesin shqiptar.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore shkoi në Francë, ku u bashkua me forcat më progresiste antifashiste shqiptare dhe botërore. Sejfullai nuk ka qenë kurrë një pohues i verbër; në këtë kontekst, ai ka respektuar dhe dëgjuar edhe ata që mendonin ndryshe nga ai për zgjidhje të çështjeve që shtronte koha, veç pak kanë dashur ta kenë kundërshtar për nga forca e arsyetimit dhe argumentimit në parashtrimin e çështjeve. Pavarësisht nga kohërat dhe bindjet e njerëzve, ai i takon krahut më përparimtar dhe më dashamirës të kombit, duke qenë shok armësh i Halim Xhelo Tërbaçit, Avni Rustemit, Riza Cerovës, Ali Kelmendit, Petro Markos, Naum Priftit, Qamil Çelës, Reshat Këlliçit etj… me të cilët e lidhte veprimtaria atdhetare që në bankat e liceut, në Shoqërinë Atdhetare "Bashkimi", në egzilin politik, ku shquhej "Konareja", e deri në organe ndërkombëtare, si ishte Internacionalja.
Në gusht të vitit 1943 erdhi në Shqipëri dhe ish një nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Ç.Sh. Në Pleniumin e Beratit u kooptua si anëtar i ish Byrosë Politike të Partisë Komuniste. Ish ky i famshëm Plenum, që do t'i përmendej në gjithë materialet "historike" të ish Partisë së Punës si "Prapaskena e Beratit"! Në raportin e tij Sejfullai kritikoi ashpër udhëheqjen e Partisë dhe personalisht Enver Hoxhën për sektarizmin e theksuar ndaj elementit nacionalist, për terrorizmin dhe pushkatimet në masë të njerëzve, ku paralajmëroi se "kështu siç po veprohet, Partia do të katandiset në bandë hajdutësh e kriminelësh"!
Me çlirimin e vendit drejtoi dikasterin e Arsimit, Propogandës dhe Kulturës Popullore, kurse në Konrgesin e I të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, u zgjodh kryetar i saj.
Megjithëse ish në Byronë Politike të Partisë Komuniste, Sejfulla Malëshova me prorgamin e tij politik dhe ekonomik ish një social-demokrat i vërtetë. Ai ish përkrahës i pluralizmit politik dhe e donte vendin me opozitë. Kërkonte respektim të të gjithë aleatëve të Koalicionit Antifashist, pa bërë dallim politiko-ideologjik. Në ekonomi sugjeronte konkurencën e kapitalit shtetëror me atë privat, nxitjen e prodhimit nga sektori privat nëpërmjet kreditimit bankar dhe hapjen e Bankës Bujqësore për të kredituar bujkun privat, aplikimin e një reforme Agrare, që të lejonte pronarët krijimin e fermave private (lejonte deri në 50 Ha tokë dhe deri në 200 rrënjë ullinj etj. Ai deklaroi se Shqipëria tani për tani nuk do të ndërtojë socializmin.
Të gjitha këto i dhanë "patentën e oportunistit të djathtë: dhe mbledhje pas mbledhje e plenum pas plenumi, nga ai i 5-të deri në të 11-in, e përjashtuan nga të gjitha funksionet në Parti dhe në shtet! Më 1955 internohet në Ballsh dhe pasi bëri 3-4 muaj atje, transferohet në Fier dhe vendoset në punë si magazinier duhani në ish Ndërmarrjen e Grumbullimeve, ku punoi deri sa doli në pension. Vitet e pensionit iu bënë më të vështira, sidomos pas vitit 1966, kur si rezultat i Kongresit të 5-të u thellua "lufta e klasave" dhe mjaft njerëz nuk i bënin më shoqëri. Kështu i mbylli vitet e pensionit deri sa vdiq, në shoqërinë e motrës së vetme, së ndjerës Zenepe Çafka, e cila vinte herë pas here dhe rrinte nga një muaj me të, si dhe të atyre pak miqve të persekutuar, por kurajozë, si Xhafer dhe Agetina Vokshi, Fiqret Hoxha e familja etj…
Për të bërë të njohur veprën letrare të Sejfulla Malëshovës janë bërë e po bëhen përpjekje, që nga botimet e para të vëllimit "Vjerdha" deri te puna e papërtuar dhe me pasion e Z. Mehmet Gëzhilli, i cili u mundua të krijojë një korpus të plotë, me tre vëllimet e titulluara "Lame Kodra".
Megjithë përpjekjet e bëra, mendoj se ka akoma materiale të pabotuara, për të cilat mund të kërkohet nëpër arkiva. Mund të kërkohet, pasi biblioteka dhe disa sende me vlerë (antikuarë) që ndodheshin në dhomën e vetme të apartamentit të tij, i mori shteti sipas porosisë, që la para se të vdiste.
Dikur kam parë në dorëshkrim një poezi (titulli nuk më kujtohet), ku përshkruhet pak a shumë një bisedë të rinjsh në mjedis fshati, prej së cilës më kujtohen vargjet: Kush tregon dyfek e pajë/ Kush tregon armë të lara,/ Po pse s'del ajo sorkadhe,/ Si ndërkur, si më përpara?
Eshtë ky një detaj, që tregon, se një penë si ajo e Lame Kodrës, ka ende pjesë të pagjetura e të pabotuara.
Sejfullai ish në tërë kuptimin e fjalës Bir i Shqipes. Gjuha e tij është e pastër si burimi, e përdorur me një fjalëformim mjeshtri. Le të kujtojmë fjalëformimin e bukur e shumë shprehës te shqipërimi i Poemës së Nekrasovit "Kush rron mirë në Rusi", ku mjerimi i skajshëm shprehet me togfjalëshet kuptimplotë për krahinën "Zbathistë" pabukishte". Për të brumi i shqipes për shprehje e fjalëformim nuk ka kufinj. Mundësitë e saj janë të pashtershme. Më kujtohet se Sejfullai skandalizohej nga përdorimi i disa fjalëve, si p.sh. "jam i predispozuar", jam i "okupuar", apo më keq "i preokupuar", kur mund të thuhet shqip "jam i dhënë, ose i gatshëm, jam i zënë". Për këto e disa shprehje të tjera të huaja për shqipen ai e ngrinte zërin (e kam dëgjuar drejtpërdrejt) deri në neveri e përqeshje. Donte një shqipe të shkruar siç e flet populli. Në një fije letre të shkruar me penë të thjeshtë e bojë "Pelikan" kam parë se shkruante për mbiemrin "i madh ", ku shprehej se duhet shkruar në të pashquarën "i math", siç shqiptohet, që të mos e lodhi folësin. Ai thekson, se ata që mbrojnë të pashquarën "i madh" nisen nga e shquara që bën "i madhi". Këtu ai argumenton, se edhe në gjuhë të tjera ka dallime në shkrim midis të pashquarës dhe të shquarës dhe bie si shembull mbiemrin frëngjisht: neuf-le neuve (i ri- i riu). Për shkrimet e Lame Kodrës, Fan Noli në një letër të dërguar më 28.07.1946 do ta vlerësonte: "… Vjershat, që janë shkruar me një shqipe të kulluar dhe të frymëzuara me zjarrin e shenjtë". Nuk është i rastit edhe vlerësimi i Konicës së madh për "Lamen e vogël", në testamentin e tij.
Në planin politik Sejfulla Malëshova është i suksesshëm, me përmasat e atdhetarit të pashoq. Ai e do Shqipërinë së pari "si bari e si fshatar", si ushtar i devorshëm, që e do repartin pa përfillur grada e ofiqe, duke e quajtur vehten një gur të vendosur të mbajë mbi shpatulla lartësitë e mrueve të kalasë së kombit. Që këtej, pastaj e do "si poet i dhemshuruar" dhe "si një revolucionar". Poezia brilante "si e dua Shqipërinë" e bën atë kundërtinë e dështakëve politikë të të gjitha kohërave, që sa nuk e shpallin, se e duan Shqipërinë për një parcelë "zyrë" dhe për një çiflig "post". Ai e shpalosi programin e tij hapur, pa u trembur nga vështirësitë dhe hallet, që i erdhën si pasojë, edhe pse i dinte me kohë e i kish parë me sy në Rusinë Sovjetike, se ç'pësonin ata që mendonin ndryshe. Nuk iu ankua askujt për persekutimin e tij, teksa shihte një popull të tërë të persekutuar, të izoluar, të përbaltur, të vuajtur e shpirtërisht të cfilitur e të sakatosur.
Për Sejfulla Malëshovën, duke dashur ta paraqesin më të madh nga ç'qe, janë bërë edhe gabime e pasaktësi, deri në atë masë, sa i bëjnë dëm njohjes së tij nga lexuesi dhe dëgjuesi. Kështu p.sh. një gazetë e titulluar "Reportazh" deformon vargun nga "Un' e dua Shqipërinë si një revolucionar" në "Un' e dua Shqipërinë siç do nënën një djalë", duke ia prishur bukurinë dhe kuptimin poezisë. Në një gazetë tjetër shkruhej, se fliste 14 gjuhë, kur dihet se njihte më pak se aq, gati për gjysmë. Siç duket, autori i atij shkrimi kish "dasha-mirësinë" ta nxirrte mbi Konicën, që thuhet se njihte 13 gjuhë, pra për ta nxjerrë kampion të poliglotëve të kombit. Në një gazetë tjetër, autori i shkrimit nxitonte të fuste fjalë e biseda të pathëna e të pabëra ndonjëherë. Personazhet e atij shkrimi në kohën e regjimit totalitar trembeshin si djalli nga temjani, nga emri Sejfulla!
Sejfullai nuk ka qenë asnjë ditë i internuar në Zvernec, siç kemi lexuar në shtyp kohët e fundit, nuk ka qenë i burgosur, nuk ka punuar fermave, apo kooperativave. Dihet mirë, se internimi i tij filloi në Ballsh (disa muaj) dhe përfundoi në Fier, ku punoi si magazinier duhani në ish Ndërmarrjen e Grumbullimit, prej nga doli edhe në pension.
Këto pasaktësira e zmadhime më shumë prishin punë, se ndreqin. Figura si ajo e Sejfulla Malëshovës njihen dhe vlerësohen mirë nga gjithë kombi shqiptar dhe nuk mund të ngrihen me vinçin "Pioner" të ndonjërit prej nesh! Personaliteti i kulturës italiane Macini thotë "Gli heroe sonno tutti Giovanni e belli" (Heronjtë janë të gjithë të rinj dhe të bukur). Kuptohet, se sa më shumë ta njohim jetën dhe veprën e Lame Kodrës, aq më ndriçuese bëhet ajo.
Sejfulla Malëshova u mallkua shumë në kohën e diktaturës së shtetit totalitar. Sulmet ndaj tij bëheshin mbi emërtimin e "opurtunistit të djathtë". Eshtë e njohur tashmë, se për 50 vjet makina propagandistike e atij sistemi e luftoi në të gjitha drejtimet, duke lënë në harresë këtë zë të fuqishëm të letrave shqipe dhe të politikës shqiptare. Vetëm më 2 mars 1995 u organizua në Qendrën Kulturore të Ushtrisë një sesion jubilar me rastin e 95 vjetorit të lindjes, ku me Dekret të Presidentit të Republikës, nipit të tij iu dorëzua Urdhëri i Flamurit Kombëtar i klasit të parë. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku ai ish kryetari i parë i saj, nuk lëvizi t'i përkujtonte 100 vjetorin e lindjes në mars 2000, as 30 vjetorin e vdekjes në qershor 2001! Vihet re një farë hije dhe shpërfillje, që larg qoftë, mund të jetë pjesë e jehonës, apo reminishencës së plenumeve 5-11 të ish K.Q. të P.K.SH., apo të Mbledhjes së Lidhjes, që e shkarkoi nga Kryetar!
Megjithëse ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe i Kryesisë së Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar, ai ende s'ka marrë statusin e Veteranit të Luftës, të cilin edhe pse nuk ka trashëgimtar, mund ta gëzonte pas vdekjes, duke i bërë shteti një varr më dinjitoz, ose një bust, ku njerëzit dashamirës të përkujtojnë, duke i vendosur një tufë lule të freskëta si vargjet e tij. Sidoqoftë kujtesa e kombit punon për bijtë e tij të devotshëm. Ajo kujtesë e mbaj Sejfulla Malëshovën si bir, si majë mali mbi vargmal.
Hajdar Cafka - Sekretar i Shoqates "Lamë Kodra"