Bjeru telave, bre! Këputi! Këputi!
Çiftelinë ma luj, o shpirt, si moti!
Ene përdridhmu! Ene shkundmu!
Dridhe bre dridhe! O t’faltë Zoti!
Dridhe! Dridhe! E përdridhe!
Vallen e kësaj Lumës Madhe
Pa e lënë sonte asnjë kacidhe
Me të rreshkit’ nëpër livadhe
Mblidhe! Mblidhe t’shkretën!
Te varrezat nxirre gjithë qezin!
Të rrokullisen nëpër shtretër
Me rapsodi xhelat t’këndezin
S’do t’ketë hapa, s’do t’ketë gropa
Shpirtrat do t’dalin pa lëvizur dheu
Do të mbërrij aty e gjithë bota
Mes skeletesh që vdekja s’i breu
Kafkat do t’jenë keq ngatërruar
Prapë dorë me nji do t’plasi sherri
Kabina elektrike e shkrumbëzuar
Xixa-xixa, gacllime do t’nxjerri
Derdhe! Derdhe, ene kalle!
Kalle tokën t’u shuajtë zani!
Historinë ti ngjalle! Ngjalle!
Pa u tut’ nga ky dreq shejtani
Lëre beterrin mos e shif!
Zhgërre-zhgërre n’fyt le t’bëhet
Me rapsoditë shkrihu, bëhu njish!
Se kollaj gjaku s’m’lahet
Laje, shpërlaje gjakun, bre!
Derdhi kazanat mbushur me qyrre!
Përfito nga ky shkulmzim pa fre
Që shkumëzon me dallgë natyre!
Se dikush po vjen tu mrrel e mrrel
Se Zonjës ia bëre kufijtë zare-zare
Po ti qetësohu, n’çengel pa u vjerr
Te cucat e veta manare
Mbylle! Mbylle shpejt e shpejt!
Rrëzohu e bëj sikur ke vdekur!
Shtiru sikur firove kockat krejt!
E gjuha si peshk t’është mekur
Se për besë boll t’kam dalë zot
Tu t’llastuar me karamele zanash
Ç’ti bësh, për dreq ky hovi jot
Me bën dele, ty shkop çobanash
Se të dua, me zemër hyjniu
Prandaj mundesh t’përfitosh
Se kur më ndjell, ah, unë i ziu
Jam ‘gatitu!’me u futur në kosh