Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 05:26am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Lorena Stroka
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Lazër Stani
 
Dolce Camilla
E marte, 19-06-2007, 12:40am (GMT)

Nuk mbante mend të ishte vrarë gjatë atentatit. Nuk i kujtohej as nëse pati me të vërtetë krisma armësh apo jo. Ato skena të mbrëmjes që mund të sillte nëpër mend, lidheshin me zbritjen e ngutshme nëpër shkallë së bashku me Tishën, hyrjen e shpejtë në një bodrum, i sigurtë se atje sipër, diçka e tmerrshme do të ndodhte. Fytyrat e katër burrave të veshur me xhaketa të zeza lëkure, me flokë të lëshuar mbi ballë, që u shfaqën në derën e restorantit, qenë e vetmja skenë që mbante mend mirë. Dhe, po zbritjen e shpejtë nëpër shkallë, duke tërhequr Tishën e tmerruar pas vetes. 
Më shumë se gjithçka, Lamekun po e trondiste ecja nëpër këtë qytet, në këtë kohë të papërcaktuar të ditës, nëpër këtë rrugë që edhe i bëhej se e njihte, edhe i dukej e huaj, e panjohur. Qe i bindur se ndërtesa përballë, e veshur me mermer, me dy parmakët e rëndë prej mermeri të bardhë, të gdhendur nga kushedi çfarë mjeshtrish anonimë të shekullit të kaluar që kufizonin shkallën që të shpinte te porta kryesore, ishte bashkia e qytetit, e ndërtuar nga austriakët. Po trotuari, bliret, magazinat, kioskat e vogla ku shiteshin gazeta dhe çikërrima të tjera, tavernat, reklamat e varura mbi porta, baret me karrike dhe tavolina të nxjerra përjashta, tregtarët ambulantë që kërkonin të të ngecnin mallin e tyre, i krijonin një gjendje të papërcaktuar dhe të përzishme. Ai nuk ishte i sigurtë se ku ndodhej dhe as që mund ta merrte me mend se sa ishte ora. Akrepat e mëdhenj të orës së qytetit, ishin ndalur prej vitesh në ora shtatë e një çerek, të mëngjesit a të pasdites nuk merrej vesh, dhe askush nuk qe kujtuar ta ndreqte.
Lamek. S. nguli këmbët në trotuar, përballë kryqëzimit të madh, pa e ditur se cilën rrugë duhej të zgjidhte. Qyteti i ngjante shumë më i vjetër se ai që njihte, me ndërtesa të mëdha e të vjetra mesjetare, me sheshe të shtruara me gur të zinj, të lëmuar e të shkëlqyeshëm nga fërkimi qindravjeçar me shtrojet e këmbëve njerëzore.
“Unë nuk jam i vdekur”, tha dhe u përpoq të buzëqeshte me vete. Gjendja i dukej me të vërtetë idiote, e pakuptimtë, si vazhdimi i një ëndrre të keqe. Ti ke hapur sytë, shikon rrezet e diellit në dritare, dëgjon cicërimat e zogjve që grinden në degët e kumbullës para dritares, përplasjen e pjatave në lavaman dhe një qelq që thyhet (gruas tënde gjithnjë i shpëtojnë qelqet nga duart) dhe prapë vazhdon të shikosh po atë ëndërr të ankthshme me gruan misterioze që të parathotë fatin, duke të lexuar duart e djersitura. Që të sigurohej se ishte gjallë, u përpoq të kujtonte me detaje atë që kishte ndodhur mbrëmjen e kaluar në restorantin e zgjedhur prej tij “Dolce Camilla”.
Kamarieri, një djalë jo më shumë se njëzet vjeç e ngriti me forcë nga tryeza ku rrinte ulur i panjohuri, por që me siguri kamarieri e njihte, e kapi prej jakës së këmishës dhe e flaku jashtë restorantit, duke ulëritur që të mos ia shihte më sytë në këtë restorant se do ta shqyente, do ta ndante katërsh. Në restorant pas kësaj skene të dhunshme ra një heshtje e përzishme, e ankthshme. Tisha dridhej në krah të tij. Gjaku i pati ikur nga fytyra dhe i ngjante një statuje të gdhendur në dyllë. Te banaku kamarieri fshiu djersët me një pecetë, ngriti flokët duke i krehur me gishtërinj dhe u bë gati t’u shërbente klientëve të tjerë që ndiqnin të tronditur lëvizjet e tij nervoze. Askush nuk fliste. Klientët e paktë të shpërndarë nëpër tryeza larg njëri-tjetrit heshtnin, banakieri këqyrte i frikësuar nga dera, një vajzë e re bionde, ndreqte e shpërqëndruar mbulesat e tryezave duke sistemuar mbi to pjatat, pirunjtë dhe thikat e mbështjella me peceta të bardha vezulluese.
Ashtu siç pritej, nga hyrja kryesore u shfaqën katër burrat e veshur me xhaketa të zeza lëkure, që u futën me rrëmbim brenda. Kamarieri shtangu përballë tyre, kërkoi diçka me sy rreth e rrotull, ndërsa xhaketëzinjtë po i afroheshin, duke bërë një lëvizje të komanduar prej robotësh. Ai me Tishën u lëshuan tëposhtë nëpër një palë shkallë të ngushta që të çonin në një kat të nëndheshëm.
Lameku nuk mbante mend nëse ishin dëgjuar apo jo krisma, nëse ishte vrarë apo jo njeri, apo nëse ishte dëgjuar ndonjë shpërthim. Ai vetëm se nuk e kuptonte se si gjendej në këtë qytet, pa Tishën, midis këtyre njerëzve kaq të qetë, që as nuk begenisnin të kthenin kryet e ta këqyrnin. Nga fytyrat e gjindjes ai përpiqej të kuptonte nëse kishte ndodhur ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme, po me sa dukej, diçka e tillë nuk mund të zbulohej. Ai zgjodhi njërën nga rrugët dhe u fut midis njerëzve, duke e lënë pas shpine kryqëzimin. U end një copë herë me shpresë se mos takonte ndonjë të njohur, të bindej se me të vërtetë ishte gjallë, po në atë rrugë që përshkoi nuk i zunë sytë asnjë të njohur të tij. Qëndroi një grimë, para tryezave të nxjerra në trotuar me shpresë se mos dikush ngrinte kokën dhe e vështronte ose të paktën, ndonjë kamarier i sjellshëm do ta ftonte të ulej, duke i treguar ndonjë vend të lirë. Pritja e tij qe e kotë. Asnjë nga klientët e asaj pasditeje (nëse ishte vërtetë pasdite se koha nuk merret vesh), nuk ngriti sytë ta vështronte. Një grua rreth të dyzetave që qëndronte përballë tij fërkonte paturpësisht pubisin me dorën e djathtë. As i bëhej vonë nëse Lameku e shikonte. Rraste edhe më thellë gishtërinjtë dhe përpiqej të ndreqte diçka që e shqetësonte ose thjeshtë, ledhatonte me bulëzat e gishtërinjve, ndonjë pikë të ndjeshme.
“Mundet jam vetëm një fantazmë”, tha me vete Lamek S. dhe u largua prej asaj skene provokuese. Ndoqi një rrugë tjetër i humbur në mendime të paqarta, pa mundur dot ta zgjidhte çështjen që ishte thelbësore për të: ishte i gjallë, po shihte ndonjë ëndërr të tejzgjatur apo me të vërtetë kishte vdekur gjatë atentatit, në restorantin “Dolce Camilla”.
Më së fundi u përmend, tha me vete se zgjidhja më e mirë ishte të blinte gazetat. Nëse me të vërtetë ishte vrarë, kronikat do ta kishin shënuar ngjarjen dhe emrin e tij. Nxitoi të gjente një kioskë ku shiteshin gazetat, i bleu të gjitha dhe shfletoi me kujdes faqet e kronikës. Në asnjë gazetë nuk ishte përshkruar ngjarja në restorantin “Dolce Camilla”.  Në gazeta shkruhej për një aksident me dy të vdekur në autostradën e Veriut, një tjetër aksident kishte shuar një familje emigrantësh në Jug. Gazetat sërish shkruanin për krimin në familje. Një burrë me emrin Atila, paskësh copëtuar me thikë gruan e tij dyzet e shtatë vjeçare. Reporteri nga vendi i ngjarjes shkruante se ky Atila na e paskësh gjetur të shoqen krejt lakuriq me të dashurin e saj në një fabrikë të vjetër, të braktisur. Dashnori qe hedhur nga dritarja, ndërsa gruaja qe bërë pre e thikës së pamëshirshme të burrit të verbuar nga tradhtia e së shoqes. E tronditi kjo ngjarje makabre.
“Shqiptarët ende vriten për pidh, janë primitivë”, i pati thënë një herë dramaturgu D. M. ndërsa pinin votka “Smirnoff” në bar-restorantin e Teatrit Nacional. Janë primitivë! E ç’kuptim ka të vrasësh një grua, të vrasësh një femër? Lamek S. ndjehej i lehtësuar që nuk e kishte gjetur emrin e tij në gazetë. Po tragjedia e gruas së vrarë po e gërryente nga brenda, duke i shkaktuar një dhimbje dëshpëruese.
Tashmë nuk dyshonte se ishte gjallë, edhe pse gjithnjë e më shumë po bindej se ai vazhdonte të shihte një ëndërr të tejzgjatur, si një film monoton e të mërzitshëm se ky qytet, edhe pse ngjante me një qytet të njohur prej tij, në të vërtetë nuk ekzistonte, se nuk ekzistonte as restoranti “Dolce Camilla”, se pas pak do të zgjohej dhe, si të sigurohej se nuk po flinte më, do të fërkonte sytë e do të përpiqej të shpjegonte domethënien e ëndrrës, të cilën do t’ia tregonte Tishës pikë për pikë. 
Papritmas e gjeti veten në një rrugicë të ngushtë, të shtruar me kalldrëm, të rrethuar anash me mure të lartë, të nxirë nga koha. Aty këtu dallohej ndonjë derë e mbyllur nga brenda me shul të rëndë me ca numra të vjetër të ngjitur mbi to, që nga koha e Mbretërisë. Barishtet e rritura para tyre tregonin se ato dyer pothuajse nuk hapeshin kurrë. Përballë tij po vinte një turmë e egërsuar qensh. Në kushte normale Lamek S. do të ishte ngjeshur pas ndonjë porte e do të kishte trokitur si i çmedur që ta futnin brenda ose do të ishte kacavjerrë mbi mur që t’i shmangej kësaj lukunie egërçane, po në gjendjen e papërcaktuar që ishte, vendosi t’u zinte rrugën dhe nëse e sulmonin, do të përleshej me ta, që t’i dëshmonte vetes se ishte gjallë. Por qeni që ecte i pari, ai që dukej më i tmerrshmi, kaloi ngjitur me të, krejtësisht i qetë, sikur Lameku të mos ekzistonte. Ai nuk e ktheu kokën ta shikonte, as i ngriti veshët në përgjim të ndonjë rreziku të mundshëm. Pas tij kaluan edhe qentë e tjerë që bënë po të njëjtën gjë. Lamekut i mbeti shpresa e vetme te një qen trupmadh që po vinte nja njëzet hapa pas të tjerëve.Veshin e majtë e kishte të shqyer dhe nga plaga e freskët i kullonte gjak. Shihej se sapo i kishte dhënë fund një dyluftimi fatkeq ku kishte humbur një pjesë të veshit. Me siguri ai do t’ia shfrynte zemërimin e tij Lamekut, të paktën me një hungurimë të nënzëshme, kërcënuese. Lameku priti me aq padurim që qeni të afrohej, sikur të priste shpëtimin prej tij. Qe i bindur se ata njëzet hapa të qenit ndanin jetën e tij nga vdekja, botën e të gjallëve nga hiçi. Hapat e qenit iu dukën të ngathët, të ngadaltë, madje pati përshtypjen se qeni po tërhiqej mbrapsht, i lodhur nga dyluftimi i pakmëparshëm, ku veç gjysmës së veshit kishte humbur edhe të dashurën, ndonjë prej qenusheve të reja, që ndiqte pas mashkullin fitues. Më së fundi qeni lëvizi, duke e ngritur kryet lart me krenari, shkundi qafën dhe ngriti qimet përpjetë, curoi veshët dhe Lamekut iu duk se u bë gati për një dyluftim të ri. “Pra qenkam gjallë”, mendoi Lameku, duke ardhur në qejf, ngjeshi këmbët pas tokës dhe llogariti me mendje se ku do ta godiste me majën e këpucës trupin tulak të qenit, që të shmangte kafshimin. Priti në këmbë duke ndjekur me vëmendje lëvizjen e këmbëve të fuqishme të kafshës që zhvendosej drejt tij ndadalë, pa u trembur për ndeshjen që e priste. Putrat e mëdha sikur ngjiteshin pas gurëve të kalldrëmit, madje dukej sikur nguleshin në strall, duke lëshuar shkëndija. Kurrë nuk kishte pritur kështu me kaq padurim që një kafshë t’i vërsulej. Lameku, sikur të qe e mundur të komunikonte me qenin, do t’i lutej ta sulmonte, t’ia ngulte fort në pulpë dhëmbin e mprehtë. Kur u ndeshën ballëpërballë, qeni u shmang lehtësisht dhe vazhdoi rrugën në ndjekje të qenve të tjerë, që tashmë ishin zhdukur në një kthesë. As lehu, as kërcëlloi dhëmbët, as lëvizi veshët kërcënueshëm. Qeni pothuajse u fërkua pas këmbëve të Lamekut, diçka nuhati dhe u ngut të largohej mospërfillës, duke mos i dhënë asnjë shpresë për shpëtim.
I tmerruar Lameku ia dha vrapit, doli prej rrugicës së ngushtë, u kthye në një rrugicë tjetër që nuk i shihej fundi, kaloi përpara shitësve ambulantë, rrëzoi një tezgë me mallra turke, prapë vrapoi deri sa u gjend në një lagje antike ku njerëz të huaj, kryesisht turistë, sodisnin e fotografonin me nge skulpturat e lashta të princërve dhe të komandantëve të vrarë në luftra të kota, fytyrat e grave pjellore të gdhendura nga mjeshtrit me emër, shatërvanët e zbukuruar me skulptura dhe fallusin gjigand të gdhendur në mermer të kuq nga Spani i Pulatëve.   
“Këtë lagje e njoh”, tha me vete Lameku i çliruar nga ankthi i tmerrshëm dhe shpejtoi hapat se mos takonte ndonjë të njohur. Matanë, përballë një dyqani të vjetër që shiste veshje etnike, Lameku njohu Kiriana Pullaskën, mikeshën e tij të dikurshme. Mbahej pas krahut të të shoqit avokat dhe, siç kishte bërë gjithnjë këto njëzet vjet, shtirej sikur nuk e shikonte. Ende i mbante mëri që Lameku nuk i qe përgjigjur letrës së saj të dashurisë, ku i propozonte të martoheshin. Lamekut iu mblodh një lëmsh në fyt. Idiotja, nuk e priti as një vit dhe u martua me avokatin e qytetit. Dhe tani le ta duronte atë bark të dhjamosur, që varej rrëshqitshëm mbi tokëzën e pantallonave, si një trastë.
Lameku u kthye në anën tjetër, u zhduk në rrugicën ku shiteshin punime artistike në bakër dhe qeramikë. Nuk deshi të takohej me Kiriana Pullaskën dhe të shoqin e saj avokat, që edhe sot e kësaj dite tërbohej kur përmendej emri i tij. Duke ecur midis njerëzve që bënin pazar, midis klithmave dhe të bërtiturave në atë rrëmujë gjuhësore që krijonin turistët nga vendet e ndryshme dhe tregtarët që i imitonin fjalët e huaja si papagajtë, Lameku u përpoq të rikrijonte edhe njëherë tekstin e letrës që i pati shkruar Kiriana Pullaska para njëzet vjetësh. Qe pothuajse e pamundur t’i rreshtonte pranë njëra - tjetrës fjalët që patën mbushur atë letër jo të gjatë, të shkruar në dëshpërim e sipër, në një çast vetmie shkatërrues. Qenë fjalë naive dhe të sinqerta dashurie, rrëfime dhe premtime për një jetë të lumtur. Lamek S. mbante mend mirë çastin kur e grisi letrën i varur mbi ujërat e lumit që rridhte i kthjellët dhe i paqtë në shtratin e tij të kahershëm. I hodhi copëzat e letrës së grisur mbi ujë dhe ato notuan si flutura të bardha, si flutura krahshkruara mbi valëzat e kaltërta të ujit deri sa u zhdukën nga sytë e tij. Nuk mund të kishte një fund më të shenjtë për atë letër se sa tretjen e saj të ngadaltë në ujërat e kristalta të lumit, duke mos lënë asgjë pas vetes. Kur grisi letrën atij i dridheshin duart dhe zemra i shkundej në krahëror si një shpend i trembur. Po megjithatë e grisi letrën, i hodhi copëzat e saj në lumë dhe i soditi me dhimbje derisa i humbën nga sytë.
Lamek S. shpejtoi hapat që të dilte nga ajo rrugicë e mallkuar. Po i merrej fryma dhe kundërmimet e parfumeve të huaj po i pështjellonin stomakun. Përballë iu shfaq sheshi i vjetër me rrapin shekullor në mes, që lëshonte një hije të tymtë mbi kokat e njerëzve. Në anën lindore të sheshit, rrugicat dhe shtëpitë e vjetra kapeshin pas faqes së kodrës, duke zbuluar aty-këtu, hundë shkëmbinjsh të murrmë. Krejt papritur ai dalloi Tishën që mbante përdore vajzën e tyre të vogël gjashtëvjeçare, Gentën. Sa pa Lamekun, Genta u shkëput nga duart e së ëmës dhe u nis me vrap drejt tij, duke thirrur “Babi, babi”.
Lameku shtangu. E pushtoi një dëshirë e marrë ta përqafonte fort të bijën, ta shtrëngonte pafundësisht midis krahëve, t’u merrte erë flokëve të saj të verdhë, siç bënte gjithmonë, kur ajo i ulej në prehër. Papritmas u tmerrua, zemra i theri fort nga dhimbja. Plakat që shpjegonin ëndrrat me të vdekur parathoshin diçka të tmerrshme. Po nëse ai vërtetë nuk ishte i gjallë, ç’do të bëhej me vajzën e vogël. Nëse ai e tërhiqte drejt vetes e merrte edhe atë me vete? Kështu i shpjegonin plakat ëndrrat me të vdekurit që u afroheshin të gjallëve. Lamek S. nuk priti të mendohej, po u kthye në anën tjetër dhe humbi midis turmës. Tëmthat i rrihnin si çekan kovaçi, ritmikisht, fort, shkatërrueshëm. Damarët e qafës i shtrëngonin fytin, duke u ngjeshur në thellësi të mishit aq sa po i merrnin frymën.
“Unë megjithatë jam gjallë, shqiptoi Lamek S. Të vdekurit nuk kanë dhimbje, nuk ndjejnë”.
Në atë ikje të çmendur nëpër njerëz Lamek S. kujtoi fjalët e Tishës, kur e ftoi të hanin darkë së bashku në restorantin “Dolce Camilla”.
“Ç’ thua! “Dolce Camilla” është një dyqan ku shiten lule spanjolle për të vdekurit. Dhe rrallë për të gjallët që u dhurojnë lule të dashurve të tyre”. Kështu pati thënë Tisha një ditë më parë. 


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Gruaja me të zeza (19-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]