|
|
|
Shtrati i dytë i lumit
E merkure, 20-06-2007, 12:46am (GMT)
Ka do kohë që nuk dua ta ngrej më receptorin e telefonit. Mamaja erdhi mbrëmë shumë e shqetësuar tek unë, më këqyri me sytë e saj të vuajtur një copë herë, u mat të më kërkonte diçka që unë nuk e mora vesh, po sa herë bëhej gati të më fliste, fjalët e ngushtonin në fyt, gëlltitej, kryqëzonte duart mbi barkun e saj të shterrur dhe shqiptonte diçka krejt tjetër, ankohej se prizat e kuzhinës janë djegur ose thoshte se duhet të thërrasim hidraulikun se na është çarë një tub në banjo. “Pashë një pllangë lagështire në murin e sallonit”, më tha. Asnjëherë nuk u bëmë mbarë në këtë shtëpi. Mamaja çdo ditë do të shpikë diçka të re: ose prishet dera e frigoriferit, ose digjen pllakat e sobës elektrike, ose çahet tubi i dushit, ose një virus ilegal futet në kompjuter nëpërmjet internetit, ose televizorit i ikën kujtesa e stacioneve dhe ne na ngatërrohen kanalet dhe figurat dyfishohen, trefishohen dhe ne shikojmë sekuencat e tre filmave njëkohësisht, një çift që puthet, burrin që prek me gishtrinjtë e zgjatur të dorës së djathtë seksin e femrës që përqafon, me hijen tjetër me kokë të lidhur, që qëllon me mitraloz dhe diçka tjetër të paqartë që mua më kujton filmin “Io ballo da sola”. Po mamaja këtë mbrëmje, nuk pati ardhur në studion time as për televizorin as për boljerin, as për shpinoren e divanit që ishte shtrembëruar, sikur ta kishte kapur një ngërç në kurriz. Mamaja u kthye nga dritarja, po sytë i mbante të ulur, nuk po vështronte jashtë, ku diku në largësi feksnin dritat e autostradës. “Sikur të blesh një telefon të ri”, tha mamaja. Dera e studios qe hapur dhe unë pashë time shoqe, që kaloi nëpër sallon me hapa të shpejtë, sikur ngutej të hiqte tenxheren e gjellës nga soba. U shtriqa mbi shpinoren e karrikes rrotulluese, u ktheva nga mamaja dhe e këqyra drejt e në sy. Dy muaj më parë pata blerë në Vjenë aparatin e ri telefonik dhe nuk po kuptoja se përse mamasë i qe mbushur mendja të merrnim një tjetër, kur ai funksiononte për bukuri. “Ai telefon ndjell zi, tha mamaja, vetëm lajme të këqia na ka sjellë që kur e fute në shtëpi”. Kryqëzoi duart mbi gjoks, sikur e fshihte prej meje shterrjen e saj të pashmangshme, ngriti sytë nga tavani dhe tha një lutje për Zotin, i lëshoi sytë prapë poshtë dhe pëshpëriti me një zë të shuar: “Ka vdekur Mark Bigzeza. I shuemi, tha mamaja, vdiq e mbaroi”. Prapë ngriti sytë nga tavani dhe kërkoi mëshirë për të vdekurin. Iu lut Zotit ta ndjente për mëkatet, tha “I qoftë i lehtë dheu”. Fërkoi sytë sikur donte të zgjohej nga ankthi i asaj vdekjeje. Matanë, në dhomën e ndenjes njëra nga vajzat ia kishte ngritur zërin televizorit në kupë të qiellit. Këndonte Emminemi “Lose Yourself”-in e tij dhe ime bijë me siguri vallëzonte, duke ndjekur ritmin e shfrenuar të tingujve, që mua po më çirrnin veshët. “Ule atë dreq televizori se na çmendët”, i tha ime shoqe vajzës tonë të vogël pesëvjeçare. Mamaja u lëshua në kolltuk, e kërrusur nga një dhimbje që unë nuk po e merrja vesh se nga vinte. Po në të njëjtën kohë më shfaqej para sysh fytyra e të vdekurit, ashtu siç e pata njohur unë qëkur isha fëmijë. Sytë e mëdhenj të vendosur larg njëri–tjetrit, të krijonin përshtypjen se Mark Bigzeza mund ta rrokte të gjithë botën me një vështrim të vetëm. Gjithmonë më merrte në shpinë të kalit, kur stërkatej si i krisur livadheve dhe unë kisha shumë frikë se do të na përmbyste të dyve e do të na thyente qafën. Kapesha me duart e mia të vogla pas krifës, ndërsa Marku me njërën dorë mbante frerin e lëshuar, kurse tjetrën ma lidhte mua rreth barkut që të mos i rrëshqisja nga prehëri. Dhe e tërhuzte kalin, që të fluturonte përmes livadheve aq sa të kthenin sytë e ta kundronin prej larg të gjitha gratë e katundit. “I shkreti Mark”, thashë me zë, pa iu drejtuar askujt. “Ti e kishe mik, tha mamaja, të donte shumë. Ai gjithmonë thoshte se ti do të bëheshe i madh dhe se një ditë do ta bëje katundin tonë të njohur në të gjithë botën”. Mamaja më tregoi edhe njëherë ëndrrën që pati parë Marku këtu e shumë vjet të shkuara kur unë isha shtatë vjeç. Më kishte parë duke zbritur nga kodra hipur mbi një gjog të bardhë arab, të veshur si mbret, me një përkrenare prej ari në kokë. Edhe rrobat i kisha të stolisura në ar, edhe pendët që kisha mbi përkrenare ishin prej ari. “Kjo ëndërr sjell fat”, thoshte Mark Bigzeza i shtruar për shtatë palë qejfe në mejhanen e vetme të katudit, me krye të rënduar nga pija. Askush në anët tona nuk është shfaqur ashtu, i ngrirë në ar”. Mamaja e tregoi edhe njëherë ëndrrën, kurse unë ndjeja fuqinë e zisë që po më pushtonte. Mark Bigzeza gjithçka e kishte patur me shumicë; edhe zinë e kishte të bigëzuar në mbiemrin e tij, si një lumë dyshtratësh. “Ti me siguri do të shkosh në varrimin e tij, tha mamaja. E kishe mik, nuk ke si të mos shkosh”. U ngrit nga kolltuku e doli nga studioja ime, duke tërhequr një hije të errët pas vetes. Unë ndërkaq nuk gjendesha më në studion time. Po përpiqesha të vrapoja në rrugicat e fshatit si dikur, duke ngritur pluhur me shputat e këmbëve të zbathura. Kërcinjtë e këmbëve dhe gishtërinjtë e duarve i kisha gjithë vraga plagësh dhe gërvishtjesh, madje edhe lëkurën e barkut e kisha të çjerrë, duke iu ngjitur pas trungjeve të pemëve që në fshatin tonë kërkojnë të shkojnë sa më lart, sikur duan t’i mbajnë frutat e tyre larg njerëzve, ose ku ta dish, i lidhin ata vetëm për zotat. Isha i vetmi që ngjitesha edhe në pemët më të vështira që e kishin trungun të gjatë e të lëmuar si shtyllat e betonit të linjave elektrike. Babai më ndukte çdo mbrëmje flokët në tëmtha, duke më kërcënuar se do të më zhdepte në dru, po të merrte vesh se jam ngjitur herë tjetër nëpër pemë. Po ndërsa babai më kërcënonte dhe ishte nga ata burra që e mbanin fjalën, si për mirë ashtu edhe për keq, mua mendja me rrinte tek qershia e Tomit, në kodër, më e larta dhe më e vështira. Frutet e saj i hanin vetëm zogjtë dhe ne, kalamajve na mbetej vetëm ndonjë kokërr që u shpëtonte atyre nga sqepi. Atë paradite e kisha soditur me lakmi një copë herë, shikoja degët që kuqëlonin prej qershive të pjekura. Nuk dija qershi ta kishte kokrrën aq të madhe sa ajo. Tomi shtriqej në barin e butë poshtë saj, më tregonte histori për të shkuarën e tij të largët, thoshte se dikur kishte patur një mikneshë nja dy katunde më larg, që lëngëzonte kur e shtije në dorë, si ato qershi, që “unë plak dhe ti fëmijë, më thoshte, nuk i mbërrijmë dot”. E kisha vendosur që të ngjitesha në atë qershi të nesërmen, edhe pse e dija se po ta merrte vesh babai, kësaj radhe do ta pësoja keq. Këtë premtim ia pata bërë edhe Tomit, po ai më tha se gratë e bukura dhe pemët e larta të thyejnë qafën, se ato nuk janë krijuar për njeriun, po për shejtanin. “Ruaje veten, tha, mos u zgjo zilinë njerëzve se do të ta nxijnë jetën”. Si në një film, më shfaqet vetja si një babuin duke u kacavjerrë nëpër degët e kurorës së lartë të qershisë, kapja kokrrat e mëdha e të lëngshme dhe i lëshoja një nga një poshtë në bar që t’i mblidhte Tomi. “Thyeja degët, më thoshte, thyeja dhe hidhi poshtë. Mos u lodh t’i mbledhësh një nga një. Askush përveç zogjve nuk ka për t’u ngjitur më në atë qershi”. Lëkura e barkut më digjte. Një gërvishtje e gjatë më fillonte poshtë sqetullës së majtë e përfundonte rrëzë kofshës së djathtë, rrëzat e kofshëve me digjnin nga fërkimi pas lëkurës së qershisë. Po degët nuk më shkonte mendja t’i thyeja, edhe pse e dija se aty nuk do të ngjitesha më kurrë. E mbaj mend ditën kur vdiq Tomi. Dha shpirt mbasdite i rrethuar nga djemtë, e shoqja dhe shumë fshatarë të tjerë, që e lutnin pa pushim të fuste diçka në gojë. Siç më kanë treguar më vonë, ia prunë shpirtin në majë të hundës, duke e lutur të merrte diçka nga të gjitha ato pako me ushqime të zgjedhura që kishin gatuar amvisat e fshatit, për ditën e tij të fundit. “Po fut diçka në gojë, burr i dheut, një lugë mjaltë, i grimë peshk. Troftat i zuri për ty djali i Martinit, a e mban mend, Mateon?” Tomi e kishte ngulur shikimin në tra dhe nuk përgjigjej. Këqyrte gjindjen e me siguri më kërkonte me sy midis asaj turme të bezdisshme të gjindjes, që s’po e linte rehat, po unë atë kohë, po zgjidhja në dërrasë të zezë një ushtrim algjebre që mësuesi ma kishte dhënë për dënim. “Po s’i nuk po fut asgjë në gojë, Tom, a don ndonjë gjë tjetër?” Atëherë Tomi, zëmërplasur nga prania e gjindjes që i lutej të fuste diçka në gojë, tha atë që donte e që i la pa frymë dhe i çakërdisi fshatarët: “Dua pidh”, tha dhe e lëshoi zemra, sikur në atë fjalë mëkatare të na paskësh qenë përqëndruar tërë kuptimi dhe vuajtja e jetës së tij. Fshatarët u tërhoqën të turpëruar, disa dolën kokëulur nga dhoma e tij e vdekjes, kurse djemtë dhe e shoqja, të tmerruar qëndronin të shtangur, duke mallkuar në heshtje të vdekurin: “Edhe ditën e mbrame na e more fytyrën. Shkofsh në Ferr!”, mallkuan. Kur po kthehesha nga shkolla pashë tymin e zi që ngjitej nga oxhaku i lartë i shtëpisë së Tomit. Gjithmonë ai oxhak mbi kulmin e shtëpisë, më ishte dukur si një njeri i zi, që rrinte në këmbë, duke përgjuar me vrimat e tij të zeza rretherrotull gjindjen që kalonte nëpër urën që lidhte dy lagjet e fshatit. Dhe nxirrte tym, herë të dobët dhe të tejdukshëm, që humbiste duke bërë disa laradashe të pakuptimta në qiell, e herë të zi dhe të errët, që e ndante hisen e qiellit të fshatit në dy gjysma të barabarta. Atë pasdite tokës i kishte rënë një hije e keqe, e zymtë dhe zindjellëse, aq sa mua mu futën të ngjethura në trup. Oxhaku mbi shtëpinë e Tomës lëshonte shtëllunga tymi të errët, që krijonin ca figura të frikshme, ndërsa zhvendoseshin me ngadalë në qiellin e fshatit. Matanë kodrave, dielli ndriste pafuqishëm, duke i rrëshqitur rrezet me mundim shpateve, sikur po jepte shpirt në një humbëtirë të tejbotshme. I shpejtova hapat që të mbërrija sa më parë në shtëpi, i përndjekur nga një frikë e pashpjegueshme. Kur iu afrova portës së oborrit, pashë se në kopshtin ku ne mbanim kosheret e bletëve qe shtrirë Tomi, i veshur me një xhaketë të re ushtarake. Për koke mbante lidhur një shami të kuqe. Një bletë i qe ngjitur në kurriz dhe po çlodhej para se të ngrihej edhe njëherë e të gjente zgjoin e saj. Hapa portën dhe u futa në shtëpi. Mamaja më përkëdheli kokën, më pyeti se si kisha dalë në shkollë, kërkoi diçka në një sirtar, u kthye prapë nga unë e më pyeti nëse doja diçka për të ngrënë. Tha me vete, sikur unë të mos isha fare aty: “Vdiq i marruar faqeziu”. “Kush?”, pyeta unë. “Tomi, kush tjetër,” tha mamaja e nxehur, sikur unë të kisha bërë ndonjë faj. “Tomi ia ka këputur gjumit në kopshtin tonë të bletëve i thashë. Sapo e pashë.” “Lëri dënglat, tha mamaja. Nuk bën të tallesh me të vdekurit.” “Unë e pashë, këmbëngula. Kishte veshur një xhaketë të re ushtarake dhe një bletë i qe ulur në kurriz.” “Çfarë Tomi, tha mamaja. Tomi ka dy orë që ka vdekur. Dhe vdiq për faqe të zezë.” U bëra gati të dilja e të shikoja Tomin që po flinte në kopshtin tonë të bletëve, por s’ma mbajti. Mamaja më tmerroi me zërin e saj të ashpër. Po Tomin unë e pashë, për këtë jam i sigurtë, të shtrirë në kopshtin e bletëve, të veshur me xhaketë ushtarake, zbathur, që të mos i djersinin shputat e këmbëve (mbaj mend se këpucët i kishte lënë njëra mbi tjetrën te deriçka e kopshtit) dhe bletën që prehej në kurriz të tij, duke marrë rrezet e fundit të diellit të asaj dite… . Kur pashë trupin e të ndjerit, të veshur me kostum të zi, shtrirë mbi një tabut të freskët, u binda se vdekja nuk ishte e vërtetë. E krahasova trupin e të ndjerit me lëkurën e vjetër që gjarpërinjtë lënë në pranverë të kacavjerrë në degët e shkurreve. Tomi me siguri, pasi ka lënë këtu këtë lëkurë të vjetër, mbi të cilën askush nuk qan, tallet me ne duke na vështruar nga një qoshe e fshehtë. Edhe Tomi, pas shumë rropatjeve në këtë jetë, më së fundmi e kishte çkyçur atë portë misterioze që i ndan të vdekurit prej të gjallëve. Po në të vërtetë, çfarë qëndronte pas asaj porte? Ata që arrinin ta çkyçnin këtë portë dhe futeshin në botën tjetër, ishin aq zemërkëqinj, sa asnjëherë nuk vinin të na tregonin se çfarë misteri fshihej pas asaj porte, po na linin të vuanim e të vrisnim mendjen duke bërë njëmijë hamendje, pa e gjetur kund fillin. Vetëm mendoja se në atë botë të gjithë vishnin rroba të reja. Papritmas e mblodha veten, kërkova në tryezë paketën e cigareve, po nuk po gjeja kund shkrepsen. Vdekja e Mark Bigzezës më pati tronditur thellë, më thellë nga të gjithë pleqtë që kishin vdekur gjatë gjithë këtyre viteve që unë jetoja larg fshatit. Tomi, Vuksani, Nikolla, Martini, Gjergji, Pjetri, Pali, Kola, Hila, Zefi, Deda, Prela, o Zot, sa shumë kishin vdekur dhe unë i kisha përcjellë një nga një, duke lëshuar nga një grusht dheu të zi mbi dërrasën e freskët të arkivolit. Mark Bigzeza ishte plaku i fundit i katundit, i fundit që unë mbaja mend nga ata pleq të fshatit, që më përcollën deri te stacioni i autobusit, kur u largova përgjithmonë nga fshati në moshën trembëdhjetë vjeçare. “Kam mbetur pa vendlindje”, thashë i pikëlluar me vete, duke kërkuar i hutuar në grumbullin e librave dhe shkresave të lëna rrëmujë në tryezë, sikur aty të gjendej ndonjë udhërrëfyes, që do të më shpinte në kohët e dikurshme. Me një ngutje të padurueshme qenë ndarë nga kjo botë të gjithë ata burra të hershëm që e patën mbushur fëmijërinë time plot me histori dhe më patën mësuar se sa barrë e vështirë është në këtë jetë të lindësh burrë i njëmendët, ashtu siç pandehnin ata se kisha lindur unë, që ia kisha këputur kokën gjyshit tim të njohur. Kur po ngjitesha në autobus, ata më porositën që të jetoja edhe për ta. “Jeto edhe për ne”, më thanë, se ky katundi ynë është i nëmur qysh prej krijimit. Mark Bigzeza, mu afrua ngadalë, ma shtrëngoi kryet pas gjoksit, aq sa mua mu futën në gojë qimet e ashpra dhe të thinjura të gjoksit të tij dhe pa më pyetur më futi në xhepin e pantallonave një shuk parash. “Udhë të mbarë, më tha, më këqyri edhe njëherë sikur po përcillte për larg birin e tij, ktheu kryet mënjanë që të fshihte lotët prej meje dhe shtoi: Na e ke borxh nga një grusht dhè, na e ke borxh se të kemi dashur shumë”. Unë atëherë as që mendoja për botën e përtejme dhe habitesha se si burrat në fshatin tonë mendonin aq shumë për vdekjen, flisnin për të si për një mikeshë të vjetër, me dhembshuri dhe ndruajtje, sikur trembeshin se mos e lëndonin. Autobusi u nis me uturimë, duke vënë me mundim në lëvizje pistonat e vjetër të dieselit të tij. Unë ndjehesha krejt bosh dhe i trembur për vdekje. Aty, në fshat, ndjehesha i sigurt, kurse atje ku do të shkoja nuk e dija se çfarë më priste, nuk e dija a do t’ia dilja mbanë të mbaroja shkollën, të bëhesha i rëndësishëm, si ata burrat që shikoja mbrëmjeve në televizion gjatë rubrikës televizive të lajmeve. “Vdiq e mbaroi”, shqiptova instinktivisht fjalët e mamasë, duke sjellë ndërmend edhe njëherë Mark Bigzezën. U ngrita nga karrikja rrotulluese dhe iu afrova dritares. Atje në thellësi dëgjoheshin të qeshura, nga Pub-i “Pantera e Zezë” vinin tinguj të çakorduar, ritme të shthurura të përziera me të qeshura, klithma, zëra të dehur njerëzorë. U përpoqa të shikoj këndet e errët, malin e fundosur në terr atje përballë. Prisja të më shfaqej nga ajo errësirë fytyra eshtake e Mark Bigzezës, prisja të dëgjoja të qeshurën e tij shkundëse, sikur shkulte vendit themelet dhe rrënjët e pemëve, u mundova të shquaj zërin e tij midis atyre zërave të përçartë, po ai tashmë ishte i humbur përgjithnjë dhe priste vetëm një grusht të ftohtë dhèu mbi dërrasën e freskët të arkivolit, i vetmi mesazh besnikërie që unë mund t’i dërgoja në këtë gjendje. Aty për aty më erdhi në mendje Lena, e shoqja e Markut. Tani me siguri rrinte te kryet e të ndjerit, me fytyrën të mbuluar me një shami të zezë, të madhe si ferexhetë që mbajnë gratë arabe ose zonjat e vjetra të qytetit në lagjen muslimane. Qante të shoqin ose ku ta dish, lutej që i Lumnueshmi t’i falte mëkatet e shumta, ngaqë Mark Bigeza nuk qe rrëfyer kurrë në kishë. Gratë e tjera të fshatit hyjnë e dalin nga dhoma e të vdekurit. Shara, nëse është ende gjallë, thotë ndonjë histori me të vdekurit që ngrihen nga varri e enden rrugëve shtatë ditë e shtatë netë, duke i shkelur për së vdekuri të gjitha ato rrugë e vende që i patën shkelur për së gjalli. “Ditën e shtatë, thotë Shara, të vdekurin e marrin engjëjt, nëse e ka rrugën të çelur për në Parajsë ose djajtë, nëse në këtë jetën tonë të rrejshme, nuk i ka lënë dy gurë bashkë”. Mamaja u fut prapë në dhomën time, tha diçka për jetën e përtejme dhe më pyeti nëse do të nisesha të nesërmen në mëngjes herët me makinë apo do të prisja të merrja linjën e trenit të shpejtë. “Do të nisem tashti”, i thashë. Desha të shtoj se nata është më e përshtatshme për një udhëtim zije, por nuk munda. “Nuk po shkon për shëtitje”, tha mamaja e pakënaqur. Ngriti nga dyshemeja një këmishë timen që e kisha hedhur pa e vrarë mendjen lëmsh në mes të dhomës, tha se këpucët mi kishte lustruar, kostumin e zisë ma kishte pastruar dhe fshirë dhe se e kisha gati në garderobë. Dy orë më vonë gjendesha në mesin e autostradës së shkretë në atë pasmesnatë të shurdhët. Rrëzë kodrave atje tej ndriçonin dritat e qytezave dhe fshatrave të ngjeshur pas njëri-tjetrit, kurse rruga drejt veriut ngjante e errët dhe e braktisur, sikur pas vdekjes së Mark Bigzezës, të mos kishte mbetur më frymë njeriu në ato anë. E dija se do të arrija atje në mëngjes, se njerëzia do ta zgjatnin kokën për të parë se kush na paska ardhur në fshat kaq herët, se te mejhania e fshatit, që tashmë është shndërruar në restorant dhe bar modern ndonjë nga djemtë haramë, që se mban shtëpia brenda do të më ftojë për kafe, edhe pse unë për të do të jem thjeshtë një i panjohur që vjen nga larg. Fshati ka ndryshuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve, sa unë pothuajse nuk e njoh më, po vetëm kureshtja për të huajin ka mbetur po ajo e dikurshmja. E shtova shpejtësinë në autostradën e zbrazët, i trembur nga ngutja e akrepave të orës dhe prapë më doli para syve Lena, e veshur krejt me të zeza me sy të enjtur nga lotët e derdhur për të shoqin. Marku thoshte gjithmonë se nuk ka grua si Lena Bigzeza. Një natë të flesh me të e ta heq mallin e gruas për shtatë vjet. Unë skuqesha deri te veshët kur Marku më fliste për punët e grave, ulja kokën dhe gjuha më lidhej në fyt. “U bëre burrë, më thoshte Marku, kur ende nuk i kisha mbushur trembëdhjetë vjeçët. Zoti e krijoi gruan për të kënaqur burrin, djalli e zhveshi gruan dhe shpiku martesën që t’i hakmerrej burrit. Satanai nuk e duronte vetminë e tij dhe çmendej nga zilia kur e shihte burrin të shoqëruar nga gruaja e tij. Ai e shpiku martesën, ai djalli koqelëshuar, që i tërheq hallatet zhag kur endet rrugëve të fshatit”. Unë ktheja kokën në anën tjetër, përpiqesha që të mos e dëgjoja, po ai e ngrinte zërin, këmbëngulte të më bënte burrë. “Po pate turp me femrat more fund, thoshte. Gratë i duan burrat e pacipë, i tallin ata që u skuqet faqja kur duan t’u thonë një fjalë”. Fliste i sigurtë në vete, sikur këto të vërteta vetëm ai i dinte, fërkonte qafën e trashë, duke i ngulur bulat e gishtërinjve në mish, zgurdullonte sytë dhe aty për aty më kthehej, gati me inat: “Gratë veç te zdërveku i burrit e kanë mendjen”. Unë isha mbledhur sa një grusht, dridhesha dhe më vinte për të vjellë nga fjalët e ndyra, që Marku i përdorte me shumicë, pa iu dridhur qërpiku. Njëherë kisha parë një grua të zhveshur, të gurët e zinj, një verë më përpara. Po lahej në piskun e vapës, kur gjindja ishin mbyllur nëpër shtëpi e po bënin pushimin e drekës. Pellgu, që përroi krijonte midis tre gurëve të mëdhenj që mbështetin kokën te njëri - tjetri, ishte i errët dhe i fshehur. Aty gjatë verës mblidheshin peshqit më të mëdhenj të lumit dhe unë shkoja shpesh për të peshkuar ose thjeshtë për të soditur peshqit në kullosën e tyre. Fshihesha mbrapa gurit, zgjasja kokën dhe sodisja për orë të tëra pellgun, duke ndjekur me sy lëvizjet e peshqve, ndjekjen e gaforreve fatkeqe, kapjen në befasi të fluturave të ujit ose luftën e troftave me njëra - tjetrën në kërkim të gjahut. Atë drekë, pata ikur fshehurazi nga shtëpia dhe shkova si zakonisht te gurët e zinj që të sodisja pellgun. Kur u afrova dëgjova llokoçitje në ujë. Zgjata kokën dhe pashë gruan cullak. Fytyrën nuk ia shikoja, po gjoksin e varur dhe atë gjënë e errët midis këmbëve ia dalloja qartë. Në dorën e djathtë ajo mbante një makinë rroje si të babait, kurse me të majtën, po e fërkonte me sapun leshin e errët aq sa e mbuloi krejt me shkumë të bardhë. Po rruante qimet e gjata dhe të errëta, duke zbuluar një bardhësi marramendëse. Shtëllungat e vogla të leshit notonin mbi ujin e pellgut. Valëzimi i ngadaltë i ujit i shtynte ato drejt meje. U tmerrova dhe ia dhashë vrapit, duke shkaktuar pas vetes një zhurmë të llahtarshme. Askujt nuk ia tregova atë që kisha parë te gurët e zinj, po pas disa ditësh pashë një ëndërr të tmerrshme: disa burra të veshur krejt me të zeza më kishin lidhur këmbësh e duarsh pas trungut të blirit në oborr të shkollës dhe beqaresha e fshatit, Kaçuta, po më zbërthente kopsat e pantallonave. Donin të më turpëronin në sy të të gjithë shkollës. Vajzat nxirrnin gjuhën, kurse djemtë zgërdhiheshin në mënyrë të paturpshme. Kur më doli gjumi e kisha trupin të mbuluar me djersë. Atë natë e gdhiva pa gjumë, duke menduar se mëkati më i rëndë në këtë jetë është të përgjosh një grua të zhveshur. Nga ky ankth më shkundi po atë ditë Mark Bigzeza. Më mori mes krahëve më ngriti përpjetë drejt qiellit, më hodhi lart e më priti me duart e tij të fuqishme, tha se kur të rritesha do të bëhesha një burrë tërheqës që do t`i çmendja gratë e katundeve rreth e rrotull. Papritmas ai më uli në tokë, nxori një paketë cigaresh nga xhepi, ndezi një cigare dhe u tret në mendime. “Kush i lakmon kësaj jete, s’din gja”, tha, duke e ngulur vështrimin mbi duart e tij të mëdha. Dhe sikur të fliste me veten shtoi: “Po unë as asaj jetës tjetër nuk i lakmoj”. Papritmas u kthye nga unë, më këqyri drejt e në sy. “A të pëlqejnë vajzat?” Unë u skuqa dhe nuk i ktheva përgjigje. “Nuk është turp të të pëlqejnë vajzat”, iu përgjigj po vetë pyetjes së tij. “Në këtë jetë duhet t’i shpenzosh të gjitha fuqitë, trupin, zemrën, shpirtin, mendjen, të gjitha. Të thonë si të donë, po Mark Bigzeza nuk i ka lënë gjë mangut kësaj jete. Dhe gratë ma kanë mbajtur gjallë këtë shpirt…”. Kisha dëgjuar si nëpër mjegull se Mark Bigzeza e tradhtonte gruan, se madje këtë e dinte edhe e shoqja Lena, po ajo nuk e jepte veten. “Nderin gjithkush e ka për vete”, u pati thënë ajo grave të fshatit, duke ua prerë fjalën shkurt, sikur të mos bëhej fjalë për të shoqin, po për një të panjohur të largët. “Kush nuk i do gratë ka shpirt të keq”, tha Mark Bigzeza, duke flakur tutje bishtin e cigares. U ngrit dhe iku me vrull, sikur të ishte vonuar për një takim dashurie, kurse mua më la në udhëkryq, pa ditur se nga duhej t’ia mbaja. Sapo kishte zbardhur dita e re, kur mbërrita në hyrje të fshatit. Frenova makinën mbi urë, zbrita dhe, duke u mbështetur për parmak, ia ngula sytë lumit. Një erë e lehtë frynte nga jugu, duke më prekur pandjeshëm në fytyrë dhe në flokë. Matanë lumit qenë ndërtuar shumë shtëpi të reja, të larta, që ngjanin me një bllok vilash të fshehura në mes të gjelbërimit. Matanë, në vend të mejhanes së vjetër, ngrihej një motel trekatësh i ndërtuar me një arkitekturë tipike alpine, i ngjashëm me motelet luksozë që jemi mësuar të shikojmë në Alpet e Zvicrës apo të Austrisë. Një grua e re po endej midis tryezave që ishin shpërndarë në oborrin e motelit të mbushur me lule shumëngjyrëshe. Të pi një kafe njëherë pas këtij udhëtimi të gjatë, thashë me vete, pastaj shkoj nga shtëpia e të ndjerit. U futa pas pak në lokalin e zbrazët që gruaja e re sapo e kishte pastruar. Zura një tavolinë në qoshe dhe prita të vinte ndonjë kamarier që të më shërbente. Pas një farë kohe doli prapë gruaja e re, më përshëndeti plot mirësjellje në dialektin vendas, që unë po e dëgjoja me aq mallëngjim mbas kaq vitesh dhe më ftoi të futesha brenda, se jashtë tha ajo bën shumë fresk mëngjeseve e mund të marrësh ndonjë të ftohur pa e kuptuar. Iu binda zërit urdhërues të saj, e ndoqa mbrapa, u futa në një bar të vogël, ku ishin vendosur disa kolltuqe të shtrenjtë dhe disa tavolina të vogla, si ato që zakonisht mbajmë në dhomat e pritjes. Gruaja, pasi më pyeti se çfarë dëshiroja, tha se i shoqi ende nuk ishte zgjuar, se lodhej e këputej gjatë gjithë ditës dhe se në këtë vend të mallkuar ende nuk i kishin nxjerrë lekët që kishin shpenzuar për ndërtimin e këtij moteli, pasi këtu vizitorët janë të rrallë, kurse vendasit pijnë vetëm kafe dhe pije të lira. Ajo bëri shpejt e shpejt dy kafe, solli një shishe me ujë sipas porosisë time, dhe mori një shishe me uiski e mbushi dy gota, një për mua dhe një për vete. I bëra shenjë se nuk doja të pija kaq herët po ajo kundërshtoi: “Në anët tona, tha, kafja nuk pihet thatë.” U rehatua në kolltuk përballë meje, tha se po të doja unë ajo mund të zgjonte të shoqin që flinte ende, dhe si për të shtyrë bisedën, që papritmas u gjend në fundin e saj, më pyeti se ç`e mirë më kishte sjellë në këto anë. I thashë se jam nga këto anë dhe se kam ardhur të marr pjesë në varrimin e Mark Bigzezës. Gruaja e re zgurdulloi sytë e tmerruar, u tërhoq mbrapa në kolltukun e saj, më këqyri e çakërdisur dhe tha: “Mark Bigzeza ka shtatë vjet që ka vdekur?!” Unë shtanga. Gruaja e re po më këqyrte me vëmendje, papritmas u çel në fytyrë, tha se unë duhej të isha Antoni, ai fëmija i prapë që e braktisi fshatin trembëdhjetë vjeç dhe që thonë se është bërë i madh e merret me qeveritë e botës. Gruaja aty për aty ia krisi të qeshurit. “Ah more Anton, tha, sa u pëpoqëm të të merrnim në telefon atëherë, se Mark Bigzeza e la me amanet të të njoftonim. Gjithë fshati u përpoq, po linjat atë ditë nuk punonin…”. Gruaja mori një cigare nga paketa ime dhe e ndezi. Dukej se e ndizte shumë rrallë se thithja e cigares i shtrembëroi fytyrën dhe i shkaktoi një të kollitur të lëngshme. “O Zot, tha, shtatë vjet qenka endur nëpër botë ajo telefonatë që të mbërrijë tek ti.” “Po e shoqja pyeta unë, Lena, a është gjallë?” “Edhe ajo ka vdekur, tha gruaja e re. U bënë dhjetë vjetë a më shumë.” Mora shishen e uiskit, mbusha një got plot dhe e ktheva me fund që të merrja veten. Gruaja e re tha se në fshat tashmë të gjithë ishin të rinj e se, pas vdekjes së Mark Bigzezës, gjindja në këtë fshat nuk plakeshin më. Gruaja u ngrit, e afroi kolltukun e saj afër meje dhe duke u ulur më përshpëriti në vesh: “Po të rrish me ne, brenda javës do të bëhesh dhjetë vjet më i ri”. Dikush u fut në barin e vogël dhe qëndroi në anën tjetër kundruall nesh. Gruaja e re i bëri shenjë të priste. “Do të shkojmë bashkë në varreza, që të vendosësh një tufë lule të freskëta në varrin e Mark Bigëzezës”, tha gruaja e re. “Dhe një grusht dhè të zi” shtova unë, krejtësisht i humbur, pa mundur ta marr dot veten pas atij udhëtimi të gjatë, rraskapitës.
|
|
|
|