Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E premte, 05-09-2008, 03:32pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
 » Luigj Gurakuqi
 » Lazër Stani
 » Lindita Arapi
 » Luljeta Lleshanaku
 » Lekë Matrënga
 » Lorena Stroka
 » Leka Ndoja
 » Luan Starova
 » Lamë Kodra
 » Llemadeo Dukagjini
 » Lekë Gjoka
 » Lumnije Hoxha
 » Lindita Dragusha
 » Luljeta Danaj
 » Lluka Perone
 » Lazër Shantoja
 » Laureta Mema
 » Luigj Çekaj
 » Lindita Komani
 » Lazër Radi
 » Leonard Seiti
 » Lek Pervizi
 » Lasgush Poradeci
 » Liman Zogaj
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët L-LL » Lazër Stani
 
Lulet e Adrianës
E merkure, 20-06-2007, 12:47am (GMT)

                                       Hello Lazer, I trust I will meet you someday. 
                                        Be well. That will be a good day…
                                        Adrian

Në orën gjashtë të çdo mbrëmjeje unë gjindem në hollin e madh të Shtëpisë së Shkrimtarëve, e kthyer me shpinë nga prozatorët dhe poetët e zymtë, që pasi i kanë dhënë fund një dite të mundimshme krijuese (ata vetë e dinë më mirë se kushdo se sa shterpë dhe e pakuptimtë është jeta e njeriut), presin aty mbrëmjen, pa u ngutur e të qetë, si një fund të pashmangshëm, duke e luftuar plogështinë me tymin e cigareve të markave të lira ose me ndonjë frazë boshe, të gjetur keq e të shqiptuar në mënyrë banale. Në fakt, të gjithë anëtarët e përkohshëm të kolonisë pandehin se unë, Adrian Ann Boruch, jam e magjepsur nga piktura e fiksuar në mur përballë meje, më këqyrin të çuditur, më marrin për një adoleshente, që dreqi e merr vesh se si jam mbajtur peng nga Howard Hodgkin me atë “Lovers”-in e tij të pakuptueshëm. Në një nga këto mbrëmje njëri prej poetëve që banon në të njëjtën shtëpi me ne, mu afrua, ia nguli sytë pikturës së varur në mur, nxori paketën e më zgjati një cigare (këtu është i vetmi vend ku lejohet duhani), tha se “At first sight the painting seems abstract, but in fact it represents a memory of a real encounter”, dhe lëshoi nga goja një shtëllungë tymi që pasi përshkoi një hapësirë të caktuar, u tret si fjalët e tij të kota. Atëkohë u dëgjua zilja këmbëngulëse e telefonit, që e mbushi boshllëkun e hollit me një frymë të huaj, të makthshme. Vrapova si e çmendur për të ngritur receptorin. Si çdo mbrëmje në orën gjashtë, prapë në telefon ishte i dashuri i Mary-t që telefononte nga Europa. Pasi më përshëndeti me anglishten e tij të çuditshme, por që unë e kuptoja fjalë për fjalë, tha se nëse kisha mundësi ta lajmëroja pak Mary Brian-in. Unë, edhe pse e dija se kush ishte këmbëngula të di se cili e kërkonte. Nga ana tjetër e botës erdhi përgjigjja më e çuditshme dhe më e papritur për mua: “Your husband”. “My husband?!”, pëshpërita krejtësisht e trullosur, ula receptorin mbi banak dhe vrapova të kërkoj Mary-n, duke thirrur “Mary, Mary”.
“Na çmendet me Mary”-n, tha një shkrimtar shtatshkurtër, që bënte varavinga me një bisht cigareje të shuar në buzë. “Ne të tjerët nuk duam të flasim në telefon, që e bllokoni natë për natë linjën nga një orë”. 
Me erdhi t’i këpus një të sharë këtij babloku të shkretë, që kërkush nuk i telefononte kurrë. Unë vazhdova ta kërkoj Mary Brian-in në restorant, në bar, në dhomën e saj, po ajo nuk gjendej askund. U ktheva prapë të banaku, i kërkova ndjesë që Mary për momentin nuk ndodhej dhe i thashë se mund të telefononte më vonë, nëse i krijohej mundësia.
“Këtu tani ka kaluar mesnata. Ndjehem shumë i lodhur, tha ai pikëllueshëm. Po i thuaj se jam mirë dhe se i telefonova”. Më falenderoi, pata përshtypjen se buzëqeshi i përmbajtur dhe e mbylli telefonin.
Unë e mbajta edhe një grimherë receptorin në vesh, por nga fundi tjetër i botës zëri i tij qe shuar përfundimisht. Përpara meje zgjatej një tunel i errët i mbushur me lëngun e trashë të errësirës, ku papritmas varrosej, koha dhe hapësira shndërrohej në një trajtë të vetme, të papërcaktuar e mbytëse. I tillë duhet të jetë fundi i botës, mendova, kur dielli të jetë fikur dhe kur gjithësia të ketë shterruar energjinë e saj. Një ndjenjë boshllëku mu ngjit nga diafragma në krahëror. Që të mos bija në dysheme e këputur, dola me nxitim nga holli, zbrita shkallët e gjëra të daljes kryesore dhe mora rrugën që të çonte drejt pyllit. Muzgu i pati mbështjellë me mantelin e tij të murrmë rrugicat e ngushta, drurët, dëborën që dergjej në tokë, fantazmat e kodrave që këtu të gjithë i quanin male. E kuptova se qe punë e kotë të kërkoja studion time në pyll ashtu e trullosur siç isha. Ecja  andej nga më çonin këmbët, me dëshirën që të shpëtoja nga fashot e zbehta të dritës që vinin nga dritaret e Shtëpisë tonë, ku pas ngrënies së darkës, shkrimtarët të mbledhur grupe - grupe diskutonin për krijimtarinë e njëri - tjetrit, për shkrimtarë të tjerë të mëdhenj ose thjeshtë flisnin për veten, çka mua më neveriste. Ktheva kokën dhe i hodha një sy shtëpisë, që në fakt ishte një hotel gjashtë katësh me një arkitekturë të vjetër, trill i një farë aristokrati të sëmurë nga romantizmi, të quajtur David Redlin, që në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, pas një aventure rrënuese me një poete franceze, e la në testament gjithë pasurinë e tij për ndërtimin e kësaj shtëpie, projektin e së cilës e pati bërë vetë. Dritaret e mekura prapa perdeve të së cilave digjeshin abazhurët e verdhë, më ngjanë me kandilat që digjen në varrezat e hebrenjve.
Unë jam e krisur, mendova, kam luajtur mendsh. Ç’lidhje kam unë me gjithë këtë histori, që në fakt, as histori nuk është, një çmenduri të vërtetë mund ta quash se ndryshe nuk ke se si e shpjegon çoroditjen time pas hamendjeve të marra që janë kaq irreale, sa edhe vetë ëndrrat e mëngjesit. Megjithatë, nuk  mund të jenë një cikël i njëpasnjëshëm gabimesh mosparaqitja në telefon e Mary-t në orën gjashtë, prania ime aty, hutimi i tij dhe ajo përgjigjja fatale “Your  husband”, përpjekja ime e kotë për të gjetur Mary-n në të gjitha vendet ku mund të ndodhej në atë orë, buzëqeshja e tij e pikëlluar në anën tjetër të botës dhe ky bosh që më krijon në shpirt zëri i tij i andejbotshëm. Fundja unë kam dy javë që bëj të njëjtën gjë, gjithmonë lajmëroj Mary-n, kur e thërrasin në telefon, Mary flet gjatë dhe unë ndjek ndryshimet në fytyrën e saj pas çdo fraze të shqiptuar, vërej si ajo ndriçohet nga brenda, si tkurret, si mbushet me dhimbje, si errëtohet dhe fiket vështrimi i saj, si ndrydhen buzët e njoma, si i zbehen faqet lëkurëpjeshkë dhe prapë se si çlirohet prej saj një zjarr i brendshëm që më ngjan me ngjalljen e Lazarit nga Jezusi.
Unë jam krejt jashtë historisë së tyre, Mary-n këtu e kam njohur, më ekzaktësisht e kam njohur para dy javësh, kur unë u gjenda rastësisht te telefoni, në çastin që buçiti si e çmendur zilja dhe një zë çuditërisht magjepsës kërkoi plot mirësjellje nëse mund ta thërrisja në telefon Mary Brian-in. Pas këtij çasti, unë e kuptoj, u bëra edhe vetë një lojtare në historinë e tyre, u lidha me të me një nyje misterioze dhe nuk i shmangem dot. Me Mary-n u miqësuam shpejt. Ajo është e çiltër, serioze, jashtëzakonisht inteligjente dhe me shumë humor. Kur unë e pyeta për të dashurin e saj, ajo mu përgjigj shkurt: “Është njeri”, po këtë përgjigje e shqiptoi në një mënyrë të tillë, sikur kjo të na paskësh qenë gjëja më e rrallë e botës. Ajo nuk bisedon kurrë me mua për të, por shkrimtaret e tjera më kanë thënë se nuk e heq kurrë nga goja, madje e citon në biseda, thotë se është i mrekullueshëm dhe asnjë burrë në botë nuk i hyn në sy para tij. Në këtë shtëpi, ku shumica e burrave janë pederastë dhe gratë lesbike, ajo nuk afrohet me askënd, me përjashtim të babagjyshit Blake, respektin për të cilin na e ka imponuar të gjithëve.
Këmbët më kanë çuar thellë në pyll, mbledh veten e pushtuar nga një ndjenjë frike e papritur, vendos të kthehem në shtëpinë tonë, ku unë do të qëndroj edhe plot dy javë. Kujtohem se sonte në orën nëntë do të organizohet një mbrëmje e veçantë për Mark String-un, që largohet nesër. String-u është mjeshtër i fotografisë artistike, ka fotografuar artistët më të shquar të botës, madje para dy ditësh ka shpenzuar një film të tërë duke fotografuar Mary Brian-in, e vetmja prej shkrimtarëve që pati privilegjin të zgjidhej prej tij.  Nxitoj të arrij në Shtëpinë e Shkrimtarëve, po kur mbërrij në stacionin e tramvajit krejt papritur kërcej në tramvaj dhe mbërrij në qytet. Në orën tetë të mbrëmjes gjendem para magazinës së madhe të luleve, porosis një buqetë madhështore me lulet më të zgjedhura dhe në kohën që shitësja e sjellshme po përgatiste buqetën, unë, nga telefoni i magazinës, porosita urgjent një taksi që do të më kthente. Me buqetën e luleve në duar, hyra në taksi dhe i thashë taksistit se nxitoja, duhej të isha sa më parë në Shtëpinë e Shkrimtarëve “Redlin”.
Taksisti më ngushëlloi duke më thënë se pas dhjetë minutash je aty. Kur mbërritëm, unë dola nga hyrja anësore, për fat dera ishte e hapur, ngjita shpejt shkallët dhe vendosa  buqetën e madhe të luleve prapa derës së Mary-t, në katin e tretë dhe zbrita në holl. U ndala prapë para pikturës së Howard Hodgkinit dhe prita se mos binte edhe njëherë zilja e telefonit.
Se si mu shfaq afër ai tipi që zuri të përralliste diçka për pikturën “Lovers” të Hodgkinit. Nxora paketën dhe i zgjata një cigare. “Besoj se tani jemi në rregull”, i thashë.
Tipi ndezi cigaren që i zgjata unë dhe u largua qejfprishur, duke mos e fshehur pakënaqësinë për sjelljen time brutale. “Pederasti i mutit” gati sa s’ulërita, por u përmbajta.
U futa në bar, ku prozatorë, poetë, piktorë e kompozitorë të shquar, burra dhe gra të ulur nëpër tryeza pritnin fillimin e darkës ceremoniale për përcjelljen e Mark String-ut. Mary, për çudinë time nuk ishte aty. Zura një karrike bosh, porosita një uiski “Ballantains” dhe ktheva kryet nga hyrja, duke pritur të shfaqej aty Mary Brian-i, ideali i shumë mbrëmjeve tona. Dhjetë minuta më vonë, Mary Brian-i hyri në bar ashtu siç nuk e kisha parë kurrë: i ngjante një vogëlusheje të dashuruar për herë të parë në jetë. Sytë e saj të mëdhenj e të zinj qenë të mbushur me dritën e një dashurie misterioze, fytyra i reflektonte një lumturi të brendshme, që si një dehje që zuri të na ngjitej edhe ne të tjerëve. “Mary Brian-i di të jetë e lumtur”, mendova. Dukej se sa po kishte dalë nga dushi dhe kishte shpenzuar mjaft kohë për tualetin. “Erdhi princesha e mbrëmjes”, tha babagjyshi Blake dhe ngriti gotën. Në zallamahinë e përshëndetjeve, thirrjeve, urimeve unë nuk mora vesh gjë, humba në atë rrëmujë njerëzish që ëndrrën e shkelnin me këmbë, njësoj si jetën. “Ai europiani i Mary-t nuk është si këta, mendova, ai ka timbër tjetër në zërin e tij, ka diçka të mbikësojetshme”. E kuptova se u përfshiva rishtaz në historinë time fantastike, u zhyta në imagjinatë. Kjo lojë s’do të ketë kurrë fund, thashë me vete dhe u ngrita e dola në holl. Piktura e Hodgkinit ishte aty, e varur në mur, me një shtjellë zjarri që digjej brenda saj. Ndeza e turbulluar një cigare (uiski më kishte rënë në kokë) dhe u përpoqa të përfshihem në abstraksionin e pikturës. I ngjaja një fluture në errësirë që papritmas ka pikasur një zjarr që digjet në vetminë e pyllit dhe ngutet të përfshihet nga flakët e tij. Edhe unë jam një flutur nate që nuk po zbuloj dot zjarrin tim, ku të shkrihem midis flakëve… .
“Adrian, Adrian”, dëgjova të më thërriste nga pas zëri i Mary Brian-it. U ktheva nga ajo dhe nxitova ta përqafoj. E putha rrëmbyeshëm, plot pasion, e ngritur peshë nga një instinkt i pashpjegueshëm. E shtrëngova midis krahëve, iu ngjesha pas trupit, ashtu siç rraset gruaja pas burrit të dashur.
“Në orën gjashtë të telefonoi burri, thashë. Nuk ju gjeta askund”.
“Ah, Danieli, do ta thërras në telefon nesër mbrëma”.
Si u mendua një grimherë, pyeti:
“Nuk ju la ndonjë porosi?”
“Jo, vetëm se tha se ishte shumë i lodhur, se tashmë atje ishte vonë dhe se do të flinte.”
Mary ndjehej e shqetësuar, këmbënguli që të ktheheshim prapë në bar dhe të pinim diçka së bashku. Nuk i kundërshtova. U kthyem të dyja së bashku, gjetëm një tryezë të lirë dhe u ulëm. Porositëm prapë uiski për të dyja. Mary këqyrte e hutuar fytyrat e burrave në bar që gjysmë të dehur i bënin komplimenta njëri-tjetrit, ndërsa një damë plakë nga Meksika,
shkrimtare librash bestseller, shumë e preferuar nga udhëtarët e trenave të linjave të largëta, u zbulonte atyre me mospërfillje kofshët e saj të plakura. Nxora paketën dhe ndeza një cigare tjetër. Më kumboi prapë në vesh “Your husband”, gabimi fatal i Danielit dhe u mundova të gjej lidhjen midis atij cikli gabimesh të njëpasnjëshme, që kishin mbushur ditën time e që gjithsesi nuk më linin të qetë. Edhe Mary Brian-i qe nervoze, përthyente gishtërinjtë e vegjël si gishtërinj fëmije, ia ngulte sytë e zemëruar herë njërit shkrimtar e herë tjetrit, pa mundur të dëshifrojë asgjë nga fytyrat e tyre të mjegullta, që kur zbulonin vështrimin e saj zhbirues buzëqeshin idiotësisht. 
“Rachela, ku ishte sonte Rachela?” pyeti papritmas Mary Brian-i me një zë të trembur, sikur të kishte marrë kumtin e një tragjedie tashmë të ndodhur.
“Rachela është sëmurë nga grykët”, i thashë e habitur me sjelljen e saj të pazakontë në këtë mbrëmje. Fundja edhe ajo, përderisa e kishte miken më të mirë këtu duhej ta dinte se që prej dy ditësh kishte zënë shtratin nga grykët. “A mos ka ardhur gjë Bernard-i?” mu drejtua Mary Brian-i, me një frikë të pashpjegueshme që kuptohej lehtë nga mënyra se si i shqiptoi fjalët, si të mbështjella me qeska ankthi dhe dyshimi.
“Nuk e di, i thashë shkurt. Për këtë më mirë të kishe pyetur Rachelën. Ajo e di ku ndodhet burri i saj”. U ngrita e shushatur, si një e porsazgjuar që e ka të vështirë të ndahet nga shtrati i ngrohtë. Mary Brian-i nuk lëvizi nga vendi, madje nuk ngriti as sytë të më shikonte. Qëndroi e vetmuar me sy të ngulur në këndin e tryezës së vogël katrore dhe kur unë po dilja, pashë se ajo ndezi një cigare tjetër. U ngjita në dhomën time, mblodha plaçkat, i sistemova në valixhe, u vesha me rrobat e mia të udhëtimit dhe zbrita poshtë, në hollin tashmë të zbrazur. Vetëm nga bari vinte ende kumbimi i shurdhër i bisedave të zjarrta të shkrimtarëve, që, pasi i kishin dhënë fund darkës dhe e kishin tepruar me pije, ndjeheshin në qejf, tregonin histori të ndyra papafingosh dhe bodrumesh, ku epshi i zhveshur lakuriq ka kuptimin e tij.
Porosita një taksi dhe dola tek porta e vjetër prej druri, pikërisht aty, ku shkrimtarët, pasi përkuleshin me nderim, bënin hapin e parë të mallëngjyer, duke kapërcyer pragun që të bënte përkohësisht zot në Shtëpinë e famshme të Shkrimtarëve “Redlin”.
Ndjeva flokët e borës të më përplaseshin në fytyrë dhe një e rrënqethur e akullt mu ngjit nëpër gjymtyrë dhe pas shtyllës kurrizore. U dalluan dritat e taksisë që pas disa çasteve më ndaloi para këmbëve. “Ku doni të shkoni në këtë orë të vonë zonjë”, mu drejtua taksisti plak që pas derës gjysmë të hapur. Pa i kthyer përgjigje, i tregova bagazhet e mia dhe hyra në taksi. Zgjodha sediljen e prapme sepse doja të ndjehesha sa më shumë vetëm. Kur mbërritëm në qytetin më të afërt, i thashë taksistit të ndalonte para ndonjë kabine telefonike. Shtrëngoja midis duarve kartvizitën e Mary Brian-it dhe prita derisa taksisti gjeti më në fund një kabinë telefonike. Zbrita nga taksia dhe u futa në kabinë, formova me duart që më dridheshin numrin e Daniel Brian-it dhe prita të dëgjoja zërin e tij. Siç duket ai nuk flinte, sepse e ngriti menjëherë receptorin dhe shqiptoi “Hello”.
“I’m Adrian Ann Boruch…”.
Fjalët me ngecën në grykë. “Hello Adrian,” u dëgjua zëri i tij në anën tjetër të botës. Qe një zë i kumbueshëm, i kthjellët, i ngrohtë dhe intim, sikur më fliste nga pas perdes.
“Më falni që ju telefonova në këtë orë, por…”
“Asgjë Adrian, unë zgjuar isha.”
“Ndoshta një ditë do të shihemi dhe shpresoj që të jetë një takim i këndshëm për të dy”, thashë unë duke i shqiptuar këto fjalë nga thellësia e shpirtit.
Danieli nuk më ktheu përgjigje. Ndoshta nuk i kuptoi mirë fjalët e mia ose ku ta dish, fjalët e mia qenë të pakuptueshme, absurde, të flakura me dhimbje në një adresë të gabuar. E ula receptorin dhe dola nga kabina e tronditur. Taksisti më bëri shenjë që të futesha brenda dhe mërmëriti diçka për të ftohtin dhe ngricat që këto vitet e fundit qenë bërë të padurueshme. Pa u kushtuar rëndësi llomotitjeve të tij, i tregova emrin e qytetit ku banoja dhe u nisëm nëpër rrugën e zbazët, e bindur se kurrë më nuk do të kthehesha në “Redlin”, në Shtëpinë e famshme të Shkrimtarëve, ku me një buqetë të madhe lulesh magjepsëse, zbulova nektarin helmues të lumturisë.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Shtrati i dytë i lumit (20-06-2007)
Një vonesë bagazhesh (19-06-2007)
Përgjigjmu nesër (19-06-2007)
Dolce Camilla (19-06-2007)
Gruaja me të zeza (19-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]